Po dalin pykat një nga një të (pu)shteteve ton

Po dalin pykat një nga një të (pu)shteteve ton
  • 14 February 2018 - 08:14

Shkeljet e ligjit në konkurse

SHKRUAN: SHEFIK SHKODRA

(Pasi lexova një artikull për një gjykim prej Gjykatës Themelore në Gjilan nga Departamenti për Krime të Rënda, e ndiej veten të obliguar moralisht që të shtoj disa fjali lidhur me këtë rast e raste të tjera, se si ka funksionuar shteti ynë dhe vazhdon edhe më keq ndoshta çdo ditë). Fjalët e mia me këtë rast nuk janë të një animi dëshmitari e as armiqësor ndaj askujt, por për të vërë në pah disa sjellje të pakëndshme dhe kriminale. Pra, veprimet jashtëligjore tash janë pasqyra e krejt shtjellave të këtyre qeverive që kanë vepruar e veprojnë te ne. Nuk e akuzoj, thash, askënd as nuk dua të jem hakmarrës ndaj askujt për këtë çështje (secili-la ka të drejtë punësimi), veç dua të them për kureshtjen time, që sa herë kam shkruar për disa çështje, kur edhe vetë isha personazh i rastit, nuk kam pasur nevojë të bëjë hulumtime zyrtare për të mbledhur fakte, ato kanë qenë shumë të tejdukshme, si veprime që bënin edhe pushteti lokal edhe ai qendror, natyrisht duke manipuluar me individ e edhe me gjykata. E kanë bërë të paqenën realitet para sysh. Madje, duke ditur se, akuzat kanë qenë të kota për "kadiun te kadiu", nuk kam insistuar të bëj kallëzim penal ndaj DKA-së atëherë. Veç çdo ditë mund të dalin në shesh të gjitha, kur e "nxjerrë një kashtë e dalin gjashtë", manovrime këto të këtij sistemi, vërtet "sui generis" e haptazi para botës së qytetëruar. 

Në shkolla të mesme ka punuar kandidati me shkollë të mesme

Nazmi Musa, drejtor para do kohe i DKA-së në Gjilan, ishte dënuar për disa muaj nga Gjykata Themelore, në Departamentin për Krime të Rënda, ngase paska bërë vepër penale, shkelje ligjore në zgjedhjen - vendosjen e kuadrove nëpër vende të punës sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit. Konkretisht, pas kryerjes së mandatit drejtor e zëvendësdrejtor nëpër shkolla. Njëra prej tyre z/drejtoreshë në Shkollën e Mesme të Ulët (Fillore) "Abaz Ajeti", nuk qenka sistemuar në vend pune pas përfundimit të mandatit si z/drejtoreshë e kësaj shkolle. Me këtë "pretekst" qenka "përgjegjës" ky drejtor i kësaj drejtorie. Unë nuk e njoh këtë zonjë, veç ditën kur ka konkurruar isha edhe unë kandidat për të njëjtin vend në të njëjtën shkollë, meqë orët e mia i kishin shuar "ekspertët" (Gjuhë latine) si e panevojshme në Shkollën e Mjekësisë në Gjilan. Kush është "çue i pari" ka heq e ka vu lëndë, sipas nevojës së partive në pushtet për punësimin e aktivistëve të vet, por edhe për largimin e ndonjërit si në rast mua. Arsimi për këto qeveri, ishte punë e dorës së tretë, jo e dytë as e parë. Është diçka si argëtim për ta. Si nevojë ditore për plotësim borxhi... - nëse nuk kemi ku e punësojmë këtë e atë, e dërgojmë në arsim. Pra, qëllimi i partive në pushtet ka qenë, që nëpër shkolla të ketë sa më shumë aderues - votues. S'ka pasur rëndësi çfarë kualifikimi ka ky mësues-se. S'ishte derti i ministrisë e as i qeverisë, a punohet e si punohet nëpër shkolla tona. Ministria e Arsimit nuk është ditur kurrë që ka dhënë kontributin e vet për asnjë çështje në këto shkolla. Krejt njëfarë statistike e ka mbledhur nga shkollat DKA, për t'ia dërguar Ministrisë. Askush s'ka ditur të jep përgjigje, nëse e ke pyetur dikë prej tyre diçka lidhur me planet, literaturën, kontrollimet, inspektimet, inkuadrimin. Në shkolla të mesme ka punuar kandidati me shkollë të mesme, madje ka pretenduar për një farë force klanore. Këto ishin egërsirat që sillte pushteti i vendit nëpër institucionet arsimore. Këtë e kemi trajtuar disa herë edhe në të përditshmet e Kosovës. Gazeta "Kosova Sot", ka me dhjetëra artikuj të kësaj natyre nga analistë e opinionistë të ndryshëm.  

Pak vite para pensionit, mbeta katër muaj pa kurrfarë të ardhurash

Deri në zgjedhje, Drejtoria Komunale ka pasur tjetër drejtor (PDK), kryetar komune Qemajl Mustafën. Në Komisionin për intervistë të kandidatëve ka pasur edhe përfaqësuesin e vet ministria. Më qëlloi kur isha në intervistë njëri, i cili ishte më i ri se unë dhe sot është në këtë ministri, i cili as bisedën se çka fliste nuk merrej vesh prej tij e lë më që të intervistojë njerëzit. Po ai ishte i porositur se, gjëja na jemi shumë të drejtë në pranimin e kuadrove, veç me meritë. Megjithatë veprimi ishte jashtë konkursit pothuaj sa herë. Nuk trembej "dosti", sepse ishte pushtet në veti. Tha diçka se, z/drejtori ka do kompetenca etj. Po kjo shihej qartë se, ishte një përgatitje për dikë tjetër. Ku ta dije për kënd?! Drejtoria Komunale e Arsimit, përveç drejtorit e ka pasur edhe ndonjë "mashë" nëpër ato komisione. Këtë çështje e kanë ditur gjithsesi edhe kryetari i komunës, z. Q. Mustafa, e ka ditur edhe drejtori i asaj shkollës, ku do duhej të zgjidhej z/drejtoresha. Pra, lidhjet ishin: Ministria - kryetari i komunës në bashkëveprim me Drejtorinë Komunale të Arsimit e ndonjë endacak e panlaver rruge. Morëm, vesh më vonë se ishte zgjedhur zonja Bukurije Musliu, për të cilën më thanë të tjerët më vonë se, ajo nuk ka shkollë - fakultet të akredituar, e as përvojë pune tri vjet (3), si kërkohej në konkurs. Kjo thanë, ishte një aktiviste e PDK-së. Aq! Dhe kjo ishte një dëshmi për mua dhe jo vetëm kjo, që e verifikoi tërë maskaradën që e bënte kjo parti në pushtet, me gjasë jo vetëm kjo, por cilado që vinte, po ndoshta jo sa kjo. Këto manovra i bënte çdo kund dhe për secilin rast. Duke ditur veten se, i kisha plotësuar të gjitha kushtet sipas konkursit, pastaj nuk isha "ideo-politikisht" i dënuar, siç ndodhte në kohën e regjimit serb, nuk isha as spiun e "kriminel lufte", u habita. Po, pas pak kohe u pa se, zagarët po vepronin nëpër terren në kundërshpërblim ndaj meje, ngase unë nuk do të flisja dhe as nuk do të këndoja bukur për këtë farë pushteti që po funksiononte në këtë mënyrë. Pak vite para pensionit, mbeta katër muaj fare pa kurrfarë të ardhurash. Si "tepricë" teknologjike (?), etj. 

Veprimtaria e dhunshme

Ndërroi pushteti lokal, u ndërrua edhe drejtori në DKA. Ky i fundit e gjeti gjendjen në këtë drejtori ashtu si ishte. Pas kryerjes së mandatit të drejtorëve dhe z/drejtorëve, Nazmiu, drejtor i kësaj drejtorie nuk e sistemoi këtë B. M. në ndonjë vend pune, sipas ligjit...Gjykata Themelore e dënoi postfestum. Më vjen mirë që ky drejtor e ka kryer detyrën ashtu si duhet për këtë rast. Më vjen keq për gjykatat (personelin e tyre) se si e realizojnë të drejtën e dikujt "sipas ligjit", por dikush nuk mund të ketë kurrfarë të drejte asnjëherë. Pyetja shumë kureshtare: kush e dërgoi dhe e vendosi në vend pune - zëvendës drejtor, kandidaten pa i plotësuar kushtet e konkursit? Po ç'bëri pastaj Gjykata Themelore në Gjilan? Kush do të duhej të dënohej në këtë rast, ata që e dërguan në punë kandidaten pa dokumentacionin valid të konkursit, apo drejtori i drejtorisë, i cili nuk ka pasur bazë ligjore për sistemim në vend tjetër pune pas kryerjes së mandatit z/drejtoreshë? Kë duhet kompensuar në këtë rast? Kjo gjykatë, si të gjitha në Kosovë, nuk bëri zgjidhjen e kontestit për mësimdhënësit që kaluan në pension për tri pagat sipas një kontrate nga viti 2009. Këto paga u janë dhënë vetëm një numri të caktuar, sigurisht atyre që kanë gjetur "lidhjen" e këtij pushteti. Ekziston dokumentacioni. Ndonjërit tri, dy, e ndonjërit katra, për të tjerët ka mbetur "arka komunale thatë". Dorën në zemër, ka pasur tubime e bankete të mëdha partiake për aderuesit e ndryshëm. Po ka pasur punë me rëndësi tjera partia në pushtet e pushtetarët... - Y-ha! punë e madhe për arsimtarët që i shërbyen këtij vendi në kohët më të vështira!... Në fund dua ta përshëndes z. Nazmi Musa (sado që unë jam i njoftuar vetëm me përshkrimin e vendimit të gjykatës) për këtë rast në qëndrimin e duhur sipas ligjit e dokumentacionit, dhe duhet t'u them atyre të gjykatësve dhe gjyqit të përmendur, nuk mund të krenohemi me ju, madje as ju nuk mund të mburreni me veprimtarinë tuaj tejet të dhunshme. 

(Kosova Sot)