Rusia, Amerika dhe gara e sistemeve të sëmura

Rusia, Amerika dhe gara e sistemeve të sëmura
  • 08 March 2018 - 13:40

ELASTICITETI I BRENDSHËM, E JO FUQIA E JASHTME, DO TË PËRCAKTOJË BETEJAT SHEKULLORE PËR PUSHTET 

Është zor që të mos vërehet jofunksionaliteti i Amerikës së Trump-it

Shkruan: GIDEON RACHMAN

Një sistem demokratik amerikan, i cili në dy raste zgjodhi kandidatin që mori më pak vota (në vitin 2000 dhe në vitin 2016) zor se mund të pretendojë të jetë plotësisht i shëndoshë. Por, një mësim tjetër nga Lufta e Ftohtë është që hapja e Amerikës nënkupton se problemet e saj janë të dukshme

Ku i kishte mendtë Vladimir Putin? Shikuar nga Perëndimi, vendimi i presidentit rus për të autorizuar një kampanjë sekrete, për të destabilizuar zgjedhjet presidenciale amerikane, duket i rrezikshëm, bile edhe bizar. Por, shikuar nga prizmi i historisë ruse, ideja që një operacion i huaj i inteligjencës mund ta fundosë sistemin politik të një kundërshtari, nuk është gjë e re. Lindja e BRSS-së, shtetit të cilit dikur Putin i shërbente me besnikëri, ishte rezultat i një operacioni të tillë. Gjatë Luftës së parë botërore, gjermanët ndihmuan kthimin e Leninit në Rusi, duke ditur se lideri bolshevik mbështeste paqen midis Rusisë dhe Gjermanisë. Qëllimi ishte që të destabilizohej regjimi carist dhe që Rusia të mos përfshihej në luftë. Kjo pati sukses të madh. Një shekull më vonë, Putini doli në mbështetje të kampanjës së Donald Trump-it për arsye të ngjashme me ato të Gjermanisë, kur e kishte mbështetur Leninin. 

Tërë fuqia e Perëndimit bazohej te të arriturat e demokracisë dhe performanca më e mirë ekonomike

Presidenti rus nuk i duronte sanksionet që i ishin vënë vendit të tij pas aneksimit të Krimesë, në vitin 2014. Këtë veprim ai e lidhte me emrin e Hillary Clintonit. Dhe, ai e dinte se Trump angazhohej për një përafrim me Rusinë. Kishte edhe një mësim më të madh që Putin mund ta nxirrte nga historia, por kësaj here nga vdekja e BRSS-së, e jo nga lindja e saj. Përgjatë tërë Luftës së ftohtë, blloku sovjetik dhe Perëndimi ishin përgatitur për konfrontim, bile edhe për një konfrontim fatal bërthamor. Por, në fund, fitorja dhe humbja u përcaktuan pa as edhe një të shtënë me armë. Sistemi sovjetik u rrëzua nga brenda. Variabli kryesor nuk ishte fuqia ushtarake e cilësdo palë, por elasticiteti i brendshëm i tyre. Në një mënyrë të ngjashme, betejat e shekullit XXI për pushtet - midis BE-së dhe Rusisë, si dhe midis Kinës dhe BE-së - kanë të ngjarë që të përcaktohen më shumë nga elasticiteti i brendshëm, sesa nga fuqia e jashtme. Deri vonë, kjo do të ishte një garë të cilën SHBA-ja do ta fitonte me vetëbesim të plotë. Fundja, tërë fuqia e Perëndimit bazohej te të arriturat e demokracisë dhe performanca më e mirë ekonomike. "Liria funksionon", thoshte ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan, por në epokën e Trump-it, ideja se sistemi amerikan vetvetiu është më stabil sesa rivalët e tij, më nuk mund të merret si e qenë. Urrejtjet në të dyja anët e ndarjes politike në Amerikë janë aq të forta, sa që edhe gazetat tradicionale, sikur që janë "The New Yorker" dhe "Foreign Policy" kanë botuar artikuj rreth mundësisë së një lufte të dytë civile në Amerikë. Përgjigja ruse ndaj akuzave se ata me qëllim u përpoqën që t'i thellonin këto ndarje brenda Amerikës - pasi që kalon përtej mohimit të thjeshtë - është e dyfishtë. Së pari, ata thonë se Rusia thjesht është duke u përgjigjur pas dekadave të tëra, gjatë të cilave SHBA-ja ishte përpjekur që të destabilizonte qeveritë e huaja që nuk i pëlqenin. Së dyti, ata thonë se demokracia amerikane duhet të jetë në një gjendje të mjerë, nëse ajo mund të rrezikohet seriozisht nga një operacion rus, me një buxhet të supozuar prej vetëm 1.25 milion dollarësh në muaj. Në të dyja rastet ka diçka të vërtetë. Një sistem demokratik amerikan, i cili në dy raste zgjodhi kandidatin i cili mori më pak vota (në vitin 2000 dhe në vitin 2016) zor se mund të pretendojë të jetë plotësisht i shëndoshë. Por, një mësim tjetër nga Lufta e ftohtë është që hapja e Amerikës nënkupton se problemet e saj janë të dukshme. Në anën tjetër, sistemi i mbyllur sovjetik arrinte të bindte ca autsajderë leshko se kishte një sistem shembull të progresit ekonomik dhe teknologjik. Në anën tjetër, kishte tendenca të zmadhimit të dobësive të Perëndimit. Diçka e ngjashme mund të jetë duke ndodhur edhe tani. 

Roli i Rusisë si fuqi botërore

Është zor që të mos vërehet jofunksionaliteti i Amerikës së Trump-it. Por, dobësitë e brendshme të rivalëve të saj ndërkombëtarë mund të jenë edhe më serioze, por më pak të dukshme. Çështja e problemeve të fshehta vlen sidomos për Kinën e cila, aktualisht, është një rival më i fortë për SHBAnë, sesa Rusia. Kina moderne prezanton një fytyrë mbresëlënëse ndaj botës. Por, ajo është po ashtu eksperte e shtypjes së diskutimit rreth problemeve të brendshme, duke filluar nga tensioni regjional në Tibet dhe Xinjiang, e deri te dobësitë e sistemit financiar. Lajmet se partia komuniste ka ndërmend të heqë limitet kohore të presidencës kineze, duke përgatitur kështu rrugën për Xi Jinping që të qëndrojë në pushtet pa kufi, nënvizojnë rrezikun që sundimi i një partie, të kalojë në sundimin e një njeriu. Ky model nuk ka funksionuar mirë për Kinën në të kaluarën. Edhe presidenti Putin ka ndërmend që të qëndrojë në pushtet dhe ai do të fitojë edhe një mandat tjetër të kurdisur presidencial muajin e ardhshëm. Por, përpjekjet e tij që ta rikthejë rolin e Rusisë si fuqi botërore, ka të ngjarë që të rrezikohet nga dobësitë e njëjta që ndikuan në rënien e BRSS-së: një ekonomi e cila është tepër e vogël dhe joefikase për të financuar ambiciet globale të Moskës. Dhe, si Rusia, po ashtu edhe Kina, ballafaqohen me probleme afatgjata demografike. Putin e di se Rusia ka dobësi të mëdha të brendshme. Por, ai mund të shohë se edhe SHBA-ja ika problemet e veta. Për këtë shkak ai ka miratuar një strategji të cilën disa analistë e quajnë "i fundit fiton". Qëllimi i kësaj strategjie është që të theksohen sa më shumë dobësitë e Perëndimit, para se dobësitë e vet Rusisë ta mundin Putinin. 

(Kosova Sot)