A do të vijë deri te një konflikt midis SHBA-së dhe Rusisë?

A do të vijë deri te një konflikt midis SHBA-së dhe Rusisë?
  • 21 April 2018 - 11:58

Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, theksoi të enjten se SHBA-ja tanimë ka vrarë një numër të madh rusësh në Siri

Shkruan: Harry J. Kazianis

Moska bëri të qartë se nëse forcat e NATO-s do të depërtonin më thellë në territorin e kontrolluar nga Rusia dhe vazhdonin sulmet e raketave, Rusia do të përgjigjet me armë bërthamore taktike të nivelit të ulët

Pas njoftimit të presidentit Trump, mbrëmjen e së premtes, forcat ushtarake franceze dhe britanike kanë lansuar sulme raketore për të dëmtuar aftësitë e Sirisë për të prodhuar armë kimike, si reagim i një sulmi me armë të tilla, që është ndërmarrë nga regjimi i këtij vendi kundër qytetarëve të vet, duke bërë botën që të pyetet se, a do të ndikojnë këto veprime amerikane që të shpërthejë një luftë midis SHBA-së dhe Rusisë? Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, theksoi të enjten se SHBA-ja tanimë ka vrarë një numër të madh rusësh në Siri. "Disa javë më parë, rusët hasën në hundëlesh", tha Pompeo në një seancë dëgjimore të Komitetit të Senatit për marrëdhënie me jashtë. "Me këtë rast u vranë disa qindra rusë".

Ushtarakë dhe civilë rusë gjenden në Siri


Komentet e Pompeos duket të jenë konfirmimi i parë publik nga një zyrtar amerikan, se gjatë sulmeve ajrore amerikane kundër forcave pro-qeveritare në Siri, në shkurt, në provincën Deir al-Zour, pati edhe rusë të vrarë. Ushtarakë dhe civilë rusë gjenden në Siri, në mbështetje të regjimit të diktatorit Bashar Assad. Edhe pse ka shumë pyetje rreth asaj se çka do të ndodhë më tej në Siri, përgjigjet sikur mungojnë. Këto pyetje përfshijnë: • A do të vazhdojnë, nëse po edhe sa, bombardimet amerikane në Siri? • Çka shpreson presidenti Trump të arrijë me sulmin që urdhëroi të bëhej? • A do të rrëzojë Rusia raketat amerikane, nëse do të ketë sulme të reja ajrore në Siri? • Si mund të reagojë SHBA-ja nëse raketat amerikane rrëzohen nga Rusia? • Çka do të ndodhte nëse raketat amerikane, pa dashje, vrasin civilë dhe ushtarë të tjerë rusë, që janë në Siri në mbështetje të regjimit të Assadit? • A do të urdhërojë presidenti rus Vladimir Putin një kundërsulm kundër anijeve amerikane, apo aeroplanbartë- seve amerikane që do të kryejnë sulme në Siri? • A mund të ndodhë që trupat tokësoamerikane dhe ato ruse të hyjnë nëkonflikt në Siri, njëra kundër tjetrës? • Çka do të ndodhë nëse do të ketë ushtarë të vrarë amerikanë, pas sulmeve të kryera nga Rusia? Shpresojmë që këto gjëra as të mos ndodhin. Do të ishte e logjikshme që SHBA-ja ta njoftojë paraprakisht Rusinë rreth caqeve që do t'i sulmojë, me qëllim të evitimit të vrasjes së rusëve të tjerë. Forcat tona do ta humbnin kështu elementin e befasisë në sulme, por do të zvogëlonin edhe rrezikun nga fillimi i një lufte midis SHBA-së dhe Rusisë, e cila, në rastin më të keq, do të shndërrohej në një luftë të tretë botërore.

Konflikti ushtarak

Ekziston gjithashtu mundësia që Rusia të mos iu përgjigjet aspak sulmeve amerikane në Siri, duke e ditur se - të paktën në Lindjen e Mesme - forcat ruse do të mposhten me forcë nga forcat amerikane në çdo konflikt afatgjatë, duke humbur pozicionin e tyre në Siri dhe në rajon më gjerë. Por, loja e gjeopolitikës nuk është për ata që janë të ligj nga zemra. Dhe, kush thotë se Putini do ta bënte një luftë të drejtë? Çka nëse Rusia do të kishte vendosur të përgjigjet ndaj vrasjes së shumë rusëve në Siri, me agresion në pjesë të ndryshme të botës, si psh në Baltik? Ndërsa duket e pamundur, kjo sigurisht që është e mundur. Dhe në fakt, kjo është ajo që ndodhi në një "wargame" - një konflikt ushtarak të simuluar - ku unë isha përfshirë si pjesë e detyrave të mia duke punuar në një 'think tank' të Uashingtonit. Rezultatet e simulimit, fatkeqësisht, ishin tragjike: filloi një luftë imagjinare bërthamore. Ndërsa e mbështes veprimin e Presidentit Trump në Siri, lutem që udhëheqësit e vërtetë civilë dhe ushtarakë të kombit tonë dhe të Rusisë të jenë më të kujdesshëm dhe të shmangin konfliktin bërthamor. Rreth dy vjet më parë, një grup ekspertësh të sigurisë kombëtare u mblodhën afër kryeqytetit të vendit tonë për një 'wargame' (simulim të luftës) masive. Në simulim, Rusia kishte vendosur t'iu përgjigjej tensioneve në rritje me Perëndimin duke pushtuar tre shtetet baltike të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Kjo mund të nënkuptojë vetëm një gjë: një luftë ndërmjet NATO-s dhe Rusisë ishte tani realitet. Në simulimin tonë, forcat ruse hynë shpejt në të tre shtetet baltike. Fatmirësisht, ushtria në të tri vendet përdorte një mendim të zgjuar dhe taktik duke frenuar sulmet ruse, mjaftueshëm sa për të lejuar një lloj reagimi të koordinuar nga NATO. Me djersët që po më binin nga balli, para vetes kisha atë që po bëhej shpejt lufta më e madhe evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore - dhe ishte fat i madh që kjo ishte vetëm një stërvitje që ne e përdornim si një përvojë mësimi dhe jo një luftë e vërtetë me të vrarë dhe të plagosur.

Lufta kurrë nuk shkon ashtu siç mendohet

Sapo filloi lufta jonë e simuluar, gjërat shkuan keq dhe mora një mësim shumë të vlefshëm: lufta kurrë nuk shkon ashtu siç mendon. Derisa betejat zhvilloheshin midis forcave amerikane dhe atyre të NATO-s nënjërën anë dhe forcat ruse nga ana tjetër - duke përparuar këtu, duke u tërhequr atje dhe duke vuajtur viktima të tmerrshme - isha i kënaqur që kjo ishte vetëm imagjinare. Së fundmi, Moska bëri të qartë se nëse forcat e NATO-s do të depërtonin më thellë në territorin e kontrolluar nga Rusia dhe vazhdonin sulmet e raketave, Rusia do të përgjigjet me armë bërthamore taktike të nivelit të ulët. Forcat e NATO-s injoruan paralajmërimin dhe gjatë disa ditëve të luftimeve vazhduan të shkaktojnë humbje të mëdha në forcat ruse në vendet baltike. Forcat aleate po lëviznin ngadalë përgjatë Atlantikut dhe nga bazat në të gjithë Evropën për t'u ballafaquar me sfidën ruse. Së shpejti, ushtria ruse do të mbetej pa njerëz, pa armë dhe e mundur. Ndërsa armiqësitë dukej se po rriteshin, NATO propozoi një rrugëdalje për Rusinë. Ne ofruam një kthim në kufijtë përpara konfliktit, një shkëmbim të plotë të të burgosurve, si dhe një konferencë të palëve ndërluftuese për të gjetur mënyra për të shmangur një konflikt të tillë në të ardhmen. Mjerisht, Moska nuk iu përgjigj kurrë ofertës. Në mendjet e lojtarëve rusë, vendi i tyre filloi të humbasë. TV ruse, të paktën për qëllimet e simulimit tonë, ishte duke treguar ushtarë të panumërt në qese kufomash. Presidenti ynë imagjinar Vladimir Putin ndjente 'zhegun'. Ai ndjeu se duhej të merrte një qëndrim, për t'i treguar Perëndimit se ai dhe Rusia nuk do të mundeshin - pavarësisht kostos. Dhe pastaj, në këtë simulim ndodhi e pamundura. Rusia vendosi të përdorë armët bërthamore. Në simulimin tonë, Moska filloi sulmin e parë atomik që nga viti 1945. Duke përdorur vetëm një armë taktike bërthamore, Rusia fshiu një pjesë të madhe të forcave polake në luftën tonë imagjinare, duke vrarë mijëra ushtarë imagjinar. Ajo që ndodhi më pas do të kishte qenë një tragjedi, por kurrë nuk do ta dimë. Simulimi ishte paracaktuar që të vazhdonte vetëm për shtatë ditë, për t'u dhënë të gjithë luftëtarëve një ndjenjë shumë të ngjeshur të kohës dhe një ndjenjë të vërtetë të mjegullës së luftës. Lufta jonë imagjinare mbaroi. Por, sikur të kishte vazhduar, NATO-ja do të kishte mundësi të autorizonte përdorimin e saj të armëve bërthamore, dhe me të, vdekjen e mundshme të miliona njerëzve në Evropë dhe në mbarë botën. Fatmirësisht, e gjithë kjo ishte një ushtrim, por ai tregon qartë rreziqet e asaj që po përballemi në Siri. Luftërat kurrë nuk qëndrojnë në hapësira të ndërtuara bukur që ne dëshirojmë t'i mbajmë. Siç kemi parë tashmë, miliona njerëz kanë ikur nga Siria në Evropë, duke futur tashmë kontinentin në një krizë migrimi që nuk është parë që nga lufta e fundit botërore. Prandaj, të gjitha anët e këtij konflikti, pa marrë parasysh besnikërinë e tyre, duhet të punojnë për t'i dhënë fund Luftës Civile Siriane njëherë e përgjithmonë. Nëse jo, një krizë shumë më e madhe mund të na presë.

(Harry J. Kazianis është drejtor i studimeve të mbrojtjes në Qendrën e Interesit kombëtar, të themeluar nga ish-presidenti Richard M. Nixon)

(Kosova Sot)