Ekziston një mënyrë më e mirë për ta bashkuar Evropën - Opinione - Kosova Sot
Ekziston një mënyrë më e mirë për ta bashkuar Evropën

Ekziston një mënyrë më e mirë për ta bashkuar Evropën

PLOT DYSHIME, E MADJE EDHE MJERIM

Planet e presidentit Macron për unionin janë të forta

Shkruan: John Lloyd

Duke pasur parasysh mungesën e një 'storjeje' demokratike për BE-në, nuk ka nevojë për ndjekjen e një ëndrre integracionale, por për forcimin e qeverive nacionale

V iti politik evropian është plot dyshime, bile edhe mjerim. Në vendet më të mëdha të kontinentit, politikat kanë ngecur, apo kanë të ngjarë që të ngelin në një baltovinë, nga e cila është vështirë të dilet. Vetëm në Francë, më shumë nën flamurin partiak, sesa atë kombë- tar, mbretëron një optimizëm zyrtar dhe një energji. Gjermania, vendi evropian me ekonominë më të madhe, ende nuk ka arritur marrëveshje rreth formimit të qeverisë. Bisedimet midis kristian-demokratëve, në pushtet dhe social-demokratëve në opozitë, rreth formimit të një koalicioni të tretë, planifikohet që të fillojnë më 7 janar. Formimi i një koalicioni qeveritar mund të marrë kohë dhe, edhe nëse do të arrihet sukses në këtë drejtim, atëherë 'martesa' do të jetë edhe më me pak dashuri, dmth më e brishtë, sesa dy qeveritë paraprake. Megjithatë, Gjermania mbetet e fuqishme sa i përket ekonomisë dhe parashikimet janë optimiste për këtë vit. Në anën tjetër, rritja ekonomike e Italisë, pak më e madhe sesa ngecja e viteve të fundit, mbetet tepër e varur nga një qeveri e qëndrueshme, e cila pritet që të dalë nga zgjedhjet e 4 marsit. Por, ajo që ka më shumë të ngjarë, këto zgjedhje do ta sjellin një parlament pa shumicë të qartë, pasi që partia sunduese, Partia demokratike, ballafaqohet me një lëvizje të përtërirë djathtiste, "Pesë yjet", që është partia e vetme, më e popullarizuar në vend.

Planet e Macronit

Në Spanjë, rritja e pritur ekonomike është zvogëluar nga 2.6% në 2.3% për shkak të frikës nga turbulencat e vazhdueshme midis qeverisë në Madrid dhe separatistëve në Kataloni, ku partitë pro-pavarësisë janë në shumicë. Polonia, me një popullsi prej 38.5 milionë banorësh, është e përfshirë në një luftë morale dhe mortale me BE-në. Natyrisht edhe Britania është duke u larguar nga grupi. Megjithatë, shpresa duhet të jetë e përjetshme në një BE e cila punon në kuadër të rubrikës "së një unioni edhe më të afërt" dhe kjo shpresë përqendrohet mbi supet e liderit 40- vjeçar, Emmanuel Macron, slogani i partisë së të cilit është thirrje e përditshme për Francën e cila, sipas tij, është bërë tepër e moshuar, e ftohtë dhe 'e bartur'. Planet e tij për unionin janë të forta dhe kanë për qëllim një integrim relativisht të shpejtë të ekonomisë, por po ashtu ato janë të dizajnuara për të qenë mbrojtëse për shtetasit evropianë, një mburojë kundër erërave të ftohta të globalizimit. Kjo do të jetë detyrë e vështirë, por të paktën do të jetë një injeksion i optimizmit në një kontinent apatik. Këto plane gëzojnë një mbështetje të fuqishme edhe në vende të tjera. Sikur Macron, ato duan Shtetet e bashkuara evropiane, por për dallim nga ai, ato janë në pakicë. Pa marrë parasysh sa të guximshme mund të jenë planet e Macronit, atyre iu mungon elementi i domosdoshëm qendror, i cili do t'iu jepte një shans suksesi. Ato paraqesin përparësitë e një unioni më të afërt, në aspektin e një ekonomie më efikase dhe të një stimulimi shtesë të valutës euro. Shumë ekonomistë besojnë se euroja është tepër e brishtë për të mbijetuar tronditjet aktuale, nëse nuk do ta kishte mbështetjen shtetërore, të ngjashme me atë që kanë bankat qendrore. Meqë BE-ja, në rastin më të mirë, është shtet në embrion, brishtësia e valutës së saj mbetet. Kjo ka kuptim për bankierët dhe ekonomistët. Por, pjesa më e madhe e asaj që del nga BE-ja, nuk është e kuptueshme për qytetarët e rëndomtë dhe elementi mungues në projektin e Macron'it është një plan i besueshëm për t'i bashkuar vendet anëtare të BE-së. Ky integrim nuk mund të jetë i kuptueshëm vetëm për establishmentin, por mbi të gjitha, duhet të jetë i pranueshëm për qytetarët evropianë në baza demokratike, me një parlament dhe institucione të tjera, funksionet e të cilave ata mund t'i kuptojnë dhe të ndikojnë te to me anë të votës së tyre, pikëpamjeve dhe protestave. Ne duhet të reflektojmë se çka dmth ai integrim. Ai nënkupton që shtetasit evropianë do të jenë të detyruar ta pranojnë një qeveri e cila, të paktën në fillim, do të vepronte në sferën financiareekonomike dhe e cila më pas do të merrte vendime që do të ndikonin në të ardhurat e qytetarëve, pensionet dhe shumë më tepër. Këto vendime nuk do të merreshin nga spanjollët për spanjollët, sikur as nga finlandezët për Finlandën, por nga ministrat të cilët me gjasë do të ishin nga vendet e treta, emrat dhe biografitë e të cilëve do të ishin të panjohura për shumicën dhe të cilët me gjasë nuk do ta flisnin gjuhën e tyre amtare. Pyetja kryesore - si të dalim nga demokracia nacionale, kah demokracia evropiane - është një e metë e madhe e projektit të Macronit. Kjo është një dobësi e cila nuk do ta ndjekë atë vetëm përtej kufijve të Francës, por edhe brenda tyre, meqë shumica e tij ndaj Marine Le Penit, fsheh faktin se disa nga kandidatët e mposhtur në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, ishin gati po aq anti BE, sa edhe Le Pen, me të cilën përbënin një shumicë euroskeptike. 

Dobësimi i mëtejmë i administratave nacionale

Duke pasur parasysh mungesën e një 'storjeje' demokratike për BE-në, nuk ka nevojë për ndjekjen e një ëndrre integracionale, por për forcimin e qeverive nacionale dhe, duke e bërë një gjë të tillë, të adresohet hendeku i krijuar midis dëshirave dhe realiteteve. Kjo nuk nënkupton heqjen dorë nga realizimi i një bashkëpunimi më të ngushtë në Evropë. Gjatë shtatë dekadave të zhvillimit, ajo ka treguar se sa rëndësi ka bashkëpunimi, sa e domosdoshme është ekzistimi i objektivave të përbashkëta dhe i veprimeve të përbashkëta, sa mund të mësojnë shtetet nga njëri-tjetri. Por, ato duhet të mësojnë nga vota Brexit se qytetarët kërkojnë një administratë e cila është më përgjegjëse ndaj tyre, një të cilën mund ta urrejnë, ta ndëshkojnë, por të cilën e njohin si të tyren, meqë është zgjedhur nga ta. Qëllimi shpesh i përmendur i qeverive të këtyre vendeve, për zhvillimin e politikave të përbashkëta nën komandën e ministrave evropianë, mund të dalë i pranueshëm dhe mund të funksionojë. Në një rast të tillë, ato mund të bëhen shembull për të tjerët, të cilat aktualisht nuk janë në eurozonë dhe, ngjashëm me qeverinë e re, djathtiste, të Austrisë, kërkojnë një rikthim të shumë autorizimeve, që tani janë të centralizuara në parlamentin e Brukselit. Por, një veprim drejt centralizimit dhe dobësimit të mëtejmë të administratave nacionale, në favor të opsionit "më shumë Evropë", nuk ka të ngjarë që të funksionojë. Më mirë është që tani unioni të rregullohet si një asociacion i dobët i shteteve mike, të cilat pajtohen rreth politikave dhe projekteve, por të cilat mbesin nën mbrojtjen e qeverive nacionale. Marrëveshja për përdorim të euros do ta kërkonte një mbështetje më të fuqishme sesa që e ka tani kjo valutë, por do të mund të formulohej në atë mënyrë sa që, qeveritë pjesëmarrëse, ta kishin një fleksibilitet më të madh rreth kritereve të tilla, si nivelet e borxheve, të cilat tani gjerësisht janë të injoruara. Një marrëveshje e përbashkët tregtare do të mbetej. Marrëveshja e lirë tregtare e Amerikës veriore (NAFTA), e cila tani është vënë në pikëpyetje nga presidenti Donald Trump, tregon se marrëveshjet e tilla janë të përshtatshme me qeveritë e ndara, sovrane. Një BE e tillë do të mund ta kthente Britaninë në përqafimin e saj, por një union i vendosur që të integrohej, do të humbte popujt përgjatë këtij tentimi. Ky fakt duhet të vërehet gjatë këtij viti të ri.

(John Lloyd është bashkëthemelues i Institutit 'Reuters' për studim të gazetarisë në Universitetin Oksford) 

(Kosova Sot)

16 orë e 16 minuta më parë
19/09/18