Përfundimi i rolit shkatërrimtar amerikan në Siri

Përfundimi i rolit shkatërrimtar amerikan në Siri
  • 28 February 2018 - 10:41

LUFTA NË LINDJEN E MESME 

Ka ardhur koha që KS i OKB-së të ndërhyjë në dhënien fund të gjakderdhjes

Shkruan: Jeffrey D. Sachs

SHBA-ja dhe aleatët e saj duhet të ballafaqohen me realitetin dhe të pranojnë qëndrueshmërinë e regjimit të Assad-it, sado i papëlqyer që mund të jetë ai

Një pjesë e madhe e kasaphanës që është zhvilluar gjatë shtatë viteve të fundit në Siri, është pasojë e veprimit të SHBA-së dhe aleatëve të saj në Lindjen e Mesme. Tani, të ballafaquar me një rrezik alarmant të ripërtëritjes së luftimeve, ka ardhur koha që KS i OKB-së të ndërhyjë në dhënien fund të gjakderdhjes, bazuar në një kornizë të re, të dakorduar nga vendet e përhershme anëtare të KS-së. Ja ku janë pikat kryesore. Në vitin 2011, në kontekst të Pranverës arabe, qeveria e SHBA-së, në bashkëpunim me qeveritë e Arabisë saudite, Katarit, Turqisë dhe Izraelit, vendosi që ta rrëzonte regjimin e presidentit sirian, Bashar alAssad, edhe pse rrëzimi i qeverisë së një vendi të huaj paraqet shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar. E dimë se, në vitin 2012, në mos më herët, presidenti Barack Obama autorizoi CIA-n që të punonte me aleatët e Amerikës, për t'iu ofruar ndihmë rebelëve sirianë, të përbërë nga sirianët e pakë- naqur dhe nga luftëtarët jo sirianë. 

Regjimi i Assadit

Politikëbërësit amerikanë me gjasë prisnin që Assad të rrëzohej shpejt, sikur që kishte ndodhur me qeveritë në Tunizi dhe Egjipt, në muajt e parë të Pranverës arabe. Regjimi i Assadit udhëhiqet nga pakica alavite, që është sekt shiit, në një vend ku alavitët përbëjnë vetëm 10% të popullatës, myslimanët sunitë 75%, të krishterët 10% dhe të tjerët 5%, duke përfshirë edhe druzët. Fuqitë regjionale, prapa regjimit të Assadit, përfshijnë Iranin dhe Rusinë, e cila ka një bazë ushtarake në bregdetin mesdhetar të Sirisë. Derisa qëllimi i Amerikës për të rrëzuar Assadin kishte të bënte me ndërprerjen e ndikimit iranian dhe rus, motivet e Turqisë kishin të bënin me zgjerimin e ndikimit në tokat e ish Perandorisë osmane dhe, më shumë, për të kundërshtuar ambiciet e kurdëve për autonomi territoriale, në mos edhe shtetësi, në Siri dhe Irak. Arabia Saudite donte ta zvogëlonte ndikimin e Iranit në Siri, duke zgjeruar ndikimin e vet, derisa edhe Izraeli po ashtu donte ta kundërshtonte Iranin, i cili e rrezikon Izraelin me anë të Hezbollahut në Liban, në Siri afër Rrafshnaltave të Golanit dhe me anë të Hamasit, në Gaza. Katari, në ndërkohë, donte që ta sillte në pushtet një regjim islamik sunit. Grupet e armatosura, të mbështetura nga SHBA-ja dhe aleatët e saj që nga viti 2011, ishin të mbledhura nën flamurin e Ushtrisë së lirë siriane. Në fakt, nuk kishte ndonjë ushtri të vetme, por më shumë ato ishin grupe kundërshtuese të armatosura, me mbështetës, ideologji dhe qëllime të ndryshme. Në mesin e luftëtarëve kishte, duke u nisur nga disidentët sirianë dhe kurdët që kërkonin autonomi, e deri te xhihadistët sunitë, të mbështetur nga Arabia saudite dhe Katari. 

Kriza e refugjatëve

Edhe pse për rrëzimin e Assadit u ndanë mjete të mëdha, këto përpjekje në fund dështuan, por jo pa shkaktuar një kasaphanë masive dhe një zhvendosje të miliona sirianëve. Shumë prej tyre ikën në Evropë, duke shkaktuar krizë të refugjatëve, si dhe një rritje të mbështetjes ndaj së djathtës ekstreme, antiimigrante, në Evropë. Ishin katër arsyet kryesore pse dështoi rrëzimi i Assadit nga pushteti. Së pari, regjimi i Assadit nuk mbështetej vetëm nga alavitët, por edhe nga të krishterët sirianë dhe nga pakicat e tjera, të cilat frikësoheshin nga një regjim represiv sunit. Së dyti, koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja ishte kundërshtuar nga Irani dhe Rusia. Së treti, kur një grup xhihadistësh u ndanë për ta formuar ISIS-in, SHBA-ja ndau mjete të majme për mposhtjen e tij, në vend se ato mjete t'i përdorte për rrëzimin e regjimit të Assadit. Përfundimisht, forcat anti-Assad ishin tepër të ndara: psh Turqia është në konflikt të hapur me luftëtarët sirianë, të mbështetur nga SHBA-ja. Që të gjitha këto arsye për dështim vazhdojnë që të ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Lufta gjendet në qorrsokak, por gjakderdhja vazhdon. Burimet zyrtare amerikane kanë tentuar ta zvogëlojnë ndikimin negativ amerikan, në lidhje me përpjekjet për rrëzimin e Assadit, që ishin në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së. Derisa SHBA-ja me të madhe ankohet rreth ndikimit rus dhe iranian në Siri, Amerika dhe aleatët e saj vazhdimisht kanë shkelur sovranitetin sirian. Qeveria e SHBA-së e vlerëson luftën gabimisht, duke e cilë- suar atë si luftë civile midis sirianëve, në vend se një luftë 'proxy', ku përfshihen SHBA-ja, Izraeli, Rusia, Arabia Saudite, Irani dhe Katari. Në korrik të vitit 2017, presidenti amerikan Donald Trump bëri publik përfundimin e mbështetjes së CIAs ndaj rebelëve sirianë, por në praktikë, angazhimi i SHBA-së vazhdon edhe pse tani ka më shumë për qëllim që ta dobësojë, e jo rrëzojë, regjimin e Assadit. Pentagoni bëri me dije në dhjetor se forcat amerikane do të mbesin në Siri pa ndonjë afat të caktuar, gjoja për të ndihmuar forcat rebele antiAsad në zonat e kontrolluara nga ISIS dhe, natyrisht, pa pëlqimin e qeverisë siriane. 

Rrezik nga eskalimi i luftës

Në fakt, tani ekziston rreziku i një eskalimi të ri të luftës. Kur regjimi i Assadit tash vonë sulmoi rebelët anti-Assad, koalicioni amerikan lansoi sulme ajrore të cilat vranë rreth 100 trupa siriane dhe një numër të pacaktuar të luftëtarëve rusë. Pas këtij demonstrimi të forcës, sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, deklaroi: "Është evidente se nuk jemi duke u angazhuar në Luftën civile në Siri". Përpos kësaj, tash së fundmi edhe Izraeli sulmoi pozicionet iraniane në Siri. SHBA-ja dhe aleatët e saj duhet të ballafaqohen me realitetin dhe të pranojnë qëndrueshmërinë e regjimit të Assadit, sado i papëlqyer që mund të jetë ai. KS i OKB-së, i mbështetur nga SHBA-ja, Rusia dhe fuqitë e tjera të mëdha, duhet të intervenojë me forca paqeruajtëse, me qëllim të rikthimit të sovranitetit sirian dhe të shërbimeve emergjente publike, duke bllokuar përpjekjet për hakmarrje nga regjimi i Assadit kundër ish rebelëve, apo mbështetësve të tyre civilë. Po, regjimi i Assadit do të mbeste në pushtet dhe Irani e Rusia do ta ruanin ndikimin e tyre në Siri. Por, lajthitja zyrtare e SHBA-së se Amerika mund të vendosë për ngjarjet në Siri, duke zgjedhur kush do të qeverisë dhe me cilët aleatë, do të marrë fund. Është bërë tepër vonë për një qasje më realiste, në të cilën KS i OKB-së detyron Arabinë Saudite, Turqinë, Iranin dhe Izraelin, në një paqe pragmatike, e cila i jep fund gjakderdhjes dhe ua mundëson qytetarëve sirianë që t'i kthehen jetës së tyre.

(Jeffrey D. Sachs është profesor i zhvillimit të qëndrueshëm dhe i politikës shëndetësore në Universitetin "Columbia")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)