Pasiguria e pabarazisë

Pasiguria e pabarazisë
  • 20 April 2018 - 09:32

Shkruan:Kaushik Basu

Qytetarët e pasur jo vetëm që mund të votojnë, ata mund të ndikojnë edhe në rezultatin e zgjedhjeve

Meqenëse pasojat e rritjes së pabarazisë vendore pasqyrohen edhe në gjeopolitikë, duke dëmtuar stabilitetin, nevoja për përpilimin e rregullave të reja, sistemeve të distribuimit dhe marrëveshjeve globale nuk është më çështje e moralit, por e mbijetesës P abarazia globale sot është në nivelin, i cili për herë të fundit ishte parë në shekullin XIX dhe ajo vazhdon që të rritet. Me të, ka ardhur edhe një ndjenjë gjithnjë e më e fuqishme e diskriminimit, e cila ka shkaktuar tjetërsim dhe zemërim, bile ka ushqyer edhe nacionalizmin dhe ksenofobinë. Derisa njerëzit përpiqen që ta ruajnë pasurinë e tyre gjithnjë e më të vogël, ankthi i tyre ka krijuar një hapësirë politike për populistët oportunistë, duke e trandur rendin aktual botëror. Dallimi midis të pasurve dhe të varfërve sot është shumë i madh. Oxfam ka vërejtur se tetë njerëzit më të pasur të botës tani posedojnë pasuri sa edhe 3.6 miliardë të njerëzve më të varfër. Sikur që ka theksuar tash vonë senatori amerikan, Bernie Sanders, familja Walton, e cila posedon kompaninë "Walmart", tani ka më shumë pasuri sesa 42% të amerikanëve më të varfër. Por, thënë të vërtetën, gjatë dekadave të fundit është arritur një përparim i madh në zvogëlimin e varfërisë ekstreme, e cila përkufizohet si konsumim të më pak se 1.90 dollarë në ditë. Në vitin 1981, 42% e popullatës botërore kanë jetuar në një varfëri ekstreme. Deri në vitin 2013, kjo përqindje ra në vlerën nën 11%. Dëshmitë tani thonë se varfëria ekstreme tani haset te diçka më shumë se 9% të popullsisë botërore. Kjo pa dyshim se është një e arritur e madhe. Por, puna jonë zor se ka marrë fund. Dhe, përkundër bindjes së përhapur, kjo punë nuk duhet të përkufizohet te vendet në zhvillim.

Të pasurit paguajnë më pak

Sikur që ka deklaruar Angus Deaton tash vonë, varfëria ekstreme mbetet një problem serioz edhe në vendet e pasura. "Disa milionë amerikanë, të bardhë, të zinj dhe hispanikë, tani jetojnë me të ardhura për kokë banori më pak se 2 dollarë në ditë", thekson ai. Duke pasur parasysh koston shumë më të lartë të jetës, ai vëren se të ardhurat e tilla mund të paraqesin një sfidë edhe më të madhe për vendet sikur SHBA-ja, sesa për vendet e tjera, si, p.sh. India. Ky detyrim është evident në qytetin e Nju-Jorkut, ku numri i njerëzve të pastrehë është rritur nga 31,000, sa ishte në vitin 2002, në 63,000 sot. Ky trend ka shkuar krah për krah me rritjen e çmimit të strehimit: gjatë dekadës së fundit, qiratë janë rritur më shumë se tri herë më shpejt sesa rrogat. 

Për ironi, të pasurit paguajnë më pak, për njësi, për shumë mallra dhe shërbime. Një shembull konkret është fluturimi. Falë fluturimeve më të shpeshta, të pasurit paguajnë më pak për çdo km që udhëtojnë. Derisa kjo ka kuptim për kompanitë ajrore, të cilat duan ta ushqejnë besnikërinë te klientët e tyre, në fakt kjo është vetëm edhe një mënyrë e shpërblimit të të pasurve në treg. Ky fenomen është evident edhe në ekonomitë e varfra. Një studim i fshatrave indiane ka treguar se të varfrit ballafaqohen me diskriminim të vazhdueshëm të çmimeve, gjë që e rrit pabarazinë. Të pasurit po ashtu marrin shumë gjëra falas. Ta marrim një shembull trivial. Nuk më kujtohet hera e fundit kur kam blerë laps. Ata thjesht paraqiten në tavolinën time, të lënë pa qëllim nga njerëzit që më vijnë në zyrë. Ata zhduken po aq shpesh, meqë njerëzit habiten e i marrin. Khushwant Singh i ndjerë, një gazetar i njohur indian, në një rast më tha se ai merr pjesë në konferenca vetëm për të marrë lapsa dhe letër. Një shembull jo trivial është taksimi. Në vend që të paguajnë më shumë taksa, më të pasurit shpesh janë në gjendje që të përfitojnë nga boshllëqet dhe zbritjet, të cilat nuk janë në dispozicion për ata që fitojnë më pak. Pa pasur nevojë ta thyejnë asnjë rregull, të pasurit marrin subvencione të mëdha, të cilat do ta kishin një efekt shumë më pozitiv sikur t'u jepeshin më të varfërve.

Ligjet shpesh janë në favor të të pasurve

Përpos këtyre pabarazive konkrete, ekzistojnë edhe ato që nuk janë aq konkrete, por që janë një- soj të dëmshme. Në çdo situatë ku të drejtat e dikujt nuk specifikohen me ligj, rezultati do të varet nga zakonet, të cilat gjithmonë shkojnë në favor të të pasurve. Qytetarët e pasur jo vetëm që mund të votojnë, ata mund të ndikojnë edhe në rezultatin e zgjedhjeve me anë të donacioneve dhe metodave tjera. Në këtë aspekt, pabarazia e madhe në pasuri mund ta rrezikojë demokracinë. Natyrisht, në çdo ekonomi të udhëhequr si duhet, një sasi e caktuar e pabarazisë është e paevitueshme, bile edhe e domosdoshme, me qëllim të krijimit të stimulimeve dhe për ta fuqizuar ekonominë. Por, tani për tani, pabarazitë në të ardhura dhe pasuri janë bërë aq ekstreme sa që tejkalojnë gjeneratat, ku pasuria dhe trashëgimia e familjeve kanë ndikim më të madh në perspektivën ekonomike të një personi, sesa talenti dhe puna e përkushtuar. Dhe, kjo është e dyanshme: sikur që fëmijët e familjeve të pasura kanë më shumë gjasë që të jenë të pasur kur të rriten, fëmijët e prindërve punëtorë të thjeshtë kanë më shumë gjasa që të punojnë gjatë fëmijërisë. Tërë kjo nuk është faj i dikujt në veçanti. Shumë qytetarë të pasur kanë kontribuuar ndaj shoqërisë dhe kanë respektuar ligjet. Problemi qëndron te fakti se ligjet shpesh janë në favor të të pasurve. Me fjalë të tjera, pabarazia në të ardhura rrjedh nga të metat sistematike. Në botën tonë të globalizuar, pabarazia nuk mund t'i lihet për t'u zgjidhur nga tregjet dhe komunitetet lokale, sikur që nuk munden të lihen as ndryshimet klimatike. Meqenëse pasojat e rritjes së pabarazisë vendore pasqyrohen edhe në gjeopolitikë, duke dëmtuar stabilitetin, nevoja për përpilimin e rregullave të reja, sistemeve të distribuimit dhe marrëveshjeve globale nuk është më çështje e moralit, por e mbijetesës.

(Kaushik Basu, ish-ekonomist kryesor i Bankës Botërore, tani është profesor i ekonomisë në Universitetin Cornell) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)