Ja pse opozitës në Shqipëri nuk i besojnë akoma shumica e shqiptarëve

Ja pse opozitës në Shqipëri nuk i besojnë akoma shumica e shqiptarëve
  • 30 January 2018 - 08:41

Në mënyrë të ashpër u ndëshkuan me votë 

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI 

Me gjithë gjendjen në Shqipëri, të mosrealizimeve të politikës dhe të pushtetit të "Rilindjes" dhe të kryeministrit Edi Rama, populli shqiptar nuk është i bindur dhe nuk i beson më kësaj opozite të pandryshueshme politike të sotme në Shqipëri, sepse janë po ata të cilët në mënyrë të ashpër u ndëshkuan me votë dhe me meritë shumë rëndë: në zgjedhjet e vitit 2013, në ato të vitit 2015 dhe në këto të vitit 2017. Kjo opozitë me këta farë liderësh opozitarë janë tejet të konsumuar, të diskredituar dhe të neveritshëm saqë kur dalin dhe kërkojnë pushtet dhe akuzojnë të tjerët për ato, për të cilat vetë ata janë arkitektët dhe kampionët e të këqijave, dhe kjo vetëm sa krijon vjellje shpirtërore dhe alergji morale te shqiptarët. Në opinionin e tyre qytetar shqiptaret janë dakord se duhet ndryshimi i qeverisjes së sotme, por hallin dhe shqetësimin qytetarët e shprehin me pyetjen se kujt t'i besojmë, kush do të qeverisë, kush do të vijë pas kësaj qeverisje jo të mirë dhe jo publike të sotme?! A mos duhet të vijnë përsëri po këta dhe po këto fytyra, të cilët ishin dhe i provuam më parë, të cilët nuk lanë poshtërsi, krim dhe korrupsion pa bërë?! Pra, kujtesa kolektive popullore akoma i ka të freskëta "bëmat" e tmerrshme të Partisë Demokratike dhe të satelitëve të saj, të cilët i janë ngjitur pas këpuce asaj edhe sot. Çfarë ka të freskët qytetari shqiptar për ish pushtetin berishist, apo më saktë çfarë të mire panë Shqipëria dhe shqiptarët prej Sali Berishës, prej këtij rrënimtari të pashoq? 

Berisha është mashtruesi dhe spekulatori më i madh me demokracinë shqiptare

Gjithçka e keqe pothuajse e këtij tranzicioni 27-vjeçar pas vetërënies së komunizmit në Shqipëri buron nga të ashtuquajturat reforma "demokratike"(antisociale dhe antikombëtare) të këtij rrënimtari duke filluar si me: ligjin e tokës dhe të pronave, politikë e cila i ka çuar shqiptarët nëpër gjyqe dhe në vetëgjyqësi ku kanë humbur jetën për konflikte pronësia mijëra e mijëra shqiptarë. Reformat e këtij rrënimtari sulmuan dhe shkatërruan shtetin, autoritetin e tij dhe pasuritë e tij: u sulmua, u vodh, u grabit, u rrënua dhe u privatizua falas prej falangave të pushtetit të tij gjithçka çfarë ishte krijuar me mundin, gjakun dhe me punën e djersën e shqiptarëve. Po ky model rrënimi antishtetëror e antisocial ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë edhe në Kosovë, me shtetin, me shoqërinë dhe me pasuritë publike e ndërmarrjet strategjike kombëtare edhe atje. Po ky model qeverisës politik autokratik dhe korruptiv i Partisë Demokratike të Shqipërisë është zbatuar e kopjuar edhe nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe LSI por edhe nga PDK-ja, LDK-ja dhe "Vetëvendosja" e Kosovës dhe nga politika shqiptare në tërësi. Berisha është mashtruesi dhe spekulatori më i madh me demokracinë shqiptare, është manipolatori dhe shfrytëzuesi për interesa të tij personale politike dhe pushteti i shterës së të persekutuarve politikë dhe i desidencës antikomuniste, i cili ka spekuluar me vuajtjet e tyre sa për t'ua marrë votën dhe që kurrë ai nuk bëri asgjë për integrimin politik të tyre. Sali Berisha është autori i shkatërrimit "demokratik"të ushtrisë shqiptare; i ngritjes së firmave financiare piramidale. Ai është autori i instalimit, kultivimit dhe i kulturalizimit të sistemit të vjedhjes, blerjes dhe i manipulimit të zgjedhjeve demokratike; Berisha është autokrati më i madh në Evropë prej të cilit ,për pushtetin personal të tij dhe të Partisë së tij e çoi Shqipërinë në prag të luftës civile në vitin 1997, dhe në grushtin e shtetit të vitit 1998. Sali Berisha në pushtetin tij të parë 1992-97, dhe në të dytin 2005- 2013 ka hipotekuar në histori dhe në kujtesën kolektive historike të shqiptarëve edhe tradhtinë kombëtare kundër Kosovës me shkeljen e embargos ndërkombëtare të naftës kundër Millosheviçit; pushteti i tij i "fali" Greqisë 355 km2 hapësirë ujore; ai dhe pushteti i tij miratoi ndërtimin në territorin shqiptar të Shqipërisë të varrezave të ushtarëve pushtues grekë. 

Megaskandalet korruptive

Për pushtetin, për korrupsionin e pushtetit të tij dhe të grupit të ë tij të cilët ishin edhe në krye të kësaj proteste edhe sot bashkë me të tjerët, ishin të përhershmit kryetarë të vegjël, të cilët nuk kanë as vlera politike, as kombëtare, nuk kanë as anëtarë, as ushtarë, as vota, si D. Shehi, si N.Ndoka dhe A. Duka; ishte në krye të saj edhe Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes së Berishës, i cili bashkë me ish-kryeministrin e tij Berisha bënë krimin shtetëror në Gërdec, ku u vranë 27 shqiptarë, u plagosën mbi 300 të tjerë dhe u rrafshuan 5 fshatra, dhe këtij Mediut na i paska mbetur ndonjë fije moral që të na bëjë politikë akoma, kur ai duhet të ishte dënuar për atë se çfarë krimi është bërë kur ai ishte ministër mbrojtje. Prej korrupsionit dhe prej pushtetit të tij u vranë 4 protestues shqiptarë pse protestuan paqësisht për votën e lirë, për transparencë të zgjedhjeve. Është dështim dhe mjerim i madh për PD-në, e cila shpresën për të ardhur në pushtet e ka te LSI-ja, te ish-aleatja e saj, të cilët së bashku, ish-pushteti PD-LSI, janë autorët e këtij krimi të rëndë shtetëror. Berisha dhe pushteti i tij duhet të përgjigjen edhe për megaskandalet korruptive të rrënimit të ndërmarrjeve dhe të pasurive strategjike të shtetit shqiptar si p.sh. privatizimi korruptiv i operatorit të shpërndarjes së energjisë dhe të karburantit, të ARMOs; ishte politika e famshme e Berishës "Shqipëria një euro" ajo e cila nxori në ankand Shqipërinë; ishte politika e tij ajo e cila e zhyti Shqipërinë në një borxh të thellë duke e bërë Shqipërinë, vendin më të varfër të Evropës, edhe si një prej vendeve më borxhli në Botë, ish-pushteti i tij merrte borxhe të reja për të shlyer ato të vjetra, vendi që merrte borxhe për të paguar pagat e administratës, ish-qeveria e tij merrte borxhe si askush tjetër me përqindje interesi dyshifrore. Dhe ajo e cila i ka bërë dëmin më të madh shqiptarëve dhe Shqipërisë, prej asaj të cilat rrodhën dhe iu erdhën shqiptarëve gjithë këto të zeze është shkatërrimi, asgjësimi dhe kapja prej tij e sistemit të drejtësisë; ku pushteti berishist e privatizoi si pronë të tij edhe drejtësinë.

Heshtja për korrupsionin

Reforma personale e tij në sistemin e drejtësisë është grushti më i rëndë që iu dha shtetit të së drejtës, shoqërisë, demokracisë, patriotizmit, intelektualizmit dhe integrimit të shqiptarëve. Prandaj PD dhe kryetari i saj fantazmë, Sali Berisha, janë ata më kryesorët që e kundërshtuan miratimin e Reformës në Drejtësi, por që vazhdojnë sa të munden edhe me protesta për ta penguar zbatimin e saj. Këtë e bëjnë nga halli se tashmë ai dhe shpura e ishservilëve të pushtetit të tij do të japin llogari për ato se çfarë u kanë bërë shqiptarëve, Shqipërisë, interesit dhe prestigjit kombëtar. Prandaj ishte e destinuar për të dështuar edhe protesta e kësaj opozite e 27 janarit 2018. Pra, arsyeja më kryesore se përse kjo opozita aktuale nuk është e besueshme te shqiptarët është fakti se: përderisa mbi 90% e shqiptarëve nuk besojnë te drejtësia, ata nuk kanë pse të besojnë më te kjo opozitë, te Sali Berisha dhe të tjerët rreth tij, sepse këta janë autorët e instalimit të këtij sistemi drejtësie të kapur prej tyre, të korruptuar dhe të kriminalizuar, për çmontimin e së cilës u angazhuan SHBA-ja dhe BEja. Berisha dhe PD akoma nuk janë të besueshëm te Perëndimi, sepse pavarësisht katastrofës së madhe që u erdhi shqiptarëve nga pushtetiberishisto-pd-ist i vitit 1997, megjithatë Perëndimi e përkrahu dhe e certifikoi Berishën dhe PD-në përsëri në vitin 2005 si kryeministër, i cili zhgënjeu shumë rëndë edhe perëndimin, por së pari zhgënjeu shumë rëndë shqiptarët, të cilët e ndëshkuan ashpër me votë në vitin 2013. Perëndimi ia "njohu" edhe ia pranoi Berishës edhe vjedhjet e votave në vitin 2009, heshti edhe për korrupsionin, për kapjen dhe kriminalizimin e drejtësisë. Por tani Perëndimi nuk i beson kësaj opozite të sotme, të cilët janë po ata, Perëndimi ashtu sikurse edhe opinion i gjerë i brendshëm në Shqipëri nuk i beson opozitës së sotme akoma të pareformuar, pa program, pa alternativë dhe pa vizion dhe e cila nuk është distancuar nga e kaluara e saj jo e largët dhe që nuk është ndarë nga berishizmi dështak, por akoma ka mbetur me retorikë bajate. Për Partinë demokratike, për lidershipin e saj dhe për Sali Berishën, shkakun pse ajo është në këtë gjendje po e "kërkon" duke fajësuar SHBA-në dhe te BE-ja, duke akuzuar diplomatët dhe ambasadorët e tyre, po e kërkon duke kundërshtuar VETTINGun dhe "antiVETTING-u" është kauza e protestave të opozitës si ajo e dhjetorit 2017 ashtu edhe kjo e 27 janarit 2018. PD është partia politike e cila ka nevojë më shumë se çdo parti politike tjetër në Shqipëri për VETTING, për pastrim, për dekomunistifikim të radhëve të saj, për pastrim nga ish-sigurimsat e shtetit dhe për pastrim prej individëve me rekorde kriminale dhe korrupsioni, pasi vetëm kështu mund të fillojë rilindja e saj dhe e së djathtës shqiptare, autor i rrënimit të së cilës është ish- komunisti me stazhin më të gjatë të anëtarësisë në Partinë Komuniste Shqiptare, ishsekretari i organizatës më të rëndësishme të saj, ish-miku dhe besniku e familjes së ngushtë të diktatorit komunist, i cili uzurpoi Partinë Demokratike që me krijimin e saj e udhëhoqi, e shfrytëzoi, e keqpërdori derisa e rrënoi dhe e solli edhe atë ashtu si edhe Shqipërinë në këtë derexhe ku gjendet sot. Pas dështimeve të mëdha politike në rrugë demokratike, në zgjedhje, në politikën opozitare në Parlament, me protestat e dëshpëruara paqësore ndoshta tani PD e LSI mund të fillojnë të përdorin forma të tjera jodemokratike, si djegie të mandateve të deputetit dhe forma të tjera destabiliteti, pasi PD akoma dirigjohet në hije nga mjeshtri i destabilizimeve, nga rrënimtari Sali Berisha.

(Vazhdon me… "Ja pse edhe "Rilindja" e E. Ramës nuk është e besueshme për të qeverisur më tej".)

(Kosova Sot)