Vazhdon getoizimi i (pa)drejtë i shtetasve kosovarë!

Vazhdon getoizimi i (pa)drejtë i shtetasve kosovarë!
  • 29 January 2018 - 08:46

Pasojë e një lidershipi të papërgjegjshëm

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Kosova është i vetmi vend në rajon me prezencën më të madhe ndërkombëtare. Mirëpo, edhe përkundër kësaj, shtetasit kosovarë kanë mbetur të vetmit në rajon të getoizuar, pa të drejtën e lëvizjes së lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian! BE-ja, përveç prezencës politike (diplomatike), policore (EULEX) dhe ushtarake (KFOR), nga fillimi i aplikimit të monedhës "EURO", Kosovës i ka imponuar sistemin monetar pa qenë fare pjesë e saj. Mirëpo, të njëjtat kritere nuk ka arritur t'i aplikojë aq lehtë edhe në vendet e rajonit, gjegjësisht edhe në ish republikat e tjera të ish- federatës jugosllave. BE-ja në njërën anë Kosovës i instalon sistemin monetar të saj, ndërsa në tjetrën paradoksalisht i mohon liberalizimin e vizave për qytetarët e saj! Fatkeqësisht, padrejtësitë ndaj shtetit të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht 10 vjet më parë (17 shkurt 2008) po vazhdojnë edhe në ditët e sotme.

Parlamenti të përdoret si marionetë e Qeverisë

Vënia e kushteve të padrejta pushtetarëve kosovarë në këmbim të liberalizimit të vizave, siç është Demarkacioni me Malin e Zi, është akt i paprecedent nga zyrtarët e BE-së! Pasi një gjë të tillë nuk e kanë aplikuar edhe për vendet e tjera të rajonit, gjegjësisht me republikat e tjera të ish- federatës jugosllave, disa prej të cilave janë bërë edhe pjesë e BE-së dhe NATO-s pa iu vënë kushtin e demarkimit të kufirit, siç është rasti pikërisht me Malin e Zi, me të cilin vend Kosova ndodhet në kontest territorial, por që qytetarët e këtij vendi nuk e bartin asnjë konsekuencë sa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave drejt vendeve të BE-së. Kështu, të vetmit që padrejtësisht po penalizohen në Ballkanin jugperëndimorë janë shqiptarët. A thua pse!? Sepse e gjithë kjo është pasojë e një lidershipi të papërgjegjshëm kosovar në këtë dekadën e fundit, gjegjësisht në dekadën e pavarësimit dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit tonë. Thellësisht jam i bindur se, sikur të kishim liderë të përgjegjshëm shtetërorë dhe klasë politike të pastër dhe të pakorruptuar, do të kishim një Parlament të fortë, kredibil, të përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe të respektuar nga bashkësia ndërkombëtare. Përderisa Parlamenti të përdoret si marionetë e Qeverisë, nuk mund të pritet gjë e mirë dhe me vlerë për vendin tonë. Nivelin e ulët, do të thosha mesjetar të klasës politike në Parlamentin e Kosovës, e dëshmoi seanca e fundit, respektivisht interpelanca e kryeministrit Haradinaj në raport me të shtë- nat me armë të ministrit të Diasporës z.Dardan Gashim në ahengun e famshëm familjar! Sjelljet dhe gjuha e përdorur (primitive dhe seksiste) e deputetëve në njërën anë dhe mbrojtja e një veprimi krejtë- sisht të paligjshëm të ministrit në fjalë, duke u thirrur në traditat popullore, e dëshmon qartë kulturën dhe nivelin në të cilin ka rrëshqitur politikëbërja kosovare në fundin e dekadës së parë të pavarësisë së shtetit tonë dhe në fundin e dekadës së dytë të shekullit 21!

Sjelljet e fundit të pushtetarëve dhe deputetëve në Parlamentin e Kosovës

Sikur të zgjedhurit e popullit (deputetët) të silleshin konform besimit qytetar, atëherë shkarkimi i ministrit Dardan Gashi duhet të ishte pikënisja, përderisa veprimet ligjore të sistemit të drejtësisë me vazhdimin e mëtutjeshëm për ndëshkimin edhe të aktorëve të tjerë që u sollën si "kauboj" të Hollivudit në ahengun e famshëm familjar në Banjë të Malishevës. Kjo nuk ndodhi për arsyen e thjeshtë, pasi shkarkimi eventual i sekserit të kontrabandimit të votës së deputetes Teutë (Ibrahim) Rugova, do t'i rrezikonte Ramush Haradinjat humbjen e postit të kryeministrit. Por, meqë kjo nuk ndodhi, keqqeverisja e vendit, parregullsitë dhe anarkia në sistemin gjyqësor do të vazhdojnë akoma, ndoshta deri në pambarim,...derisa të vijë në pushtet një klasë e përgjegjshme politike, me etikë dhe integritet profesional për të udhëhequr shtetin dhe dikasteret përkatëse qeveritare. Mbase sjelljet e fundit të pushtetarëve dhe deputetëve në Parlamentin e Kosovës, do të jenë një "alibi" më shumë për getoizimin e mëtutjeshëm të qytetarëve të këtij vendi dhe talljen me liderët shtetërorë të Kosovës me mosdhënie të vizave nga shtetet e BE-së, përderisa zyrtarët evropianë hyjnë e dalin nga Kosova pa u "skanerizuar" nga autoritetet kufitare në Aeroportin ndërkombëtar "Adem Jashari" në Prishtinë. Përkundër këtij fakti, javëve dhe ditëve të fundit është shtuar dukshëm fluksi i qytetarëve kosovarë para ambasadave të huaja në Prishtinë, për të kërkuar vizën për largim nga ferri që u shkaktuan politikanët e papërgjegjshëm në dekadën e fundit në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës.

(Kosova Sot)