SHBA-ja, e gatshme që të bisedojë me Korenë Veriore

SHBA-ja, e gatshme që të bisedojë me Korenë Veriore
  • 24 February 2018 - 09:42

HAPAT DIPLOMATIKË

 Mund të ndodhin bisedime direkte pa parakushte midis Uashingtonit dhe Penjanit

Shkruan: Josh Rogin 

Korniza e një rruge diplomatike, ende në lindje e sipër, është kjo: SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk do të ndalojnë që të imponojnë kosto të larta dhe gjithnjë e më të mëdha ndaj regjimit të Kim Jong-Unit, derisa ai të ndërmarrë hapa të qartë kah denuklearizimi

Përkundër ftohtësisë midis zyrtarëve të SHBA-së dhe Koresë Veriore në Korenë Jugore javën e kaluar, prapa skenave është bërë progres real kah një hapje diplomatike e cila mund të rezultojë me bisedime direkte pa parakushte midis Uashingtonit dhe Penjanit. Kjo mundësi lindi nga një mirëkuptim i arritur midis Shtëpisë së Bardhë dhe presidentit të Koresë Jugore. mZëvendëspresidenti amerikan, Pence, në një intervistë derisa ishte në "Air Force Two", rrugës për në shtëpi nga Olimpiada Dimërore në PjongÇang, më tha se, në dy bisedimet e tij substanciale me presidentin e Koresë Jugore, Moon Jae-In, SHBA-ja dhe Koreja Jugore u dakorduan rreth kushteve të angazhimit të mëtejmë me Korenë Veriore - së pari nga koreanët e Jugut, e më pas edhe nga SHBA-ja. Korniza e një rruge diplomatike, ende në lindje e sipër, është kjo: SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk do të ndalojnë që të imponojnë kosto të larta dhe gjithnjë e më të mëdha ndaj regjimit të Kim Jong-Unit, derisa ai të ndërmarrë hapa të qartë kah denuklearizimi. Por, administrata Trump tani është e gatshme që të ulet dhe të bisedojë me regjimin derisa ajo kampanjë e presionit është duke vazhduar.

Gabimet e së kaluarës

Pence e quajti këtë "presion maksimal dhe angazhim në të njëjtën kohë". Ky paraqet një ndryshim të rëndësishëm nga pozicioni i mëparshëm i SHBA-së, i cili nënkuptonte ushtrimin e presionit maksimal derisa Penjani të bënte lëshime reale dhe, vetëm atëherë të kishte një angazhim direkt me regjimin. "Qëllimi është që presioni të mos zbutet derisa ata të mos bëjnë diçka, për të cilën aleanca beson se paraqet një hap domethënës kah denuklearizimi", tha Pence. "Kështu, do të vazhdojë dhe do të intensifikohet kampanja e presionit maksimal. Por, nëse doni të bisedoni, ne do të bisedojmë". Pence dhe Moon u dakorduan për këtë gjatë takimit të tyre të enjten në Shtëpinë e Kaltër dhe gjatë takimit të tyre gjatë olimpiadës, të shtunën në mbrëmje. Pence komunikonte me presidentin Trump çdo ditë, gjatë qëndrimit të tij në Azi. Para këtyre takimeve, administratat Trump dhe Moon nuk ishin të rreshtuara rreth asaj se a duhej të vazhdonte angazhimi i ri i Seulit me Penjanin, edhe pas mbarimit të Olimpiadës. Kjo mosmarrëveshje u vërejt që në takimin e tyre të parë, kur Moon deklaroi se donte që, angazhimi olimpik, të çojë deri te negociatat reale derisa Pence foli vetëm rreth presionit. Por, brenda në takim erdhi deri te ndryshimi. Pence i tha Moon-it se bashkësia ndërkombëtare nuk guxon të përsëritë gabimet e së kaluarës, duke i bërë Koresë veriore lëshime në këmbim të bisedimeve. Pence kërkoi mendimin e Moon-it, se si ky angazhim do të mund të ishte i ndryshëm. 

Korrigjim real

Moon e siguroi Pence-n se do t'ua bënte të qartë koreanëve të veriut se ata nuk do të përfitonin në aspektin ekonomik, apo diplomatik, thjesht pse po bisedojnë, por vetëm nëse ndërmarrin hapa konkretë kah denuklearizimi. Bazuar në këtë sigurim, Pence u ndie i sigurt për të mbështetur angazhimin post-olimpik me Penjanin. "Mendoj se kjo është ndryshe krahasuar me 20 vjetët e fundit", tha Pence. Unë e pyeta atë se cilët hapa konkretë do të duhet të bëjë Penjani, në mënyrë që të ketë një lehtësim real të sanksioneve. "Nuk e di", tha ai. "Për këtë shkak duhet të zhvillohen bisedimet". Veprimi fillestar që dëshiron SHBA-ja, është që Koreja Veriore ta vendosë denuklearizimin në tavolinë dhe të ndërmarrë hapa kah ai, edhe pse ky nuk është parakusht për bisedimet preliminare. Kjo mund të jetë një 'urë tepër e largët' për regjimin e Kimit, i cili është i vendosur që bashkësia ndërkombëtare ta pranojë statusin e saj bërthamor. Penjani po ashtu është i sigurt se dëshiron koncesione nga Uashingtoni, sikur që është shtyrja e stërvitjeve ushtarake midis SHBA-së dhe Koresë Jugore, gjë që për aleancën nuk është e pranueshme. Ka edhe gjëra të tjera të cilat do të mund të dëmtonin hapjen e re. Në Tokio, Pence paralajmëroi sanksione të reja ndaj Koresë Veriore, për të cilat ai premtoi se do të jenë më të ashprat ndonjëherë, e që do të publikohen së shpejti. Si reagim, regjimi i Kimit mund të rifillojë me testimin e programeve të tij bërthamore dhe raketore, sikur që ka bërë pas 'desantit' të Olimpiadës paraprake. Kjo do ta pengonte progresin diplomatik. Moon është duke punuar shumë që të mos ndodhë një gjë e tillë. Ai është duke e shqyrtuar një ofertë nga Koreja Veriore, që ta vizitojë Penjanin. Ai po ashtu apelon te koreanët e veriut që të ulen me SHBA-në sapo t'iu jepet mundësia. "Moon më tha se iu ka thënë koreanëve të veriut që të bisedojnë me amerikanët", thotë Pence. Ideja e "bisedimeve rreth bisedimeve" nuk është e re. Në fakt, sekretari i shtetit, Rex Tillerson, e ka ngritur këtë ide disa herë. Vetë Trump ka thënë se nuk sheh asgjë të gabueshme në bisedimet me Korenë e Veriut, si të tillë. Lëvizja nga një qëndrim i tillë, te negociatat substanciale do të jetë shumë e vështirë. Por, për ta bërë një progres real, bisedimet janë hapi i parë i domosdoshëm. Përqafimi i qëndrimit të bisedimeve fillestare pa parakushte, nga ana e Shtëpisë së Bardhë, ka rëndësi të madhe. Ai ofron një korrigjim real të pauzës midis Uashingtonit dhe Seulit. Ai po ashtu rritë gjasat që SHBA-ja dhe Koreja Veriore së shpejti të fillojnë një proces, i cili paraqet shpresën më të mirë për parandalimin e një konflikti shkatërrimtar ndërkombëtar

(Kosova Sot)