Mos lejoni që Brexit ta rrezikojë paqen në Irlandë

Mos lejoni që Brexit ta rrezikojë paqen në Irlandë
  • 18 April 2018 - 13:29

NJËZET VJET NGA MARRËVESHJA E BELFASTIT

Duhet të jemi syçelë në lidhje me mbrojtjen e kësaj marrëveshjeje në dritën e sfidave aktuale

Shkruan: Hillary Clinton

Njëzet vjet më parë, Marrëveshja e Belfastit (e të së Premtes së Mirë) ndihmoi në përfundimin e dekadave të konfliktit dhe dhunës në Irlandën veriore. Ky ishte një moment vendimtar - rezultat i përpjekjeve diplomatike brenda ambienteve qeveritare dhe veprimeve të jashtëzakonshme të grave dhe burrave të rëndomtë, që arritën të tejkalonin ndarjet e moçme dhe të thella. Sot, kjo marrëveshje nuk paraqet vetëm një kornizë lokale e mirëkuptimit të ndërsjellë, por një shembull shkëlqyes të asaj që është e mundur, kur qytetarët bashkohen për të kërkuar paqe dhe për ta ruajtur atë përgjatë gjeneratave. Derisa bota feston këtë përvjetor të rëndësishëm, ne po ashtu duhet të jemi syçelë në lidhje me mbrojtjen e kësaj marrëveshjeje në dritën e sfidave aktuale - nga paqartësitë në lidhje me Brexitin, e deri te pengesat që dalin nga pengesat e qeverisë në Irlandën veriore dhe të bëjnë gjithçka për të arritur sukses në lidhje me aspiratat e parealizuara të të drejtave të njeriut dhe barazisë, që ishin përkrahur atë ditë të prillit të vitit 1998.

Tmerret e sektarizmit

Edhe tani më kujtohet qartë udhëtimi i parë i burrit tim në Irlandën veriore, si president. Në një natë të ftohtë dimri të vitit 1995, Bill dhe unë iu bashkuam mijëra njerëzve në sallën e qytetit të Belfastit, për ndriçimin e Pemës së Kërshëndellave. Sikur katolikët, po ashtu edhe protestantët ishin mbledhur në atë vend nga lagjet e tyre tepër të ndara, nuk kishte garanci se nuk do të shpërthente dhuna; ata erdhën me një ndjenjë të shpresës, pas kaq shumë sezoneve të errësirës. Ishte ky udhëtim ku për herë të parë takova disa prej grave, emrat e të cilave shpesh harrohen, përkundër rolit të tyre vital në lidhje me këtë marrëveshje. Njëra prej këtyre grave ishte Joyce McCartan, një nënë katolike, djali 17- vjeçar i së cilës ishte vrarë nga një protestant. Joyce më ftoi që t'iu bashkohesha grave nga të dy fetë në një shtëpi të sigurt, të cilën ajo e kishte bërë në një dyqan lokal të peshqve. U ulëm rreth një tavoline të vogël, duke pirë çaj, derisa gratë më tregonin sesi për herë të parë kishin tejkaluar ndarjet, për të ndaluar rritjen e çmimit të qumështit, për fëmijët e tyre. Përgjatë rrugës, ato zbuluan se shkaqet e thella të dhunës, tmerret e sektarizmit, barra e varfërisë, dëshpërimi i papunësisë, preknin të gjitha aspektet e jetës së tyre. Në fund, për to dhe për shumë gra të tjera në Irlandën e veriut, dashuria ndaj familjes doli të ishte më e thellë sesa thirrjet për urrejtje. Edhe pse mund të mos kenë hyrë në librat e historisë, ato biseda rreth tryezës së kuzhinës ishin esenciale në procesin paqësor. Aty ku të gjitha ato gra u bashkuan për ta formuar një koalicion dhe për ta siguruar një vend pranë tavolinës - gratë si Avila Kilmurray, Monica McWilliams, Pearl Sagar, May Blood dhe shumë të tjera, të cilat lëvizën malet, që të ndihmojnë në arritjen e Marrëveshjes të së Premtes së Mirë, vite më parë në Stormont.

Nuk mund të lejojmë që Brexit ta rrezikojë paqen

Ka disa që thonë se kësaj marrëveshjeje i ka dalë afati. Ata gabojnë. Njerëz të panumërt në Irlandën veriore janë gjallë sot, në vend që të vdisnin të ri, si rezultat i kësaj marrëveshjeje. Gjëja e fundit që mund t'ia lejojmë vetes, është që ta mashtrojmë veten se puna jonë është kryer. Në fakt, 20 vjet më vonë, komponentë të rëndësishëm të marrëveshjes ende nuk janë implementuar. Një sistem i integruar i edukimit dhe mbështetjes për zhvillimin e komunitetit, promovimi i përfaqësimit të grave dhe një projektligj i të drejtave për Irlandën veriore dhe të gjitha premtimet që ende nuk janë realizuar. Fakti që Forumi Civil ka mbetur anash, është sidomos tragjik, meqë ai do ta ofronte një mënyrë për të diskutuar shumë prej çështjeve urgjente me ë cilat Irlanda veriore ballafaqohet sot, duke përfshirë rezultatet e mundshme të negociatave Brexit. Këto janë kohë të vështira për Irlandën veriore dhe për botën tonë. Sa iu përket debateve të Brexitit, unë vazhdoj që të besoj në vlerën e BE-së dhe në një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe. Por, pa marrë parasysh rezultatin e këtyre diskutimeve, nuk mund të lejojmë që Brexit ta rrezikojë paqen për të cilën njerëzit votuan dhe vdiqën për të. Rikthimi i kufirit do të ishte një kthim i madh prapa, duke na kthyer në 'ditët e këqija të vjetra' kur komunitetet përsëri do të ndaheshin. Dy dekada më parë, kuptohej se, sikur që problemet nuk ishin paraqitur brenda natës, paqja nuk mund të sigurohej brenda natës. Tani, derisa bota feston këtë përvjetor të rëndësishëm, parimet e marrëveshjes kanë më shumë rëndësi sesa ndonjëherë më parë: një përkushtim ndaj paqes, prosperitetit dhe shërimit, derisa njerëzit e Irlandës veriore ndërtuan një të ardhme të afërt. Sikur që shkruan tash vonë Avila dhe Monica, nëse iu jepet përparësi interesave afatshkurtra, ndaj zgjedhjeve afatgjata të sfidave me të cilat vazhdohet që të ballafaqohet Irlanda veriore, "atëherë është e qartë se dora e historisë do të jetë e rëndë dhe nuk do të na falë". 

 

(Kosova Sot)