Mos u jepni hua miqve të Eurozonës!

Mos u jepni hua miqve të Eurozonës!
  • 05 August 2015 - 08:33

Shkruan: Hans-Werner Sinn

Rasti i Greqisë

Marrëveshja e fundit për borxhin grek pengoi krizën në Eurozonë

Gjatë pesë vjetëve të fundit, rreth 344 miliardë euro kanë rrjedhur nga kreditorët zyrtarë, si Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në valixhet e Qeverisë së Greqisë dhe bankave komerciale të vendit

Pas muajve të lojës dhe vetëm një javë pasi votuesit grekë e refuzuan paketën prej 7.5 miliardë eurosh, që vinte në këmbim të masave shtrënguese, pati ardhur fundi. Liderët politikë të Eurozonës u patën pajtuar që t’i fillonin negociatat për një shumë tepër më të madhe – 86 miliardë euro – sa pothuajse gjysma e GDP-së së Greqisë. Fatkeqësisht, kjo marrëveshje e tregon vendosmërinë e qartë të Evropës për ta sjellë në skenë një tragjedi të njëjtë në të ardhmen.

Gjatë pesë vjetëve të fundit, rreth 344 miliardë euro kanë rrjedhur nga kreditorët zyrtarë, si Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në valixhet e Qeverisë së Greqisë dhe bankave komerciale të vendit. Mirëpo, pas gjashtë muajve të negociatave pothuajse të pavlera, pushimet kishin ardhur, duke u zvogëluar afati për gjetjen e një zgjidhje për Greqinë. Përkundër faktit që Zyra për Stabilitet Financiar të Evropës edhe zyrtarisht e kishte deklaruar falimentimin e Greqisë më 3 korrik, liderët e Eurozonës e kishin hequr pazgjidhshmërinë nga rruga përsëri.

Përgatitja e valutës paralele

Marrëveshja e arritur së fundmi e ka ndalur, ose të paktën e ka penguar, krizën më të madhe të Eurozonës, që ka kulmuar me një periudhë të paprecedent të antipatisë, shkatërrimit dhe të shantazhit përbrenda Evropës. Në fakt, Greqia për pak sa nuk ishte larguar nga Eurozona.

Ish ministri grek i financave, Yanis Varoufakis, ka thënë që pasi e kishte marrë detyrën ai e kishte krijuar një grup, me pëlqimin e kryeministrit, Alexis Tsipras, grup ky që fshehurazi ishte takuar për përgatitjen e një valute paralele, që do të shërbente pas daljes eventuale të Greqisë nga Eurozona. Edhe Qeveria e Gjermanisë dukej e gatshme për ta pranuar atë që dukej e pashmangshme. Sikur presidenti francez, François Hollande, ta mos e këshillonte Greqinë, prapa shpinës së kancelares gjermane, se si duhej vepruar në negociata, ngjarjet do të mund të kishin marrë një kurs krejtësisht tjetër.

Kundërthëniet e hidhura në mes të Eurogrupit, jo vetëm se i kishin përkeqësuar marrëdhëniet në mes të anëtarëve të unionit monetar, mirëpo edhe kishin shkaktuar shfaqjen e tensioneve në mes të qeverive kombëtare. Shumë liderë evropianë ende po i lëpijnë plagët e tyre. Mirëpo, tani ka ardhur koha që ata të reflektojnë për gjërat që kanë ngjarë dhe ta mendojnë pse kanë ngjarë.

Zënka kishte rezultuar nga një përpjekje për ta vendosur politikën mbi ekonominë. Dogma e pagabueshmërisë së politikanëve evropianë ka pasur përplasje të ashpër me realitetin.

Evropa do të vazhdojë të përballet me konflikte të tilla edhe në të ardhmen nëse vazhdon të aplikojë qasje të njëjtë ndaj problemeve, të cilën e ka aplikuar në rastin e Greqisë. Gabimi jetik ka ndodhur në prill dhe maj të vitit 2010, kur huadhënësit zyrtarë, në formën e shteteve të tjera anëtare të Eurozonës, i kishin zëvendësuar kreditorët privatë të Greqisë.

Kjo marrëveshje ishte propozuar nga presidenti i atëhershëm i BQE-së, Jean-Claude Trichet, në mospërputhje të qartë me Traktatin e Mastrihut, që thotë se nuk ka mundësi të deklarohet paaftësia për shlyerjen e borxheve, që ka qenë edhe kushti themelor i Gjermanisë për braktisjen e markës gjerman. Mirëpo, presidenti francez, Nicolas Sarkozy, kishte kërcënuar me largim nga euro nëse Gjermania nuk e nënshkruante marrëveshjen. Christine Lagarde, ministrja e atëhershme financave në Francë, kishte thënë: “Ne i kemi shkelur të gjitha rregullat, duke dashur që ta shpëtojmë Eurozonën”.

Bankat greke i dhanë hua Qeverisë së Greqisë  

Rregullat, në fakt, ishin shkelur, mirëpo se a është shpëtuar apo jo Eurozona, mbetet të shihet. Ajo marrëveshje ka shpëtuar bankat komerciale, që i kishin dhënë hua Greqisë. Bankat greke kanë qenë ato që i kishin dhënë më së shumti hua Qeverisë së Greqisë, 29 miliardë euro, duke u ndjekur nga bankat franceze, që ia kishin huazuar 20 miliardë, bankat gjermane 17 miliardë euro dhe ato amerikane që i kishin dhënë Greqisë 4 miliardë euro.

Marrëveshje e kishte shpëtuar edhe BQE-në, pasi krediti fiskal kishte zëvendësuar një pjesë të kreditit, që ishte ndërtuar nga fillimi i vitit 2008. Në atë kohë, ekonomia e Greqisë ishte ballafaquar me një ndalje të përnjëhershme të rrjedhjes së kapitalit privat dhe Banka Qendrore e Greqisë kishte financuar gjithë deficitin e tanishëm të shtetit

Mirëpo, shpëtimi i bankave nuk është njëjtë sikur shpëtimi i euros. Për më tepër, shpëtimi i euros nuk është i njëjtë me shpëtimin e projektit evropian.

Vendimi për asistencë financiare në vitin 2010 e kishte transformuar zënkën normale në fushën e biznesit, që kishte ngjarë në mes të kreditorëve, në një zënkë në mes të shteteve sovrane, gjë kjo që kishte rezultuar si municion për partitë radikale.

Pa socializmin e borxhit të siguruar nga paketat e shpëtimit, Varoufakis, apo cilido ministër i Financave në Greqi, do të duhej ta deklaronte paaftësinë për t’i shlyer borxhet, duke u detyruar që më pastaj të përballeshin me kreditorët privatë nga vende të ndryshme të botës. Si rrjedhojë, shtetet gjegjëse do të detyroheshin t’i shpëtonin bankat me paratë e taksapaguesve.

Për të qenë më i saktë, shpëtimi i bankave lokale nuk do të ishte një proces i lehtë. Mirëpo do ta kishte shpëtuar Evropën nga spektakli i përçarjeve në mes të shteteve anëtare. Në vitin 2008, Gjermania e kishte shpëtuar ‘Hypo Real Estate’, ndërsa në vitin 2011 e kishte shpëtuar ‘Dexia Bank’-ën në Belgjikë, Francë dhe Luksemburg.

Sakrifikimi i taksapaguesve nga politikanët

Bankat gjithmonë parashikojnë katastrofa sa herë që rritet numri i atyre që nuk kanë mundësi t’i kthejnë borxhet. Politikanët, më pastaj, zakonisht veprojnë duke i sakrifikuar taksapaguesit. Mirëpo, më shumë se 180 deklarime të paaftësisë për shlyerjen e borxheve, që kanë ngjarë që prej vitit 1945, nuk i kanë shtyrë ato shtete drejt greminës. Në fakt, atyre u është dhënë një mundësi për një fillim të ri. Në fakt, rreziqet, me të cilat po përballet sot Evropa si rezultat i socializmit të borxheve janë shumë më të mëdha sesa ato që u janë imponuar nga krizat potenciale financiare.

Mësimi që duhet nxjerrë nga debakli i Greqisë është që Eurozona duhet të zhvillojë procedura për paaftësinë për t’i paguar borxhet sa më shpejt që është e mundur, duke parandaluar kështu shtetet sovrane që të bëhen kreditorë nëpërmjet bashkimi i borxheve. Nëse qeveritë kombëtare të Bashkimit Evropian dëshirojnë t’i ndihmojnë njëra-tjetrës në kohë krizash, ato duhet ta bëjnë një gjë të tillë nëpërmjet ndihmave humanitare, pa pritje kthimi. Nëse i jep hua një miku, ai nuk do të jetë më miku yt. Derisa kjo urtësi të shpërfaqet, do të jetë e pamundur që Evropa të mbetet e bashkuar.

Hans-Werner Sinn është profesor i ekonomisë dhe financave publike në Universitetin e Munihut.

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”