Në Shqipëri dhe në Kosovë pushteti më i ndotur është "pushteti" i mediave

Në Shqipëri dhe në Kosovë pushteti më i ndotur është
  • 04 March 2018 - 08:05

Informojnë, por edhe dezinformojnë

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Ato që duken dhe e mbajnë veten si media kombëtare, "të autoritetshme" e të pavarura, ato janë tipike më servile, puthadore, shërbëtore dhe më mercenare të politikës, janë sahanlëpirëse të pushtetit dhe të politikës, të parasë dhe të korrupsionit

Aspak nuk është e vështirë për ta konstatuar dhe për ta zbuluar faktin se shumica e mediave në Shqipëri janë të ndotura nga interesi, nga korrupsioni, nga amoraliteti politik dhe mercenar i saj. Ato të cilat duken dhe e mbajnë veten si media kombëtare, "të autoritetshme" e të pavarura, ato janë tipike më servile, puthadore shërbëtore dhe më mercenare të politikës, janë sahanlëpirëse të pushtetit dhe të politikës, të parasë dhe të korrupsionit. Për shtypin e shkruar në Shqipëri për ta vërtetuar këtë fakt do të ishte e mjaftueshme vetëm po t'i dëgjosh titujt e shkrimeve të tyre në faqet e para të gazetave, të cilat i lexojnë në mëngjes emisionet nëpër stacionet televizive. Ka gazeta, shumica e tyre tërësisht janë ato që reklamojnë atë se çfarë dëshiron pushteti dhe qeverisja, e cila rastis që ta ketë pushtetin. Por me ndryshimin e pushtetit po këto media e "tradhtojnë" ish- pushtetin dhe bëhen reklamë dhe shërbëtore të pushtetit të ri, pra nuk e kanë për gjë që pa pikë turpi ndërrojnë padronin. Ka gazeta, ato të cilat i mbesin besnike ishpushtetit prej të cilit kanë përfituar privilegje në kohën e tij, por më shumë shajnë pushtetin e ri vetëm, sepse ai nuk ia var pasi i ka mediat e tjera me shumicë të cilat i shërbejnë dhe nuk ka nevojë për të. 

Servirin vetëm njërën anë të medaljes së realitetit

Po kështu janë edhe televizionet, media vizive, janë pikërisht edhe më të ndoturat pasi opinionit i servirin vetëm njërën anë të medaljes së realitetit, atë që ia do dëshirimi i pushtetit dhe i politikës, pra duke manipuluar dhe seleksionuar informacionin. P.sh. kemi që në të gjithë televizionet prej muajsh shohim për çdo ditë në të gjitha lajmet Erion Velinë, kryetarin e Bashkisë së Tiranës me një lopatë në dorë që mbjell ndonjë pemë nëpër Tiranë; shohim kudo ashtu sikurse kemi parë gjithnjë deri në tri herë në të njëjtin edicion lajmesh që na del kryeministri i Shqipërisë edhe për aktivitete krejtësisht të rëndomta dhe të parëndësishëm. Media servile të cilat na i lexojnë edhe statuset e tyre dhe të personazheve negative, të neveritshëm e të diskredituarish "VIP"-a nëpër 'Facebook'. Mediat kryesore në Shqipëri ashtu si edhe sistemi i drejtësisë janë bërë ortakë me korporatokracinë ekonomiko-korruptive të politikës, pra komponent me oligarkinë politikojuridike te kriminalizuar e të korruptuar. Mediat në Shqipëri, por edhe në Kosovë janë tërësisht shërbëtore dhe proinstitucionale dhe në vend që të kryejnë misionin e tyre të opozitarit dhe të kontrollit mbi politikën dhe me pushtetin realisht janë servile dhe zëdhënëse të tyre. Mediat ashtu si edhe drejtësia kanë marrëdhënie simbiotike me pushtetin, me qeverisjen dhe me politikën dhe si pasojë ato janë të kapura dhe të ndotura nga vullnetarizmi mercenar i tyre për t'i shërbyer pushtetit dhe korrupsionit prej të cilëve ato marrin për këtë shërbim pjesën që u takon për rolin e tyre të manipulatorit të opinionit publik me informacionet dhe me lajmet qeveritare ashtu sikurse dëshiron pushteti dhe pronari i medias. Mediat në Shqipëri nuk përhapin opinionin qytetar dhe atë se çfarë është shqetësim për publikun, por ato japin dhe paraqesin e reklamojnë pikëpamjet dhe këndvështrimet e personale të pronarëve të tyre, pra si media biznesesh. Mediat në Shqipëri nuk u japin njerëzve ato për të cilat njerëzve u duhet, por ato i japin publikut atë se çfarë seleksionon dhe dëshiron interesi i mediave, i korporatokracisë ku pjesë e së cilës është edhe biznesi mediatik i këtyre mediave.

Manipulimi me korrupsionin

Televizionet në Shqipëri janë mashtrues dhe manipulatorë të mëdhenj, informojnë pak, por edhe atë informim e paraqet keq dhe i cili më shumë edukon shumë keq edhe publikun. Televizionit i intereson të gjejë klientë reklamash, që të japë lajme që të tërheqin "abonentë" për të pasur sa më shumë shikues; televizioneve në Shqipëri nuk u intereson më të vërtetë zgjidhja e problemeve si varfëria, papunësia, eksodi, droga e krimi, por i intereson vetëm lajmi për ta dhënë vetëm si lajm. Shikoni se si gazetat, të cilat në faqet e para shkruajnë me tituj "pikantë" për kronikat e zeza të krimeve ordinere, të krimeve të turpshme brenda familjes, të krimeve të turpshme seksuale, të drogave e prostitucionit dhe madje deri në detaje të hollësishme dhe në mënyrë të përsëritshme, shikoni programet kulturore të ekspozimit deri edhe të pjesëve të turpshme të trupit nëpër koncerte, balerinat dhe sidomos me fjalorin skandaloz e banal në emisionet e humorit dhe të tjerë, shikoni reklamat dhe telebixhozin. Gazetat dhe televizionet në Shqipëri synojnë për të informuar sa për të bërë bujë dhe treguar "çudira", pra thjesht kanë një synim, videopushtetin. Pra, pushteti i madiave është i ndotur, madje shumë me i ndotur se sa pushteti politik, qeveritar, komunal dhe ai i drejtësisë. Edhe mediat bëjnë manipulimin me korrupsionin, me krimin, me drejtësinë, madje u bëjnë edhe shantazhin rasteve të rënda kriminale, sidomos të atyre politike duke i fshehur dhe paraqitur shumë kalimthi ato pasi të paguhen mirë prej autorëve dhe skandalozëve të skandaleve, duke i seleksionuar dhe paraqitur ato me mjaft finesë ashtu sikurse porosit pronari i medias. Mediat në Shqipëri luajnë rolin e bëjnë lobing për krahët politikë, gjë e cila vihet re gjatë fushatave elektorale, ku mediat e paraqesin fushatën elektorale duke paraqitur kasetat dhe incizimet e gatshme që ua japin atyre partitë politike. Mediat në Shqipëri e Kosovë informojnë pra keq dhe shumë pak për ato, të cilat duhet të informohet mirë dhe mjaftueshëm publiku. Ato nuk informojnë pra mjaftueshëm dhe sa e si duhet, pasi mjaftueshmëria për televizionet është ajo e cila u shërben interesave personale të pronarëve të mediave, interesit të redaksive të tyre, interesave të pushtetit politik dhe të biznesit mediatik. Në mediat në Shqipëri nuk ka vend për individët, për intelektualizmin e profesionalizmin, nuk ka vend për grupet e joorganizuara dhe për shoqatat të cilat nuk kanë potenciale financiare për të dalë, për t'i paguar mediat dhe për t'i korruptuar ato, nuk ka vend për realitetin e vërtetë dhe as për patriotizmin, pra te mediat shqiptare në përgjithësi nuk ka vend ndershmëria, patriotizmi dhe as realiteti i vërtetë dhe i pakorruptuar. Mediat e kanë korruptuar edhe moralin. Pra, mediat në Shqipëri nuk informojnë, por dezinformojnë, ose më saktë informojnë dhe edukojnë keq dhe dëmshëm.

MEDIAT, ASHTU SI EDHE DREJTËSIA, KANË MARRËDHËNIE SIMBIOTIKE ME PUSHTETIN

(Kosova Sot)