Politika gjermane ka degjeneruar

Politika gjermane ka degjeneruar
  • 02 February 2018 - 10:36

KRIZA FINANCIARE TANIMË ËSHTË HARRUAR KAHERË

Marrëveshjet e koalicionit në Gjermani gjithmonë kanë qenë dokumente të elaboruara të një natyre kuazi-kontraktuale

Shkruan: HELMUT K. ANHEIER

Janë të paktë ata njerëz jashtë Gjermanisë që janë të njohur me karikaturën e vetvetes, të cilën shumë gjermanë e kanë në mendjen e tyre. Larg qasjes agresive të propagandës luftarake të shekullit XX, inxhinierit perfeksionist të reklamave të veturave në Sheshin "Madison", gjermani të cilin e paramendojnë shumica sot, është një personazh i përgjumur, me rroba të natës dhe me kapelë nate. Ndonjëherë me qiri në dorë, ky gjerman paraqet një figurë të mjerë, të harruar, të habitur nga bota përreth tij. Kjo figurë nuk është e re. Përkundrazi, personi i referuar si "Der deutsche Michel" ose "gjermani Michel" ishte i popullarizuar në shekullin XIX si personazh, perspektivat e limituara të të cilit e bëjnë atë që të heqë dorë nga idetë e mëdha, t'i shmangë ndryshimet dhe ta ëndërrojë vetëm një jetë të denjë, të qetë dhe të rehatshme. Por, Michel tani është kthyer përsëri. Dhe, kush mund ta fajësojë atë? Gjermania tani krenohet me një ekonomi të zhvilluar, një punësim gati të plotë, me rritje të rrogave dhe me sindikata të kënaqura. Kriza financiare tanimë është harruar kaherë, buxhetet publike janë nën kontroll dhe ardhja e refugjatëve e vitit 2015 është menaxhuar relativisht mirë. Ato lajme të këqija që janë - skandalet industriale (sikur ai në Volkswagen), falimentimi i kompanive ajrore, projektet e shtyra infrastrukturore - nuk ndikojnë shumë në dobësimin e ndjenjës së përgjithshme të sigurisë dhe mirëqenies, të përketuar nga Michel-ët e Gjermanisë. Rreziku i vetëm real, duket, është bota jashtë kufijve të Gjermanisë. 

Gjendja e mohimit

Në këtë aspekt, kampanja zgjedhore e vjeshtës së kaluar ishte shumë e përshtatur me Michel-ët e Gjermanisë. "Një vend ku jetojmë mirë dhe të lumtur", slogani i kampanjës parazgjedhore i partisë së kancelares Angela Merkel, (CDU), rezononte me ta, si dhe porositë kryesisht provinciale dhe boshe të partive rivale. Me përjashtim të partisë populiste djathtiste, "Alternative für Deutschland" (AfD), partitë tjera manifestuan një njerëzi rutinore dhe një pranim të përgjumur të konsensusit i cili i qetësoi elektoratin. Pas zgjedhjeve filloi bërja e vërtetë e politikës, por edhe atëherë ishte vështirë injorimi i këtyre aktiviteteve nga Michel-ët e Gjermanisë. Në fakt, edhe pse ka kohë që zyrtarët partiakë kishin kohë që kishin postet e tyre, ata pritën derisa u numëruan votat, para se t'i vinin letrat e tyre në tavolinë dhe, edhe në atë rast, ata e bënë një gjë të tillë prapa dyerve të mbyllura. Bile edhe 'rrjedhjet' nga këto bisedime për formimin e koalicionit prapa dyerve të mbyllura, ishin aq mirë të menaxhuara sa që ato krijuan iluzionin se "Sondierungsgespräche" - bisedimet përgatitore midis zyrtarëve partiakë - ishin të padëmshme në aspektin politik. Por, klasa politike e Gjermanisë, sikur edhe Michel-ët e rëndomtë, është në gjendje mohimi. Zgjedhjet federale, dështimi i bisedimeve për formim të koalicionit midis CDU-së, partisë simotër bavareze Unionit Kristian-Social (CSU), Të Gjelbërve dhe Demokratëve të lirë (FDP), si dhe vallëzimit të turpshëm midis CDU-së dhe Partisë social-demokrate (SPD), që nga ajo kohë, bëjnë me dije për një deficit serioz në politikën gjermane. E vërteta është se platformat e ndryshme partiake, të krijuara me qëllim të informimit të elektoratit dhe të ofrimit të bazës për biseda rreth formimit të koalicionit, zbulojnë një mangësi tronditëse të imagjinatës dhe të ideve të reja. Çështjet e rendit të dytë janë të prezantuara si vija të kuqe, me pyetje kryesisht teknike - p.sh. rreth ribashkimit familjar të refugjatëve, një skeme të re të sigurimit shëndetësor të cilën nuk e ka kërkuar askush (Burgerversicherung), apo rreth rolit të qeverisë federale në financimin e edukimit - zënë rolin qendror. Në mungesë të çdo vizioni përparimtar politik, politika gjermane ka degjeneruar në nivelin e lojërave taktike që zhvillohen nga lojtarët tradicionalë. CDU-ja, në një "Luftë trëndafilash" me CSU-në, nuk mund të jetojë as me, e as pa Merkelin, derisa SPD-ja nuk është e sigurt në vetvete dhe ka frikë nga rëniet e mëtejme politike. Asgjë nga këto nuk paraqesin lajm të mirë për një vend, parlamenti i të cilit është dobësuar, pasi që këto tri parti, gjatë koalicionit të tyre tetëvjeçar, kishin margjinalizuar opozitën dhe kanë dështuar që të formojnë kuadro të reja të udhëheqësve. Marrëveshjet e koalicionit në Gjermani gjithmonë kanë qenë dokumente të elaboruara të një natyre kuazi-kontraktuale. Por, ekziston një tendencë në rritje për të planifikuar katër vjet të qeverisjes, me liderët që do të përdornin më pas periudhat legjislative jo për të debatuar ligjet, por për të realizuar politikat e dakorduara më parë. Partitë CDU/CSU dhe SPD tani janë duke tentuar krijimin e një koalicioni të madh, i cili do ta mbante Gjermaninë në të njëjtën rrugë, të cilën ajo e ka marrë gjatë tetë vjetëve të kaluara. Marrëveshja 28 faqëshe, e cila do ta lejonte zhvillimin e bisedimeve formale të koalicionit, është tepër e detajuar, teknokrate, joambicioze dhe me mungesë të vizionit. 

Pasuria politike

Për këtë shkak, nuk befason fakti që, edhe pse negociatorët e partive CDU/CSU dhe SPD e kanë cilësuar këtë marrëveshje si përparim, janë të shumtë ata, sidomos nga SPD, që nuk janë të kënaqur me rezultatin, duke apeluar për rinegociim. SPD-ja tani ballafaqohet me një zgjedhje: në kongresin e saj të veçantë këtë fundjavë, liderët e saj duhet të vendosin se a ta formojnë një koalicion tjetër të madh qeveritar i cili premton të njëjtat gjëra, apo të dalë në opozitë, me gjasë duke shkaktuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Por, ekziston edhe një opsion tjetër, të cilin shumica e kanë injoruar: një qeveri e pakicës, e udhëhequr nga CDU, me Merkelin në postin e kancelares. E lirë nga marrëveshjet e vështira të koalicionit me një SPD hezituese, apo me një FDP që bën kalkulime 'të ftohta', Merkel do të mund ta zgjidhte kabinetin e saj duke u bazuar te kompetenca dhe vizioni, në vend se te politikat partiake. Ajo bile do të mund të emëronte edhe ministra nga partitë e tjera. Për më tepër, Merkel përfundimisht do të mund të trajtonte çështjet me rëndësi, të cilat janë lënë anash me vite të tëra. Kjo d.m.th. një bashkëpunim me presidentin francez, Emmanuel Macron, për ta çuar përpara projektin evropian, duke modernizuar sistemin e administratës publike të Gjermanisë; duke përgatitur forcën e punës për digjitalizim; si dhe duke trajtuar çështjet e imigracionit. Parlamenti ka rolin integral për të arritur sukses në cilindo prej këtyre fronteve. Partitë tradicionale duhet të pranojnë këtë formë të debatit të hapur dhe konstruktiv, i cili me vite të tëra ka ushqyer demokracinë në Gjermani, në vend se të mbesin të përqendruara te taktikat politike. Michel mund të preferojë iniciativat modeste politike dhe rritjen graduale të cilat kanë karakterizuar qeverisjen nga Merkel. Por, një qeveri e pakicës mund t'iu ikë këtyre kufizimeve, duke mundësuar reformën më se të nevojshme. Me fjalë të tjera, forma e pasigurisë politike me të cilën ballafaqohet tani Gjermania, mund të jetë mu ajo që i duhet vendit, për të mundësuar ngritjen e ideve dhe zërave të ri, si dhe të një të ardhmeje më të mirë.

(Helmut K. Anheier është president dhe profesor i sociologjisë në Shkollën "Hertie" të qeverisjes në Berlin) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot".

(Kosova Sot)