Kosova rrezikohet çdo ditë nga produktet ushqimore kancerogjene

Kosova rrezikohet çdo ditë nga produktet ushqimore kancerogjene
  • 19 March 2018 - 09:43

Biznesmenët mbrohen nga figurat politike

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ 

Po të ishte vetëm mishi i kalbur lehtë do të kalonim, por në Kosovë Devollët e shesin edhe miellin serb kancerogjen, edhe qumështin pluhur kancerogjen të Ukrainës, si dhe shumë produkte të tjera, dhe kurrë askush nuk u dënua, asnjë fabrikë nuk u mbyll, e asnjë shef nuk doli para gjyqit për helmim të qëllimshëm të popullsisë. Pronarët e tillë duhet të trajtohen kriminelë. Nëse kemi shtet, duhet të kemi edhe ligje, e nëse kemi ligje duhet të dënohen kriminelët. Gjer më tani asnjëherë nuk është bërë ekspertiza e vdekjeve të parakohshme e shqiptarëve me shëndet të mirë

Në Kosovë ekzistojnë grupe të ndryshme biznesmenësh që merren me importimin e mallrave dhe produkteve ushqimore, të cilat një pjesë e rrezikojnë çdo ditë shëndetin e qytetarit tonë me produkte ushqimore të skaduara e madje edhe të kalbura; pjesa tjetër që merret me produktet e naftës po ashtu e rrezikojnë shëndetin, duke sjellë në Kosovë lloje të vajrave kancerogjene ku prej një litër ata i krijojnë njëqind litra naftë, në këtë mënyrë ky rrjet e rrezikon shëndetin dhe makinat e qytetarëve tanë. Ekziston një rrejt biznesmenësh mafiozë me shtrirje horizontale dhe vertikale. Shtrirja e tyre horizontale fillon nga krijimi i pikave të shitjeve të mallrave, nga punësimi i kontabilistëve me biografi të dyshimtë që në shumicën e rasteve janë ishspiunë të sistemit të kaluar, nga shoferët e kamionëve besnikë, kryesisht nga rrethi familjar. 

Bosët e Beogradit

Shtrirja vertikale nënkupton bashkëpunimin e tyre më doganierët e korruptuar si dhe më figura të ndryshme politike mafioze. Qe e keqja e qytetarëve tanë të jetë edhe më e madhe, në krye të krejt këtij rrejti bosi i tyre qëndron në Beograd. Në Kosovë pakkush mundet të bëhet biznesmen i suksesshëm, nëse nuk bashkëpunon më bosin e tij në Beograd. Po të bëhet një hulumtim i mirëfilltë se kush është biznesmen i suksesshëm në vendin tonë, do të kemi këtë rezultat : a) biznesmeni ynë nuk e di asnjë gjuhë të huaj përveç serbishtes, b) biznesmeni ynë nuk ka asnjë ditë shkollë, c) biznesmeni ynë dikur ka shitë speca e tash na shet mish, naftë, hekura të vjetra…, d) janë të pa shpirt, të pamoralshëm dhe pa ndjenja kombëtare. Shumica e biznesmenëve tanë praktikisht janë vetëm menaxherë të bosëve nga Beogradi, por në dokumentet zyrtare të bizneseve të tyre figurojnë si drejtorë të firmave. Më ka rastisur që të njoh disa nga biznesmenët e tillë të suksesshëm dhe shpesh mendoja në veti si ka mundësi që ky individ të jetë milioner kur nuk e di asnjë gjuhë dhe nuk ka lidhje me biznesin që e bën?! Po të rrini me një biznesmen të tillë vetëm një orë, do të vëreni se atij do t'i cingëron telefoni dhe ky bisedën do ta zhvillojë në gjuhën serbishte. Nëse ky biznesmen është me familje, ju do të vëreni se kur shefit i cingëron telefoni, posa ta identifikon numrin menjëherë ia jep djalit apo vajzës që t'i përgjigjet anglisht. Bisedat e tilla telefonike janë të shkurtra dhe arsyetimet e këtyre mafiozëve shqiptarë të lidhur drejtpërdrejt me bosin në Beograd janë naive, duke u përpjekur të na bindin se ka folur kroatisht. Shpesh më ka shkuar mendja se si filan fisteku arriti të bëhet milioner pa asnjë cent në xhep ?! Si është e mundur që një njeri të cilin e njohim e që deri pasluftës nuk e kishte një cent në xhep, sot të bëhet pronar i një firme të madhe milionëshe?! Jam i bindur që secili prej jush që e lexon këtë shkrim ka menduar kështu dhe e ka pyetur veten një lloj si unë. Kush mund të na tregojë se si Devolli që deri pas luftës ka rregulluar biçikleta, sot të jetë multimilioner?! Sikur Devolli t'i kishte ndrequr të gjitha biçikletat e Kosovës dhe të Shqipërisë, kurrë nuk do të kishtearritur të pasurohej! Cili ndreqës i biçikletave në botë u bë milioner?! Të shumtë janë biznesmenët si Devolli që nga asgjë krijuan miliona euro. 

Ku qëndron misteri që nga askushi të shndërroheni në milionerë

Qindra-mijëra qytetarë ia shtrojnë vetes të njëjtën pyetje, se si arritën disa që nga varfëria të shndërrohen në milionerë. Madje shtetasit tanë për të gjetur përgjigje në pyetjen që ia bëjnë vetvetes, fillojnë të blejnë literaturë se si një i thjeshtë arriti të bënte pasuri përrallore. Këto vepra të përkthyera në shqip kanë gjetur një numër të madh lexuesish kryesisht të shtresave të varfra, me shpresë se do e gjejnë kodin sekret të bëhen milionerë, siç janë bërë disa fshatarë dhe qytetarë të afërt të tyre. Kodi sekret që kosovarët të bëhen milionerë është shumë i thjeshtë - të shesin drogë dhe të jenë spiunë të Serbisë. Gjatë periudhës së privatizimit të pasurisë sonë, pasuritë shoqërore janë shitur individëve shqiptarë pa asnjë cent në xhep që në fakt pas tyre financues janë serbët. Pra, para shqiptarëve pronarë janë shqiptarët, kurse pronari i vërtetë qëndron në Beograd, që është e njëjtë si me disa luftëtarë të cilët para shqiptarëve paraqitën komandantë të famshëm e në Hagë thoshin se nuk ka pasur strukturë organizative të UÇK-së. Kjo mënyrë e pasurimit të disa shqiptarëve ka filluar në fund të vitit 1990, kur Millosheviqi i grumbulloi të gjitha fondet e shqiptarëve si ato të televizionit RT Prishtinës, kursimet në banka etj dhe aso kohe Serbia financonte shqiptarët besnikë të Serbisë në Kosovë dhe në diasporë. Janë raste që deshifrohen lehtë si p.sh. para luftës biznesmenët shqiptarë shisnin bileta udhëtarëve në emër të firmave shqiptarë dhe në gjuhën shqipe e në fakt ata udhëtonin më aeroplanë të kompanisë " JAT ". Zyrat e kompanisë " JAT " u mbyllën kudo në metropolet evropiane dhe u hapën zyra të emërtuara në shqip, por pas tyre qëndronte bosi i Beogradit. Të njëjtën praktikë Serbia e ka ndjekur edhe në Kosovën e pasluftës. Të gjithë e dimë se në vitin 2000 shumica e këtyre personaliteteve politike banonin me qira dhe nuk ishin të pasur. Një gjë dihet se me të ardhurat e tyre mujore nuk e bënë milionerë. Gjatë periudhës së privatizimit përmes shqiptarëve besnikë i kanë blerë pasurinë tonë publike dhe sot këta besnikë janë shndërruar në bosë lokal. Këta "bosë" nuk janë as drejtorë e as pronarë, por vetëm menaxherë të cilët fitimin ia paguajnë Beogradit e një përqindje të fitimit e ndalin për vete. Pra, nëse dikush mendon të bëhet milionerë duhet t'i kërkojë ndihmë Serbisë, por ata nuk na besojnë, sepse për të qenë i privilegjuari i tyre duhet që babë e babagjysh të kenë qenë spiunë të tyre

Helmimi me mish dhe miell kancerogjen, i qëllimshëm 

Pasi që këto ditë po flitet për mishin e kalbur mbi 16-vjeçar, tema është aktuale, sepse popullsinë tonë e ka kapur paniku se nga mishi u vjen kanceri dhe vdesin para kohe. Si ka mundësi që mishi i kalbur me kamionë të futet pa u kontrolluar nga inspektorët e shëndetësisë. Si ka mundësi që kamionët të kalojnë doganën pa asnjë kontroll?! A e dinë shefat e firmave të mishit që po e helmojnë popullin e vetë?! Do mundohem të gjej një përgjigje shumë reale pasi që kohë më parë i kam njohur disa "shefa" që merren më shitblerje të mishit. Ata "shefa" të cilët i kam njohur personalisht përafërsisht e di si kanë funksionuar. Shefat tanë kur u soset malli i bëjnë telefon kontaktit të tyre në Beograd, i cili ka kontakte në pronarë gjigantë në Brazil dhe vende tjera të botës. Përmes bosit nga Beogradi u vjen malli në Kosovë. Dogana në Kosovë as që i kontrollon, sepse shefat janë të lidhur ngushtë më doganierët. Nuk duhet të habiteni kur shefat tanë do t'i takoni në restorante luksoze bashkë me doganierët tanë. Nuk duhet të habiteni nëse qëlloni në ato takime kur shefi i jep urdhër doganierit e ai nuk hidhërohet. Mishi i kalbur futët lirshëm në Kosovë, sepse funksionon zinxhiri i korrupsionit. Kjo është duke ndodhur që nga ditët e para të pasluftës dhe tani vazhdon më fuqishëm, sepse edhe shefat janë pasuruar më shumë dhe kanë kapacitete të blejnë me shumicë. Për të evituar që bosët e Beogradit të kenë influencë në Kosovë, në vitin 2001 e ftova në Kosovë pronarin më të pasur në Evropë që shet mish. Kompanive shqiptare të mishit u ofroi mish më çmime të volitshme, por shefat tanë kosovarë u përgjigjën se ka mish shumë më lirë se sa propozonte pronari evropian. Çmimi që kosovarët e kërkonin ishte qesharak dhe që nuk gjendej e ende nuk gjendet në asnjë vend të botës, përveç mishit të kalbur apo mishi i lopëve të çmendura ose i pulave të sëmura të destinuara për t'i djegur e jo për t'u shitur. Pra, që nga paslufta shqiptarët ushqehen me mish të kalbur, me mish të lopëve të çmendura dhe pulave të sëmura dhe askush ende nuk ka guxim të marrë masa për ndalimin e hyrjes së mishit të kalbur në Kosovë.

Shefat e dinë që e helmojnë popullsinë tonë, mirëpo këta janë të verbuar nga pasuria 

Po të ishte vetëm mishi i kalbur lehtë do kalonim, por në Kosovë Devollët e shesin edhe miellin kancerogjen dhe kurrë askush nuk u dënua, asnjë fabrikë nuk u mbyll, e asnjë shef nuk doli para gjyqit për helmim të qëllimshëm të popullsisë. Pronarët e tillë duhet të trajtohen kriminelë. Nëse kemi shtet, duhet të kemi edhe ligje, e nëse kemi ligje duhet të dënohen kriminelët. Gjer më tani asnjëherë nuk është bërë ekspertiza e vdekjeve të parakohshme e shqiptarëve me shëndet të mirë. Qytetarët tanë po vdesin para kohe nga kanceri e askush kurrë nuk është interesuar t'i bëjnë ekspertizat. Qytetarët tanë helmohen në restorant gjatë ushqimit e askush nuk ndërmerr masa për të kërkuar shkakun e helmimeve në restorante! Nxënësit e shkollave helmohen me akullore apo ushqime të ndryshme masovikisht e askush nuk kujdeset që ato lokale të mbyllen e pronari të dënohet duke paguar dëmshpërblim nxënësve të helmuar e qytetarëve të helmuar. Pronaret e firmave që shesin mish të kalbur, ata janë kriminelë të cilët jo vetëm që shteti duhet t'ua mbyll firmat, por edhe t'i dënojë me burg. Pronarët e firmave të fabrikës së miellit që shesin miell të skaduar, mill të destinuar për kafshë e shesin për popullin tonë, janë kriminelë që duhet të dënohen me burg të rëndë. Cili pronar shitës i mishit të kalbur u dënua? Cilit iu mbyll depoja? Cilit iu ndaluar përjetësisht të merret me tregti që e helmuan popullin?! Pse quhet fabrika e miellit, kur ato janë vetëm depo, që e grumbullojnë miellin e sjellë nga Serbia e Rusia?! Pse quhen fabrika të mishit kur ato shërbejnë vetëm si depo për të deponuar mishin e kalbur të sjellë nga Brazili, Belgjika e Rusia? A kemi shtet dhe ligje?! Nëse vërtet kemi shtet, pse asnjë tregtar nuk u dënua për helmimin e popullsisë sonë të varfër?! Për vdekjet e parakohshme të shqiptarëve, janë gazetarët pro politikës serbe të cilët bëjnë emisione dhe debate televizive në të cilat e akuzojnë NATO-n. Keni dëgjuar se në këto emisione thuhet dhe konfirmojnë disa gazetarë tanë spiunë të Serbisë, se vdekjet nga kanceri shkaktohen nga Uraniumi i varfëruar i shpërndarë nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe. Asnjë gazetar nuk e merr guximin të hulumtojë shkakun e vërtetë të vdekjeve të shqiptarëve nga kanceri, sepse kështu e do Serbia. Serbia na helmon ngadalë e ne heshtim! Serbia na pi gjakun me pambuk e ne heshtim. Heshtin gazetat e heshtin televizionet, sepse kështu e do Serbia. Shumë vite më parë një shoqatë shqiptare e kishte bërë një projekt për dekontaminimin e arave dhe maleve tona nga Uraniumi i varfëruar dhe kishte kërkuar disa dhjetëra milionë euro nga BE. Pasi bënë hetimet rezultonte se pas kësaj shoqate kosovare fshiheshin bosët e Beogradit dhe ky projekt nuk u realizua e pastaj filluan debatet televizive kundër NATO-s. Ne helmohemi në mënyrë sistematike, e qeveria jonë hesht! Ne helmohemi jo vetëm me mish e me miell, por edhe nga të gjitha produktet tjera të importuar nga Serbia, e qeveria jonë kurrë nuk ia filloi të ndalonte mallrat e helmuara! Qeveria jo vetëm që nuk marrin masa kundër mallrave, por edhe i mbajnë të fshehura firmat që vullnetarisht na helmojnë! Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk e zbulon firmën që na helmon! Zëdhënësi i doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, nuk e zbulon emrin e kompanisë shqiptaro-serbe që na helmon! Zyrtari për informimi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, nuk e zbulon kompaninë që e helmon popullin tonë! Shtrohet pyetje se Baki Kelani e mbron popullin apo mafiozët, kriminelët që e helmojnë popullin në çdo minutë të jetës?! Ne mjeranët e këtij shteti duhet të presim vdekjen e ngadalshme që na helmojnë pa guxuar të bëjmë pyetje, pa guxuar të kërkojmë drejtësi, e plus pa liberalizim të vizave.

NË KOSOVË PAKKUSH MUND TË BËHET BIZNESMEN I SUKSESSHËM, NËSE NUK BASHKËPUNON MË BOSIN E TIJ NË BEOGRA

(Kosova Sot)