Fillimisht korrigjimi i gabimeve, pastaj ratifikimi i marrëveshjes - Opinione - Kosova Sot
Fillimisht korrigjimi i gabimeve, pastaj ratifikimi i marrëveshjes

Fillimisht korrigjimi i gabimeve, pastaj ratifikimi i marrëveshjes

Po tentohet të amnistohen marrëveshjet e dëmshme

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Arsyet pse vazhdimisht kam kërkuar mosvotimin e marrëveshjes famëkeqe të Demarkacionit me Malin e Zi nuk janë të lidhura me aspekte personale, që i bie se nuk jam pro apo kundër ndonjë lideri, partie apo grupimi partiak. Por pse jam kundër humbjes së territorit të vendit tim. Pavarësisht faktit, se a kalon apo jo Demarkacioni me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, i paraparë për ditën e mërkurë, 28.02.2018, megjithatë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të mungojë edhe për një kohë të gjatë! Ngutja në marrjen e këtij vendimi nga liderët shtetërorë nuk konsiston në angazhimet e tyre për mirëqenien e qytetarëve, por përmes kësaj ngutje po tentohet të amnistohen marrëveshjet e dëmshme, antiligjore dhe antikushtetuese të liderëve shtetërorë në raport me Demarkacionin dhe Asociacionin e komunave serbe në veri, përkatësisht të marrëveshjes së ish dy kryeministrave, gjegjësisht marrëveshjes fatkeqe të 19 prillit 2013 e nënshkruar nga Hashim Thaçi në Bruksel dhe ajo e 25 gushtit 2015 po ashtu në Bruksel e nënshkruar nga Isa Mustafa, i cili me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ka shkelur hiç më pak se 23 nene të Kushtetutës së vendit.


Të vërtetat e ngutjes për ratifikim

Mbase këtu qëndron e gjithë e vërteta e ngutjes për ratifikimin e marrëveshjes famëkeqe të 19 prillit 2013, respektivisht të 25 gushtit 2015 të nënshkruara nga Thaçi e Mustafa. E gjithë kjo dramë në Kuvendin e Kosovës po bëhet për të shpëtuar lëkurën e këtyre dy figurave sa tragjike po aq fatale të katandisjes së shtetit të Kosovës përgjatë këtyre viteve të fundit. Kështu, deputetët puthadorë të binomit Thaçi-Mustafa po mundohen që përmes ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, t'i amnistojnë të sipërpërmendurit nga akuzat për tradhti kombëtare. Përtej kësaj tendence, janë edhe ambiciet për pushtet të partive politike, që sikurse herëve të tjera, edhe kësaj radhe po e shfrytëzojnë demarkacionin si alibi për rrëzimin e qeverisë, duke e shndërruar kështu demarkacionin nga interes kombëtar në interes partiak dhe klanor për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit.

Padi edhe ndaj kryeministrave

Kështu padia e VV-së e deponuar me 22.02.2018 në Prokurorinë Speciale të shtetit, për kallëzim penal ndaj presidentit Hashim Thaçi, për shkak të dyshimit për "tradhtinë ndaj vendit", pas nënshkrimit të marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenë më datë 26 gusht 2015,...doemos duhet të pasohet edhe me ngritjen e padisë ndaj ish kryeministrit tjetër të vendit, Isa Mustafa, për marrëveshjen e turpit me ish kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq për krijimin e Asociacionit të komunave serbe, në të cilin rast kryeministri ynë, edhe pse i ka shkelur 23 nene të Kushtetutës së vendit, ka mbetur i pa prekur nga drejtësia! Nuk është që po e them unë kështu, këtë e ka vërtetuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ka konstatuar shkeljen e shtyllave bazike të saj, përkatësisht të 23 neneve të Kushtetutës. E nëse kalon marrëveshja e 26 gushtit 2015 sipas versionit të qeverisë së kaluar, atëherë i njëjti kallëzim penal duhet të pasojë edhe ndaj kryeministrit Haradinaj!

Aneks-marrëveshja Thaçi-Vujanoviq, mashtrim i radhës

Aneks-marrëveshja e 16 shkurtit 2018 mes presidentit Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, s'është gjë tjetër vetëm se rikonfirmim i marrëveshjes së 26 gushtit 2015 të nënshkruar në Vjenë, e cila ngërthen në vete mashtrimin e radhës, gjoja për "rishikim të pikave kontestuese" pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes së 26 gushtit 2015 në Vjenë. Se vërtetë aneks-marrëveshja mes presidentëve Thaçi-Vujanoviq është vetëm një mashtrim i radhës për deputetët dhe opinionin vendorë, e dëshmon edhe ky fakt; sikur të ishte kaq e lehtë lëvizja e kufijve, siç po e paragjykojnë disa, atëherë nuk do të kishte pasur fare nevojë për ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend. Prandaj, rishikimi dhe korrigjimi i gabimeve duhet bërë paraprakisht e jo pas votimit në Kuvend, ngase me votimin e marrëveshjes varroset përfundimisht Çakorri, Belluha e Kulla. Po kërkohet me ngulm të ndodhë pikërisht kështu, për faktin se marrëveshjet e ratifikuara nuk ka gjasa të rishikohen. Deklaratat folklorike të liderëve shtetërorë (ThaçiHaradinaj) se nuk ka për të humbur asnjë pëllëmbë tokë e Kosovës, pashmangshëm të kthen kujtesën në deklaratat pompoze të ish shtetit unitar të RSFJ-së së Josip Broz Titos, lidhur me kontekstin territorial me shtetin italian pas luftës së dytë botërore, kur lansosnin sloganin e njohur; "Zivot damo-Trst ne damo" (Jetën e japim-Triesten s'e japim), por sot e asaj dite, edhe pas 71 vjetësh të marrëveshjes së paqes Jugosllavo-Italiane në Paris me 1947,... edhe pas shpërbërjes së krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi, Trieste ka mbetur nën integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit italian. Të ngjashme do të jenë edhe deklaratat e liderëve tonë shtetëror pas ratifikimit në Kuvend të kësaj marrëveshje sa të kobshme po aq fatkeqe për vendin tonë, ngase aty do të mbyllet përfundimisht kapitulli i rreth 12 mijë hektarëve tokë të Kosovës të larë me gjak përgjatë shekujve, të cilat do të kalojnë nën juridiksionin politik të Malit të Zi.

Më e lehtë është mbrojtja, se rikthimi i territoreve

Që kjo të mos ndodhë, më mirë është të pritet edhe tre vjet të tjerë apo edhe një dekadë derisa të korrigjohen gabimet të cilat tashmë janë identifikuar nga komisioni i fundit qeveritar, se sa t'i humbim përgjithmonë Çakorrin, Belluhën e Kullën...pastaj të kërkohet një marrëveshje e re me Malin e Zi nën arbitrazhin ndërkombëtarë. Tashmë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës janë bindur se marrëveshja e 26 gushtit 2015 në Vjenë për Demarkacionin e ishte gabim. Por nuk e kam të qartë si mund të heqin dorë kaq lehtësisht nga territori i vendit të tyre në këmbim të kinse liberalizimit vizave,...kur dihet mirëfilli se rreth gjysma e popullatës së varfër, edhe nëse ndodh nesër liberalizimi i vizave nuk do mund të shijojnë lëvizjen e lirë, ngase me xhepa bosh nuk shkohet drejt vendeve të BE-së, pasi ajo do t'i vë kushtet shtesë për ata që aspirojnë t'i vizitojnë vendet e BE-së! Për të gjithë ata që ende besojnë në mashtrimet e politikanëve të dështuar politik, të korruptuar dhe kriminalizuar deri në fyt, këtë shkrim dëshiroj ta përfundoj me një dëshpërim të ditëve të fundit të luftëtarit të lirisë, Naim Lushi, po citoj; "Lamtumirë Çakorr, Belluhë e Kullë, gozhdët e fundit po vihen në arkivolin tuaj, u prehshi në paqe në Mal të Zi, aty ku vetëm paqe e prehje për ju s'do të ketë, i bëni të fala në botën tjetër, Malësisë e Debëlldesë, Toplicës e Çamërisë, Luginës e Iliridës. Vajtoni gramzat e fundit të veriut! Kur para Zotit në gjykim të dilni, edhe pse mëkatarët janë të tjerë, e nëse Konicën takoni, mos e lini pa e mallkuar për profecinë e tij në formë lutjeje: "O Zot, ruaje Shqipërinë prej shqiptarëve"!

(Kosova Sot)

22 orë e 49 minuta më parë
23/09/18