Sot, Çamëria të jetë prioritet për shqiptarët dhe për Evropën, jo Kosova e pronarit Hashim Thaçi!

Sot, Çamëria të jetë prioritet për shqiptarët dhe për Evropën, jo Kosova e pronarit Hashim Thaçi!
  • 26 February 2018 - 09:40

Barometri diplomatik

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Ndërtimi dhe përcaktimi i strategjisë së objektivave prioritare politike dhe diplomatike të Shqipërisë londineze me ilirë mbetet dhe me edi ramët në krye, nuk është fare i lehtë, sepse Shqipëria në vend se të fokusohet në zgjidhjen e problemit akut dhe të nxehtë të Çamërisë, është përqendruar vetëm në Beograd, sesi Serbinë ta "pajtojë" dhe ta "afrojë" me Kosovën. Këtë e dëshmon edhe mbështetja e dialogut të Brukselit (2011-2018) nga presidenti Ilir Meta dhe nga kryeministri Edi Rama, i cili po zhvillohet mes Prishtinës dhe Beogradit, në emër të "normalizimit" të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë me Kosovën. Mirëpo, kjo është gënjeshtra më e madhe që po u bëhet shqiptarëve si nga ana e lidershipit të Prishtinës, ashtu edhe nga ana e Tiranës, sepse procesi 7- vjeçar i Brukselit nuk po zhvillohet për "normalizimin" e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, por për gjetjen e një kompromisi politik serbo-kosovar për revidimin e statusit politik ndërkombëtar të Kosovës sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por këtë e konsideron si pjesë territorial të Serbisë.

Kosova më nuk është prioritet politik as për Shqipërinë

Mirëpo, presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi (projektuesi dhe aminuesi i këtij dialogu), që 7 vjet rresht e thotë të kundërtën se me hyrjen në këtë dialog, "Serbia de fakto dhe de jure e ka njohur Kosovën"!? Mirëpo, praktikisht kjo ende nuk ka ndodhur, ndryshe çfarë kuptimi dhe rëndësie politike ka vazhdimi i dialogut në Bruksel (2011-2-2018), meqë sipas Thaçit Serbia de fakto dhe de jure" e paskësha njohur Kosovën? - Atëherë, pse, edhe sot po vazhdohet ky dialog? - Sepse, sipas presidentit Hashim Thaçi ( pikërisht në këtë vit ):"Fundi i dialogut me palën serbe në Bruksel, do të sjellë një Marrëveshje historike gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të ndodhë në vitin 2018, e cila do të rezultojë në anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara" . (http://www.kosovasot.info/lajme/247488/thaci-per-reutersdialogu-do-te-perfundoje-me-anetaresimte-kosoves-ne-okb/). Nuk ka asnjë dyshim se, edhe ky prononcim i Thaçit, është konstatim kuturu, pa kurrfarë "tavani politik", ashtu sikurse të të gjitha deklaratat e derisotme të tij (2011-2018) si ish-kryeministër, se gjoja "Serbia de fakto dhe de jure e ka njohur Kosovën"!? Sido që të jetë, Hashim Thaçi me vasalët e tij "e ka hapur pazarin" me homologët e tij serbë të Beogradit, që postfestum pavarësinë e Kosovës, ta debatojë me Serbinë, ashtu siç po kërkojnë Moska dhe Beogradi, që me çdo kusht të zbatohet Rezoluta 1244 e KSsë së OKB-së, e cila nuk njeh pavarësinë e Kosovës. Pavarësisht përpjekjeve të tilla të Hashim Thaçit, të Edi Ramës dhe të Ilir Metes, që të vazhdojë dialogu i Brukselit (2011 - 2018), Kosova më nuk është prioritet politik as për Shqipërinë, as për Evropën e as për bashkësinë ndërkombëtare, sepse më 17 shkurt 2008 është mbyllur zgjidhja e statusit politik të Kosovës. - Është shtet i pavarur dhe i supervizuar nga njohësit ndërkombëtarë (Amerika, NATO dhe BE). 

Kosova nuk ndodhet në kurrfarë rreziku

Pra, Kosova nuk ndodhet në plan të parë si prioritet i politikës dhe i diplomacisë së bashkësisë ndërkombëtare mbase, tanimë është e pavarur dhe nën mbikëqyrjen e Amerikës, të NATO-s dhe të BE-së, që do të thotë se këta faktorë ndërkombëtarë garantojnë sigurinë, mbrojtjen dhe paqen e saj. Prandaj, Kosova nuk ndodhet në kurrfarë rreziku, pavarësisht nga kërcënimet politiko-propagandistike të Beogradit dhe të Moskës, se dot nuk do ta njohin pavarësinë e saj. Kjo është e mbrojtur nga Amerika dhe nga aleatët e saj europerëndimorë. Ata që kanë statusin e robit, nuk kanë bukë, nuk kanë shtëpi, as liri, as pavarësi, kanë prioritet, jo Kosova e pavarur (2008-2018). Shqiptarët e Çamërisë, të cilët, për shkak të gjenocidit dhe të dëbimit kolektiv nga shtëpitë dhe nga toka e tyre stërgjyshore nga ana e Greqisë fashiste dhe kolonialiste, edhe sot e kësaj dite (1940- 2018) kanë ngelur jashtë vatrave të tyre si "nomadë" nëpër shtetet e ndryshme të Ballkanit, të Evropës dhe të botës. Ky është problemi më i nxehtë dhe më i mprehtë, jo vetëm i Tiranës, por edhe i BEsë, edhe i NATO-s, edhe i Amerikës, edhe i OKB-së, që kërkon zgjidhje imediate dhe të drejtë politike, ligjore dhe humanitare. Së pari, politika dhe diplomacia e kryeministrit Edi Rama, nevojitet që urgjentisht, të kërkojë një Sesion të jashtëzakonshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për ta vërë në "rend dite" shqyrtimin e çështjes koloniale të Çamërisë. Së dyti, t'i ushtrojë kërkesë urgjente Uashingtonit zyrtar, që çështjen e Çamërisë, ta vërë në "rend dite" për debat, në mënyrë që, sa më parë të kthehen në shtëpitë dhe në vendlindjen e tyre më 1 milion çamë. Së treti, të njëjtën kërkesë urgjente, t'ia drejtojë edhe Bashkimit Evropian (BE-së), që të marrë të gjitha masat ligjore,demokratike dhe humanitare në përputhje me standardet dhe me normat për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, duke e detyruar Greqinë, që pranojë riatdhesimin e mbi 1 milion çamëve në vendin e tyre, si dhe t'i përmbushë të gjitha kërkesat dhe kushtet e çamëve, që kanë të bëjnë me kthimin e pronave dhe me kompensimin e tyre, duke mos harruar edhe reparacionet e luftës etj, që duhe t'i paguaj Greqia, e cila ishte në anën e koalicionit fashist. Pra, sot, për politikën mbarëshqiptare dhe atë evropiane dhe ndërkombëtare, Çamëria është prioritet mbi prioritet, sepse mbi 1 milion çamë, të dëbuar me dhunë, me reprezalje, me masakra dhe me terror spastrues etnik nga juntat e regjimeve fashiste paramilitare dhe militare të Greqisë (1940- 1944 ) me të drejtë po kërkojnë, që të kthehen në shtëpitë dhe në tokat e tyre stërgjyshore të Çamërisë së pushtuar nga Greqia. Ka ardhur moment historik, që të gjithë shqiptarët si brenda, ashtu edhe jashtë SHQIPËRISË ETNIKE, të ngrejë zërin dhe të vihen në veprim me të gjitha aftësitë dhe me kapacitet politike, diplomatike, ekonomike dhe financiare, që t'i ndihmojnë çamët për t'u kthyer në vatrat e tyre të braktisura shekullore.

(Kosova Sot)