Ramë Bllaca, i deleguari më besnik i shqiptarëve në parlamentin e atëhershëm të mbretërisë së SKS-së

Ramë Bllaca, i deleguari më besnik i shqiptarëve në parlamentin e atëhershëm të mbretërisë së SKS-së
  • 22 March 2018 - 08:01

Kundërshtues i planeve për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi (2)

SHKRUAN: GANI QARRI

Më 1936, Turqia e Ataturkut miratoi marrëveshjen formale me qeverinë jugosllave për transferimin e 200 mijë shqiptarëve në Anadoll, me kushtin që mbretëria jugosllave, në emër të "përshtatjes së tyre me mentalitetin turk", dorëzimin e shqiptarëve ta bënte, të regjistruar si "turq"në dokumentet përcjellëse, në mënyrë që në Turqi, ata të mos guxonin të shprehnin aspirata etnike dhe asimiloheshin më lehtë, ku qysh atëherë, ende nuk kanë asnjë të drejtë kombëtare, nuk u lejohet të shkollohen në gjuhën shqipe, as ta quajnë veten shqiptar, ngase Turqia edhe sot e kësaj dite nuk pranon se ka shqiptar në territorin e saj. ..." Në krah atyre iu doli Turqia e Ataturkut, e cila më 1936 shprehu gatishmërinë për arritjen e një marrëveshjeje formale me Jugosllavinë për transferimin e 200 mijë shqiptarëve "që janë të ngjashëm me mentalitetin turk", që në Turqi ata " të asimiloheshin lehtë". Edhe sot e kësaj dite, ndonëse të shumtë në numër, Turqia nuk njeh se në territorin e saj ka shqiptarë". Më 3 mars të vitit 1937, në Beograd u promovua memorandumin famëkeq i Vasa Çubriloviqit, për jetësimin e të cilit Serbia shfrytëzoi të gjitha mjetet dhe mundësitë e aparatit shtetëror gjithë- jugosllav që posedonte, përfshi edhe gjenocidin me dhunë sistematike për dëbimin masiv deri në asgjësim dhe spastrimin e tërësishëm e përfundimtar të shqiptarëve nga trojet e veta etnike. Fatkeqësisht, përveç etjes së pashuar të serbëve dhe grekëve për shuarjen e popullit tonë nga faqja e dheut edhe shteti aziatik turk, tregoi vullnet të pafund për shpërnguljen, asimilimin dhe tjetërsimin e tërësishëm të shqiptarëve, sa që përveç marrëveshjes së Lozanës me grekët në vitin 1923, më 1938 Turqia do të nënshkruante një traktat të ngjashëm edhe me mbretërinë Jugosllave, sërish për shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve, tanimë edhe nga trojet tona etnike nën pushtimin sllav. Por përkundër të gjithave sa ndodhnin me ta, shqiptarët edhe në ato periudha aq të vështira, mbetën përherë të ndarë dhe nuk patën një trupë të njëmendët organizativo-politik as nuk posedonin një plan apo program të përbashkët kombëtar, për kundërvënie në mënyrë efektive, masave aq drastike të armiqve dhe mbrojtjen e tyre kolektive nga shfarosja, që u kanosej çdo ditë prej Serbisë dhe Turqisë.

Me qëllim të shpërnguljes së shqiptarëve sa më lehtë (edhe) Serbia kishte "shpikur" metodën e deklarimit të tyre si turq

Projekti i tillë famëkeq, për fat të mirë, nuk arriti të realizohej tërësisht, vetëm fal faktit se në vitin 1939, do të fillonte Lufta e Dytë Botërore. Ndaj, bashkëkombës të nderuar, paramendojeni vetëm një herë, sikur të mos shpërthente më 1939, Lufta e Dytë Botërore, se çka në të vërtetë do të ndodhte me shqiptarët dhe çfarë tragjedish do të përjetonin trojet tona etnike edhe nën pushtimin sllav nga "dashuritë" alla-turke, në të cilat ndoshta njëjtë si në trojet tona nën shtetin grek, sot do të numëroheshin në gishta apo edhe nuk do të ekzistonin më fare shqiptarët as aty. Grupimi i vetëm politik që rreth një vit pas ripushtimit të tokave shqiptare u lejua të krijohej nga mbretëria e SKS, ishte partia "Xhemiet" apo "Bashkimi" e cila fillimisht u udhëhoq nga Nexhip Draga e më vonë nga i vëllai Ferati, por ajo vepronte si përfaqësuese e interesave të myslimanëve e "turqve" dhe jo në emër të shqiptarëve, kështu që nuk mundi asnjëherë t'i artikulonte interesat kombëtare si duhet, ndaj vërtetë asokohe ndjehej mungesë tepër e madhe, e një udhëheqje adekuate kombëtare për mbrojtjen e njëmendtë dhe të drejtë, ekskluzivisht të çështjes shqiptare. Nga shtatori i vitit 1920 deri në janar të vitit 1928, pushtuesit serb, vetëm mbi tokat e uzurpuara të shqiptarëve në Kosovë, kishin ngritur mese 173 koloni serbe dhe 419 fshatra me serb e malazezë të sjellë aty nga Serbia dhe Mali i Zi. E se deri në çmasë u përkeqësua gjendja e shqiptarëve asokohe, më së miri e shpjegojnë vargjet vijuese të këngës së njohur e cila nga atëherë mbetet tejet aktuale dhe interpretohet me shumë dëshirë edhe sot: "Re të zeza kanë ra në Kosovë"! Re të zeza kanë ra në Kosovë Haj medet për popullin tonë Haj medet po banë shqiptaria Ligje të rënda ka pru Serbia Visa Bytyqi dhe Halit zuzaku https://www.youtube.com/watch?v=5dG0 CBxCfz8 Administrata pushtuese serbe, në mënyrë që të arrinte realizimin e kushtit të vënë nga Turqia, për përshtatjen e shqiptarëve me mentalitetin turk dhe plotësimin e kuotave për dëbimin e tyre masiv, sipas memorandumit të Çubriloviqit, kishte filluar të përdorte metodën greke, të cilët pasi që shqiptarët e Çamërisë me konventën e 30 janarit të vitit 1923, nënshkruar në Lozanë të Zvicrës, mbi këmbimin e popullsisë greke në Turqi me atë turke në territoret greke, kishin statusin e popullsisë së mbrojtur, qeveritarët grek paguanin imamët turkofil për të regjistruar shqiptarët si "turq", në mënyrë që grekët të siguronin kushtin për dëbimin e tyre, jo si shqiptar, por si turq në Turqi. Kështu që me qëllim të shpërnguljes së shqiptarëve sa më lehtë (edhe) Serbia kishte "shpikur" metodën e deklarimit të tyre si turq,( Hajredin Hoxha, Afirmimi i kombësisë shqiptare në Jugosllavi,Prishtinë 1983), e për tjetërsimin nga ai kombëtar në atë fetar, Serbisë që nga fillimi, në ndihmë, si rëndom, do ti vinin hoxhallarët. Ndaj administratorët serb, kudo që shkonin nëpër fshatra dhe qytete të Kosovës, merrnin nga një imam shqipfolës me vete, në mënyrë që të bënin më lehtë, jo siç kamuflohej zyrtarisht-"përshtatjen" me mentalitetin turk, por definitivisht shndërrimin e shqiptarëve në "turq", për plotësimi e kontingjenteve që i nevojiteshin Serbisë, për dëbim në Turqi. E po qese bashkëkombësit tanë, megjithatë merrnin guximin që të deklaroheshin shqiptar, ata kundërshtoheshin fort dhe shumë ashpër, nga imamët shqipfolës, të cilët në emër të "Allahut", keqpërdornin përkatësinë fetare dhe detyronin shqiptarët që në defterët e Serbisë të regjistroheshin "turq" pa pasur nevojë të ndërhynin administratorët serb. 

Elaborati famëkeq i Vasa Çubriloviqit parashihte zhbërjen e plotë të shqiptarëve në Kosovë

Ndaj, pas gjithë këtyre fatkeqësive që kishin goditur aq rëndë shqiptarët dhe vënë ata ndërmjet teheve tmerrësisht të mprehta të gërshërëve të pamëshirshme turko-jugosllave, me gjithë vonesën dhe nevojën e jashtëzakonshme për daljen sa më parë të një segmenti të ri në skenën politike dhe një përfaqësim të njëmendtë e adekuat të tyre në baza të pastra kombëtare, vetëm në mars të vitit 1935, me ndihmën e Legatës Shqiptare në Beograd, mundi të krijohej një organizatë studentore me emrin "Besa", e cila pikësëpari u detyrua të merrte përsipër kundërvënien e propagandës antikombëtare të imamëve që bashkëpunonin me organet pushtuese serbe dhe keqpërdornin fenë për tua imponuar shqiptarëve të besimit mysliman ta quanin veten turq, ngritjen e vetëdijes etnike të bashkëkombësve nën pushtim dhe pengimin e shpërnguljes së tyre në Turqi. Ishte koha kur përveç elaborati famëkeq të Vasa Çubriloviqit, i cili parashihte zhbërjen e plotë të shqiptarëve në Kosovë dhe viset tjera shqiptare nën pushtim, me masat më radikale të dhunës dhe represionit shtetëror, që nga kërcënimi për jetë, arrestimet, dënimi pa arsye, dhunë nga xhandarmëria dhe sulme nga forcat çetnike, e deri te vrasjet dhe zhdukjet pa gjurmë të tyre, njëjtë siç ishte vepruar edhe më 1877-1878, me shqiptarët e Nishit, Kurshumlisë, Toplicës etj, vende ku fatkeqësisht, tash e atëherë nuk jeton më asnjë shqiptar. Organizata studentore "Besa" sa kishte vështirësi me administratën pushtuese serbe, kokëçarje pothuajse edhe më të mëdha i shkaktonin vazhdimisht imamët turkofil, të cilët për asimilimin, tjetërsimin dhe shndërrimin e shqiptarëve në turq, qysh në atë kohë përveç vënies në shërbim të interesave turke, për shërbimet e tyre,merrnin edhe nga Serbia subvencione të mëdha financiare, ndaj dhe ishin kthyer plotësisht në dorë të zgjatur të saj dhe nuk reshtnin me propagandën e tyre se kinse shqiptarët "mysliman" ishin turq dhe duhej të shpërnguleshin në Turqi. Rasti më flagrant i tjetërsimit praktik të shqiptarëve, është asimilimi komplet i banorëve të një fshati të tërë si Mamusha, ku imamët shqipfolës të lindur e rritur në Kosovë dhe bij të prindërve shqiptarë, por të influencuar nga Turqia dhe për t'i plotësuar dëshirën e fundit Nikolla Pashiqit, kryeministrit të atëhershëm të SKS, si dhe themeluesit e udhëheqësit të partisë radikale serbe, para se ai të pushohej nga puna si kryeministër, pensionohej dhe vdiste nga dëshpërimi, detyruan bashkëkombësit e vet në këtë fshat, që në defterët e Serbisë të gjithë të shkruheshin turq" dhe kështu turqizuan gjithë fshatin nga fiset autoktone krejtë- sisht shqiptare si Berisha, Bytyqi, Kryeziu, Morina, Mazreku, Thaqi, Krasniqi etj. Ngjashëm me ta, veproi edhe qeveria e kryesuar nga Hashim Thaqi, i cili së fundmi për t'i bërë qejfin tanimë edhe Erdoganit, apo "sulltanit" të ri, në emër të decentralizimit më 2008, nga një fshat të thjeshtë me vetëm 5000 njerëz, ku të gjithë banorët flisnin shqip, e shpalli Mamushën komunë "turke", njëra ndër komunat më të vogla në Kosovë, gjë që për fshatra më të mëdha shqiptare, megjithëse u kishte premtuar, ai nuk mbajti fjalën e dhënë për ngritjen e tyre në komuna.

Veprimet skajshmërisht represive e diskriminuese për dëbimin masiv të popullit tonë

Në ato mote aq të rënda për popullin tonë, pas prodhimit të bollshëm të turqve me ndihmën e imamëve të shitur, Serbia ndërmori hapin e radhës, dhe angazhoi formacionet më të ashpra çetnike me në krye kriminelët më antishqiptar të kohës si Miliq Kërstiq, Kosta Peçancin, Vasilije Trbiq ,Jovan Babunski etj, për jetësimin e elaboratit të trishtë të Çubriloviqit, me ligje dhe veprime skajshmërisht represive e diskriminuese për dëbimin masiv të popullit tonë, si dhe asgjësimin e tërësishëm të shqiptarëve edhe në Kosovë, ligje të cilat më së miri i përshkruajnë vargjet vijuese të këngës; "Re të zeza kanë ra në Kosovë". Ligje të rënda zi e më zi Me i shpërngul shqiptarët në Turqi Në Anadoll shqiptarët me i que Tokat serbëve me ua lëshue "Re të zeza ran n`Kosovë" min.033. https://www.youtube.com/watch?v=5dG0 CBxCfz8 Ndaj, Ramë Bllaca si njëri nga heronjtë më të spikatur të kohës dhe i deleguari më besnik i shqiptarëve në parlamentin e atëhershëm të mbretërisë së SKS-s, burrë i zoti dhe personalitet shumë i respektuar, si në vendlindjen e vet e Therandë, ashtu edhe në Kosovë e më gjerë dhe gjithë trojet shqiptare nën pushtimin sllav, ishte vënë në pozitë aq të vështirë, sa që megjithëse nuk pushonte përpjekjet e tij pothuajse mbinjerëzore kombëtare, ato nuk tregonin efektin e duhur për ndalimin e shpërnguljes së bashkëkombësve të vet dhe pengimin e planeve serbe, për të spastruar Kosovën nga shqiptarët. Brenga e heroit për shpërnguljet aq të mëdha të cilat arrinin shifra alarmante, sa vinte e rritej edhe për faktin se as partia "xhemiet" megjithëse përbëhej dhe udhëhiqej nga shqiptarët e Kosovës, nuk reagonte sa duhej kundër propagandës antikombëtare të imamëve dhe veprimeve represive serbe , si dhe asnjëherë nuk arriti ti artikulonte problemet e njëmendta të shqiptarëve, të pengonte shpërnguljet e tyre, as të ndihmonte bashkëkombësit, qe të qëndronin në trojet e veta kombëtare. Ndaj, të gjitha shpresat ishin hedhur tek Organizata Studentore "Besa" (1935- 1944) e formuar pas aq vuajtjesh e peripecish, që me gjithë mundësitë e kufizuara, vepronte pareshtur me mish e me shpirt për sensibilizimin e bashkëkombësve të vet,që të mos lëshonin trojet shqiptare nën pushtimin serb, anëtarë eminent i të cilës ishte edhe Qazim Bllaca, i biri i Ramë Bllacës, asokohe student i fakultetit juridik në Beograd, fakt të cilin e vërteton edhe nipi i nderuar i heroit Ramë Bllaca z. Zani Ibrahim Bllaca, në përgjigjen e dërguar, ditën e premte të dy marsit të viti 2018, në internet FR 09:22 "N' organizatën e studentëve "Besa" ishte Qazim Bllaca me studentë të tjerë nga Kosova dhe këtë organizatë e ka ndihmuar shumë, si kam ndëgjuar, Ramë Bllaca". Për aq më keq, sikur të mos mjaftonin masat e pareshtura terrorizuese shtetërore serbe, asimilimi i përditshëm e regjistrimet si turq, si dhe shpërnguljet masive të shqiptarëve në Turqi, siç u cekë edhe më parë, përkundër thirrjeve nga patriotët e kombit, një numër i konsideruar i hoxhallarëve vazhdonin me propagandën e tyre antikombëtare dhe nuk pushonin duke trumbetuar kudo nëpër shtëpi, familje dhe xhami, se kinse shqiptarët mysliman ishin turq dhe duhej të shpërnguleshin nga Kosova, sepse e ardhmja e tyre ishte në Turqi. Madje,kur propaganda e shfrenuar e imamëve turkofil, pothuajse kishte shterur të gjitha prapësitë tjera në dëm të popullit shqiptar, për të arritur kulmin e efektit antikombëtar të pasigurisë së popullit shqiptar nën pushtimin sllav, së fundi ata kishte përhapur lajmin e rremë se kinse edhe vet Ramë Bllaca, së shpejti do të ikte në Anadoll, ndaj procesit të shpërnguljes nuk i shihej fundi. Në anën tjetër, për të gjithë shqiptarët e konvertuar me ndihmën e imamëve në turq, Serbia kishte urdhëruar nëpunësit e saj, që atyre t'u krijoheshin të gjitha lehtësitë e mundshme, për shpërnguljen sa më të shpejtë, në Turqi. Ky trend kaq fatkeq, rritej e përshpejtohej deri në përmasa të rrezikimit të përgjithshëm të elementit shqiptar në Kosovë, kurse njëkohësisht dhe paralel me shpërnguljet e shqiptarëve, kolonizimi i Kosovës me ardhacakë serbë e malazezë sa vinte e shtohej dhe ishte shndërruar në shqetësim të frikshëm për Ramë Bllacën dhe Organizatën studentore "Besa", si dhe vinte në pyetje ekzistencën e përgjithshme të shqiptarëve në trojet e veta. Ndaj gjendja e krijuar për shqiptarët, kishte detyruar Ramë Bllacën që në mënyrë ultimative të ndërpriste të gjitha kontaktet me imamët antikombëtar dhe hynte punës në mënyrë intensive, bashkë me organizatën "Besa" për gjetjen e një plani urgjent dhe ndalimin sa më parë të atij trendi kobzi që vazhdonte ta godiste aq rëndë Kosovën. Në këto rrethana edhe Organizata Studentore "Besa", intensifikoi aktivitetin e saj dhe arriti që në mënyrë të shpejtë të shtrihet e zgjerohet, pothuajse në të gjitha qendrat kryesore shqiptare në Kosovë dhe viset tjera nën pushtim, ndërsa programi parësor politik, që asaj iu imponua në ato momente, ishte, pikë së pari, luftimi i propagandës antikombëtare të imamëve vendorë, vetëdijesimi kombëtar i shqiptarëve, pengimi i dëbimit të tyre prej trojeve të veta nga regjimi pushtues i Serbisë, angazhimi konsekuent për mësimin e gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare, si dhe forcimin e idesë për Shqipërinë Etnike dhe luftën e paepur për bashkim kombëtar. 

Organizata "Besa", si shpresa e vetme e kohës

Organizatës "Besa" si grupim i fshehtë politik që veprimtarinë kombëtare detyrohej ta zhvillonte në ilegalitet, për gjetjen e vendeve të sigurta të veprimit, ku aktivistët e saj mund të tuboheshin dhe shqyrtonin ndërmarrjen e masave adekuate kundër shpërnguljes së bashkëkombësve nga Kosova, do ti vinte në ndihmë heroi Ramë Bllaca, duke shfrytëzuar miqësinë që kishte me dy prej figurave më të mirënjohura kombëtare, të asaj kohe, si Musa sheh Zade i lindur në Gjakovë dhe rritur e burrëruar në Prizren si dhe sheh Hasani nga qyteti i Lidhjes, të cilët objektet e veta të kultit( teqetë),kishte kohë që i kishin vënë në shërbim të kombit, kurse nën petkun fetar, punonin edhe vet pareshtur për çështjen shqiptare. Lidhjet dhe bashkëpunimin e Ramë Bllacës me figurat e lartcekura kombëtare, i vërteton edhe z. Demir Zekolli, nga fshati Bllacë, historian dhe menaxher i trashëgimisë kulturore në Therandë ish Suharekë, në një bashkëbisedim që patëm në orët e vona më 21 shkurt të vitit 2018, i cili u shpreh se me sheh Hasanin e me sheh Hysenin, kanë bashkëpunuar Ramë Bllaca e më vonë edhe Jup Demiri e Brahim Rama. 21. FEBRUAR 02:46 "Gani....Me Sheh Hasanin e me Sheh Hysenin kan bashkepunue R. Bllaca e me von edhe Jup Demiri e Brahim Rama". Këtë fakt e dëshmoi edhe Zani Bllaca, nipi i Ramë Bllacës, në komunikimin e datës 2 mars të vitit 2018, që patëm me të: FR 09:22 "I nderuar z. Gani ,gjyshi im kishte n' at kohë kontakte me personalitete e figura të shquara kombëtare e natyrisht edhe me patriotët e koloset e shqiptarise si jane Musa Sheh Zade, sheh Hasani....etj.te cilet tere jetën ia kushtuan çështjes Kombëtare ". Organizata studentore "Besa" aktivist i denjë i të cilës ishte edhe Qazim Bllaca, djali i heroit të kombit Ramë Bllaca, në mungesë të vendeve adekuate dhe të sigurta për veprim, tubimet e veta do ti mbante në "teqenë" e sheh Hysenit në Prizren, e cila njihej për rolin konstruktiv ndaj çështjes kombëtare që nga formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku qysh atëherë ishin mbajtur takime, zhvilluar seanca plenare dhe pritë e përcjellë me zemër të hapur, krerët kryesor të Lidhjes Kombëtare Shqiptare si dhe delegat të shquar të kësaj Lidhjeje prej Shkodrës dhe Malësisë nga vet udhëheqësi (i teqes) sheh Hyseni, si dhe teqenë e sheh Hasanit, po në qytetin e Lidhjes, vend ku tuboheshin besimtarët me prirje kombëtare dhe ku edhe organizata "Besa" që nga fillimi kishte gjetur strehën më të ngrohtë dhe të sigurt të veprimit. Organizatës "Besa" si shpresa e vetme e kohës për shpëtimin dhe mbijetesën e qenies shqiptare në trojet e pushtuara nga mbretëria jugosllve, jo vetëm se iu ofruan objekte e lartcekura të kultit për veprim, por u përkrah e ndihmua gjithanshëm dhe pareshtur edhe veprimtaria e saj, nga dy prijësit kryesor të tyre, si nga i biri i sheh Hysenit, Musa sheh Zade i cili më 1943 do të zgjidhej edhe kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe sheh Hasani anëtar i kryesisë saj,krahas të cilëve, pa dyshim se do të gjente vendin e merituar edhe i biri i heroit Ramë BllacaQazimi, Lidhje kjo-formula e vetme e të cilës, ishte Bashkimi Kombëtar. Vijon

(Kosova Sot)