Qendra evropiane e majtë e ka humbur besimin e votuesve

Qendra evropiane e majtë e ka humbur besimin e votuesve
  • 09 March 2018 - 10:28

SOCIALDEMOKRATËT URREHEN PËR SHKAK SE NUK KRENOHEN AQ TEPËR ME IDENTITETIN NACIONAL 

Nuk është larg mendsh që AfD t'ia kalojë SPD-së nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme

Shkruan: Tony Barber 

Problemet e Qendrës evropiane të majtë nuk dinë të sosur. Në zgjedhjet e Italisë, të 4 marsit, Partia Demokratike, përkundër një rekordi të respektueshëm në pushtet, me gjasë do të mbetet pas koalicionit djathtist, të udhëhequr nga Silvio Berlusconi, si dhe pas Lëvizjes pesë yjet. Reforma e tregut të punës, stabilizimi i bankave dhe kthimi i rritjes ekonomike, që të gjitha këto janë të lavdërueshme, por është evidente se ato nuk paraqesin formulë për të fituar në zgjedhje. Atë ditë do ta kuptojmë edhe nëse anë- tarët e Partisë socialdemokratike gjermane e kanë mbështetur propozimin e udhëheqësve të tyre për të hyrë në një koalicion tjetër të madh qeveritar, me kristian-demokratët e kancelares Merkel. Vendimi me të cilin ballafaqohet SPD, e ndarë dhe e përfshirë nga një rënie spirale, është agonizuese. Kjo parti do të jetë e mallkuar nëse i bashkohet CDU-së dhe, po aq e mallkuar edhe nëse nuk i bashkohet asaj. Refuzimi i një koalicioni të madh mund të çojë deri te zgjedhjet e parakohshme. Në një anketë të mbajtur tash vonë, mbështetja ndaj SPD-së ishte e ulët, rekord, me 15.5%, prapa Alternativës për Gjermaninë (AfD), partisë më ekstremiste djathtiste që ka hyrë ndonjëherë në Bundestag. Nuk është larg mendsh që AfD t'ia kalojë SPD-së nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme. Një rezultat i tillë në demokracinë më të fuqishme dhe më stabile në Evropë, do të ishte tërmet në themelet e integrimit evropian. 

Sulmet e partive nacionaliste

Por, nëse SPD hyn në koalicion me CDU-në, ajo rrezikon që të vuajë më shumë pasoja në identitetin dhe 'brendin' e saj. Në tërë Evropën, lëvizjet anti-establishment - shpesh nga e djathta radikale - janë duke ua marrë votat socialdemokratëve. Ngritja e tyre është duke e shtyrë qendrën e majtë dhe qendrën e djathtë që të bëjnë koalicione. Kudo, koalicionet e tilla përfundojnë duke lënduar partitë e qendrës së majtë meqë ato ndajnë përgjegjësinë për politika të ashpra ekonomike, fiskale dhe të mirëqenies, të cilat, në anën tjetër, tjetërsojnë votuesit e tyre më besnikë. Në masën më të madhe, establishmenti politik evropian gjatë vitit 2017 përballoi sulmet e partive nacionaliste, populiste. Por, ky sukses fshehu një trend tjetër: vazhdimin e rënies së qendrës së majtë. Partia socialiste e Francës, Partia laburiste holandeze dhe socialdemokratët çekë vuajtën humbje të rënda zgjedhore. Kjo mund të thuhet edhe për SPD-në, e cila mori 20.5% të votave në zgjedhjet e shtatorit për Bundestag, gjë që është performanca më e keqe që nga krijimi i republikës federale në vitin 1949. Perspektiva për dy vitet e ardhshme nuk duket më e ndritshme. Në Belgjikë, ku zgjedhjet do të mbahen në maj të vitit 2019, skandalet e korrupsionit janë duke shteruar mbështetjen ndaj socialistëve frankofonë, dikur dominues në regjionin Valonia. Shokët e tyre holandisht-folës në Flandri, shpresojnë ta kompensojnë rënien e tyre duke e pastruar partinë nga liderët e gardës së vjetër. Partitë majtiste di të mposhten gjerësisht në zgjedhjet e prillit në Hungari dhe në zgjedhjet e ardhshme në Poloni, që pritet të mbahen kah fundi i vitit 2019. Është shumë lehtë që kjo t'i atribuohet vetëm rënies së sundimit të ligjit dhe konkurrencës së drejtë politike nën udhëheqjen e kryeministrit Viktor Orban, respektivisht të liderit polak, Jaroslaw Kaczynski. E majta hungareze është e ndarë dhe e njollosur me një mungesë të kompetencës në qeveri, para vitit 2010. Në Poloni, ku partitë majtiste nuk fituan asnjë ulëse në zgjedhjet e vitit 2015, partia konservatore nacionaliste e Ligjit dhe drejtësisë, është e popullarizuar, pjesërisht për shkak të përqafimit të mençur të politikave sociale majtiste, mbi të gjitha, të një skeme dorëlirë të përfitimit të fëmijëve. Sikur që tregon ky shembull, rënia e socialdemokracisë së organizuar nuk d.m.th. se politikat sociale dhe ekonomike, që normalisht lidhen me të majtën, e kanë humbur apelin e tyre. Përkundrazi, me miliona votues duan një shtet mbrojtës të mirëqenies dhe janë të zemëruar rreth rrezikimit të vendeve të punës, pabarazisë sociale dhe globalizimit të egër. Problemi është se shumë votues thjesht nuk i besojnë Qendrës së majtë. 

Pikëpamja progresive

Në dekadën e parë të këtij shekulli, një numër i madh i socialdemokratëve toleruan teprimet më të këqija të kapitalizmit financiar, e më pas bashkëpunuan me qendrën e djathtë. Votuesit po ashtu e qortojnë Qendrën e majtë për një krenari tepër të vogël me identitetin nacional dhe për mungesën e kurajës për t'u konfrontuar me problemet që dalin nga imigracioni në komunitetet lokale. Pikëpamja progresive dhe ndërkombëtare e socialdemokracisë është shëndosh e mirë. Por, sa më gjatë që ajo të dështojë që të adresojë shqetësimet e votuesve rreth vlerave kulturore dhe pasigurisë së gjerë ekonomike, aq më shpejt qendra e vjetër, e majtë do t'ia hapë varrin vetvetes. Ndoshta eksperimenti më i pazakontë në përtëritjen e qendrës së majtë është duke u zhvilluar në mesin e socialdemokratëve të Danimarkës. Mette Frederiksen, lideri i kësaj partie që nga viti 2015, kombinon një qëndrim të ashpër ndaj refugjatëve dhe imigrantëve, me një kritikë ndaj 'kapitalizmit të sëmurë' dhe me një mbrojtje të shtetit social. Në çështjet e tilla, socialdemokratët janë duke ndërmarrë hapin jo konvencional të mbajtjes së qëndrimit të njëjtë me Partinë popullore daneze, që ka qëndrim kundër imigrantëve. Deri në një masë të caktuar, kriza e qendrës së majtë është pjesë e krizës së përgjithshme të demokracisë reprezentative në Evropë. Ky është një ngushëllim i vogël dhe i parëndë- sishëm. Bile as SPD, partia më e respektueshme socialdemokrate në Evropë, nuk ka një të drejtë hyjnore për të ekzistuar. Nëse duam që historianët në të ardhmen të mos konkludojnë se socialdemokracia e shkatërroi vetveten në fillim të shekullit XXI, tani është koha që qendra e majtë të ofrojë përgjigje ndaj pyetjeve të bëra kaherë. 

(Kosova Sot)