Sistemi rus i pushtetit, pa ndonjë shpjegim racional

Sistemi rus i pushtetit, pa ndonjë shpjegim racional
  • 23 February 2018 - 09:48

RUSIA SHKAKTON KOKËDHEMBJE NDËRKOMBËTARE  

Qytetarët rusë ende nuk e kanë të qartë se autokracia është më e keqe sesa frika e tyre nga kaosi 

Shkruan: LILIA SHEVTSOVA

Njerëzit, të dezorientuar dhe të demoralizuar, preferojnë që të mbështeten te shteti, edhe në rastet kur ata nuk kanë besim tek ai. Por, nocioni i një 'normaliteti të ri' është mashtrues.

Përgjatë shekujve XIX dhe XX, çështja gjermane çrregulloi stabilitetin global derisa kombi në fjalë përpiqej që të kuptonte identitetin dhe rolin e tij në botë. Por, në fillim të shekullit XXI, është çështja ruse ajo që ka filluar të shkaktojë kokëdhembje ndërkombëtare. Në kërkimin e saj për identitet, Rusia e ka gjetur veten në një kurth: modeli i saj i zhvillimit nuk mundet më që të garantojë rritje dhe stabilitet, por për ta ndryshuar këtë paradigmë, mund të rrezikohet vetë shtetësia e saj. Sistemi rus i fuqisë së personalizuar ka krijuar një realitet i cili nuk përputhet me një shpjegim racional: faktorët të cilët, në kushte normale do ta stabilizonin qeverinë, janë duke e destabilizuar atë, derisa dykuptimësia dhe paqëndrueshmëria ndihmojnë atë që të mbijetojë. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë një shembull i këtij paradoksi. Këto zgjedhje - rezultati i të cilave dihet qysh tani - do të duhej të injektonin një dozë legjitimiteti në sundimin e presidentit Vladimir Putin. Por, mungesa e një konkurrence të vërtetë elektorale dhe vartësia e Putinit nga aparati shtetëror, rrezikojnë që ta bëjnë atë peng të vet shoqëruesve të tij, duke sunduar me një lloj të omnipotencës impotente. Një shembull tjetër i këtij paradoksi, është që Kremlini ka pasur sukses në shtypjen e protestave masive kundër sundimit të tij të viteve 2011-12. 

Padëgjueshmëria qytetare

Gatishmëria e elitave për t'u përqafuar nga autoritetet, ndihmoi në krijimin e një ndjenje të qetësisë. Njerëzit, të dezorientuar dhe të demoralizuar, preferojnë që të mbështeten te shteti, edhe në rastet kur ata nuk kanë besim te ai. Por, nocioni i një 'normaliteti të ri' është mashtrues. Mungesa e kanaleve institucionale për të artikuluar interesat popullore bën që rusët të dalin përsëri në rrugë, duke i bindur ata se ndryshimet mund të bëhen vetëm me revolucion. Ngritja e Alexei Navalnyt si lider i një lëvizjeje të ardhshme të padëgjueshmërisë qytetare, i ka dhënë emër valës së pakënaqësisë. Aneksimi i Krimesë në vitin 2014 mund të ketë ndihmuar Kremlinin që ta rriste patriotizmin, por ai solli edhe sanksione të rënda. Entuziazmi ka filluar që të zbehet: 55% e të anketuarve nga "Levada", një anketë-bërës i pavarur, tani thonë se është 'gabim' që të përdoret buxheti i vendit për ta mbështetur Krimenë. Por, një përqindje e madhe e të anketuarve vazhdojnë që të mendojnë se Rusia është e rrethuar nga armiqtë.

Rebus i pazgjidhur

Në anën tjetër, rusët nuk është se janë të gatshëm për luftëra globale: 59% e të anketuarve besojnë se politika e jashtme duhet të sigurojë ekzistimin e sigurt dhe paqësor të Rusisë, derisa 19% prej tyre mbështesin konfrontimin me Perëndimin. Shumica e të anketuarve nuk mbështet as prirjet imperialiste agresive të Kremlinit: 65% e të anketuarve thonë se Rusia nuk do të duhej t'i kontrollonte ish republikat sovjetike. Pra, është larg të qenit i sigurt se këmbëngulësia ruse do të vazhdojë që ta forcojë Kremlinin në vend. Elitat ruse kanë marrë përfitime të majme nga globalizimi, i cili ua ka mundësuar atyre që të integrohen në Perëndim. Por, ky integrim i ka bërë ato më të ndjeshme ndaj sanksioneve të Perëndimit. Besnikëria e elitave është dridhur qyshkur Putin pushoi së garantuari mirëqenien e tyre dhe inicioi një spastrim selektiv të klasës qeverisëse. Pa marrë parasysh agjendën e presidentit, janë disa faktorë që e mbajnë sistemin e vjetër pezull dhe pengojnë transformimin e tij. Faktori i parë është frika, edhe në mesin e kritikëve të Putinit, në lidhje me përsëritjen e vitit 1991, që shteti të shpërbëhet pas rënies së regjimit. Ekziston një pasiguri e thellë rreth asaj se a mund të mbahet shteti i bashkuar nën një sundim demokratik. Së dyti, liberalizmi si një ideologji, është diskredituar në Rusi: nga ngecja e demokracive liberale; pjesëmarrja perëndimore në kleptokracinë ruse; si dhe rolin që liberalët sistematikë e kanë luajtur në funksionimin e regjimit autokratik. Paraqitja e një ish ylli TV në rolin e liderit të 'opozitës liberale', është damka më e re kundër liberalizmit, në sytë e publikut. Së treti, sikur që kanë treguar ngjarjet në Ukrainë, transformimi i regjimeve post komuniste është më i komplikuar sesa thjesht, një dalje nga komunizmi. Së katërti e kemi çështjen e sovranitetit. A do të ishte e mundur një demokraci ruse pa diktatin e perëndimit, gjë që do të nënkuptonte tkurrjen e sovranitetit të Rusisë? Pranimi i kësaj, qoftë edhe për opozitën, do të nënkuptonte një vetëvrasje politike. Moska mund të shkojë përpara, duke shfrytëzuar dykuptimësinë dhe duke e joshur Perëndimin që ta luajë lojën e saj të 'hajde le të shtiremi'. Por, sa mund të zgjatë një gjë e tillë? Rusët ende nuk e kanë kuptuar se dëmi i shkaktuar nga autokracia, është më i madh sesa frika nga kaosi. Presidenca e ardhshme Putin mund t'iu ndihmojë rusëve që ta arrijnë këtë vetëdijesim. Nëse jo, atëherë çështja ruse do të mbetet një rebus i pazgjidhur edhe gjatë shekullit XXI.

(Autorja është bashkëpunëtore e Programit Rusia dhe Eurazia, në "Chatham House")

(Kosova Sot)