Trump, multilateralisti hezitues

Trump, multilateralisti hezitues
  • 25 February 2018 - 10:19

POZICIONI I AMERIKËS NË ASPEKTIN GLOBAL

Zvogëlimi i rolit të SHBA-së në Bankën Botërore do ta krijonte një vakum që do të mbushej nga Kina

Shkruan: Barry Eichengreen 

Testimi i vërtetë i qëndrimit të Trump-it rreth multilateralizmit do të jetë qasja e tij ndaj Organizatës Botërore të Tregtisë. Bindja e Kongresit amerikan që të pajtohet rreth reformës së korporatave dhe të të ardhurave personale, një iniciative me vlerë prej 1 trilion dollarësh, si dhe zëvendësimi i reformës shëndetësore të Obamës nuk do të jenë gjëra të lehta

Donald Trump nuk e mori presidencën si një multilateralist i përkushtuar. Për këtë mund të pajtohen partiakët e të gjitha bindjeve politike. Në mes të deklaratave të tij më kontroverse gjatë kampanjës, ishin disa që sugjeronin se NATO-ja ishte koncept i vjetruar, një qëndrim i cili nuk parashikon diçka të mirë për qëndrimin e tij ndaj organizatave dhe aleancave të tjera multilaterale. Por, javën e kaluar Trump u tërhoq, duke siguruar të pranishmit në Komandën qendrore amerikane në Tampa, Florida: "Ne fuqishëm mbështesim NATO-n", deklaroi ai, duke shpjeguar se "raporti" i tij me Aleancën ishte një raport i kontributeve të plota dhe adekuate nga të gjitha vendet anëtare, e jo marrëveshjet fundamentale të sigurisë. Ky qëndrim më i nuancuar me gjasë pasqyron një vlerësim të ri, të krijuar ose nga lajmet e reja të sigurisë, apo nga kthjellja që vjen pasi që dikush merr me të vërtetë postin në zyrën ovale, se bota është një vend i rrezikshëm. Edhe një president i përkushtuar që ta vejë "Amerikën në rend të parë" tani duket se kupton që, një kornizë me anë të së cilës shtetet mund të realizojnë qëllimet e tyre të përbashkëta, nuk është gjë e keqe. Pyetja që shtrohet tani, është se, ajo që është e vërtetë për NATO-n, a është e vërtetë edhe për FMN-në, Bankën botërore, Organizatën botërore të tregtisë dhe Komitetin e Bazelit rreth mbikëqyrjes bankare. Në vitin 2012, Trump ishte kritik ndaj Bankës botërore për shkak të "lidhjes së varfërisë me 'ndryshimet klimatike'". Dhe, ai ankohej, më pas pyetemi pse organizatat ndërkombëtare nuk janë efektive. 

Trump mund të fillojë të vlerësojë përparësitë e veprimit nëpërmes FMN-së

Ngjashëm me këtë, në korrikun e vitit të kaluar, ai përmendi mundësinë që SHBA-ja të dalë nga Organizata Botërore e tregtisë, nëse ajo ia kufizon asaj vendosjen e tarifave. Dhe, ai vazhdimisht u përbetua gjatë kampanjës presidenciale, se do të tërhiqte vendin nga Marrëveshja e Parisit, për ndryshime klimatike. Por, evoluimi i qëndrimit të Trump-it ndaj NATO-s, sugjeron që ai pritet ta shohë të mirën e punës nëpërmes këtyre organizatave, derisa kupton se ekonomia botërore, po ashtu, është një vend i rrezikshëm. Pas fitores zgjedhore, Trump hetoi se ka një mendje të hapur rreth Marrëveshjes së Parisit për ndryshime klimatike. Pozicioni i tij nuk ishte më ai i mohimit të ekzistimit të ngrohjes globale, por i kundërshtimit që SHBA-së t'i vihej një barrë e papërballueshme në këtë aspekt. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për standardet e Komitetit të Bazelit për përshtatshmëri të kapitalit. Posedimi i një kapitali shtesë e ka koston e vet për bankat amerikane, sikur që me gjasë këshilltarët si Gary Cohn, i thonë presidentit vazhdimisht, tri herë në ditë. Rrafshimi i fushës së lojës në këtë aspekt nënkupton kërkesën që edhe bankat e huaja të mbajnë kapital më shumë, gjë që edhe është esenca e Procesit të Bazelit. Ngjashëm me këtë, Trump mund të fillojë të vlerësojë përparësitë e veprimit nëpërmes FMN-së, kur të paraqitet një krizë në Venezuela, ose në Meksikë, si pasojë e politikave të tij. Në vitin 1995, Thesari amerikan zgjeroi asistencën financiare ndaj Meksikës me anë të Fondit këmbyes të stabilizimit. Në vitin 2008, banka qendrore amerikane i dha Brazilit 30 miliardë dollarë, me qëllim që t'i ndihmonte në tejkalimin e krizës financiare globale. Por, paramendojeni zemërimin e ithtarëve të Trump-it sikur SHBA-ja të bëhej dorëzani i ndonjë vendi të huaj, apo zemërimin e zyrtarëve meksikanë nëse do të duhej të siguronin ndihmë nga administrata e Trump-it, e cila edhe është fajtore për problemet e vendit të tyre. Që të dyja palët, me siguri, do të preferonin që të punonin përmes FMN-së. 

Zvogëlimi i rolit të SHBA-së në Bankën Botërore

Trump nuk mund të jetë i kënaqur që administrata e Obamës u ngut që ta emëronte presidentin e Bankës Botërore, Jim Yong Kim. Por, ai e ka të qartë se çfarë përfitimesh ka nga ndihma për zhvillim. Derisa ai ka thënë se "SHBA-ja nuk duhet t'iu dërgojë më ndihmë vendeve që na urrejnë", ai po ashtu ka vështruar se, nëse nuk iu ndihmohet vendeve të varfra, atëherë mund të rritet jostabiliteti. Kjo mund të jetë një fushë, në të cilën Trump preferon veprimet bilaterale, që do t'ia mundësonin atij sigurimin e kritikëve konservatorë, duke insistuar që asnjë fond amerikan të mos shkojë kah planifikimi familjar, derisa do t'i merrte meritat për çdo lloj të ndihmës. Në të njëjtën kohë, zvogëlimi i rolit të SHBA-së në Bankën Botërore do ta krijonte një vakum që do të mbushej nga Kina, "bête noire" (gogoli) i Trumpit, si në atë institucion, si dhe nëpërmes aktiviteteve të Bankës investuese të infrastrukturës aziatike, që udhëhiqet nga Kina. Testimi i vërtetë i qëndrimit të Trump-it rreth multilateralizmit do të jetë qasja e tij ndaj Organizatës botërore të tregtisë. Bindja e Kongresit amerikan që të pajtohet rreth reformës së korporatave dhe të të ardhurave personale, një iniciative me vlerë prej 1 trilion dollarësh, si dhe zëvendësimi i reformës shëndetësore të Obamës, nuk do të jenë gjëra të lehta. Ato do të kërkojnë durim, i cili nuk është veti e fortë e Trump-it. Kjo nënkupton se ai do të jetë nën presion, që të bëjë çka të mundet njëanshëm. Një gjë që cilën ai mund ta bëjë njëanshëm, është goditja e obligimeve në importe, me gjasë duke shkelur rregullat e Organizatës botërore të tregtisë. Së shpejti do të shohim a do t'i respektojë ai këto rregulla.

(Barry Eichengreen është profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)