Arroganca me kulturën e artin është fundi i demokracisë - Opinione - Kosova Sot
Arroganca me kulturën e artin është fundi i demokracisë

Arroganca me kulturën e artin është fundi i demokracisë

Arbitrariteti dhe dhuna e ekzekutivit shqiptar 

SHKRUAN: ENVER BYTYÇI

Aktori me famë mbarëshqiptare e ndërkombëtare, Mirush Kabashi, u shfaq në ekranet e televizioneve duke e krahasuar qeverisjen e sotme me atë të Ramiz Alisë, madje duke vënë në dukje se "Qeveria e sotme është më arrogante se qeveria e Ramiz Alisë"! I madhi Robert Ndrenika nga ana e tij u shpreh se"Kemi aktorë të mrekullueshëm dhe paguhen për një kafshatë bukë. Kur të vënë litarin e bukës, ai është më i tmerrshmi nga të gjitha". Të gjitha këto u thanë në një tubim të aktorëve të Teatrit Kombëtar në mbrojtje të kësaj godine. Artistët dhe aktorët e teatrit kombëtar protestuan ashpër me qëllim që të ndalojnë shkatërrimin e godinës, me qëllim që në vend të saj të mbijë një kullë dhjetëra katëshe në mes të Tiranës. Ata u mblodhën e dhanë një sinjal të qartë në mbrojtje të tempullit të lirisë së fjalës së artistit. Por protesta është më e madhe se kaq. Me dhjetëra artistë, shoqata artistësh e kineastësh janë ngritur dhe kundërshtojnë një projekt-ligj, të cilin Ministria e Kulturës dhe Qeveria Shqiptare duan ta kalojnë në parlament, me qëllim që artistëve, aktorëve, kineastëve, sopranove, balerinëve, orkestrantëve, valltarëve të famshëm, t'u kufizohet liria, t'u merret fryma, t'u hiqet fjala, t'u pakësohet oksigjeni i shpirtit dhe ndjenjës! Dhe bashkë me këtë të formatohet shoqëria shqiptare, spektatori që ndjek artin, filmin e veprimtaritë kulturore, sipas  shijeve të kryeministrit shqiptar! 

Kapja dhe mpirja e mendimit dhe veprimit të elitës artistike, intelektuale dhe akademike, është fundi i fundit të demokracisë në një vend të caktuar! Nëse i lejojmë këta harbutë të shkatërrimit të shtetit shqiptar, atëherë ne do të ishim bashkëpunëtorët më të devotshëm të këtij regresi kulturor e social, si dhe rreziku gjeopolitik!

Godinat shumëkatëshe

Paralajmërimi nga të gjitha palët është bojkoti. Bojkoti i shfaqjeve, bojkoti i skenës, bojkoti i ekranit të filmit, shkurt lënia e kryeqytetit dhe qyteteve të Shqipërisë, për herë të parë pas 105 vitesh shtet, pa frymën e artistit, pa praninë e fjalës dhe interpretimit të tij. "Apologjia e Vërtetë e Sokratit" nën interpretimin brilant të Mirush Kabashit, duket se rikthehen trishtimin e kohës së para 2400 viteve të filozofit të madh grek, të dënuar me vdekje për shkak të fjalës së lirë! Ligji, qeveria dhe ministria kanë vendosur të godasin në subkoshiencën kombëtare, t'i bëjnë artistët nga interpret të interesave dhe shqetësimeve të kombit, në shërbëtorë të pushtetit autoritar në Shqipëri. Arbitrariteti e dhuna e ekzekutivit shqiptar shprehet në çdo nen të ligjit të ri, ndërkohë që ai statusi i premtuar i artistit u harrua në këto pesë vite të Rilindjes. Rilindja në vend të statusit dhe lirisë artistike e krijuese ka vendosur të servirë pushtetin kontrollues, diktues dhe të arrogancës edhe në institucionet e kulturës dhe artit. Kështu, sipas ligjit, zot i çdo gjëje do të jetë drejtori politik i emëruar nga ministri politik sipas rekomandimit të kryeministrit arrogant! Drejtori i institucionit artistik ka të drejtë që aktorëve dhe artistëve të tjerë t'u bëjë apel dy e tri herë në ditë si në kampet e përqendrimit, ka të drejtë t'i ndëshkojë ata jo vetëm për "thyerjen e orarit", por edhe për mospagesën e energjisë e të ujit, ka të drejtë t'i vendosë në rresht dhe si në kohën e revolucionit kulturor "t'u bëjë artistëve atë gjimnastikën e famshme" para një godine 40 apo 50 katëshe, pronë e një prej oligarkëve të pushtetit të sotëm, godinë e projektuar të ndërtohet aty ku sot është Teatri Kombëtar! Ligji i ri nuk sjell asgjë të re për të drejtat e artistëve, nuk flet asnjë fjalë për statusin e tyre, thjesht dhe vetëm i shndërron këto institucione në vartësi të ministrisë, kuptohet ministrit politik të Kulturës!

Vendosja e artistëve nën tutelë

Ligji i ri nuk kujdeset që të rriten pagat e artistëve, aktorëve dhe të tjerëve, përkundrazi vendos kontroll rigoroz mbi këto paga qesharake dhe synon kontrollin e iniciativës private për veprimtaritë artistike të shoqatave dhe artistëve të veçantë nga ana e ministrisë dhe institucionit përkatës të varur po në ministri. Shkurt: Ligji i ri për Institucionet e Kulturës vendos kontrollin e qeverisë mbi të gjitha veprimtaritë artistike në vend, brenda e jashtë këtyre institucioneve. Projektligji që artistët po e kundërshtojnë është pasqyrë e asaj që ka ndodhur e po ndodh kudo në shoqërinë shqiptare. Një praktikë dhune e arrogancës qeveritare për të kontrolluar gjithçka në Shqipëri, në modelin e Vladimir Putinit të Rusisë dhe të Rexhep Taip Erdoganit të Turqisë. Ky model, aq i pëlqyer nga kryeministri i vendit, po e largon Shqipërinë me shpejtësi nga orientimi i saj euro-atlantik. Kjo iniciativë ligjore antidemokratike ka për qëllim vendosjen e artistëve nën tutelë e nën zgjedhën e "ligjit", si dhe të varfërisë, me qëllim eliminimin e çdo mundësie për reagim qytetar elitar kundër regjimit autokrat të Tiranës. Rreziku që vjen prej një projekt-ligji të tillë për Institucionet e Kulturës dhe të Artit nuk prek vetëm artistët. Rreziku është shumë herë më i madh për shoqërinë shqiptare! Kapja dhe mpirja e mendimit dhe veprimit të elitës artistike, intelektuale dhe akademike është fundi i fundit të demokracisë në një vend të caktuar! Nëse i lejojmë këta harbutë të shkatërrimit të shtetit shqiptar, atëherë ne do të ishim bashkëpunëtorët më të devotshëm të këtij regresi kulturor e social si dhe rreziku gjeopolitik!

GJITHÇKA NË SHQIPËRI NË MODELIN E VLADIMIR PUTINIT TË RUSISË DHE TË REXHEP TAIP ERDOGANIT TË TURQISË

(Kosova Sot)     

2 orë e 4 minuta më parë
26/05/18