Votimi pro demarkacionit nuk ndryshon gjendjen në terren

Votimi pro demarkacionit nuk ndryshon gjendjen në terren
  • 01 March 2018 - 08:55

BAROMETRI DIPLOMATIK

Nëse "demarkacioni" duhet të votohet vetëm për shkak të liberalizimit të vizave, atëherë kjo është krejtësisht çështje tjetër politike tejet e ngatërruar dhe e paqartë, sepse do të sjellë kushtëzime dhe pasoja të reja politike për Kosovën, kur të vijë në "rend dite" tërheqja e demarkacionit me Serbinë kolonialiste dhe gjenocidale

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Ridebatimi i kufijve të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike me vendet kolonizatore sllave në Ballkan, mund të bëhet vetëm nëse organizohet një konferencë ndërkombëtare për ridefinimin e kufijve në Ballkan. Ndryshe jo! Prandaj, nuk duhet të ushqejmë iluzione, duke e mashtruar, duke e tradhtuar, duke e frikësuar dhe duke e gënjyer popullin se "me demarkacione" politike kushtëzuese mes Kosovës dhe Malit të Zi, mund të zgjidhet problemi territorial-kolonial ndërmjet këtyre dy shteteve. Asnjë pjesë e territorit shqiptar të kolonizuar nga Mali i Zi dhe nga Serbia, nuk mund të shkolonizohet-rikthehet me kësi farë "demarkacione" të Murat Mehës, të Hashim Thaçit, të Ramush Haradinajt dhe të Kadri Veselit. Ky është gabimi dhe turpi më i madh i provokimit, i trysnisë dhe i frikësimit të deputetëve të popullit, - votoni, ndryshe, do të përballeni me pasoja! Ridefinimi i kufijve të Kosovës me Malin e Zi, nuk mund të bëhet në saje të miratimit të Deklaratës Thaçi-Vujanoviq nga ana e qeverisë apo e Kuvendit të Kosovës. Thjesht për faktin se, paraprakisht Kosova e ka njohur Malin e Zi brenda kufijve ekzistues si Republikë e dikurshme e RSFJ-së. Në këtë kontekst, asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të ndryshojë kufirin me Malin e Zi, pa mbajtjen e ndonjë konference ndërkombëtare, ku për objekt debati, do të kishte ridefinimin e kufijve artificialë mes Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës

As presidenti, as kryeministri e as kryekuvendari nuk kanë asnjë të drejtë të ushtrojnë trysni

Pra, edhe nëse deputetët e Kosovës, do ta votonin projektligjin për demarkacionin të qeverisë së Ramush Haradinajt, praktikisht, asgjë nuk do të ndodhte diç e re sa i përket korrigjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, sepse këtë e ka vulosur qeveria e Kosovës me rastin e njohjes së shtetit të Malit të Zi. Kështu që, kot vajtojmë se do t'i kthejmë ato territore në mënyrë paqësore, pa mbajtjen e ndonjë konference ndërkombëtare, nëse do të na ndihmonin Amerika dhe aleatët e saj evroperëndimorë. Ndryshe, opsioni tjetër dihet, detyrimi me forcë, natyrisht, nëse kemi në anën tonë Amerikën dhe NATOn. -Prandaj, votimi pro ose kundër demarkacionit, është çështje e së drejtës dhe e vullnetit të deputetëve të Republikës së Kosovës, jo çështje diktati dhe trysnie politike, antiligjore, antikushtetuese dhe antidemokratike e Hashim Thaçit, e Ramush Haradinajt dhe e Kadri Veselit. Derisa sipas Kushtetutës së 15 qershorit 2008, Kosova është shpallur si shtet demokratik dhe parlamentar, as presidenti, as kryeministri e as kryekuvendari nuk kanë asnjë të drejtë të ushtrojnë trysni dhe diktat ndaj deputetëve të Kuvendit dhe ndaj anëtarëve të qeverisë së Kosovës, që sine qua non ta votojnë "demarkacionin". Prandaj, logjika e thjeshtë e thotë, pse të votohet kot i kotit, vetëm për t'ua zgjatur "demarkacionistëve" pushtetin e mëtejmë të tyre ngaqë nuk ka kurrfarë efekti tjetër politik, as praktik, edhe sikur të votohej një projektligj i tillë për demarkacionin sipas Deklaratës së bërë nga presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të nënshkruar në Podgoricë, më 16 shkurt 2018. Diktati ndaj deputetëve dhe anashkalimi i popullit-SOVRANIT, është antidemokraci dhe antikushtetutë !

Mali i Zi ka pasur interes të madh politik, ekonomik dhe gjeopolitik ta njihte Republikën e Kosovës

Vetëm në regjimet fashiste, koloniale, militariste dhe totalitariste, kërcënohen, frikësohen, arrestohen, burgosen dhe vriten në format më misterioze njerëzit që mendojnë ndryshe nga liderët e pushtetit. Kështu ka ndodhur në kohën e Hitlerit, kështu ka ndodhur në kohën e Stalinit, kështu ka ndodhur në kohën e regjimit gjenocidal dhe pushtues të Slobodan Milosheviqit, kështu po ndodh në Korenë e Veriut me diktatorin Kim Jong- Un. Prandaj, jo vetëm presidenti Hashim Thaçi dhe kryekuvendari Kadri Veseli, por askush nga liderët e "makinës drejtuese" të Kosovës nuk ka asnjë të drejtë të ushtrojë trysni, frikë, diktat dhe ultimatume ndaj deputetëve të Kuvendit dhe ndaj anëtarëve të qeverisë, që vullnetin e tyre politik, t'ua imponojnë për interesa të tyre karrieriste pushtetore, mafioze, korrupsioniste dhe për interesa të huaja. Sikur Kosova të kishte pasur president, qeveri dhe parlament të mirëfilltë, sigurisht se çështja e "demarkacionit" me Malin e Zi, nuk do të shtrohej për debat as në qeveri e as në parlament, para se të caktohej vija kufitare me Serbinë. Problemi më i madh i Kosovës është caktimi i kufijve shtetërorë me Serbinë, e cila as de fakto e as de jure nuk po e njeh Republikën e Kosovës, jo Mali i Zi, i cili e ka njohur Kosovën, natyrisht në kufijtë artificialë administrativë të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, jo brenda kufijve historikë dhe gjeopolitikë të Kosovës, përkatë- sisht të Shqipërisë Etnike. Fundja, Mali i Zi ka pasur interes të madh politik, ekonomik dhe gjeopolitik ta njihte Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, si dhe të ketë bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira fqinjësore me to, sepse është në interesin nacional dhe shtetëror të Malit të Zi ngase qe 100 vjet "fle" rehat në territoret autoktone shqiptare, që mbi 50% prej tyre përbëjnë territorin shtetëror të Malit të Zi. Këtë problem kolonial me Malin e Zi, po ashtu edhe me Serbinë nuk mund ta zgjidhin as Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Ramush Haradinaj, as Edi Rama, as Ilir Meta pa organizimin e një konference për ridefinimin e kufijve territorial në Ballkan. Sa më sipër, u miratua apo jo projektligji për demarkacionin nga ana e Kuvendit të Kosovës, më 28 shkurt 2018, problemi historik dhe gjeopolitik (1878-2018) me Malin e Zi, do të mbetet i pazgjidhur, sepse si Kosova, ashtu edhe Shqipëria e kanë njohur shtetin e Malit të Zi brenda atyre kufijve, që për kombin shqiptar dhe për Shqipërinë Etnike janë kontestues dhe të papranueshëm si historikisht, ashtu edhe ligjërisht, pavarësisht se Tirana dhe Prishtina zyrtare kanë njohur Malin e Zi.

(Kosova Sot)