A do t'ia kalojë Kina Perëndimit?

A do t'ia kalojë Kina Perëndimit?
  • 18 March 2018 - 09:40

RRITJA EKONOMIKE

Një numër gjithnjë e më i madh i kompanive kineze, janë duke kuptuar se duhet të aplikojnë inovacione 

Shkruan: EDMUND S. PHELPS

Tani, biznesmenët dhe sipërmarrësit kinezë nuk janë duke manifestuar vetëm një zell më të madh sipërmarrësor për t'u përshtatur me rrethanat e reja, por edhe dëshirën dhe kapacitetin për të bërë vetë zbulime, në vend që, thjesht, të kopjojnë atë që tanimë është shpikur

Që nga fillimi i shekullit XIX e deri në fillim të shekullit XX, vendet perëndimore ia atribuonin rritjen e tyre ekonomike zbulimeve të 'shkencëtarëve dhe navigatorëve'. Një vendi i nevojitej vetëm 'zelli' për të zhvilluar aplikacione 'evidente' komerciale dhe të ndërtonte ngrehina që plotësonin kushtet për produktet e reja. Deri vonë edhe kinezët besonin të njëjtën gjë. Por tani, biznesmenët dhe sipërmarrësit kinezë nuk janë duke manifestuar vetëm një zell më të madh sipërmarrësor për t'u përshtatur me rrethanat e reja, por edhe dëshirën dhe kapacitetin për të bërë vetë zbulime, në vend që, thjesht, të kopjojnë atë që tanimë është shpikur. Me të vërtetë, një numër gjithnjë e më i madh i kompanive kineze, janë duke kuptuar se duhet të aplikojnë inovacione, me qëllim që të depërtojnë dhe të qëndrojnë në ekonominë globale. Disa kompani, kryesisht Alibaba, Baidu dhe Tencent, arritën që të depërtojnë, duke ofruar një infrastrukturë të epokës digjitale e cila lehtëson aktivitetin inovativ. Dhe, kompanitë industriale së fundmi janë orientuar kah robotët dhe inteligjenca artificiale. 

Çdo industri operon përballë një të ardhmeje kryesisht të panjohur

Nga ana e saj, qeveria e Kinës ofron mbështetje ndaj bizneseve kineze që zhvillojnë një kapacitet për inovacione origjinale. Nuk ka dyshim se inovacionet e tilla janë gjithnjë e më të vlefshme në një kohë kur ato janë të dobëta në Perëndim, ku rritja në faktorin e përgjithshëm të produktivitetit (TFP) ka vazhduar me rënien e saj të gjatë. Gjatë viteve të fundit, qeveria e Kinës ka filluar me iniciativa, që kanë për qëllim rritjen e sipërmarrë- sisë dhe inovacionit. Kjo ka shkurtuar shumë procesin e formimit të një kompanie të re. Ajo ka ndërtuar një numër të madh të shkollave të reja, ku fëmijët kinezë mësojnë më shumë rreth botës me të cilën do të ballafaqohen. Dhe, tash vonë, Kina lehtësoi hyrjen e ekspertëve të huaj për të punuar në projekte të reja në sektorin e biznesit. Autoritetet po ashtu kanë vërejtur rëndësinë e lejimit të një konkurrence më të madhe në ekonomi. Individët duhet të jenë të lirë që të formojnë kompani të reja dhe, kompanitë ekzistuese duhet të jenë të lira që të sjellin industri të reja. Konkurrenca zgjidhë shumë probleme, një gjë që sikur ka humbur në Perëndim. Në takimin e Forumit ekonomik botëror në Davos, në janar, zyrtarët kinezë diskutuan rreth reformave themelore që qeveria i prezantoi dy vjet më parë, me qëllim të rritjes së konkurrencës. Fakti kryesor është se, kur sipërmarrjet ekzistuese mbrohen nga hyrësit e ri në treg që sjellin ide të reja, rezultati do të sjellë më pak inovacion dhe më pak 'adaptim' ndaj një bote që ndryshon, nëse mund t'i përdorim shprehjet e Friedrich Hayek-ut. Mund të bëhet edhe një argument tjetër. Në çdo ekonomi moderne, gati çdo industri operon përballë një të ardhmeje kryesisht të panjohur. Sa më shumë që një kompani, apo industri mendon rreth një problemi, aq më shumë ka gjasa që të gjendet zgjedhja për këtë problem. Një kompani e cila është mbajtur jashtë industrisë, mund të dijë diçka çka nuk dinë kompanitë e tjera në industri. Apo, ndonjë përvojë unike, një personi mund t'i ketë sjellë "dituri personale" e cila është e pamundur që të transferohet te të tjerët, të cilët nuk e kanë pasur këtë përvojë. Pa marrë parasysh rastin, shoqëria përfiton kur të huajt, që kanë diçka për të shtuar, mund ta bëjnë një gjë të tillë. 

Shkalla e rritjes TFP të Kinës është ngadalësuar për disa vjet

Tërë këtë e dinin teoricienët e mëdhenj të viteve 1920 dhe 1930: Hayek, Frank Knight dhe John Maynard Keynes. Dhe, tani këtë e dinë edhe kinezët, të cilët kuptojnë se një vend përfiton kur kompanitë janë të lira që të garojnë. Duket se Perëndimi e ka harruar këtë. Që nga vitet 1930, pjesa më e madhe e qeverive perëndimore e kanë parë këtë si obligim për të mbrojtur sipërmarrjet ekzistuese nga konkurrenca, qoftë edhe kur ajo vjen nga kompanitë e reja që ofrojnë inovacione. Këto mbrojtje, të cilat vijnë në forma të ndryshme, thuajse kanë dekurajuar shumë sipërmarrje që të dalin me ide të reja dhe më të mira. Historia është e mbushur me dëshmi rreth vlerës së konkurrencës. Në Britaninë e pas luftës, gjatë viteve 1970, industritë kontrolloheshin nga klubet ekskluzive brenda Konfederatës së industrisë britanike, e cila ndalon hyrjet e reja. Derisa Margaret Thatcher u bë kryeministre, në vitin 1979, TFP ngeci. Por, Thatcher ndali praktikat antikushtetuese të Konfederatës dhe TFP e Britanisë filloi përsëri që të rritej deri në mes të viteve 1980. Tani jemi duke parë diçka të ngjashme në Kinë. Deri në vitin 2016, shkalla e rritjes TFP të Kinës është ngadalësuar për disa vjet. Por, që nga reformat e atij viti, kjo ka treguar rritje shtesë. Perëndimi duhet ta trajtojë ngadalësimin e madh të TFP-së së vet, gjë që është duke ndodhur që nga fundi i viteve 1960. Dhënia fund e mbrojtjes nga hyrësit e ri, që kanë ide dhe inovacione të reja, paraqet një fillim të mirë. 

(Edmund S. Phelps, laureat i Nobelit për ekonomi, është drejtor i Qendrës për Kapitalizëm dhe Shoqëri, në Universitetin "Columbia")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)