Rreziqet e militarizimit

Rreziqet e militarizimit
  • 03 March 2018 - 09:47

RIVALITETI MIDIS FUQIVE TË MËDHA

Një garë e re e armatimit duket se tanimë ka filluar

Shkruan: Javier Solana 

Ajo që duhet ta alarmojë më së shumti SHBA-në nuk është multipolariteti, i cili ka evoluar përgjatë këtij shekulli, por rreziku më i madh është që SHBA-ja mund t'i harrojë parimet dhe institucionet që e kanë ndihmuar lidershipin e saj global

Multipolariteti është kthyer dhe, me të, edhe rivaliteti midis fuqive të mëdha. Riparaqitja e Kinës dhe kthimi i Rusisë në ballë të politikës globale, janë dy dinamikat më të spikatura ndërkombëtare të këtij shekulli, deri më tani. Gjatë vitit të parë të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, tensionet midis SHBA-së dhe këtyre dy vendeve janë rritur dukshëm. Sikur që është degraduar edhe ambienti vendor politik në SHBA, po ashtu kjo mund të thuhet edhe për marrëdhëniet e Amerikës me ato vende që perceptohen si kundërshtarët e saj kryesorë. Kur presidenti Xi Jinping mori pushtetin në Kinë, rreth pesë vjet më parë, ai prezantoi idenë e "një lloji të ri të marrëdhënieve midis fuqive të mëdha", të bazuar te bashkëpunimi dhe dialogu, si dhe te respekti ndaj interesave nacionale të njëri-tjetrit. Por, Kina nuk bën gjithmonë atë që thotë, të paktën sa i përket bashkëpunimit, gjë që dëshmohet edhe nga njëanësia e saj në Detin jugor kinez. Ngjashëm me këtë, humbja relative e ndikimit të trupës diplomatike kineze, bie ndesh me paraqitjen e simbiozës midis presidentit Xi dhe Ushtrisë çlirimtare popullore. Bile, Xi ka befasuar shumëkënd, duke u paraqitur me uniformë ushtarake. Rusia, nga ana e saj, ka invaduar dy ish-Republika sovjetike gjatë dekadës së fundit dhe shpenzimet e saj ushtarake, si përqindje të GDP-së, kanë pasur një rritje thuajse eksponenciale. Dhe, SHBA-ja dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e Marrëveshjes rreth forcave bërthamore me rreze të mesme, marrëveshjen e vetme midis dy vendeve të armatimit, nga koha e Luftës së ftohtë, që vazhdon të mbetet në fuqi. Edhe pse duket logjike të kuptojmë sfidat aktuale, ne duhet të përmbahemi nga ekzagjerimi i tyre. Gjatë ca muajve të kaluar, administrata amerikane ka publikuar tri dokumente me rëndësi: Strategjinë e Sigurisë kombëtare, Strategjinë e Mbrojtjes kombëtare dhe Rishikimin e qëndrimit bërthamor. 

Ulja e pragut bërthamor

Në të gjitha ato, Kina dhe Rusia në mënyrë eksplicite janë identifikuar si kërcënime serioze ndaj rendit ndërkombëtar. Rreziku më i madh ndaj SHBA-së sot, nuk vjen nga Rusia, apo Kina, por nga konfuzioni i cili karakterizon politikat e saj për shkak të refuzimit të rendit ndërkombëtar nga Trump, të të njëjtit rend të cilin SHBA-ja ndihmoi për t'u krijuar dhe të cilin e mbrojti me dekada të tëra. Ia vlen të kujtojmë se, kur Trump përpiqet ta frikësojë liderin e Koresë veriore, Kim Jong-un, duke vënë në pah fuqinë ushtarake amerikane, faktet, këtë herë, janë në anën e tij. Shpenzimet ushtarake amerikane janë pakrahasimisht më të lartat në botë, gati sa trefishi i shpenzimeve të Kinës, që gjendet në vendin e dytë dhe gati sa nëntë herë shpenzimet ushtarake të Rusisë, e cila gjendet në vendin e tretë. Në fakt, SHBA-ja shpenzon më shumë në mbrojtje, sesa tetë vendet e para të kësaj liste, gjithsej, si dhe posedon arsenalin më të sofistikuar bërthamor në botë. Por, përkundër përmendjes së shpeshtë të superioritetit ushtarak nga ana e administratës së Trump-it, veprimet e saj vejnë në pah se ky superioritet nuk mjafton. Rishikimi i qëndrimit bërthamor është shembulli më i mirë i kësaj mosmarrëveshjeje kognitive. Doktrina e re e SHBA-së specifikon një rritje të numrit të armëve taktike bërthamore, me një potencial relativisht të vogël eksplodues. Qëllimi i kësaj mase, është që të neutralizohen kapacitetet ruse në këtë fushë, për t'ia pamundësuar kundërshtarit potencial çdo bindje të gabuar, se përdorimi i kufizuar bërthamor, mund ta ofrojë një avantazh të dobishëm ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj". Por, nëse ky besim me të vërtetë është i gabuar, atëherë pse të reagohet ndaj tij sikur të mos ishte i tillë? Në kundërshtim me pikëpamjen e Pentagonit, zhvillimi i kushtueshëm i armëve më taktike, në fakt, do ta ulte pragun për paraqite të konfliktit bërthamor. Dhe, sikur që shpjegon eksperti i Institutit "Brookings", Robert Einhorn, Rishikimi i qëndrimit bërthamor përfshin një provizion tjetër doktrinar me efekt të ngjashëm: deklarimin se SHBA-ja do të mund t'i përdorte armët bërthamore, si reagim ndaj sulmeve strategjike, jo bërthamore, gjë që nuk përcaktohet në mënyrë të saktë. Me uljen e pragut bërthamor, vjen deri te rritja e rrezikut ndaj një katastrofe globale, një rrezik të cilin Buletini i Shkencëtarëve Atomikë aktualisht e vendosë në nivelin më të lartë që nga viti 1953. Edhe në një rast tejet të pamundur, të një eskalimi të pakontrolluar të përdorimit të kufizuar të armëve bërthamore, mjafton një armë taktike që të shkaktojë një shpërthim të ngjashëm me atë që shkatërroi qytetet Hiroshima dhe Nagasaki.

Një konflikt midis fuqive të mëdha nuk është i paevitueshëm

Nëntë vjet pas fjalimit të famshëm të Barack Obama's në Pragë, në të cilin ai u përkushtua për një botë të lirë nga armët bërthamore, çarmatosja ka pushuar të jetë prioritet strategjik për SHBA-në. Çmimi i paqes Nobel nga Obama, tani duket si relikt i së kaluarës. Një garë e re e armatimit, të cilës Trump i ka shprehur mbështetje, duket se tanimë ka filluar edhe pse, tani për tani, ajo mund të përqendrohet më shumë te përsosja e arsenaleve ekzistuese, apo te rritja e madhësisë së tyre totale. Për më tepër, administrata Trump sapo ka prezantuar një prezantim buxheti i cili do t'i rritë shpenzimet ushtarake, duke zvogëluar fondet për Departamentin e Shtetit për 25%. Edhe pse mbështetja kongresiste për këtë propozim është i dobët, buxheti i Trump-it është edhe një simptomë e averzionit të tij ndaj kanaleve diplomatike. Kjo është njëra ndër arsyet e degradimit të madh të imazhit ndërkombëtar të Amerikës, një trend i cili nuk duket se është duke e shqetësuar aq shumë administratën. Ajo që me të vërtetë shqetëson administratën Trump - përpos Iranit dhe Koresë veriore - është gara strategjike që përfaqë- sohet nga Rusia, por mbi të gjithash, nga Kina. Por, duke pasur parasysh militarizimin gjithnjë e më të madh të Rusisë dhe Kinës, rëndësi kritike ka evitimi i hedhjes së benzinës në zjarr. Një konflikt midis fuqive të mëdha nuk është i paevitueshëm, vetëm nëse këto fuqi veprojnë sikur kjo të ishte e pamundur. Ajo që duhet ta alarmojë më së shumti SHBA-në nuk është multipolariteti i cili ka evoluar përgjatë këtij shekulli, por rreziku më i madh është që SHBA-ja mund t'i harrojë parimet dhe institucionet që e kanë ndihmuar lidershipin e saj global. Nëse administrata Trump vazhdon me vënien e theksit te narracioni i konfrontimit, atëherë ajo mund të ballafaqohet, në fund, me një profeci vetëpërmbushëse.

(Javier Solana aktualisht është president i Qendrës ESADE për ekonomi dhe gjeopolitikë globale dhe bashkëpunëtor i Institutit "Brookings")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)