Një marrëveshje për koalicionin gjerman, për ta riformësuar rrënjësisht Evropën

Një marrëveshje për koalicionin gjerman, për ta riformësuar rrënjësisht Evropën
  • 30 January 2018 - 10:23

SE A DO TË JETË E QËNDRUESHME MBETET TË SHIHET

Evropa është çështja kryesore

Shkruan: WOLFGANG MUNCHAU 

Dy partitë kryesore të Gjermanisë përfundimisht arritën një marrëveshje preliminare për një koalicion të madh. Se a do të jetë kjo marrëveshje e qëndrueshme mbetet të shihet. Ende ka shumë pengesa në rrugën midis marrëveshjes së arritur në orët e hershme të së premtes në mëngjes dhe bërjes së Gjermanisë me qeveri të re. Por, nëse partitë e përfshira - kristian-demokratët të udhëhequr nga kancelarja Angela Merkel dhe social-demokratët ia dalin që ta çojnë këtë gjë përpara, atëherë do të bëhet fjalë për një veprim me të vërtetë radikal në një aspekt: pjesa rreth të së ardhmes së BE-së paraqet shtyrjen më të madhe nga ana e Gjermanisë kah integrimi i kontinentit, që nga Marrëveshja e Mastrihtit, të arritur një çerek shekulli më parë. Në marrëveshjen e kaluar, për formimin e një koalicioni të madh, në vitin 2013, thuajse nuk kishte asnjë referencë ndaj Evropës, përpos klisheve të rëndomta. Çështja kryesore atëherë ishte rroga minimale nacionale. Por, në marrëveshjen e javës së kaluar, Evropa është çështja kryesore. Ky seksion shkon përtej një gatishmërie të përgjithshme për t'u angazhuar me presidentin francez Emmanuel Macron në lidhje me reformën e eurozonës. Ai shpreh gatishmërinë për zgjerimin e buxhetit të BE-së me një kontribut më të madh bruto të Gjermanisë. Aty në mënyrë të veçantë mbështetet një buxhet i eurozonës për të financuar stabilizimin makroekonomik, konvergjencën sociale dhe reformat strukturore. 

Shkarja monumentale

Mënyra sesi e kuptoj unë këtë, është se, Mekanizmi i stabilitetit evropian (ESM), ombrella shpëtimtare, do të ishte një pjesë e një buxheti të zgjeruar të BE-së, e jo, sikur tani, që të udhëhiqet nga shtetet anëtare. Kjo është saktësisht ajo që ka kërkuar Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Evropian. Me gjasë ai tani është i kënaqur. Kjo paraqet një shkarje monumentale nga inter-qeveritarizmi i zonjës Merkel kah një qëndrim më integral. Pyetem se çka do të bëjnë me këtë kthesë "U" të kancelares, konservatorët në CDU dhe aleatët e tyre bavarezë, Unioni kristian-social. Sa i përket ESM-së, ne e dimë se Gjermania donte ta zgjeronte atë, por ne nuk e dinim se ajo tani dëshiron që ai të ankorohet brenda BE-së. Wolfgang Schäuble, ish-ministri i Financave ishte i vendosur që ESM nuk duhej të hynte nën kontroll të komisionit. Duket se edhe ky qëndrim ka ndryshuar. Marrëveshja preliminare po ashtu parashikon forcimin e Parlamentit Evropian, me qëllim që qeverisja e eurozonës të bëhet më demokratike. Në këtë aspekt, partitë gjermane nuk pajtohen me presidentin Macron, i cili dëshiron një parlament të ndarë të eurozonës. Por, Gjermania mbështetë Francën për thirrjen eksplicite për përforcimin e politikave 'anti-dumping' dhe për imponimin e një tatimi minimal të korporatave në tërë BE-në. Duhet të kemi kujdes nga një konfrontim më i madh midis Francës dhe Gjermanisë, në njërën anë dhe shteteve me tatime të ulëta, sikur që është Irlanda, në anën tjetër. Faqet e para të marrëveshjes ofrojnë mirëseardhje për ata nga ne që janë angazhuar për më shumë masa, për ta bërë eurozonën më pak të prirë ndaj krizave. Seksioni rreth Evropës qartazi zbulon dorën e Martin Schulzit, liderit të SPD-së dhe ish-president të Parlamentit Evropian. Por, si do të pranohet kjo nga një aktivist i thjeshtë i SPD-së? A ka bërë entuziazmi i tyre rreth integrimit evropian, që ta tejkalojnë armiqësinë e tyre ndaj Merkelit? Anëtarësia e përgjithshme e SPD-së janë armiqësore ndaj stilit udhëheqës të kancelares dhe janë të zemëruar nga tendenca e saj që t'i përshtatë politikat e tyre, duke i bërë politika të veta. Pikëpamja konsensuale brenda SPDsë thotë se kjo iu kushton me zgjedhje. Shumë prej tyre, duke përfshirë edhe organizatën rinore të SPD-së, duan qëndrimin në opozitë. Unë nuk jam mbështetës i koalicioneve të mëdha, meqë ato, në fund, forcojnë partitë ekstremiste. Për më tepër, një koalicion i ri nuk do të jetë i madh. Ai do t'i kishte 56% të ulëseve në Bundestag, krahasuar me gati 80%, sa ishte herën e kaluar. 

Do të jetë vështirë që anëtarët e SPD-së ta miratojnë një qeveri të koalicionit

Një koalicion i ri i madh mund të jetë i fundit i llojit të vet. Gjermania mund të bëhet si Holanda, ku për formimin e qeverisë nevojiten katër apo pesë parti. A është ky një çmim që ia vlen të paguhet, për një agjendë evropiane me një të ardhme të pasigurt? Nuk ka asnjë garanci se, një propozim i përbashkët franko-gjerman për eurozonë, a do të ishte i pranueshëm për të gjitha vendet anëtare të BE-së. Kjo do të kërkonte një ndryshim formal të marrëveshjes, gjë që vetë do të duhej të dakordohej nga të gjitha vendet anëtare. Franca dhe Gjermania mund t'ia fillojnë nga një koalicion i vullnetit dhe, të vazhdojnë nga aty. Marrëveshja e koalicionit e arritur nga qeveria e re e Holandës, përmend një objektiv tërësisht të kundërt: pa forcim të mëtejmë të eurozonës. A ka mundësi me të vërtetë që Franca dhe Gjermania të shkojnë përpara pa Holandën? A do ta ndryshojë Holanda mendimin, nëse këtë e bën Gjermania. Ajo që është e sigurt, është se, sido që të jetë, do të kemi një situatë të vështirë. Do të jetë vështirë që në kongresin partiak të SPDsë të sigurohet mbështetje rreth bisedimeve formale për formimin e bisedimeve të koalicionit. Do të jetë vështirë që anëtarët e SPD-së ta miratojnë një qeveri të koalicionit. Dhe, edhe më vështirë do të jetë që të gjitha 19 vendet anëtare të eurozonës të pajtohen për bërjen e reformave. Ndoshta pjesa më e rëndësishme e dokumentit të së premtes është se ai sinjalizon një shkarje nga stili i përmbajtur menaxherial i Merkel-it, te një politikë më të përqendruar te agjenda. Jemi duke iu afruar një epoke të re. 

(Kosova Sot)