Kutia e Pandorës e Epokës digjitale - Opinione - Kosova Sot
Kutia e Pandorës e Epokës digjitale

Kutia e Pandorës e Epokës digjitale

NJË ESKALIM I RREZIKSHËM

Gjërat ishin ndryshe në botën e vjetër të armëve bërthamore

Shkruan: CARL BILDT

Vetëm gjatë vitit të kaluar, një seri e sulmeve kibernetike nga qeveritë armike dhe faktorët e tjerë malinjë kanë ngritur alarmin rreth një rreziku të madh ndaj stabilitetit global. Për fat të keq, shumë qeveri janë duke reaguar, duke zhvilluar edhe më shumë armë kibernetike, bazuar në supozimin e gabuar se sulmi është mbrojtja më e mirë 

A është bota duke shkarë në mënyrë të rrezikshme kah një Armagedon kibernetik? Le të shpresojmë që jo; por megjithatë le ta vlerësojmë këtë kërcënim dhe të përqendrohemi te ajo çka të bëjmë rreth kësaj. Njëri vend pas tjetrit, filluan eksplorimin e opsioneve për forcimin e aftësive të tyre mbrojtëse në hapësirën kibernetike dhe, shumë vende të tjera e kanë bërë një gjë të tillë. Ky është një eskalim i rrezikshëm. Në fakt, janë të paktë trendët e tjerë që paraqesin rrezik më të madh ndaj stabilitetit global. Gati të gjitha shoqëritë janë bërë shumë të varura nga interneti, pjesës më të rëndësishme botërore të infrastrukturës, mbi të cilën gjenden të gjitha infrastrukturat e tjera. I ashtuquajturi Internet i Gjërave, është emër i gabuar; shumë shpejt ai do të jetë "Internet i çdo gjëje". Dhe, epoka jonë aktuale nuk është një Revolucion i katërt industrial; ajo paraqet fillimin e epokës digjitale dhe përfundimin e tërë epokës industriale. Epoka digjitale ka sjellë brishtësi të reja, të cilat hakerët, kriminelët kibernetikë dhe faktorët tjerë malinjë tanimë janë duke i shfrytëzuar. Por, edhe më alarmante është babëzia e qeverive nacionale për të zhvilluar operacione luftarake kibernetike kundër njëra-tjetrës. Tanimë kemi arritur nivelin në të cilin çdo konflikt ka një dimension kibernetik. SHBA-ja dhe Izraeli kaluan rubikonin në vitin 2010 duke lansuar sulmin "Stuxnet" kundër qendrave bërthamore iraniane. Tani, nuk dihet ku fillojnë dhe ku mbarojnë konfliktet aktuale, por të fshehta kibernetike. Gjërat ishin ndryshe në botën e vjetër të armëve bërthamore, të cilat janë pajisje të komplikuara dhe të shtrenjta, të bazuara në teknologjinë të cilën vetëm pak specialistë tepër të edukuar e kanë mbizotëruar. Në anën tjetër, armët kibernetike në përgjithësi nuk janë të shtrenjta dhe përdoren lehtë. Si pasojë e kësaj, bile edhe shtetet e dobëta dhe të brishta mund të bëhen fuqi të konsiderueshme kibernetike. Edhe më keq, teknologjitë e luftërave kibernetike janë përhapur me një hap alarmant. Derisa ekzistojnë struktura të shtrenjta për ta kontrolluar qasjen ndaj teknologjive dhe materialeve të ndjeshme bërthamore, thuajse nuk ekziston asgjë për parandalimin e shpërndarjes së kodit keqbërës softuerik. 

Origjina shpesh e paqartë e sulmeve kibernetike

Për ta kuptuar shkallën, apo nivelin e kërcënimit me të cilin ballafaqohemi, nuk kemi nevojë që të shkojmë më tej sesa virusin "WannaCry" i cili, midis të tjerash, për pak nuk e shoi Shërbimin britanik të shëndetit kombëtar, majin e kaluar. Virusi në fjalë shfrytëzoi ndjeshmërinë e sistemit operativ të "Microsoft Windows", që tanimë ishte identifikuar nga Agjencia amerikane e Sigurisë kombëtare (NSA), por që nuk i ishte raportuar "Microsoft"-it. Pasi që kjo informatë kishte rrjedhur, apo ishte vjedhur nga NSA, Koreja Veriore shpejt filloi përdorimin e këtij virusi, gjë që nuk duhet të na befasojë. Gjatë viteve të fundit, Koreja veriore ka lansuar sulme të shumta kibernetike në tërë botën, në rastin më evident kundër "Sony Pictures", por edhe kundër shumë institucioneve financiare. Dhe, natyrisht, Koreja Veriore zor se mund të jetë një përjashtim. Rusia, Kina dhe Izraeli po ashtu kanë zhvilluar armë kibernetike, të cilat me të madhe janë duke tentuar që t'i implantojnë në sisteme të ndryshme në tërë botën. Ky rrezik në rritje e sipër është shkaku pse vendet e tjera kanë filluar që të flasin rreth sigurimit të aftësive të tyre kibernetike: ata duan që ta kenë një mbrojtje nga sulmet që vijnë nga fuqitë e tjera kibernetike. Siguria kibernetike konsiderohet e komplikuar dhe e shtrenjtë, por sulmet kibernetike shihen si jo të shtrenjta dhe atraktive. Problemi qëndron te fakti se, derisa 'përmbajtja' funksionon në botën bërthamore, ajo nuk është kushedi sa efikase në botën kibernetike. Faktorët 'batakçinj' - ku Koreja Veriore zor se është shembulli i vetëm - janë shumë më pak të rrezikuar nga kundërsulmet kibernetike sesa vendet e zhvilluara. Ata mund të vazhdojnë me sulme, pa pasur pasoja serioze. Origjina shpesh e paqartë e sulmeve kibernetike e bën edhe më të vështirë aplikimin e një teorie racionale të 'përmbajtjes' në botën kibernetike. Identifikimi i palës përgjegjëse, nëse është e mundur një gjë e tillë, kërkon kohë dhe rreziku i gabimit gjithnjë ekziston. Nuk besoj se ndonjëherë do të kemi dëshmi të qarta se Izraeli është duke ndërmarrë operacione sulmuese kibernetike, por kjo nuk dmth se ai nuk është duke e bërë një gjë të tillë. Në errësirën e hapësirës kibernetike, faktorët e sofistikuar mund të fshihen prapa palëve të treta, të cilat më pas bëhen cak i kundërsulmeve nga pala e sulmuar. Dhe, në konfliktin e vazhdueshëm midis vendeve të Gjirit, të paktën një qeveri mund të ketë angazhuar hakerët, me seli në vende të tjera, për të bërë operacione kundër një kundërshtari. Kjo metodë e evitimit të detektimit gati me siguri do të bëhet normë. Duke qenë se ende jemi në etapat e hershme të epokës digjitale, atëherë na mbetet vetëm të hezitojmë se çka do të ndodhë më tej. Qeveritë mund të fillojnë që të zhvillojnë sisteme autonome të kundërsulmeve, me pasoja të paparapara. 

Një garë armatimi në hapësirën kibernetike nuk mund të ketë fitues

Me gjasë armët kibernetike do të bëhen armë e linjës së parë në luftërat e hapura. Karta e OKB-së afirmon të drejtën e secilit vend anë- tar për t'u vetëmbrojtur, një e drejtë e cila është e hapur për interpretim në një botë kinetike, të digjitalizuar. Karta po ashtu prek çështjet e ligjit ndërkombëtar, në lidhje me mospjesëmarrësit në luftime dhe infrastrukturën civile në zonat e konfliktit. Por, çka mund të thuhet rreth konflikteve të shumta, të cilat nuk e arrijnë kufirin e luftës së plotë? Deri më tani, përpjekjet për të caktuar rregulla universale rreth sjelljes së shteteve në hapësirën kibernetike, kanë dështuar. Është e qartë që disa vende duan ta ruajnë lirinë e tyre të plotë të veprimit në këtë fushë. Por, kjo paraqet një rrezik evident. Sikur që kanë dëshmuar informatat e rrjedhura nga NSA, nuk ekziston asnjë mënyrë e kufizimit të qasjes ndaj armëve shkatërrimtare kibernetike dhe nuk ka vend për të shpresuar se rregullat e përmbajtjes, që kanë vlejtur gjatë epokës bërthamore, do të funksionojnë edhe në epokën kibernetike. Fatkeqësisht, ende është larg një marrëveshje obliguese ndërkombëtare për kufizimin e zhvillimit dhe përdorimit të armëve kibernetike në situatat ku nuk ka luftë. Në ndërkohë, duhet t'ua kushtojmë një vëmendje më të madhe rreziqeve që dalin nga proliferimi i armëve kibernetike dhe të apelojmë te qeveritë që të zhvillojnë aftësi mbrojtëse, e jo sulmuese. Një garë armatimi në hapësirën kibernetike nuk mund të ketë fitues. (Carl Bildt është aktualisht kryesues i Komisionit global të qeverisjes me internet dhe anëtar i Këshillit të Agjendës globale për Evropën, të Forumit Ekonomik Botëror) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)

22 orë e 32 minuta më parë
21/09/18