Realiteti në Siri, i pandryshueshëm

Realiteti në Siri, i pandryshueshëm
  • 22 April 2018 - 09:59

RREZIKU QË AJO TË SHNDËRROHET NË NJË KONFLIKT MË TË GJERË, MBETET ENDE 

SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk do të bëjnë përpjekje të dakorduara për ta zëvendësuar Assadin

Shkruan: GIDEON RACHMAN 

"Misioni i kryer" ishte mesazhi i shkurtër, edhe pse jo origjinal, i Donald Trumpit, pas sulmit kundër Sirisë, javën e kaluar. Por, 'misioni' i Amerikës në Siri është zor që të definohet, e lëre më të kryhet. Ekzistojnë, të paktën, pesë çështje të cilat duhet t'i marrin parasysh politikëbërësit perëndimorë. E para dhe, më e ngushta, është çështja e përdorimit të armëve kimike. E dyta ka të bëjë me vetë fatin e Sirisë. Çështja e tretë flet për fatin e Lindjes së mesme, më gjerësisht. E katërta për Rusinë dhe çështja e pestë ka të bëjë me qëndrimin e SHBA-së si superfuqia e vetme botërore. Zyrtarisht, sulmi u krye vetëm për çështjen e parë - armët kimike. Sulmi kishte për qëllim ta dërgonte një mesazh të rëndësisë dhe vendosmërisë së Perëndimit, duke minimizuar në të njëjtën kohë rrezikun e përfshirjes në një luftë më të gjerë. Ky mesazh i përzier nënkuptonte se asnjëra prej çështjeve të mëdha në Siri nuk janë afër zgjidhjes. Lufta do të vazhdojë, me tërë pasojat e saj humanitare. Dhe, rreziku që ajo të shndërrohet në një konflikt më të gjerë, mbetet ende. Ka diçka të çuditshme rreth fiksimit të Perëndimit me armët kimike. Në Siri janë vrarë qindra mijëra njerëz. Vetëm pak nga ta janë vrarë me armë kimike. A është duke u dërguar mesazhi se, është në rregull që të vrasësh sirianët, përderisa nuk përdorë një lloj të veçantë të municionit?

Rreziqet ushtarake

Ekziston rreziku që presidenti Bashar Al-Assad do të arrijë deri te ky përfundim. Arsyeja pse armët kimike meritojnë një vëmendje të veçantë qëndron te fakti se ato ndalohen me marrëveshje ndërkombëtare. Nëse kjo ndalesë nuk respektohet, atëherë luftërat mund ta marrin një aspekt të tmerrshëm. Ndalimi ndërkombëtar i armëve kimike po ashtu është njëra nga ato rregulla që përbëjnë "sistemin ndërkombëtar të mbështetur te rregullat", për të cilin Perëndimi thotë se është i përkushtuar ta mbështetë. Por edhe nëse armët kimike meritojnë që të ngritën mbi të gjitha tmerret tjera, të përdorura në Siri - bombat kasetore, dhomat e torturës, artileria konvencionale - nuk është e qartë si do të ndikojë sulmi i kësaj fundjave në ndalimin e përdorimit të tyre. Sulmet e administratës Trump vitin e kaluar nuk arritën këtë qëllim. Kur flitet për çështjen e dytë - fatin e Sirisë - politika amerikane tani është më konfuze sesa që ishte gjatë presidencës së Obamës. Trump thoshte se qëllimi i vetëm i rëndësishëm, ishte mposhtja e ISIS-it. Vetëm pak ditë para sulmit me armë kimike, presidenti deklaroi se donte të tërhiqte të gjitha trupat amerikane nga Siria. Pak ditë më pas, ai autorizoi sulme ushtarake. Por, realiteti është se, SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk do të bëjnë përpjekje të dakorduara për ta zëvendësuar presidentin Assad. Ata kuptojnë rreziqet ushtarake të përfshira në intervenimin perëndimor dhe kanë frikë se regjimi i Assadit mund të zëvendësohet me diçka edhe më të keqe. Si rezultat i kësaj, trajektorja rezultuese e luftës në Siri ka të ngjarë që të mbetet e pandryshueshme, me qeverinë siriane të mbështetur nga Rusia dhe Irani, e cila gradualisht është duke marrë kontrollin mbi vendin. Një fitore finale për qeverinë siriane mundet, të paktën, ta ofrojë perspektivën e përfundimit të luftës. Por, disa fuqi regjionale nuk janë të kënaqura me zgjidhjen politike që është duke u paraqitur, gjë që mund të thotë që ata të vazhdojnë të mbështesin grupe të caktuara, apo të intervenojnë në mënyrë direkte. Në veçanti, Izraeli dhe Arabia Saudite janë të shqetësuara rreth rritjes së ndikimit të Iranit në Siri. Javën që shkoi, Izraeli bombardoi një bazë iraniane brenda Sirisë. Në ndërkohë, qeveria e Turqisë është e përkushtuar që ta pengojë formimin e një enklave kurde në territorin sirian. Meqë kurdët janë aleatë të rëndësishëm të amerikanëve, kjo ka çuar deri te luftimet midis forcave të Turqisë dhe atyre të kurdëve, të mbështetur nga Amerika. Të gjitha këto interesa konfliktuoze regjionale nënkuptojnë se paqja në Siri ka të ngjarë që të mbetet vetëm një dëshirë. Intervenimi i Rusisë në emër të qeverisë Assad po ashtu ka rritur shanset për një konflikt midis forcave amerikane dhe ruse. 

Amerika e Trumpit është një partner i paparashikueshëm dhe kaotik

Pas sulmeve amerikane në Siri, TV-ja ruse transmetoi vërejtje rreth mundësisë për një luftë bërthamore. Sulmet amerikane, britanike dhe franceze ishin të dizajnuara me kujdes, për të minimizuar vrasjen e rusëve. Sido që të jetë, është e qartë se tensioni midis Rusisë dhe Perëndimit është duke eskaluar dhe zyrtarë të lartë perëndimorë presin që gjërat të vijnë duke u përkeqësuar gjatë muajve në vijim. Megjithatë, duke pasur parasysh rreziqet nga një ndeshje direkte ushtarake, SHBA-ja dhe aleatët e saj do të përpiqen që të evitojnë shndërrimin e Sirisë në një front qendror në cilindo betejë të vullneteve me Kremlinin. Në vend të kësaj, përqendrimi i përpjekjeve të Perëndimit ka të ngjarë që të mbeten sanksionet ekonomike të llojit që lanë pasoja të mëdha te rubla dhe tregjet ruse të aksioneve, javën që shkoi. Përleshjet me Rusinë nënvizojnë shkallën deri te e cila Siria është bërë 'letër lakmusi' për fuqinë amerikane. Dështimi i Obamas për ta imponuar një vijë të kuqe ndaj përdorimit të armëve kimike në Siri, gjerësisht ishte interpretuar në botë si simbol i tërheqjes amerikane. Pjesërisht për këtë shkak establishmenti i Uashingtonit mezi priti që kësaj here të vepronte administrata Trump. Por, derisa është duke u bërë e qartë se sulmet e kësaj jave me raketa nuk kanë bërë shumë për ta ndryshuar trajektoren e luftës në Siri, ka të ngjarë që rëndësia simbolike e tyre të ikë bashkë me erën. Në ndërkohë, ka shumë dëshmi se Amerika e Trumpit është një partner i paparashikueshëm dhe kaotik. Një bombardim i fundjavës në Siri nuk mund ta ndryshojë këtë - apo sensin se fuqia e Amerikës në Lindjen e Mesme është duke u zbehur. 

(Kosova Sot)