Çlirimi i demokracisë gjermane - Opinione - Kosova Sot
Çlirimi i demokracisë gjermane

Çlirimi i demokracisë gjermane

FORMIMI I QEVERISË SË RE TË KOALICIONIT

'Periferia' politike gjermane është duke lulëzuar 

Shkruan: HELMUT K. ANHEIER

Demokracia gjermane është duke u ngufatur nga marrëveshjet strikte të koalicioneve. Me qëllim që ajo të marrë frymë, duke mbyllur hendekun midis klasës politike dhe elektoratit, gjermanët duhet të përqendrohen te krijimi i agjendave më fleksibile legjislative, që kërkojnë debat të vërtetë, të haptë, në Bundestag

Spektakli, i cili karakterizoi bisedimet rreth formimit të një qeverie të re të koalicionit në Gjermani, është një tregues i pakënaqë- sisë së votuesve. Lojërat e fuqisë dhe kompromiset që janë arritur pa debat publik, që të gjitha nënvizojnë shkëputjen e lidhjeve midis partive tradicionale gjermane dhe elektoratit - duke i çuar votuesit drejt kah populistët. Si pasojë e kësaj, 'periferia' politike gjermane është duke lulëzuar. Partia e ekstremit të djathtë, "Alternative für Deutschland", si dhe ajo majtiste, "Die Linke", së bashku kanë rreth çerekun e ulë- seve në Bundestag. Koalicioni i madh i formuar - i cili përfshin Unionin (konservator) socialdemokrat (CDU), partinë e saj simotër bavareze, Unionin kristian-social (CSU), si dhe Partinë majtiste social-demokratike (SPD) - kontrollon vetëm pak më shumë se 50% të ulëseve, duke u bërë kështu dukshëm më i vogël sesa koalicioni i dy qeverive paraprake. Veçanërisht AfD-ja nuk mund të besojë çfarë fati ka pasur. Kjo parti, e cila në rastin më të mirë është vetëm pjesërisht besnike ndaj demokracisë, duket se do të jetë partia më e madhe opozitare në Bundestag. Për një parti e cila deri në zgjedhjet e fundit as që arrinte të hynte në parlament, një e arritur e tillë ishte përtej çdo ëndrre. Nëse ky koalicion merr në duar qeverisjen e vendit, sikur që pritet, atëherë parlamenti i Gjermanisë së pasur dhe stabile në aspektin ekonomik, do të ballafaqohet me përçarjet e njëjta, të cilat kanë dobësuar demokracitë në vendet e tjera. Kjo tanimë ka ndodhur në SHBA, ku paraqitja e zërave më ekstremë ka rrezikuar bashkëpunimin midis republikanëve dhe demokratëve, si dhe në Britani, Holandë dhe Belgjikë. Kjo nuk d.m.th. se Bundestagu papritmas do të bëhet aq jo funksional sa që është tani Kongresi i SHBA-së, por farat e paralizimit të demokracisë tanimë janë duke u mbjellë. 

Zhvillimet kontraverze

Në njëfarë mënyre, kjo situatë kaherë ka filluar të vijë. Nën koalicionet paraprake të mëdha, Bundestagu ka shërbyer më pak si platformë për diskutime të hapëta të pikëpamjeve të ndryshme dhe rezultateve të preferuara, sesa si një makineri për miratimin e ligjeve. Marrëveshja 167 faqesh e koalicionit të ri, e cila shpreh deri në detaje agjendën e qeverisë së re, bën me dije se përqendrimi i autoriteteve gjatë katër viteve të ardhshme edhe një herë do të kufizohet te realizimi i politikave të dakorduara më parë, e jo te promovimi i reflektimit ndaj problemeve publike. Kjo politikë e dyerve të mbyllura ka thelluar përçarjen midis klasës politike dhe votuesve. Sa i përket asaj se çka e ushqen atë, ekzistojnë dy fajtorë: paraqitja e marrëveshjeve të koalicionit dhe ndryshimi i sistemit partiak. Marrëveshja e koalicionit, e cila përcaktonte disa prej çështjeve kryesore për periudhën e ardhshme legjislative, për herë të parë ishte përdorur nga CDU dhe Partia e lirë demokratike (FDP), në fillim të viteve 1960. Ishte themeluar një komitet i koalicionit, për të siguruar që masat e dakorduara të miratoheshin në Parlament. Por, me kalimin e kohës, marrëveshjet e tilla u bënë gjithnjë e më të detajuara dhe komplekse; ajo që dikur kishte qenë udhëzues, tani u bë kontratë. Komiteti i koalicionit, në ndërkohë, u bë gjithnjë e më i fuqishëm, në prapaskenë. Këto zhvillime, edhe pse kontroverse, kurrë nuk ishin sfiduar në tërësi; përkundrazi, ato u bënë "de rigueur" për politikat legjislative në Gjermani, duke bërë që Bundestagu ta zhvendosë përqendrimin nga zhvillimi i debatit të hapur, te realizimi i vendimeve të dakorduara më parë.

Mbështetja e komuniteteve lokale

Deri para disa vjetëve, kjo zhvendosje e përqendrimit nuk ishte aq problematike për Bundestagun. Por, partitë kryesore politike së fundmi e kanë humbur mbështetjen në komunitetet lokale, me CDU/CSU dhe SPD, tani mbështeten te anëtarësia shumë më e ulët. Si pasojë e kësaj, vendimet e tyre janë bërë gjithnjë e më të ndara nga vullneti i popullit. Liderët e partive CDU dhe CSU, të paobliguar nga votat partiake, tanimë kanë sinjalizuar pranimin e paktit të koalicionit. Por, mbetet që të shpresojmë që, anëtarët e SPD-së ta refuzojnë marrëveshjen ndaj të cilës janë duke votuar (votimet me postë mbyllen më 2 mars). Një dështim i marrëveshjes me gjasë do të sillte një jostabilitet më të madh politik, por në fund, do ta forcojë demokracinë gjermane. Nëse marrëveshja dështon, gjermanët mund të mbajnë zgjedhje të reja - një opsion i rrezikshëm, sikur që kanë treguar anketat, meqë në një rast të tillë, AfD-ja mund të marrë edhe më shumë vota, derisa mbështetja për CDU dhe SPD mund të bie. Ose, kancelarja Angela Merkel mund ta udhëheqë një qeveri të pakicës, e cila çdo propozim politik do të duhej ta vendoste në debat parlamentar, me rrezikun që të bllokohet. Nën një qeveri të pakicës, çdo debat mund të çojë në rënie të qeverisë. Por, kjo mund të funksionojë mirë për propozimet më pak kontroverse, duke krijuar një traditë të re të koalicioneve të ndryshme. Me kalimin e kohës, një marrëveshje e tillë mund të sjellë përparësi të konsiderueshme, bile edhe inovacione institucionale, me potencial të sfidimit të praktikës së ngurtë të marrëveshjeve të koalicionit dhe komiteteve me dyer të mbyllura, për t'i imponuar ato. Demokracia gjermane është duke u ngufatur nga marrëveshjet strikte të koalicioneve. Me qëllim që ajo të marrë frymë, duke mbyllur hendekun midis klasës politike dhe elektoratit, gjermanët duhet të përqendrohen te krijimi i agjendave më fleksibile legjislative, që kërkojnë debat të vërtetë, të haptë, në Bundestag.

(Helmut K. Anheier është president dhe profesor i sociologjisë në Shkollën "Hertie" të qeverisjes në Berlin)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)

16 orë e 18 minuta më parë
19/09/18