Premtimet e thyera të Perëndimit rreth ndihmës në edukim - Opinione - Kosova Sot
Premtimet e thyera të Perëndimit rreth ndihmës në edukim

Premtimet e thyera të Perëndimit rreth ndihmës në edukim

SHUMË VENDE JANË MË TË INTERESUARA PËR NDËRTIMIN E MUREVE SESA TË SHKOLLAVE

SHBA-ja dhe BE-ja kurrë nuk janë mërzitur aq shumë për këtë agjendë

Shkruan: Jeffrey D. Sachs 

Partneriteti Global për Edukim (GPE), një iniciativë e vlefshme dhe e aftë për të promovuar edukimin në 65 vende me të ardhura të ulëta, është duke përjetuar atë që zhargoni i asistencës zhvillimore e quan "raund i përtëritjes", gjë që dmth se është duke kërkuar nga qeveritë donatore për t'ia mbushur valixhet. Megjithatë, fakti se GPE është duke lutur për thërrime - vetëm 1 miliard dollarë në vit - ekspozon maskaradën e përkushtimit të qeverive të Perëndimit ndaj agjendës globale "Edukim për të gjithë". 1SHBA-ja dhe BE-ja kurrë nuk janë mërzitur aq shumë për këtë agjendë. Kur flitet për sëmundjet, ato herë pas here kanë qenë të gatshme që të investonin, për të ngadalësuar apo ndaluar epidemitë, sikur ato të AIDS-it, malaries dhe Ebolës, si për të shpëtuar jetë, po ashtu edhe për të penguar sëmundjet që të arrinin në vendet e tyre. Por, kur flitet për edukim, shumë vende në Perëndim janë më të interesuara në ndërtimin e mureve dhe kampeve të mbajtjes, sesa të shkollave. GPE bën një punë të shkëlqyer në promovimin e edukimit primar në tërë botën. Vendet donatore, ku që të gjitha prej tyre, shumë kohë më parë kanë nënshkruar "Edukimin për të gjithë", do të duhej të shtyheshin cila po e ndihmon më shumë njërën prej organizatave më efikase, për ta arritur këtë qëllim. Por, nuk ka shumë donatorë të mëdhenj. Ky realitet shtrihet dhe arrin deri në kohët perandorake. Kur pjesa më e madhe e Afrikës dhe një pjesë e madhe e Azisë ishin nën sundimin evropian, kolonizatorët kishin investuar shumë pak në edukim. Deri në vitin 1950, sipas të të dhënave të OKB-së, analfabetizmi mbretëronte në kolonitë afrikane dhe aziatike të Evropës. Në kohën kur India fitoi pavarësinë nga Britania, shkalla e analfabetizmit ishte 80-85%, gati sa edhe shkalla e analfabetizmit në Indonezi, kur u pavarësua nga Holanda. Në Afrikën perëndimore franceze, shkalla e analfabetizmit në vitet 1950 ishte 95-99%.

Zbrazëtitë financiare

Pas pavarësimit, vendet afrikane dhe aziatike ndoqën iniciativa masive dhe, kryesisht, të suksesshme, për ta rritur nivelin e edukimit. Por, në vend të shfrytëzimit të kësaj mundësie për ta kompensuar kohën e humbur, Evropa dhe SHBA-ja kanë ofruar pak ndihmë për edukimin primar dhe sekondar, përkundër asaj se kanë marrë përsipër përkushtime të nivelit të lartë, sikur që është "Edukimi për të gjithë" dhe "Qëllimi i qëndrueshëm zhvillimor 4" (SDG 4), i cili apelon për një qasje universale ndaj edukimit parashkollor, e deri te shkolla e mesme. Kini parasysh të dhënat e zymta rreth ndihmës zhvillimore për edukim, të cilat kanë ngecur me vite të tëra dhe, në fakt, kanë rënë midis viteve 2010 - 2015. Sipas të dhënave më të reja të OECD-së, ndihma e përgjithshme donatore për edukimin primar dhe sekondar në Afrikë, arriti vetëm në 1.3 miliard gjatë vitit 2016. Sa për krahasim, buxheti i Pentagonit është rreth 2 miliardë dollarë në vit. Me rreth 420 milionë fëmijë afrikanë të moshës shkollore, ndihma e përgjithshme ishte gati 3 dollarë për një fëmijë, në vit. Nuk është se qeveritë perëndimore nuk e dinë se nevojiten më shumë para. Disa llogaritje të detajuara, të bëra kohët e fundit, ofrojnë vlerësime të besueshme rreth asaj se sa financim të jashtëm zhvillimor do t'iu duhet vendeve në zhvillim për të arritur SDG 4. Një studim i bërë nga UNESCO këtë vlerë të përgjithshme e vlerëson në 39.5 miliardë dollarë në vit. Një raport i Komisionit ndërkombëtar për financimin e mundësisë për edukim, i udhëhequr nga ish kryeministri britanik, Gordon Brown, ngjashëm me këtë vlerësoi nevojat financiare të vendeve në zhvillim në dhjetëra miliarda dollarë në vit. Ja arsyeja pse nevojitet ndihma. Një vit i edukimit në Afrikë kërkon, të paktën, 300 dollarë për nxënës. Duke qenë se popullsia afrikane e moshës shkollore përbën një të tretën e popullsisë së përgjithshme, atëherë kërkesa financiare për kokë banori është rreth 100 dollarë. Por, për një vend tipik afrikan, kjo është rreth 10% i të ardhurave nacionale - shumë më shumë sesa që mund të mbulojë buxheti i edukimit. Ndihma e jashtme mundet dhe duhet të mbulojë zbrazëtirën financiare, në mënyrë që të gjithë fëmijët të mund ta vijojnë shkollimin. Kjo nuk është duke ndodhur. Shpenzimi vjetor për një fëmijë të moshës shkollore në Afrikën nën sahariane është rreth një e treta e minimumit të nevojshëm. Si pasojë e kësaj, shumica e fëmijëve nuk ia dalin që ta kryejnë shkollimin e mesëm. Ata detyrohen që ta lënë shkollimin herët, meqë në shkollat publike nuk ka vende të mjaftueshme, derisa pagesat në shkollat private janë tepër të larta për shumicën e familjeve. Sidomos vajzat kanë shumë të ngjarë që ta braktisin shkollimin herët. 

Donatorët tradicionalë

Pa aftësitë që i ofron shkollimi i mesëm, fëmijët që e braktisin shkollimin, janë të dënuar që të jetojnë në varfëri. Shumë prej tyre provojnë që të emigrojnë në Evropë, në kërkim të një jete më të mirë. Disa prej tyre mbyten në det, rrugës për në Evropë, e disa të tjerë kapen nga patrullat evropiane dhe kthehen në Evropë. Pra, tani vjen raundi i rimbushjes GPE, i caktuar për fillim të shkurtit në Senegal. GPE-ja duhet të marrë, të paktën, 10 miliardë dollarë në vit (që janë sa shpenzimet ushtarake të vendeve të NATO-s për vetëm 4 ditë) për ta vënë Afrikën në një rrugë kah edukimi sekondar universal. Në vend të kësaj, GPE thuhet se ende është duke i lutur vendet donatore për më pak se 1 miliard dollarë në vit, për të mbuluar programet GPE në tërë botën. Në vend të zgjidhjes së vërtetë të krizës së edukimit, liderët e vendeve të pasura mbajnë fjalim pas fjalimi, takim pas takimi, duke promovuar dashurinë e tyre të zjarrtë për edukimin për të gjithë. Në Afrikë, liderët politikë, religjiozë dhe ata të shoqërisë civile, janë duke bërë atë që munden. Gana tash vonë ka ofruar shkollim të mesëm të lartë, falas për të gjithë, duke ofruar një shembull pozitiv për kontinentin. Derisa vendet afrikane përpiqen që të përmbushin përkushtimet e tyre ambicioze, partnerët e rinj, duke përfshirë edhe kompanitë private dhe individët e pasur, duhet t'iu dalin atyre në ndihmë. Donatorët tradicionalë, nga ana e tyre, kanë për të kompensuar dekada të tëra të humbura. Kërkesa për edukim nuk do të ndalet, por historia do të gjykojë ashpër ata që ua kthejnë shpinën fëmijëve në nevojë.

(Jeffrey D. Sachs është profesor i zhvillimit të qëndrueshëm dhe profesor i politikës shëndetësore dhe menaxhmentit në Universitetin "Columbia")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"  

(Kosova Sot)

8 orë e 27 minuta më parë
16/11/18