Evropa ndjen lehtësim në lidhje me Gjermaninë

Evropa ndjen lehtësim në lidhje me Gjermaninë
  • 09 February 2018 - 09:47

MARRËVESHJA E SPD-SË ME UNIONIN KRISTIANDEMOKRATIK TË ANGELA MERKELIT PËR QEVERINË

Votimi ishte zhvilluar 'në teh të thikës' për Schulzin

Shkruan: Matt Qvortrup

T ë dielën mbrëma, thuajse nga të gjitha kryeqytetet e Evropës, u ndie një zë lehtësimi, pasi socialdemokratët gjermanë (SPD) votuan për negociata formale me Unionin kristian-demokratik të Angela Merkelit dhe të partisë së saj simotër nga Bavaria, Unionin kristian-social. Dështimi për ta miratuar planin e propozuar për qeveri, do ta kishte futur Evropën në një krizë tjetër ekzistenciale, të cilën zor se do ta kishte përballuar. Por, ky zor se ishte zhvillimi për të cilin kishte shpresuar lideri i socialdemokratëve, Martin Schulz. Vetëm 362 nga 642 delegatë në konferencën speciale të partisë në Bon, përqafuan kompromisin e arritur dy javë më parë. Votimi ishte zhvilluar 'në teh të thikës' për Schulzin, prandaj ai nuk ishte aspak bindës kur iu adresua shokëve partiakë të dielën mbrëma. Nuk patëm një performancë madhështore: "Schulz dështon që të arrijë te zemrat e delegatëve", shkruan gazeta, përndryshe mbështetëse, "Suddeutsche Zeitung", në ueb sajtin e saj, menjëherë pas mbajtjes së fjalimit të tij. Me miq si këta, kush ka nevojë për armiq? Ishte mbijetesa e partisë - e jo retorika e Schulzit - ajo që shpëtoi liderin luftarak. Pasi mori vetëm 23% të votave në zgjedhjet federale, të mbajtura në shtator, SPD ka rënë edhe më poshtë në anketat e bëra më vonë. 

Partitë ende duhet të bëjnë marrëveshjet formale

Gjasat për një dështim tjetër në zgjedhjet e reja, që do të mbaheshin në mars, nuk ka dyshim se patën ndikimin e tyre. Schulz në fillim donte që partia ta merrte veten duke qëndruar në opozitë, pas pesë vjetësh të një koalicioni jo të lehtë me Angela Merkelin. Rezultati zgjedhor ishte historikisht i ulët për një parti e cila ishte mësuar të merrte afër 40% të votave (një dekadë më parë). Por, pas dështimit të negociatave midis Të Gjelbërve, FDP-së dhe CDU/CSU-së së Merkelit, SPD-ja u detyrua që të merrte pjesë në negociata. Këto bisedime rezultuan në një marrëveshje rreth një bashkëpunimi më të fortë evropian dhe një kontributi më të vogël shëndetësor të të punësuarve: që të dyja këto linja të kuqe për socialdemokratët. Në këmbim, Kristiandemokratëve thuhet se iu është premtuar se numri i refugjatëve që do të vijnë në Gjermani do të jetë shumë më i ulët. Partia e Merkelit humbi shumë vota, të cilat i mori partia e ekstremit të djathtë, AfD, pas vendimit të vitit 2015 për të pranuar rreth 1 milion refugjatë sirianë. Si SPD po ashtu edhe CDU/CSU u pajtuan për një kontribut më të madh ndaj buxhetit të BE-së dhe për mbështetje ndaj planeve të presidentit francez Emmanuel Macron për integrim financiar. Rezultati i votimit të SPD-së nuk paraqet përfundimin e procesit. Partitë ende duhet të bëjnë marrëveshjet formale. Por, kjo është vetëm formalitet. 

Dështimi i Merkelit ishte paraparë në disa raste

Votimi i së dielës në mënyrë efektive përgatitë rrugën për katër vjet të një qeverie të koalicionit, të udhëhequr nga Angela Merkel. Se a do të jetë kancelarja, dikur gjakftohtë, gjermane, e aftë që ta kthejë pozitën e saj si politikani më me ndikim në Evropë, mbetet që të shihet. Derisa Merkel dhe kolegët e saj negocionin, presidenti francez Emmanuel Macron përkohësisht e ka marrë rolin e politikanit kryesor evropian. Dështimi i Merkelit ishte paraparë në disa raste. Por, në të gjitha këto raste, ajo i demantoi kritikët dhe doli më e fortë. A do të ndodhë kjo përsëri, nuk e dimë ende. Në një perspektivë më të gjerë, marrëveshja SPD/CDU për të paguar kontribute më të mëdha ndaj buxhetit të BE-së, nënkupton se qeveria e re e Gjermanisë - me gjasë me Schulzin në postin e ministrit të jashtëm - do të jetë më parimore dhe më pak e prirë që ta rrezikojë projektin evropian. Kjo më së shumti do ta alarmojë Britaninë, e cila aktualisht është duke tentuar që të negociojë një seri lëshimesh të favorshme, derisa punon në arritjen e një marrëveshjeje Brexit me BE-në.

(Matt Qvortrup është autor i "Angela Merkel: Europe's Most Influential Leader")