Shteti në Shqipëri e në Kosovë funksionon si instrument i korrupsionit juridiko-politik

Shteti në Shqipëri e në Kosovë funksionon si instrument i korrupsionit juridiko-politik
  • 20 March 2018 - 09:38

Pa drejtësi nuk ka shtet dhe pa shtet nuk ka drejtësi

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Personat apo individët e veshur me pushtet, si politikanët, kryeministrat, ministrat, kryekomunarët, kryebashkiakët, gjyqtarët e prokurorët dhe funksionarët e administratës, këta që quhen publikisht "peshq të mëdhenj", në vend që të jenë e të sillen si shërbëtorë ndaj shtetit dhe shoqërisë e individëve të saj, ata sillen pa pikë përgjegjësie dhe nuk i shërbejnë publikut dhe qytetarëve, por vetëm përfitimit dhe interesave personale, duke abuzuar rëndë me fuqinë e pushtetit të tyre

Nevoja që kanë individi dhe shoqëria njerëzore për siguri dhe për drejtësi i çon ata në detyrimin që të organizohen në shtet, pra që të ndërtojnë shtetin. Dhe pa drejtësi nuk ka shtet dhe pa shtet nuk ka drejtësi. Prandaj dhe kohët moderne i kanë dhënë emërtesën shtetit demokratik si shtet ligjor ose si shtet i së drejtës dhe si Shqipërisë dhe Kosovës u është vënë si kusht dhe si detyrë apo edhe si presion për integrimin evropian, ndërtimi i shtetit ligjor modern me standarde dhe me vlera moderne shtetformuese. Ky është vënë si kusht pasi si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në të dy shtetet mungesat më të mëdha në to janë mossundimi dhe moszbatimi i ligjit, korrupsioni, vjedhja dhe krimi. Ky realitet vjen prej asaj se si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë politika, pushtetet, drejtësia, administrata dhe postet e detyrëmbajtësit e përdorin shtetin si vegël dhe si mjet krimi, përfitimi, abuzimi, korrupsioni dhe avantazhi personal për interesa personale. Korrupsioni dhe kriminalizimi i sistemit politiko-juridik konsiston në abuzimet që bëjnë pushtetet dhe pushtetarët për përfitime dhe për avantazhe të padrejta dhe antiligjore, të cilat janë karakteristike për një shtet keqfunksional dhe mafioz, ku pushtetet, politika, administrata dhe drejtësia nuk kanë frikë nga ligji, as nga drejtësia, dhe as nga shteti. Korrupsioni vepron si ligj i bashkëveprimit dhe i ndërvarësisë së tij me politikën, pushtetin ekzekutiv e komunal dhe me pushtetin e drejtësisë. 

Nuk ka llogaridhënie

Në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ka dhe nuk funksionojnë shteti i së drejtës përderisa si në Shqipëri dhe në Kosovë kemi pushtet qeverisës të keq, të korruptuar, të papërgjegjshëm, si dhe një sistem drejtësie të tillë, por akoma më të keq, atë të sistemit të drejtësisë. Dhe në të dy shtetet nuk ka llogaridhënie, nuk ka përgjegjshmëri dhe as transparencë prej tyre. Nuk ka as politika parandaluese për korrupsionin, për padrejtësitë dhe për abuzivizmin institucionalo-shtetëror dhe madje nuk ka as politikë edukative antikorrupsion, por ka politikë edukative, model e shembullor për korrupsion dhe jo më të pretendohet se ka politikë ndëshkimore për korrupsionin e lartë shtetëror dhe për atë të drejtësisë. Në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ka jo vetëm aftësi profesionale, por nuk ka as etikë profesionale dhe as morale; nuk ka as kulturë morale e juridike nëpër institucionet e shtetit, as në politikë, as në qeverisje, as në drejtësi, as në administratë, as nëpër universitete, akademi dhe as në media. Kjo ndodh sepse shteti dhe e drejta janë shumë larg, abstrakte dhe të paarritshme për qytetarët dhe se shteti është mjet dhe vegël e pushteteve dhe e korrupsionit të tyre. 

KORRUPSIONI VEPRON SI LIGJ I BASHKËVEPRIMIT DHE I NDËRVARËSISË SË TIJ ME POLITIKËN, PUSHTETIN EKZEKUTIV E KOMUNAL DHE ME PUSHTETIN E DREJTËSISË

Në Shqipëri dhe në Kosovë pushteti është pronë e pushtetarëve

Prej këtij realiteti e kanë burimin krimi, korrupsioni, hajdutëria, abuzivizmi, varfëria, papunësia, moszhvillimi, mosintegrimni dhe eksodi. Le ta argumentojmë me pak fjalë Pse-në e këtij konstatimi. Në Shqipëri dhe në Kosovë pushteti u jep shumë fuqi dhe të drejta individëve të ngarkuar apo të veshur me pushtet. Këtë plotfuqishmëri politiko-sunduese pushtetarët shqiptarë e përvetësojnë, pra ata e përvetësojnë dhe e privatizojnë pushtetin. Dhe me privatizimin e pushtetit ata e kanë bërë pronë të tyre edhe shtetin. Me privatizimin e shtetit ata kanë privatizuar edhe të drejtat dhe ligjin, sepse e drejta dhe shteti janë e njëjta gjë që do të thotë se as shteti dhe as e drejta nuk ekzistojnë pa njëra tjetrën. Pra, personat apo individët e veshur me pushtet si politikanët, kryeministrat, ministrat, kryekomunarët, kryebashkiakët, gjyqtarët dhe prokurorët dhe funksionarët e administratës, këta që quhen publikisht "peshq të mëdhenj", në vend që të jenë e të sillen si shërbëtorë ndaj shtetit dhe shoqërisë e individëve të saj ata sillen pa pikë përgjegjësie dhe nuk u shërbejnë publikut dhe qytetarëve, por vetëm përfitimit dhe interesave personale, duke abuzuar rëndë me fuqinë e pushtetit të tyre. Ky është shkaku dhe kjo është arsyeja se përse në Shqipëri, por edhe në Kosovë, kemi shtetin e dobët, i cili funksionon si antishtet dhe joligjor; që kemi këtë degradim të politikës, të demokracisë dhe të ligjshmërisë, sepse pushteti, individët dhe grupet e interesit të veshur me pushtet e përdorin shtetin dhe drejtësinë si instrumente dhe si vegla korrupsioni dhe pasurimi të tyre kundër dhe në dëm të interesave shtetërore dhe kombëtare.

(Kosova Sot)