Trumpi, Siria dhe rreziku nga një luftë regjionale

Trumpi, Siria dhe rreziku nga një luftë regjionale
  • 19 April 2018 - 09:50

SULMI ME ARMË KIMIKE

Sikur Rusia, Irani ka investuar njerëz dhe pasuri në shpëtimin e regjimit të Assadit

Shkruan: FAWAZ A. GERGES

Sulmi vrastar, i bërë së fundmi me armë kimike, duket se është pasojë e vendimit të SHBA-së për t'i dhënë fund misionit të saj në Siri dhe, me këtë, për t'iu dhënë fund edhe gjasave për një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme të luftës civile, shtatë vjeçare, brutale, të këtij vendi. Sulmi me armë kimike, që supozohet të jetë kryer nga forcat e presidentit sirian Bashar al-Assad në Duma, qytetit të fundit të mbajtur nga rebelët në regjionin lindor Guta, tregon se sa e rrezikshme është kjo perspektivë për Sirinë dhe për botën. Kapardisja e presidentit amerikan, Donald Trump, pas sulmit me armë kimike, nxjerr në pah inkoherencën dhe kontradiktat e qasjes së tij, si dhe mungesën e ndonjë strategjie reale në Siri. Dhënia e urdhrit për një, a dy, sulme kundër forcave të Assadit, gjë që ai mund ta bëjë, nuk do ta ndryshojë balancën e forcave atje, e as nuk do ta përmirë- sojë pozitën e Trumpit në këtë vend të shkatërruar nga lufta, e lëre më në Lindjen e Mesme, në përgjithësi. Thënë të vërtetën, këshilltarët kryesorë ushtarakë të Trumpit e kanë bindur atë që të mbajë në terren 2,000 pjesëtarët ushtarakë, që aktualisht janë të stacionuar në Siri. Por, ai tanimë ka limituar qëllimet (caqet) amerikane atje, në eliminimin e pranisë së mbetur të ISIS-it, një përpjekje e cila mund të zgjatë deri në gjashtë muaj.

Assad tanimë ndihet i trimëruar që të shkojë përpara

Duke kufizuar angazhimin e Amerikës, Trump ka humbur mundësinë që të ndihmojë në formësimin e së ardhmes së Sirisë, duke përforcuar përshtypjen e përhapur se roli udhëheqës i SHBAsë në botë është në tkurrje e sipër. Ai po ashtu nuk ka marrë parasysh krizën humanitare të vendit, më të keqen që nga Lufta e dytë botërore. Për ironi, kjo qasje e ngushtuar po ashtu rrezikon përpjekjet për arritjen e qëllimit të vetëm të Trumpit, mposhtjen përfundimtare të ISIS-it dhe xhihadistëve të tjerë, gjë që do ta kërkojë një tranzicion të besueshëm politik, i cili në mënyrë të qëndrueshme i jep fund luftës civile. Një tranzicion i tillë do të jetë i mundshëm vetëm nëpërmes një angazhimi diplomatik nga faktorët e angazhuar në Siri. Në kohën kur tërheqja e Trumpit nënkupton se SHBA-ja dhe aleatët e saj e kanë humbur luftën, Assad tanimë ndihet i trimëruar që të shkojë përpara, me mbështetjen ruse dhe iraniane, me planin e tij për të marrë nën kontroll me çdo kusht territoret dhe qytetet që ende mbahen nga rebelët. Pas krijimit të 'fakteve në terren', Assad dhe aleatët e tij do të jenë në gjendje që t'ia prezantojnë botës një fakt të kryer: Assad mbetet në pushtet, pa bërë ndonjë lëshim real ndaj opozitës. Faktorët lokalë dhe regjionalë, të cilët ishin mbështetur te ndihma amerikane, do ta paguajnë një çmim të përgjakshëm. Në veçanti kurdët, aleatët më efektivë dhe më të besueshëm të amerikanëve në luftën kundër ISIS-it, ka mundësi që të mbesin të tradhtuar, përkundër sigurimeve zyrtare amerikane rreth marrëveshjeve të sigurisë pas tërheqjes së SHBA-së. Kurdët tanimë kanë kritikuar administratën e Trumpit për sakrifikimin e tyre në altarin e marrëdhënieve strategjike të Amerikës me Turqinë. Amerika kishte mbyllur njërin sy në lidhje me invadimin turk dhe okupimin e qytetit të mbajtur nga kurdët, Afrin, në veriperëndim të Sirisë, gjë që çoi deri te masakrimi i më shumë se 1,000 kurdëve, duke përfshirë edhe shumë civilë. 

Beteja e vështirë

Si pasojë e tërheqjes së SHBA-së, kurdët mund të ndihen të tunduar që të lidhin aleancë me Assadin, për mbrojtje. Me qindra luftëtarë kurdë tanimë kanë dezertuar luftimet kundër ISIS-it në Sirinë verilindore, duke shkuar në Afrin për t'i bërë ballë sulmit të përbashkët të Turqisë dhe një grupi të rebelëve sirianë. Disa kurdë të rinj kanë filluar t'iu bashkohen njësiteve paramilitare të Assadit, për t'u hakmarrë ndaj humbjes së qytetit Afrin. Por, kjo do të jetë një betejë e vështirë, meqë largimi i Amerikës vetëm sa do ta forcojë pozitën e Turqisë edhe më shumë. Fundja, pa SHBA-në, fuqitë tjera të mëdha në konfliktin sirian - Turqia, Rusia dhe Irani - do të jenë në gjendje që të konsolidojnë sferat e tyre të ndikimit dhe të ndajnë përfitimet nga rindërtimi i Sirisë, pas mbarimit të luftës. Edhe pse interesat e tyre të veçanta mund të ndryshojnë, që të tri këto vende kanë një vizion të përbashkët të ndarjes 'së butë' të Sirisë, që bën që Assad dhe rebelët të jenë, thjesht, prokura. Rusia dhe Irani do të jenë dy fituesit e mëdhenj. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me intervenimin e tij në moment të duhur, shpëtoi regjimin e Assadit nga dështimi dhe ktheu fatin e luftës në anën e tij. Derisa SHBA-ja thuajse nuk shihet askund në Siri, Rusia është e gjithëpranishme. Koordinimi i Rusisë me të gjitha fuqitë e mëdha regjionale, duke përfshirë edhe Turqinë, anëtare të NATO-s, vërteton dinamizmin dhe cinizmin e politikës së jashtme të Kremlinit. Derisa SHBA-ja tërhiqet nga Siria, lidhjet ushtarake dhe ekonomike të Turqisë me Rusinë vetëm sa do të thellohen. Sikur Rusia, Irani ka investuar njerëz dhe pasuri në shpëtimin e regjimit të Assadit, duke siguruar fitime të majme kthesë. Irani aktualisht është fuqia regjionale me ndikimin më të madh në Siri, sikur që është në Irak dhe Liban. Por, ngutja për ta plotësuar boshllëkun e krijuar nga largimi i SHBA-së, mund ta sigurojë shkëndijën e cila do ta ndezë një luftë mbarë regjionale. Ka shqetësime të ligjshme se Izraeli mund ta përdorë tërheqjen e trupave amerikane, si pretekst për të intensifikuar sulmet e tij kundër Iranit dhe Hezbollahut në Siri, një vendim i cili mund të eskalojë në një konflikt mbarë regjional, ku do të përfshiheshin edhe SHBA-ja, Iraku dhe Arabia Saudite, rivali kryesor i Iranit për hegjemoni regjionale. Edhe nëse lihet anash qëndrimi armiqësor i Trumpit ndaj marrëveshjes bërthamore të arritur me Iranin në vitin 2015, tani ekziston një rrezik real dhe i pranishëm se Siria do të bëhet vend i një konflikti edhe më shkatërrimtar sesa që ishte konflikti që filloi në vitin 2011.

(Fawaz A. Gerges është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shkollën londineze të ekonomisë dhe shkencave politike)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)