Diplomacia e Shqipërisë, jo në diskurs me interesin e përgjithshëm shqiptar në Ballkan

Diplomacia e Shqipërisë, jo në diskurs me interesin e përgjithshëm shqiptar në Ballkan
  • 20 March 2018 - 09:30

Analizë shkencore për nevojën e bashkimit kombëtar

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Duke qenë se Shqipëria gëzon simpatinë dhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare (si vend dhe partner i rëndësishëm strategjik i NATO-s në rajon i Evropës Perëndimore), në radhë të parë të SHBA-së, ka ardhur koha që politika e jashtme dhe diplomacia e saj, të hidhet në ofensivë, të zgjohet nga "vdekja klinike", dhe të dinamizohet në të gjitha dimensionet e saj

Përmbledhje

Fati historik e deshi që pas 100 vitesh (1912-1999), Amerika së bashku me NATO-n dhe me aleatët e saj evroperëndimorë e çliroi, e pavarësoi dhe e shpëtoi Kosovën nga Serbia kolonialiste gjenocidale. Mirëpo, kjo, në asnjë mënyrë, nuk do të thotë, që ta heshtim dhe, për më tepër, ta konsiderojmë të mbyllur problemin e pazgjidhur kolonial shekullor të gjysmës së kombit shqiptar dhe të gjysmës së territoreve të Shqipërisë Etnike. Në favorin e këtij konstatimi është edhe vlerësimi aksiomatik i "Platformës për Zgjidhjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare" së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1998), ku thuhet se "çështja kombëtare shqiptare është një çështje ende e pazgjidhur."(f.50). Ndërkaq, ish-kryeministri i qeverisë së Shqipërisë (2001), tani president aktual i Shqipërisë, Ilir Meta e ka hedhur poshtë këtë aksiomë të ASHSH-së, duke pohuar botërisht se "nuk ekziston çështja kombëtare shqiptare". Përkundrazi, politika e jashtme dhe diplomacia shqiptare, tanimë, pasi Shqipëria ka mbështetjen e Amerikës dhe të NATO-s (si anëtare me të drejta dhe detyrime të plota, që nga 4 prilli 2009[1]) kanë shansin historik, që të riaktualizojnë zgjidhjen e çështjes koloniale shqiptare dhe të gjysmës së Shqipërisë Etnike, duke kërkuar mbajtjen e një Konference ndërkombëtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye dhe me aleatët e saj tradicionalë evroperëndimorë. Ndryshe, po qe se edhe më tej heshtet problemi kolonial i shqiptarëve (1912-2017), përgjegjësinë historike, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare, do ta mbajë politika dhe diplomacia e Shqipërisë londineze, (e cila ushtarakisht nuk e mori në mbrojtje Kosovën për ta shpëtuar nga terrori shtetëror dhe gjenocidi i Serbisë (1989- 199), jo as Evropa, as Amerika e as NATO-ja. Me integrim ekonomiko-politik, tregtar, kulturor dhe diplomatik të Shqipërisë në "Ballkanin Perëndimor" (ku pa dyshim do të dominojë elementi serbo-sllav sikurse 100 vitet e shkuara të shekullit XX) sipas modelit të inkarnuar të "Jugosllavisë Titiste", është utopi e shkretë të mposhtet sundimi kolonial sllav në Shqipërinë Etnike! Fjalët kyçe: Shqipëria Etnike, Amerika, BE-ja, NATO, Shqipëria londineze (1913), "Ballkani Perëndimor", Serbia kolonialiste dhe gjenocidale, problemi i pazgjidhur kolonial i gjysmës së kombit shqiptar dhe i Shqipërisë Etnike, ribashkimi kombëtar.

 Hyrje

Që nga hyrja në etapën e re të marrëdhënieve ndërkombëtare, pas rënies së sistemit bipolar(1989)[2], edhe diplomacia e Shqipërisë të gjitha përpjekjet dhe objektivat e saj i ka përqendruar në procesin e transformimit, se si të bëhet pjesë integrale e zhvillimit dhe e sigurisë ndërkombëtare. S'ka dyshim se, një orientim i këtillë është kompatibil me kërkesat dhe me realitetet e reja të zhvillimit dhe të integrimit të BE-së. Mirëpo, duke mbajtur parasysh faktin se politika e jashtme është e kushtëzuar nga politika e brendshme, e cila në radhë të parë karakterizohet nga mbrojtja e interesit nacional dhe shtetëror, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja, se në çfarë stadi është përfillur kjo vlerë fundamentale në realizimin e objektivave prioritare të strategjisë së politikës së jashtme të Shqipërisë në dekadën e fundme të shekullit XX dhe në dy dekadat e para të shekullit XXI. Duke u mbështetur në doktrinën dhe në praktikën e së drejtës ndërkombëtare, në raportin e forcave politike ndërkombëtare, si dhe në rrethanat e krijuara politike në Evropë pas shthurjes së sistemit bipolar të dy superfuqive botërore (SHBA - ishBashkimi Sovjetik) në vitin 1989, duhet të merret në konsideratë dhe të shqyrtohet gjithanshmërisht statusi, pozita dhe gjendja e shqiptarëve dhe e territoreve të copëtuara dhe të kolonizuara të tyre etnike nga hegjemonizmi serbosllav, në mënyrë që, t'u njihet e drejta e plotë e vetëvendosjes, dhe e rikthimit nën juridiksionin administrativo-shtetëror të Shqipërisë Etnike. Pavarësisht nga tezat dhe "fërkimet" ideologjiko-politike" spekuluese, të njëanshme dhe të papeshuara në kontekstin e mbrojtjes së interesit nacional të përgjithshëm, që i referohen kërkesës madhore gjithëshqiptare (që në të shumtën e rasteve karakterizohen nga miopia e interesit egoist individual dhe lufta për pushtet në aleancë të përbashkët me sunduesit e huaj kolonialistë sllavë, vrazhdësia utilitariste dhe sektariste e oponentëve të ndryshëm), kuintesenca e saj pikërisht provon se historikisht është e drejtë, politikisht e qëndrueshme dhe racionale, de jure e pakontestueshme.

Në potez-diplomacia e vonuar shqiptare

-Çfarë po pritet, pse shtetarët shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, ende nuk po kërkojnë nga SHBA-ja dhe nga BE-ja mbajtjen e një Konference ndërkombëtare për Ballkanin, ku nga pala shqiptare, do të shtrohej kërkesa historike për ridefinimin e kufijve të Shqipërisë Etnike, dhe të zgjidhjes së çështjes koloniale shqiptare në Ballkan, ku rolin historik dhe vendimtar, do të duhej ta luante diplomacia shqiptare, natyrisht, nëse në agjendën e interesave të saj prioritare ndodhet edhe statusi pazgjidhur i shqiptarëve të kolonizuar në Ballkan. Duke qenë se Shqipëria gëzon simpatinë dhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare (si vend dhe partner i rëndësishëm strategjik i NATO-s në rajon i Evropës Perëndimore), në radhë të parë të SHBA-së, ka ardhur koha që politika e jashtme dhe diplomacia e saj, të hidhet në ofensivë, të zgjohet nga "vdekja klinke", dhe të dinamizohet në të gjitha dimensionet e saj, në mënyrë që të shfrytëzojë vakumin e krijuar në marrëdhëniet ndërkombëtare pas ndryshimeve dramatike, sidomos në hapësirat e pjesës lindore të Evropës Qendrore, sepse kësisoj do t'ia arrinte, që t'i realizonte "interesat prioritare" kombëtare, gjë që kjo tani, ( e pëlqyen apo nuk e pëlqyen armiqtë kolonialistë sllavomëdhenj), duhet të jetë objektivi parësor afatgjatë i politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Prandaj, asgjë nuk guxojmë t'ia lëmë rastit, mbase në politikë dhe diplomaci iluzionet dhe gabimet janë me pasoja fatale, dhe të pakorrigjuara, sepse faturën e tyre e paguan vetë populli, e jo shtetarët, që marrin vendime të gabuara në emër dhe në llogari të tij. Së këndejmi, as krerët e politikës zyrtare shqiptare, nuk duhet të harrojnë detyrimet e tyre ndaj interesit të përgjithshëm të kombit dhe të shtetit etnik shqiptar, sepse mbajnë përgjegjësi ligjore mbi tri baza: a) përgjegjësi nacionale, b) përgjegjësi ndërkombëtare dhe c) përgjegjësi humanitare. Sipas konceptit të parë, shtetarët, pikësëpari janë përgjegjës për mirëqenien e shtetasve të vet në planin e mbrojtjes së interesit dhe të sigurisë kombëtare. Meqenëse këto janë ndër vlerat më fundamentale për shtetin dhe për kombin, atëherë as politika e jashtme e Shqipërisë, nuk mund të ndërtohet as të zhvillohet pa marrjen e tyre në konsideratë. Nuk mund të ketë politikë të jashtme as kurrfarë diplomacie, po qe se ajo në radhë të parë nuk është në gjendje t'i marrë në mbrojtje me çdo kusht sigurinë dhe interesin nacional të shtetit si në kuptim të ngushtë, ashtu edhe në atë të gjerë(duke mbajtur parasysh faktin se mbi 4 milionë shqiptarë, momentalisht ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme të cunguar). Ky standard i vlerësimit të politikës së jashtme është i njohur në shkencën politike, që nga periudha e Makiavelit, sipas të cilit "kombi dhe shteti" përherë janë plan të parë. Po mbi këtë bazë, është zhvilluar dhe është i vlefshëm, edhe koncepti i sotëm i këtyre dy vlerave, abuzimi i të cilave sjell pa dyshim edhe në shkatërrimin e shtetit dhe të kombit, e kurrsesi nuk çon në integrimin ose në përparimin e marrëdhënieve ndërshtetërore a ndërkombëtare.

Shqiptarët, gjithmonë ua kanë shtrirë dorën e pajtimit kolonëve sllavë ballkanikë

Në këtë vështrim janë shprehur edhe dy shkencëtarë të njohur të shkencës së marrëdhënieve të sotme politike ndërkombëtare, Robert Jackson dhe Georg Sorenson, të cilët pohojnë se: "Shtetet kanë obligime ndërkombëtare, që nuk mund të vijnë në shprehje, para interesave të tyre nacionale".[3]

Po në këtë frymë, këta autorë e kanë pasqyruar me vërtetësi, edhe këtë konstatim aksiomatik të ish-presidentit të Francës, Sharl Dë Gol (1961) : " Për Francën si shtet i madh, është e patolerueshme, që të heqë dorë nga përcaktimi i fatit të vet në favor të vendimeve dhe të veprimit të një shteti tjetër (SHBA-së), kjo mund të bëhet për hir të miqësisë… por shteti i integruar e humbas interesin në mbrojtjen e tij nacionale, duke qenë se për këtë, ai nuk mund të jetë përgjegjës".[4]

Nga kjo shihet qartazi se, (edhe pse Franca ka pasur statusin e një fuqie të madhe botërore) Dë Goli (në vazhdimësinë kohore, si president i Francës gjatë viteve 1958-1968) nuk është pajtuar me "procesin e integrimit të detyrueshëm", kështu që, botërisht dhe në mënyrë racionale ka insistuar ta mënjanojë përgjegjësinë e tij nacionale dhe ndërkombëtare. Në parim, bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm, si dhe janë të preferueshme lidhjet në procesin e integrimeve të ndryshme ekonomike, politike, ushtarake e kulturore ndërkombëtare, por jo me çdo kusht, dhe në favor të ruajtjes së "ekuilibrit" të forcave politike ndërkombëtare, me ç'rast pa dyshim dëmtohet interesi nacional i shteteve të vegjël, sikurse që është sot i rrezikuar, dhe i cënuar në mënyrë flagrante interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në Ballkan. Shqiptarët, gjithmonë ua kanë shtrirë dorën e pajtimit kolonëve sllavë ballkanikë, por këta kanë bërë të kundërtën-spastrim etnik dhe gjenocid për t'ua grabitur shtëpitë dhe tokat e tyre të Shqipërisë Etnike (1815-2018). Edhe pse gjatë historisë së deritashme të marrëdhënieve shqiptareserbosllave, filozofia e politikës shqiptare gjithmonë ka pasqyruar dëshirën dhe vullnetin për bashkëpunim të ndërsjellë me politikat shtetërore sllave në Ballkan, këto asnjëherë deri më sot nuk kanë arritur të promovohen si të tilla, por gjithmonë kanë qenë të keqinterpretuara dhe të keqpranuara nga ana e politikës imperialiste sllave në Ballkan. Këtë e dëshmon edhe "fryma internacionaliste" e rilindësit të famshëm shqiptar, Naim Frashëri, kur thotë: " Ne me sllavët e me grekët, me të gjithë fqinjët tanë, duam të rrojmë ngaherë në harmoni, si vëllezër, veç e drejta e secilit gjithnjë të respektohet. Sot, tiranin e prêt vdekja, pra nuk duhet të luftojmë, si armiq me njëritjetrin ; miq të jemi në një mendje… Poshtë pra, trazirat, grindjet, rroftë e qoftë vëllazëria".[5]

Prandaj, konstanta historike e kësaj "devize" e politikës internacionaliste kozmopolite shqiptare ndaj sllavëve të Ballkanit, ka qenë fatale për mbrojtjen e interesit të përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror të shqiptarëve në Ballkan. Si rrjedhim, kjo edhe ka ndikuar pozitivisht në ruajtjen dhe në kultivimin e traditës shoviniste serbomadhe dhe grekomadhe, flamurtare të së cilës kanë qenë dhe, edhe sot janë : "Naçertania" e Ilia Garashaninit (1844)[6] dhe "Megal-ideja". Sipas autorit Pëllumb Xhufi " Deri në mesin e shekullit XX, nëse bëjmë përjashtimin e një ndërprerjeje të shkurtër si ajo e qeverisë Pangallos (1925-1926), politika e shtetit grek ndaj Shqipërisë ka qenë një shprehje autentike e konceptit "MegaliIdea". Në vitin 1840, kryeministri grek Kolektis e cilësoi Epirin si një nga drejtimet kryesore të zgjerimit të shtetit grek, vetëm për të realizuar programin politik të MegaliIdea.

Defaktorizimi i politikës së jashtme

Sot, vërtet, politika e jashtme dhe diplomacia e Shqipërisë ndodhet para shumë problemeve të pazgjidhura drejt reformave të saj ekonomike, politike dhe të demokratizimit të vendit, mirëpo, (me gjithë premtimet e deritashme disavjeçare të titullarëve të partnerizmit integrues në Evropë) hëpërhë këto kanë ngelur ende të pazgjidhura, ngase janë të kushtëzuara dhe të ndërvarura drejtpërdrejt dhe tërthorazi me problemet ekzistuese të shteteve sllave në rajon, të cilat reflektojnë si rrjedhojë e politikës së tyre të diktatit ndaj kufizimit dhe bllokimit të politikës së jashtme zyrtare të Shqipërisë (sikurse më 1946, kur Greqia armike e bllokoi, jo më pak se 10 vjet, që të mos bëhej anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara deri në vitin 1955), në mënyrë që asaj t'i imponohej "harresa" e aktualizimit të fenomenit të gjenocidit shekullor serbo-sllav (i cili sipas ligjeve ndërkombëtare nuk mund të parashkruhet, edhe pse kanë kaluar shekuj, qëkur Serbia e Madhe e ka ushtruar atë mbi shqiptarët dhe mbi territoret indigjine shqiptare, sikurse në vitin 1998-1999 në Kosovë) dhe të çështjes së pazgjidhur koloniale të shqiptare në Ballkan. Në këtë kuptim, për të defaktorizuar totalisht rolin e politikës së jashtme dhe të diplomacisë së Shqipërisë, diplomacia e Beogradit ia ka arritur qëllimit të shumëfishtë, ngase më 2 shtator 2002, arriti që së fundi t'i normalizonte marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Ky potez i qarqeve zyrtare të Tiranës, jo vetëm se është i dëmshëm edhe për interesat parciale të çastit të vetë Tiranës, por, ka edhe karakter dihotomik para bashkësisë ndërkombëtare, sepse e ka vënë në dilemë dhe para aktit të kryer, se gjetja e "gjuhës së përbashkët" e politikës zyrtare e Tiranës me regjimin antidemokratik dhe antishqiptar të Beogradit, është "argumenti më i qëndrueshëm", se në Ballkan "nuk ekziston çështja e pazgjidhur shqiptare". Këtë të pavërtetë, për fat të keq e pat deklaruar edhe Ilir Meta si ish-kryeministër ( 2001, kurse sot, më 2017, president i Shqipërisë) në Konferencën ndërkombëtare të vendeve ballkanike me temë "Strategjia e qeverisjes në fillim të shekullit XXI", bërë në Athinë të Greqisë, më 4 prill 2001, deklaroi se "Zgjidhja e problemit të të gjitha bashkësive shqiptare në Maqedoni, në Serbi, në Kosovë dhe në Mal të Zi, nuk qëndron në bashkimin e tyre në një shtet të përbashkët, sepse kjo nuk ka kurrfarë gjasash ngaqë sërish shkakton mllefin e së kaluarës."[8]

Nuk ka asnjë dilemë se kjo deklaratë e Ilir Metës është me karakter antihistorik, antikombëtar dhe antishtetëror, sepse shpërfillur të drejtën historike të kombit shqiptar mbi Shqipërinë Etnike, si dhe ka hedhur poshtë dhe ka mohuar " Trurin t shqiptar-Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e cila ka vlerësuar se, jo vetëm se ekziston, por ende nuk është në rrugën e zgjidhjes "Çështja Kombëtare Shqiptare". Kjo, është edhe arsyeja kryesore, pse Akademia e Shkencave e Shqipërisë në vitin 1998 ka miratuar Platformën e saj përkatëse për zgjidhjen e "Çështjes Kombëtare Shqiptare në Ballkan", ku thuhet se " Deri sot ky bashkim nuk është arritur jo për faj të shqiptarëve. Përkundrazi, gjysma e trojeve etnike shqiptare ndodhet ende nën zgjedhën e disa shteteve të huaja. Si rrjedhim, çështja kombëtare shqiptare është një çështje ende e pazgjidhur…"[9]

Gjithashtu, kjo deklaratë e Ilir Metës, është " Një përbuzje, një margjinalizim, një shpërfillje dhe një vetëmohim i tillë i së drejtës natyrore, historike, politike, kombëtare dhe demokratike, para së gjithash është në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë: " Me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar (Preambula),…Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. Neni 8, paragrafi 1, pika 1."[10]

Në anën tjetër, pikërisht, shikuar nga aspekti i gjerë i interesave dhe i politikës gjithëkombëtare shqiptare, me plot arsye ka shkaktuar mosbesim dhe skepticizëm, se strategjia e politikës së jashtme të Shqipërisë për interesa vetjake, afatshkurtra dhe të verbra, heshtazi dhe haptazi (në emër dhe, për hir të ndërlidhurisë së interesave tregtare, ekonomike, të biznesit "integrues" dhe të "demokratizimit" në vorbullën e amullt serbosllave) ka marrë anën e mbrojtjes së interesave dhe favoreve të "paidentifikuara" të imperializmit sllav në hapësirat e kolonizuara të Shqipërisë Etnike. Këtë e mbështet edhe kjo deklaratë zyrtare e ish-kryeministrit të Serbisë, Prof.Dr.Zoran Gjigjiq, i cili e pat vlerësuar lart deklaratën zyrtare të ishkryeministrit Ilir Meta (e qartë, dhe më se e kuptueshme, historikisht, gjithmonë politika, diplomacia e shtetit serb, shkenca dhe kisha politike serbe kanë vlerësuar lart, i kanë shpërblyer dhe i mbajnë si heronj dhe miq të tyre Esat Pashë Toptanët e djeshëm dhe të sotëm -M.H.) se "nuk ekziston çështja kombëtare në Ballkan". Ndërkaq, për këtë nonsense politik dhe diplomatik shtetëror të Tiranës zyrtare, Z.Gjingjiq e falënderon shumë I.Metën, duke u shprehur " Se e kishin gëzuar shumë qëndrimet e kryeministrit të Shqipërisë, Ilir Meta me të cilin kishte biseduar në Athinë. Unë, për herë parë dëgjova nga një kryeministër shqiptar, cili qartazi e tha se për të nuk ekziston çështja shqiptare, por vetëm problemet e shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoni, në Serbinë Jugore. Këta shqiptarë problemet e tyre, duhet t'i zgjidhin në kuadrin e shteteve të tyre. Veç kësaj, Meta tha se ndryshimi i kufijve, do të ishte katastrofik, prandaj, Shqipëria absolutisht është kundër ndryshimit të tyre."[11] vijon

(Autori është anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve të Nju-Jorkut, SHBA)

(Kosova Sot)