Kë e shpërbleu Presidenca me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë - Opinione - Kosova Sot
Kë e shpërbleu Presidenca me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë

Kë e shpërbleu Presidenca me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë

Komisioni i sivjetmë për vlerësimin e individëve dhe shoqatave nuk ka bërë më shumë gabime sesa që kanë bërë presidentët e tjerë 

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Ndarja e çmimeve kudo në botë shkakton pakënaqësi ne mesin e konkurrentëve tjerë, të cilët mbesin me gishta në gojë, mirëpo ndër shqiptarët revolta e atyre që nuk fitojnë shprehët më banalisht dhe më rëndë. Kur ne nuk e shohim emrin tonë në listën e fitueseve, automatikisht i injorojmë të gjithë fituesit duke e vetëshpallur vetën më të mirin, e më të talentuarin. Ne, shqiptarët, a jemi të etur për çmime? Të vlerësosh vetën është krejt normale, thonë psikologët e njohur botërorë, dhe nuk ka asgjë të keqe kur njeriu krenohet me të arriturat e tij qoftë personale apo kolektive. Konkurrimi për t'u shpërblyer është një lloj gare e domosdoshme e shoqërisë që nga kohëra të lashta e që ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e çdo shoqërie të çdo epoke. Në shoqërinë tonë bashkëkohore përveç garave fizike të lidhura ngushtë me forcën fizike, të gjitha tjerat janë të manipuluara dhe ndahen sipas interesave të ndryshme të organizatorëve, të institucioneve shtetërore e private, të shoqatave e të kompanive të ndryshme.

Manipulime për interesa të ndryshme ndodhin si në film, letërsi, teatër, muzikë…, sepse ekziston mundësia më e lehtë për të justifikuar dhënien e çmimeve e që publiku i thjeshtë i bindët institucionit e ndarjeve të çmimeve. Ka shumë raste që shohim pakënaqësi edhe në festivalet më prestigjioze botërore ku specialistët nuk janë të kënaqur më ndarje të një filmi në Festivalin e Kanit apo më Akademin e Nobelit, mirëpo vendimi i tyre është vendim dhe bota të shpërblyerit i admiron. Gara për të fituar shpërblime është shndërruar në garë për të fituar materialisht dhe institucionet që ndajnë çmime janë shndërruar në fabrika.

Një autor i shpërblyer me çmimin "Nobel" nënkupton autori shndërrohet në milioner, shtëpia botuese do t'i shiten librat e tij në tërë botën e kështu më radhë. Në garë për t'u shpërblyer marrin pjesë të gjithë. Andaj, edhe ne shqiptarët nuk dallojmë prej asnjë populli tjetër në botë, sepse kjo është ligj i natyrës që askush nuk mundët ta injorojë.

Thonë se F. Kafka ka pasur ndërmend t'i djegë librat e tij, sepse nuk ka dashur të bëhej i njohur nga tjerët dhe se ato i ka shkruar për veti. Në fakt këto janë gënjeshtra të kulluara, sepse po të kishte qenë serioz në atë që ka thënë do t'i kishte djegur e vetë e jo t'ia linte botuesit që ai t'i digjte. Po të merren seriozisht fjalët e tij, ai nuk do ta kishte shkruar hiç asnjë rresht. Pse të shkruante për veti, kur ato i ka ditur ? Ka shkruar për t'i treguar tjerëve talentin e tij se ka aftësi të shkruaj më mirë e më ndryshe se tjerët. Madje mund të shtrojmë pyetjen tjetër më afër nesh: pse Isamil Kadare me dekada radhazi konkurron për çmimin Nobel? Pjesëmarrja në gara të çdo fushe është normale e madje konsiderohet edhe si një shesh dyluftimi. Mirëpo humbësi duhet të jetë korrekt që t'ia pranojë tjetrit fitoren. 

Presidenti Hashim Thaçi i shpërbleu miqtë dhe shokët

Kësaj radhe Hashim Thaçi ka lënë vend për spekulime dhe pakënaqësi të të gjithë atyre që nuk u shpërblyen, sepse komisioni presidencial i dekoroi tërë SH.P. Më duket shumë absurde dhe jonormale që u shpërblyen këta, sepse këta janë të shpërblyer që 18 vjet. Secili prej këtyre ka vend pune ose si deputet ose zyrtar të lartë, ose milioner apo gjysmëmilioner

Si çdo vit, edhe kësaj here, Presidenca vazhdoi traditën e ndarjeve të çmimeve për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës. Si çdo president i deritashëm edhe Hashim Thaçi, patjetër që ka lënë zbrazëtirë dhe natyrisht kjo zbrazëtirë e zgjatë gjuhën e kritikës. Shikuar më detajisht, komisioni i sivjetmë për vlerësimin e individëve dhe shoqatave , i themeluar nga Hashim Thaçi, nuk kanë bërë më shumë gabime se që kanë bërë presidentët tjerë paraardhës e tij. Në listën e të shpërblyerve me medalje presidenciale janë emra të luftëtarëve, emra të Shtabit të Përgjithshëm dhe emra të njohur si në gazetarinë tone të paraluftës dhe individë të tjerë. Në disa medie shkruhet se Thaçi e dekoroi kriminelët, gjë që është një gabim i madh atyre që shkruajnë kështu, sepse ata de fakto në opinionin shqiptar i njohim si luftëtarë të lirisë , pavarësisht se ndonjëri prej tyre mund të jetë edhe kriminel, edhe spiun i UDB-së, por ne nuk posedojmë fakte dhe prova kundër tyre që të marrim guximin t'i akuzojmë vetëm pse u shpërblyen ata e jo ne. Lidhur me këtë dëshiroj t'ia sqaroj lexuesve se unë personalisht nuk kam konkurruar kurrë që të shpërblehem me mirënjohje nga asnjëri president. Dikur kam bërë kërkesë që të më njihet statusi im për veprimtarinë që kam zhvilluar unë dhe ekipi im, por jo mirënjohje. Një gjë është shumë e sigurt se presidentët e mëparshëm shtetit tonë, dekoruan me medalje jo vetëm çlirimtarët por edhe spiunët e UDB-së, që kishin shkaktuar dëme mbi popullsinë tone, madje dekoruan disa individë të cilët më shumë u ndihmonin ambasadave të Beogradit në Perëndim sesa çështjes kombëtare. Komisioni i sivjetmë për vlerësim të personaliteteve që kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës, natyrisht që ka gabime të pafalshme. Ky komision ka lënë anash dhe i ka injoruar shumë personalitete të huaja dhe vendore, të cilët kanë kontribuar për çlirimin e vendit tonë si në gazetari edhe në diplomaci. Në mesin e atyre që nuk janë shpërblyer me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë kemi shumë nga diaspora që sakrifikuan çdo gjë vetëm e vetëm që ne sot të jemi të lirë e prej tyre mund t'i veçojmë dhe pa frikë të ndonjë konkurrence tjetër më serioze si janë: Behare Rexhepi në Bruksel, Musa Jupolli në Paris, Ekrem Krasniqi në Bruksel, Afrim Gjonbalaj në Bruksel e të tjerë në Gjenevë, Nju Jork, Londër. Është për t'u habitur që asnjëri prej këtyre emrave të përmendur kurrë nuk kanë kërkuar të shpërblehen. 

Kush bën zhurmë?

Për t'u shpërblyer nga Presidenti kanë konkurruar shumë individ që e meritojnë dhe që nuk e meritojnë. Ata që ngritën për të treguar pakënaqësinë kanë plotësisht të drejtë, nëse në dosjet e tyre kanë ofruar dokumente të mjaftueshme se e meritojnë shpërblimin. Të gjithë ata që ofrojnë dokumente për kontributin e tyre para lufte, duhet të insistojnë që në të ardhmen të shpërblehen me çdo kusht. Madje, nëse nuk shpërblehen tash, do shpërblehen në vitet e ardhshme. Unë për vetën time e kam lënë që të shpërblehem post mortum, sepse se jam gjallë e di që Thaçi dhe shefat e tij nuk e lejojnë që puna ime të shpërblehet. Zhurmën më të madhe e bëjnë disa që nuk e meritojnë dhe më sajime të tyre se gjoja kanë kontribuar më shumë se tjerët. E njëjta pakënaqësi ishte këto ditë edhe te krijuesit tanë, të cilët nuk fituan shpërblim nga Ministria e Kulturës. U ngritën zëra se u shpërblyen më të dobëtit. Në fakt, nuk u shpërblyen të dobëtit, por më të afërmit e komisionit e ministri i shkretë as që e ka ditur se kush do të fitonte. Komisioni i Ministrisë së Kulturës ka vendosur t'i shpërblejë të afërmit e tyre, e kjo duhet të merret normale. Vitin e ardhshëm edhe ne tjerët do t'i afrohemi komisionit e ndoshta fitojmë. Kësaj radhe Hashim Thaçi ka lënë vend për spekulime dhe pakënaqësi të te gjithë atyre që nuk u shpërblyen, sepse komisioni presidencial i dekoroi tërë SH.P. Më duket shumë absurde dhe jonormale që u shpërblyen këta, sepse këta janë të shpërblyer që 18 vite. Secili prej këtyre ka vend pune ose si deputet ose zyrtar të lartë , ose milioner apo gjysmëmilioner. Çfarë u duhet këtyre të shpërblehen kur të gjithë këta janë veteranë, janë gjeneralë, janë shefa të kompanive, e të cilët kurrë nuk ishin të injoruar e as të nëpërkëmbur, por i injoronin dhe nëpërkëmbin tjerët. 

(Kosova Sot)

46 minuta më parë
24/06/18