Demokracia gjithkund në shkatërrim - Opinione - Kosova Sot
Demokracia gjithkund në shkatërrim

Demokracia gjithkund në shkatërrim

SHBA-JA U KATEGORIZUA NË GRUPIN E DYTË TË 'DEMOKRACISË ME TË META'

Shkeljet e Kenias në fushën e lirisë së shtypit janë të parëndësishme në krahasim me ato të Turqisë

Shkruan: Fareed Zakaria 

Nëse udhëheqësit i sulmojnë, denigrojnë dhe keqpërdorin ato, institucionet do të dobësohen dhe kjo, nga ana tjetër, do të dobësojë karakterin dhe cilësinë e demokracisë. Sistemi amerikan është më i fortë se shumë të tjerë, por nuk është imun ndaj këtyre forcave të shkatërrimit të demokracisë

Një javë më parë, "Economist Intelligence Unit" publikoi botimin e dhjetë të "Indeksit të demokracisë", një kategorizim gjithëpërfshirës i shteteve, duke u bazuar në vlerësimet në pesë kategori, duke filluar nga procesi zgjedhor, e deri te liritë qytetare. Për të dytin vit me radhë, SHBA-ja dështoi që ta plotësonte 'shportën' e demokracisë së plotë dhe u kategorizua në grupin e dytë, të 'demokracisë me të meta'. Do të ishte i lehtë përqendrimi te gjendja e demokracisë amerikane nën Presidentin Trump, por aspekti më shqetësues është se rrëshqitja e Shteteve të Bashkuara është pjesë e një tendence globale. Në raportin e këtij viti, rezultatet kanë rënë për më shumë se gjysmën e vendeve të botës. Ajo që Profesori i Universitetit të Stanfordit, Larry Diamond, përshkroi 10 vjet më parë si një "recesion demokratik", nuk tregon shenja mbarimi. Natyra e këtij recesioni ndoshta shihet më mirë duke shikuar gjendjen e shtypit të lirë në të gjithë botën.

Mbulimi i medieve miqësore

Merreni Keninë, e cila deri vonë konsiderohej një histori shpresëdhënëse e përparimit demokratik. Muajin e kaluar, Presidenti Uhuru Kenyatta udhëzoi stacionet televizive kryesore të vendit për të mos mbuluar një ngjarje të opozitës dhe kur ata refuzuan, ai ua ndaloi atyre transmetimin. Qeveria pastaj injoroi një urdhër të gjykatës që stacionet të lejohen të rifillojnë transmetimin. Shkeljet e Kenias në fushën e lirisë së shtypit janë të parëndësishme në krahasim me ato të Turqisë, e cila tani është 'burgosësja' më e madhe e gazetarëve në botë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Më lejoni ta theksoj këtë fakt. Qeveria që ka burgosur më shumë gazetarë se çdo vend tjetër është zgjedhur në mënyrë demokratike. Ajo përdorte mënyra që të paktën kishin formën e sundimit të ligjit, të tilla si lëshimi i një gjobe masive tatimore kundër një organizate kritike. Por kjo ndryshoi pas përpjekjes së pasuksesshme të grushtit të shtetit në vitin 2016. Një vit më vonë, një raport i Kombeve të Bashkuara zbuloi se të paktën 177 media lajmesh thjesht janë mbyllur. Mund të jetë e mundur të cilësohen këto histori si kthim i pashmangshëm i shoqërive në zhvillim. Por, çfarë do të thoshim pastaj rreth ngjarjeve në Hungari dhe Poloni, dy vende që e përqafuan plotë- sisht demokracinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik? Në Hungari, administrata e Viktor Orbanit ka përdorur një sërë taktikash të zgjuara për të shtypur shtypin e lirë. Qeveria në mënyrë efektive ka marrë nën kontroll transmetimet publike, duke ushtruar presion mbi degët dhe instalimin e besnikëve të partisë në pozita kyçe. Ajo ka mbuluar mediet miqë- sore me para të reklamave dhe ka shkurtuar në mënyrë drastike shpenzimet e reklamave në platformat kritikuese. Pasi qeveria e Orbanit ngacmon dhe frikëson mediat e pavarura, oligarkët miqësor blejnë kompanitë e medias, duke siguruar një mbulim të favorshëm. Shumë nga këto taktika të njëjta po përdoren tani në Poloni, e cila ka qenë një "fëmijë shembull" për reformat e saj shembullore politike dhe ekonomike që nga rënia e komunizmit. Edhe në demokracitë e stabilizuara, si Izraeli dhe India, jemi dëshmitarë të përpjekjeve sistematike për ta zvogëluar hapësirën dhe fuqinë e mediave të pavarura që janë kritike ndaj qeverisë. Në Izrael, akuzat kriminale kundër kryeministrit Benjamin Netanjahu, të cilat ai i mohon, përfshijnë marrëdhëniet e tij me baronët e shtypit për të siguruar mbulim të favorshëm. Përveç kësaj, përpjekjet e Netanjahut për të mbajtur transmetimet publike të dobëta, kanë fituar edhe përkrahje nga politikanët e krahut të djathtë. Në Indi, qeveria e Narendra Modi ka ngritur një padi shumë të diskutueshme për mashtrim dhe pastrim parash ndaj NDTV, një kritik i fuqishëm dhe i vazhdueshëm i disa prej politikave të saj. Kohët e fundit, një gazetar që ekspozonte një dobësi të turpshme në një bazë të dhë- nash qeveritare, iu referua policisë në vend që të përshëndetej si informator. 

Për vetëm një vit në detyrë, Trump ka bërë tashmë dëme

Më shumë se 20 vjet më parë, në një ese në "Foreing Affairs", paralajmërova se problemi më i madh me të cilin ballafaqohej bota ishte "demokracia joliberale" - qeveritë e zgjedhura që keqtrajtojnë në mënyrë sistematike pushtetin e tyre dhe liritë e kufizuara. Më pas shpreha shqetësimin se edhe Amerika mund të shkonte kësaj rruge. Shumica e njerëzve e hodhën poshtë rrezikun sepse demokracia amerikane, thanë ata, ishte e fuqishme, me institucione të forta që mund të shkaktonin ndonjë stuhi. Në fund të fundit, liria e shtypit është e garantuar sipas Amendamentit të Parë. Por, nëse e kemi parasysh rastin e Polonisë dhe Hungarisë, të cilat jo vetëm që kanë institucione të forta të tyre, por gjithashtu ekzistojnë brenda institucioneve të Bashkimit Evropian, të bazuara te sundimi i ligjit, në lidhje me lirinë e shtypit. Për vetëm një vit në detyrë, Trump ka bërë tashmë dëme. Përveç denigrimit të mediave kritike dhe përgëzimit të atyre miqësoreve, ai ka kërcënuar të forcojë ligjet e shpifjeve, t'ua marrë rrjeteve licencat dhe të tatojë pronarin e një gazete të caktuar. Administrata e tij ka bllokuar bashkimin (shkrirjen) e një organizate lajmesh, që ai e konsideron të njëanshme, duke lehtësuar bashkimin e një organizate me mbulim më të favorshëm. "Një institucion," shkruante Ralph Waldo Emerson, "është hija e zgjatur e një njeriu". Institucionet janë koleksione të rregullave dhe normave të rëna dakord nga qeniet njerëzore. Nëse udhëheqësit i sulmojnë, denigrojnë dhe keqpërdorin ato, institucionet do të dobësohen dhe kjo, nga ana tjetër, do të dobësojë karakterin dhe cilësinë e demokracisë. Sistemi amerikan është më i fortë se shumë të tjerë, por nuk është imun ndaj këtyre forcave të shkatërrimit të demokracisë.

(Kosova Sot)

4 orë e 2 minuta më parë
23/09/18