Sa e duam Kosovën?

Sa e duam Kosovën?
  • 05 March 2018 - 08:00

Shfrytëzimi i pasurive tona

 SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ 

Ende në mesin e popullit shqiptar do të gjeni simpatizues të flaktë të Titos dhe të Millosheviqit. Imagjinoni sikur sot të gjeni izraelitë ose francezë, të cilët do të krenoheshin me Hitlerin. Ose sikur rusët ta donin Napoleonin. A është normale që pas qindra vitesh të kërkojmë Sulltan Muratin apo Titon e Millosheviqin. Si mund të arsyetohet kjo simpati e shqiptarëve ndaj okupuesit?! Një gjë e tillë është e paarsyetueshme plus e pashpjegueshme as psikologjikisht. Ta duash okupuesin dhe rikthimin e tij është një çmenduri

Sa e duam Kosovën është një pyetje që më ka preokupuar që nga mosha rinore dhe për këtë e pyesja nënën time përgjigjja e së cilës ishte: "Po biro e dua Kosovën". Mirëpo çfarë kishte bërë konkretisht nëna ime për dashurinë ndaj Kosovës kurrë deri në ditët e sotme nuk e gjeta përgjigjën adekuate. Ajo kishte rritur katër djem e dy vajza dhe kishte kryer punët e shtëpisë dhe natyrisht punët në ara tona pjellore bashkë me babanë tim. Në lagjen time mësova se rritja e fëmijëve konsiderohej patriotizëm e që e njëjta konsideratë vlente në tërë vendin tonë. Madje në Kosovën e pasluftës, gjatë një tubimi të një partie politike, njëra nga gratë me krenari kërkonte të bëhej deputete në Kuvendin e Kosovës me të vetmin kontribut se i kishte rritur gjashtë fëmijë, pavarësisht se ajo kishte të kryer vetëm shkollën fillore. Dallimi në mes të kësaj deputete të pasluftës dhe nënës sime ishte se nëna ime kishte katër klasë fillore, ndërsa deputetja tetëvjeçaren e fakultetin i kreu më vonë, me ndihmën e burrit, që ishte lider i partisë politike. Sa e duam ne shqiptarët Kosovën është një pyetje që secili ia ka bërë vetvetes, çdonjëri prej nesh. Në vetvete çdonjëri e ka përgjigjen subjektive duke menduar që secili ndaj Kosovës ndien dashuri më shumë se të tjerët. Nga ky vlerësim, se të gjithë e duam Kosovën, do të fitojmë përshtypjen se ne shqiptarët, pa përjashtim të gjithë, jemi të dashuruar në atdheun tonë.
  
Kosovën e duan edhe serbët, turqit…

Po të shikojmë në prizmin tjetër, na rezulton se edhe të tjerët e duan Kosovën sa ne shqiptarët, e ndoshta edhe më shumë. Imagjinoni një popull i ardhur nga Karpatët e Rusisë, ngulët në oborret, fushat, arat tona pjellore dhe pretendojnë se Kosova është zemra e tyre. Nga pretendimet e tyre absurde ne shqiptarët shqetësohemi nga se nuk është assesi e mundur që vendin ku kemi lindur ne që nga krijimi i njerëzimit të vjen dikush tjetër dhe të na thotë haptas e pa ngurrim se Kosova është zemra e Serbisë. Në anën tjetër Perandoria Osmane më ushtrinë e hekurt po ashtu për pesë qind vjet më radhë u ngulën në oborret tona dhe tani ende pretendojnë se Kosova deri në Prizren është turke dhe vazhdimësi e Perandorisë Osmane. Si serbët po ashtu edhe turqit erdhën për shfrytëzimin e pasurive tona tokësore dhe nëntokësore, por më pretekstin se po vinin për t'i ndihmuar popullit tonë. Shikoni çfarë absurditeti! Na vrasin, na dhunojnë, na burgosin, na plaçkitin e ende pretendojnë se po na ndihmojnë. 

Bashkëpunëtorët janë para kohës

Nëse ia fillojmë rrëfimit nga fillimi se ne shqiptarët të gjithë e duam Kosovën, nuk do të ishim të shkelur, të sunduar e të dhunuar nga armiqtë tanë. Mirëpo ç'po ndodh me ne shqiptarët?! Mendoj se pjesa e shqiptarëve që vërtet e duan Kosovën nuk merren me punët e Qeverisë. Kjo shtresë sakrifikohet për Kosovën duke i dërguar fëmijët e tyre në mbrojtje të atdheut dhe pas çdo lufte këta i kthehen jetës së përditshme duke besuar në liderët e tyre se me punët e shtetit ka kush të merret. Në anën tjetër, para dhe pas luftërave gjithnjë ekziston një shtresë tjetër, e cila bashkëpunon me secilin armik për interesa të tyre personale e veçanërisht në shtimin e pasurisë familjare. Kjo është shtresa më e zhdërvjelltë, sepse këta gjatë luftës bashkëpunojnë me ata që vijnë të na sundojnë e pak para fitimit të luftës kthehen dhe bëhen më patriotë se ata që luftuan. Bashkëpunëtorët janë gjithnjë para kohës dhe të pranueshëm nga çdo sundues. Sunduesit i afrojnë servilët duke i avancuar në pushtet dhe me privilegje të shumta. Bashkëpunëtorët asnjëherë nuk pendohen për vendimet e tyre e madje janë më të rrezikshëm se vetë ushtria dhe pushteti i sunduesit. Duke qenë më radikal se forcat e pushtuesit, këta i shkaktojnë dëme të mëdha popullit të vet, gjë që ndikon që tërë jetën të qëndrojnë besnikë ndaj okupatorit. Duke u nisur nga fakti se çdo okupator mban shënime, bashkëpunuesit mbesin peng e akteve të tyre barbare që i kanë shkaktuar popullit të vet dhe këto shënime përcillen tek fëmijët e fëmijëve të tyre, të cilët sunduesit e dikurshëm do të shërbehen me shënimet e tyre ndaj trashëgimtarëve. Në këtë mënyrë sot në Kosovë, Serbia shërbehet me besnikët e vet e në anën tjetër po ashtu Turqia i përdor të njëjtat familje.

Çdo popull në botë ka spiunët dhe shërbëtorët besnikë të okupatorit, por kurrë në asnjë vend të botës nuk do të gjeni një popull tjetër që qindra vite do t'i qëndrojnë besnik sunduesit siç do të gjejmë te shqiptarët.

Ne ende u thurim himne kriminelëve tanë

Është e paimagjinueshme që ende sot në mesin e shqiptarëve të gjejmë simpatizues të Sulltan Muratit i cili ishte një kriminel për tërë shqiptarinë. Sulltan Murati dhe politika e Perandorisë Osmane me qindra vjet e shkatërroi popullin shqiptar, e ne ende sot kemi disa intelektualë, të cilët thonë e shkruajnë se Turqia na paska shpëtuar nga serbët. Ende sot ekzistojnë intelektualë, të cilët thonë e shkruajnë kundër Skënderbeut. Ende sot kemi shqiptarë të cilët me simpatinë më të madhe flasin për Turqinë dhe zgjerimin e saj në Kosovë. Ende në mesin e popullit shqiptar do të gjeni simpatizues të flaktë të Titos dhe Millosheviqit. Imagjinoni sikur sot të gjeni izraelitë ose francezë, të cilët do të krenoheshin me Hitlerin. Ose sikur rusët ta donin Napoleonin. A është normale që pas qindra vitesh të kërkojmë Sulltan Muratin apo Titon e Millosheviqin. Si mund të arsyetohet kjo simpati e shqiptarëve ndaj okupuesit?! Një gjë e tillë është e paarsyetueshme plus e pashpjegueshme as psikologjikisht. Ta duash okupuesin dhe rikthimin e tij është një çmenduri. Sipas këtij realiteti, që është i pakontestueshëm dhe shumë evident, populli ynë është ende i ndarë në një shtresë pro serbo-greke, një pjesë tjetër pro turko-arabe, ndërsa pjesa tjetër atdhedashëse. Në mesin e krejt këtyre pushtetin e udhëheqin më shumë dy shtresat e para, ndërsa pjesa tjetër ende është e paaftë për të kërkuar pjesëmarrje në pushtet. Si përfundim mund të themi se ne e duam Kosovën në tri mënyra. Secila palë krenohet me dashurinë e tyre ndaj Kosovës. Kjo lloj dashurie do të zgjatë deri në pafundësi, e populli ynë do të jetë i ndarë ku secila palë do të kërkojë shtrirjen e dominimit të okupuesit në trojet tona. Andaj nuk është rastësi kur në qendër të Prishtinës shfaqen pllakata për ditëlindjen e Titos. Nuk është rastësi kur Erdoganin e quajmë vëlla e të premteve pjesa dërmuese e pronarëve pa asnjë turp i mbyllin shitoret gjatë kohës së faljes së lutjeve fetare islamike.

Sot, në Kosovën e pavarur shtrohet pyetja më shumë kurrë më parë: a e meritojë ne shqiptarët lirinë ?! Përgjigjen e dini secili prej jush. 

(Kosova Sot)