Politikat e kujtesës nacionale - Opinione - Kosova Sot
Politikat e kujtesës nacionale

Politikat e kujtesës nacionale

PËRDORIMI I HISTORISË SI MJET POLITIK 

Për polakët, narracioni mbizotërues rreth Holokaustit është tepër shqetësues

Shkruan: Shlomo Ben-Ami 

Kur, gjatë një vizite në Varshavë, në vitin 1970, kancelari gjerman Willy Brandt papritmas ra në gjunjë para Monumentit të Kryengritjes së Getos, Wladyslaw Gomulka, lideri komunist i Polonisë pëshpëriti, "monumenti i gabuar". Gomulka do të donte një përkulje para ushtarëve të rënë polakë gjatë Luftës së dytë botërore. Qeveria aktuale ultranacionaliste e Polonisë, e udhëhequr nga Partia e Ligjit dhe Drejtësisë (PiS), me gjasë do të pajtohej me këtë qëndrim. Në fakt, qeveria PiS është duke tentuar që ta riformojë narracionin e Polonisë rreth Luftës së dytë botërore, me një ligj të ri që kriminalizon përmendjen e kompleksit "populli polak" në krimet e Holokaustit. Derisa polakët me të drejtë ofendohen nga përdorimi i shprehjeve, si "kampet polake të vdekjes", meqë ato ishin kampe gjermane, në territorin e okupuar të Polonisë, ligji rrezikon duke tentuar që ta përdorë historinë si mjet politik. Për polakët, narracioni mbizotërues rreth Holokaustit është tepër shqetësues. Fundja, tre milionë katolikë polakë u vranë gjatë Luftës së dytë botërore dhe, po të fitonte Hitleri, Polonia do të zhbëhej nga harta e botës. Më shumë se 6,700 polakë - më shumë se çdo komb tjetër - janë nderuar nga Izraeli si "Më të drejtët në mesin e popujve", për shkak se kishin kundërshtuar nazistët dhe kishin shpëtuar çifutët. Megjithatë, kur izraelitët bëjnë pelegrinazh në tokën e Holokaustit, Polonia është destinacioni i tyre. 

Çifutët ishin masakruar në Poloni edhe pas lufte

Në anën tjetër, Gjermania - ku u formësua shkatërrimi i çifutërisë polake dhe evropiane - është bërë vend i premtimeve dhe mundësive për izraelitët e rinj. Por, pa marrë parasysh sa e turpshme dhe frustruese mund të jetë, e vërteta është e vërtetë. Bile edhe presidenti polak, Andrzej Duda, ka pranuar se ekzistojnë dy anë të historisë së Polonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në mars të vitit 2016, inaugurimi i një muzeu të hapur për nder të qindra polakëve që ishin vrarë duke iu ndihmuar çifutëve gjatë Holokaustit, ai apeloi që të thuhej "e vërteta e plotë, edhe pse ajo ndonjëherë mund të jetë shqetësuese". Megjithatë, ligji të cilin e ka nënshkruar Duda, kriminalizon diskutimin e të vërtetave shqetësuese dhe tronditëse. Njëra prej këtyre të vërtetave është vrasja, e përshkruar nga historiani Jan Grabowski, e rreth 200,000 çifutëve polakë nga fqinjët e tyre joçifutë. Një e vërtetë tjetër është masakra e të paktën 340, deri në 1,600 burrave, grave dhe çifutëve në qytetin Jedvabne. Çifutët ishin masakruar në Poloni edhe pas lufte, kryesisht në pogromin në Kielce, ku një grup ushtarësh polakë, oficerësh dhe civilësh, vranë të paktën 42 të mbijetuar të Holokaustit. Për partinë PiS, ligji i ri është një lëvizje e mençur politike, edhe pse pak cinike. Liderët e partisë janë mëse të vetëdijshëm se, kur presidenti i atëhershëm polak, Aleksander Kwa?niewski, në vitin 2001 kishte pranuar të vërtetën rreth masakrës në Jedvabne, banorët e atij qyteti e kishin cilësuar atë si kukull të 'çifutërisë ndërkombëtare'. Përqendrimi te mënyrat sesi polakët ishin viktimizuar nga nazistët, apo sesi reaguan ndaj atij viktimizimi me heroizëm, është treguar shumë i dobishëm për fitimin e votave. Kjo ka bërë punë edhe për politikanët e huaj. Fjalimi i presidentit amerikan Donald Trump verën e kaluar, para monumentit të njëjtë ku Brandt kishte rënë në gjunjë, u pranua mirë nga publiku polak saktësisht për shkak se ai nuk devijonte nga narrativa e ofruar nga PiS. Natyrisht, Polonia nuk është vendi i vetëm që është tunduar për ta rishkruar historinë e vet, me qëllim të zvogëlimit të bashkëpjesëmarrjes në krimet e kryera gjatë luftës, kundër çifutëve dhe të tjerëve. Edhe vendet e tjera komuniste në Evropën lindore - psh Lituania, Ukraina dhe Hungaria - kanë dalë në favor të një narracioni nacionalist të viktimizimit dhe rezistencës. Duke qenë se të gjitha këto vende ishin viktima si të Gjermanisë naziste, po ashtu edhe të BRSSsë, minimizimi i rolit të tyre në Holokaust nuk ka qenë vështirë të arrihet. Bile edhe vendet me traditë më të gjatë demokratike e kanë pasur vështirë që të pajtohen me historitë e tyre të bashkëpunimit në Holokaust. Me vite të tëra pasi mori fund lufta, Holanda propagandonte një narracion, sipas të cilit populli holandez kishte bërë përpjekje heroike për t'i shpëtuar çifutët e vet nga shfarosja që iu kanosej nga makineria naziste. Në fakt, ka pasur një bashkëpunim të gjerë të burokracisë holandeze me nazistët dhe qytetarët holandezë luajtën një rol të rëndësishëm në përzënien e 80% të popullsisë çifute të këtij shteti në kampet e përqendrimit. 

E kaluara është gjithmonë e ndjeshme ndaj manipulimeve politike

Sa i përket Francës, ishte vetëm pas dokumentarit të vitit 1969, "The Sorrow and the Pity" (i cili deri në vitin 1981 ishte ndaluar që të shfaqej në TV francez) që filloi të shpërbëhej narracioni nacional i rezistencës antinaziste, duke vënë në pah të vërtetat rreth bashkëfajësisë së madhe të vendit. U desh që të kalonin edhe 26 vjet, që një president francez, Jacques Chirac, ta pranonte zyrtarisht rolin e bashkëpunëtorëve francezë në përzënien dhe dërgimin e rreth 90,000 çifutëve në kampet naziste të vdekjes. E kaluara është gjithmonë e ndjeshme ndaj manipulimeve politike. Dhe, me të vërtetë, korrigjimi i historisë është bërë esencial për narracionet nacionale gati kudo. Në SHBA, tekstet e historisë përqendrohen te lufta heroike e kolonistëve për pavarësi gjatë Luftës Revolucionare, e jo te gjenocidi i kryer ndaj popullsisë vendore. Rrëfimet rreth Luftës për pavarësinë e Izraelit përqendrohen te luftat kundër ushtrive invaduese arabe, e jo te dhuna e ushtruar nga vet Izraeli, kundër palestinezëve të cilët ishin zhvendosur dhe iu ishte marrë pasuria. Pas mbarimit të luftës, problemi palestinez u tkurr si problem i 'refugjatëve', apo 'infiltratorëve'. Izraeli ka shkuar aq larg, sa që këtë narracion ka tentuar t'ua imponojë me forcë shtetasve të vet palestinezë. "Ligji Nakba" i vitit 2011 autorizon ministrinë izraelite të financave që të pengojë financimin e institucioneve të cilat refuzojnë karakterin e Izraelit, si "shtet çifut", apo që ditën e pavarësisë së vendit, të cilën palestinezët e quajnë Nakba (katastrofë) e shënojnë si ditë pikëllimi. Kur i ka konvenuar politikisht, kryeministri Binyamin Netanyahu nuk ka hezituar as nga ndryshimi i historisë së Holokaustit. Në tetor të vitit 2015 ai deklaroi se, në fakt, nuk ishte Hitleri ai që i pari doli me idenë e shfarosjes së çifutëve, por ishte një lider palestinez, myftiu i madh, Haj Amin el-Husseini. Ky është një cinizëm edhe më i madh dhe një abuzim grotesk me kujtesën, që tejkalon çdo gjë që ka bërë deri më tani partia polake, PiS.

(Shlomo Ben-Ami, ish-ministër i Jashtëm i Izraelit, është zëvendëspresident i Qendrës ndërkombëtare të paqes "Toledo")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

16 orë e 49 minuta më parë
20/09/18