Si rrezikohet demokracia nga teknologjia artificiale?

Si rrezikohet demokracia nga teknologjia artificiale?
  • 28 February 2018 - 10:38

MEDIET SOCIALE DHE INTERNETI 

Teknologjia nuk rri e qetë, pa ndryshuar, e këtë nuk duhet ta bëjë as demokracia

Shkruan: KOFI A. ANNAN

Mediet sociale mund të jenë vetëm fillimi i një procesi zinxhiror, i cili çon deri te një botë Orwelliane, e cila kontrollohet nga Vëllai i Madh i të dhënave, gjë që përshpejtohet nga një konvergjencë me sensorët në pajisjet tona dhe me një përparim të shpejtë të inteligjencës artificiale. Disa regjime autoritare tanimë janë duke përdorur këto zhvillime, për të ushtruar kontroll në një shkallë të paprecedent 

Interneti dhe mediet sociale dikur përshëndeteshin për krijimin e mundësive të reja të përhapjes së demokracisë dhe lirisë. Dhe, 'Twitter', 'Facebook' dhe mediet e tjera sociale me të vërtetë luajtën një rol të rëndësishëm në kryengritjen popullore në Iran në vitin 2009, në Botën arabe, në vitin 2011 dhe në Ukrainë në vitet 2013-2014. Asokohe, një postim në mediat sociale dukej më i fortë sesa shpata. Por, regjimet autoritare shpejt filluan me sulmet kundër lirisë së internetit. Ata kishin frikë nga bota e re digjitale, meqë ajo ishte përtej arritjes së establishmenteve të tyre analoge të sigurisë. Frikët e tyre u treguan të pavenda. Në këtë rast, shumë kryengritje popullore të organizuara nga mediat sociale dështuan për shkak të mungesës së lidershipit efektiv dhe, organizatat tradicionale politike dhe ushtarake rikthyen frerët në duart e veta. 

Ndikimi rus në rezultatet e zgjedhjeve në SHBA

Në fakt, këto regjime filluan që të përdorin mediat sociale për qëllimet e tyre. Që të gjithë ne kemi dëgjuar akuzat sesi Rusia, në mënyrë të fshehtë, ka përdorur mediet sociale për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve në Ukrainë, Francë, Gjermani dhe, më së shumti, në SHBA. Facebook ka vlerë- suar se përmbajtjet ruse në rrjetin e tij, duke përfshirë postimet dhe reklamat me pagesë, kanë arritur te 126 milionë amerikanë, rreth 40% të popullsisë së botës. Duhet të rikujtojmë akuzat më të hershme nga Rusia, në lidhje me rolin e Perëndimit në nxitjen e 'revolucioneve me ngjyra' në Ukrainë dhe Gjeorgji. Interneti dhe mediat sociale ofrojnë një fushë- betejë tjetër për manipulimin e opinionit publik. Nëse edhe vendet më të përparuara teknologjike nuk mund ta mbrojnë integritetin e procesit zgjedhor, mundemi vetëm të imagjinojmë sfidat me të cilat ballafaqohen vendet me aftësi më të vogla. Me fjalë të tjera, rreziku është global. Në mungesë të fakteve dhe të dhënave, vet mundësia e manipulimit nxitë teoritë e konspiracionit dhe dëmton besimin te demokracia dhe zgjedhjet, në një kohë kur besimi publik tanimë është i dobët. "Dhomat ideologjike të ekos" të mediave sociale përkeqësojnë paragjykimet natyrore të njerëzve dhe zvogëlojnë mundësitë për një debat të shëndoshë. Kjo ka efekte të botës reale, meqë nxit polarizimin politik dhe dëmton kapacitetin e liderëve për të arritur kompromise, të cilat janë bazë të stabilitetit demokratik. Ngjashëm me këtë, fjalimet e urrejtjes, apelet terroriste dhe keqtrajtimet seksuale dhe racore, që kanë gjetur vend në internet, mund të çojnë deri te dhuna në botën reale. "Akti i reklamave të ndershme" Por, mediet sociale zor që janë revolucioni i parë i komunikimit, që sfidon sistemet politike. Shtypi, radioja dhe TV-ja, që të gjitha ishin revolucionare në ditët e tyre. Dhe, që të gjitha ngadalë u rregulluan, bile edhe në demokracitë më liberale. Tani duhet të konsiderojmë sesi mediet sociale t'i bëjmë subjekt të rregullave të njëjta për transparencë, llogaridhënie dhe taksim, sikur edhe mediat konvencionale. Në SHBA, një grup senatorësh kanë paraqitur "Aktin e reklamave të ndershme", i cili do të shtrinte edhe te mediat sociale rregullat që aplikohen për shtypin, radion dhe televizionin. Ata shpresojnë që ky të bëhet ligj para zgjedhjeve afatmesme të vitit 2018. Në Gjermani, një ligj i ri, "Netzwerkdurchsetzungsgesetz", kërkon nga kompanitë e mediave sociale që të largojnë fjalimet e urrejtjes dhe lajmet e rreme brenda 24 orësh, ose të ballafaqohen me gjoba deri në 50 milionë euro. Pa marrë parasysh se sa efikase mund të jenë këto masa, nuk jam i sigurt se ligjet nacionale do të jenë adekuatë për rregullimin e aktivitetit politik online. Shumë vende më të varfra nuk do të jenë në gjendje që ta krijojnë një rezistencë të tillë dhe zbatimi i ligjit do të jetë i vështirë gjetiu, meqë një pjesë e madhe e të dhënave ruhen dhe menaxhohen jashtë shtetit rregullues. Pa marrë parasysh a do të nevojiten norma të reja ndërkombëtare, apo jo, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos rrezikojmë të drejtat fundamentale për liri të të shprehurit. Me të vërtetë, shoqëritë e hapura nuk duhet të reagojnë së tepërmi, meqë ashtu do të rrezikonin liritë në të cilat bazohet legjitimiteti i tyre. Por, ato nuk munden as pa reaguar. Disa (pak) lojtarë të mëdhenj, në Luginën e Silikonit dhe gjetiu, mbajnë në duart e tyre fatin tonë, por nëse mund t'i përfshijmë edhe ata, atëherë mund të adresojmë dështimet e sistemit aktual. 

Fondacioni "Kofi Annan"

Në vitin 2012 kryesova Komisionin global në lidhje me zgjedhjet, demokracinë dhe sigurinë, me qëllim të identifikimit dhe ballafaqimit me sfidat ndaj integritetit të zgjedhjeve dhe për të promovuar proceset legjitime zgjedhore. Vetëm zgjedhjet të cilat popullata, në përgjithësi, i pranon si të drejta dhe të besueshme, mund të çojnë deri te një rrotacion paqësor dhe demokratik të udhëheqësve, duke i dhënë legjitimitet fituesit dhe duke mbrojtur humbësin. Në kuadër të Fondacionit "Kofi Annan", tani do ta formoj një komision të ri, kësaj here me mjeshtrit e mediave sociale dhe të teknologjisë informative, si dhe me liderët politikë - për të na ndihmuar në adresimin e këtyre çështjeve të reja, të rëndësishme. Duhet të gjejmë zgjidhje funksionale të cilat iu shërbejnë demokracive tona dhe ruajnë integritetin e zgjedhjeve tona, duke mbrojtur njëkohësisht mundësitë e shumta që i ofrojnë teknologjitë e reja. Do të bëjmë rekomandime, për të cilat shpresojmë se do të ulin tensionet e krijuara midis përparimeve teknologjike dhe njërës prej të arriturave më të mëdha të njerëzimit: demokracisë. Teknologjia nuk rri e qetë, pa ndryshuar, e këtë nuk duhet ta bëjë as demokracia. Duhet të veprojmë me shpejtësi, meqë përparimet digjitale mund të jenë vetëm fillimi i një cikli që çon deri te një botë Orwelliane, të kontrolluar nga Vëllai i Madh, ku me miliona sensorë në celularët dhe pajisjet tona të tjera, mbledhin të dhëna, duke na bërë të ndjeshëm ndaj manipulimet. Kush do të duhej t'i posedonte të dhënat e mbledhura nga celularët, apo orët e mençura? A duhet leje para se ato të përdoren nga ndokush tjetër? Ndaj kujt duhet të japin përgjegjësi ata që mbledhin të dhënat tona? Këto janë pyetjet e mëdha të cilat do ta formësojnë të ardhmen e lirisë. 

(Kosova Sot)