Negociatat, në kurth strategjik - Opinione - Kosova Sot
Negociatat, në kurth strategjik

Negociatat, në kurth strategjik

MARRËDHËNIET IZRAEL-PALESTINË, NË QORRSOKAK

Shkruan: Shlomo Ben-Ami 

Marrëveshja e SHBA-së me Iranin shihet si thikë pas shpine për Izraelin

Anarkia përgjatë kufijve të Izraelit është duke u bërë terren i përshtatshëm për ekstremistët sunitë, për të cilët shteti çifut është armiku i vërtetë

P rocesi paqësor izraelitopalestinez, i prishur nga dallimet e papajtueshme midis dy palëve, gjithmonë është varur nga konteksti strategjik regjional. Fundja, ai ka lindur pas luftës së parë të Gjirit dhe është lehtësuar nga pasojat regjionale të përfundimit të Luftës së ftohtë. Këtyre ditëve, procesi është duke u ndikuar nga dy dinamika të mëdha regjionale, e ashtuquajtura Pranverë arabe dhe marrëveshja bërthamore me Iranin. Marrëveshja me Iranin është shndërruar në njërën nga krizat më serioze të besimit ndonjëherë në marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët e saj të Lindjes së Mesme. Edhe pse nuk kanë ndonjë alternativë tjetër, si Izraeli, po ashtu edhe shtetet arabe, do ta kenë vështirë t’iu besojnë përkushtimeve të ardhshme amerikane ndaj sigurisë së tyre. Për kryeministrin izraelit Binyamin Netanyahu, presidenti amerikan Barack Obama tradhtoi Izraelin kur ai sakrifikoi ish-presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, duke përgatitur rrugën për ngritjen në fuqi të Vëllazërisë Myslimane. Tani, ai ia ka ngulur Izraelit thikën për herë të dytë, duke arritur një marrëveshje me Iranin, sikur që supozohet, prapa shpinës së Netanyahut.

Rreziku nga shtetet “shpërthyese

Mençuria konvencionale strategjike e Izraelit ishte bazuar në barazimin e “Bushehr-it kundër Yitzhar-it” – që dmth në gatishmërinë për të shpërbërë kolonitë e Bregut Perëndimor nëse do të shpërbëheshin centrifugat iraniane në Bushehr. Sa i përket Netanyahut, kjo nuk është duke ndodhur. Planifikuesit strategjik të Izraelit thonë se vendi tani është i rrethuar nga shtetet shpërthyese, të dështuara (Libani, Siria, Gaza dhe Gadishulli egjiptian i Sinait), si dhe nga shteti vital tampon strategjik, Jordania, ekzistimi afatgjatë i së cilës nuk mund të merret si punë e kryer. Anarkia përgjatë kufijve të Izraelit është duke u bërë terren i përshtatshëm për ekstremistët sunitë, për të cilët shteti çifut është armiku i vërtetë. Krijimi i një shteti palestinez derisa shtetet ekzistuese arabe janë duke u shkatërruar, nuk duket veprim i mençur, sidomos kur kihet parasysh se një pjesë e Palestinës kontrollohet nga Hamasi. Netanyahu është konservator në kohë revolucionare. I paimpresionuar me atë që të tjerët kishin thënë në fillim të një epoke të demokracisë në Botën arabe, ai nuk kishte preferuar të lëvizte në asnjë front, duke përfshirë edhe Palestinën. Tani ai ballafaqohet me një kaos strategjik që mund të realizohet - integrimin e mundshëm të Iranit në bashkësinë ndërkombëtare, pa iu dashur që ta shkatërrojë potencialin e tij të armëve bërthamore.

Izraelit i pengon marrëveshja me Iranin

Në këtë kontekst, iniciativa paqësore e sekretarit amerikan, John Kerry, ka mbetur e zënë në kurthin e një loje paralizuese të fuqisë. “Nëse procesi do të dështojë”, thotë Kerry, SHBA-ja nuk do të jetë në gjendje që ta shpëtojë Izraelin nga një valë e gjykimeve ndërkombëtare dhe nga sanksionet që do të viheshin ndaj këtij vendi. Por, karta e Netanyahu-t është më shumë se vetëm një kërcënim. Miqtë e tij në Senatin amerikan tanimë kanë paraqitur një projektligj, i cili aktualisht ka 59 bashkë-sponsorë, i cili do të imponojë sanksione të reja ndaj Iranit, gjë që ka për qëllim shkatërrimin e tërë marrëveshjes me Iranin. Ka qenë ky realitet, i cili ka bërë që amerikanët të përqafojnë dy pozicione ndaj Izraelit – njohjen e Izraelit si shtet çifut dhe marrëveshjet intruzive të sigurisë, të cilat palestinezët janë të prirë që t’i refuzojnë. Njohja e “shtetit çifut” do të paraqiste tradhti të karakterit të nacionalizmit palestinez, derisa marrëveshjet e bezdisshme të sigurisë do të paraqitnin thirrje ndaj grupeve radikale për ta luftuar atë që do të dukej si maskim i okupimit. Në vend të kontrollimit të ekstremistëve, prania e madhe izraelite e sigurisë në Palestinë do t’i paraprinte shkatërrimit të institucioneve të saja. Irani nuk do ta ndryshojë politikën e tij regjionale brenda natës. Marrëveshja bërthamore nuk është “marrëveshja e madhe” të cilën Irani ia propozoi SHBA-së në vitin 2003, nga e cila pritej të adresonte, përpos problemit bërthamor, një gamë të gjerë të çështjeve regjionale, duke përfshirë edhe konfliktin izraelit-palestinez. Për Iranin, një partneritet strategjik me SHBA-në do të ishte tradhti e madhe ndaj revolucionit islamik, si dhe një ndryshim i papranueshëm i identitetit. 

Izraeli duhet të ofrojë “lëshime të dhembshme” ndaj palestinezëve

Me apo pa një marrëveshje bërthamore, Irani, të cilit iu anulua ftesa për konferencën Gjeneva II rreth Sirisë, për shkak të refuzimit të tij të termave të referencës, të frymëzuar nga SHBA-ja, ka aspirata që të sfidojë politikat amerikane dhe ta ofrojë një rrugë alternative për regjionin. “Ne nuk jemi pajtuar që të shkatërrojmë ndonjë gjë”, ka insistuar ministri i jashtëm iranian, për dallim nga interpretimi amerikan i marrëveshjes. Gjërat e tilla i lejojnë Netanyahut që të ngulë këmbë në retorikën e tij katastrofike. Ndokush do të mund të priste që, me rritjen e kërcënimit iranian, gjë që imponon një bashkëpunim të heshtur të sigurisë midis Izraelit dhe fqinjëve të tij më stabilë arabë (sidomos Arabisë Saudite), Netanyahu do të tentonte ta zgjidhte çështjen palestineze, duke larguar kështu pengesën e fundit për një partneritet të haptë strategjik. Kjo ishte pikërisht racionalja prapa përqafimit të procesit të Oslos nga ana e kryeministrit Yitzhak Rabin. Por, Netanyahu ka një mënyrë krejtë- sisht tjetër të të menduarit. Ai jo vetëm që angazhohet për një prani izraelite në Bregun Perëndimor, por po ashtu i lidhë edhe lëshimet territoriale ndaj palestinezëve me kërcënimet ekzistenciale që dalin nga një rreth më i gjerë i regjionit. Nga presidentët e SHBA-së, George W. Bush ishte identifikuar më së shumti me këtë filozofi djathtiste të izraelit, ku lufta në Irak dhe politikat e tij ndaj Iranit ishin në pajtim të plotë me këtë. Konferenca paqësore e vitit 1991 në Madrid pasoi Luftën e parë në Gji, derisa “road map” erdhi pas Luftës në Irak. Tani, pranimi i Iranit si një shtet në prag të të qenit bërthamor, bashkë me rrezikun që del nga fqinjët jo stabilë arabë, janë në kundërshtim të plotë me supozimet e Netanyahu-t rreth kushteve që duhen plotësuar, që Izraeli të ofrojë “lëshime të dhembshme” ndaj palestinezëve. Pritet që dikush të bjerë në kurthin strategjik, por kush se?

Për kryeministrin izraelit Binyamin Netanyahu, presidenti amerikan Barack Obama tradhtoi Izraelin kur ai sakrifikoi ish-presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, duke përgatitur rrugën për ngritjen në fuqi të Vëllazërisë Myslimane. Tani, ai ia ka ngulur Izraelit thikën për herë të dytë, duke arritur një marrëveshje me Iranin, sikur që supozohet, prapa shpinës së Netanyahut.

(Kosova Sot)

2 orë e 34 minuta më parë
23/09/18