Gjermania dhe ambiciet e mëdha të presidentit francez

Gjermania dhe ambiciet e mëdha të presidentit francez
  • 23 April 2018 - 08:58

REFORMAT E EUROZONËS

Realiteti është se Parisi dhe Berlini nuk janë më aleatë natyrorë  

Shkruan: WOLFGANG MUNCHAU

Muaji francez-gjerman i mjaltit ka marrë fund. Në fillim të vitit, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Martin Schulz, ish-lideri i Partisë socialdemokrate, u pajtuan që Gjermania t'ia nisë një dialogu domethënës me presidentin francez, Emmanuel Macron, në lidhje me reformat e eurozonës. Siç doli, agjenda e eurozonës ishte një projekt personal i z. Schulz, jo i SPD-së. Kur ai u rrëzua nga pozita udhëheqëse në shkurt, partia humbi interesin. Koalicioni i madh është përsëri në pushtet, por tani pa projektin e vetëm interesant që do ta justifikonte ekzistencën e saj. Olaf Scholz, ministri i financave i SPD-së dhe i fuqishmi i ri i partisë, është mjaft i ftohtë rreth tërë kësaj ideje. Për çështjen e rëndësishme të skemës evropiane të sigurimit të depozitave, ai është aq skeptik sa edhe paraardhësi i tij, Wolfgang Schauble. Kundërshtimi ndaj reformës së eurozonës nga partia e Merkelit, CDU dhe partia e saj simotër bavareze, CSU, është po aq e fortë sa kurrë. Grupi CDU/CSU në Bundestag hedh poshtë gjithçka, me përjashtim të njërës prej pikave në agjendën e reformës së presidentit Macron.

Ndryshe nga Franca, partitë pro-evropiane në Gjermani janë në tërheqje

Ata nuk duan një mekanizëm të zgjeruar evropian të stabilitetit, ombrellën e shpëtimit, e jo një buxhet të përbashkët të eurozonës. Dhe, sikur edhe Scholz, ata nuk duan një skemë evropiane të sigurimit të depozitave derisa bankat italiane të kenë arritur të heqin qafe shumicën e kredive të këqija në bilancin e tyre. Ata nuk duan as lehtësimin e borxheve për Greqinë. Ideja e vetme e reformës për të cilën ekziston një mbështetje e dobët është ajo e një kthimi fiskal te fondi i zgjidhjes së bankës, gjë që duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Mesazhi është i qartë: Gjermania i thotë jo Macron-it në lidhje me reformën e eurozonës, të paktën në thelbin e saj. Mund të ketë akoma një marrëveshje, ndoshta një buxhet i vogël eurozonë pa asnjë rëndësi makroekonomike. Për ta përkeqësuar situatën edhe më shumë, Merkel gjithashtu përjashtoi paraprakisht përfshirjen gjermane në veprimet ushtarake kundër regjimit sirian. Pyes veten se si do të pranohen këto dy mesazhe të palidhura midis veti, nga Gjermania. Franca tani është pikërisht në pozicionin që Marine Le Pen, udhëheqësja e Frontit Nacional djathtist kishte paralajmëruar: në një bashkim monetar në të cilin zëri i Francës nuk ka vlerë të madhe dhe në një situatë gjeopolitike në të cilën Mbretëria e Bashkuar është partneri më i besueshëm . Përkrahja entuziaste e presidentit Macron për integrimin evropian dallon nga realiteti i pandryshuar politik që Franca dhe Gjermania nuk janë më aleatë natyrorë. Ndryshe nga Franca, partitë pro-evropiane në Gjermani janë në tërheqje.

Kriza ekzistenciale

Partia e Merkelit humbi 1 milion vota, të cilat shkuan për Demokratët e lirë dhe Alternativën për Gjermaninë, të dyja këto parti të cilat përkrahin politikat që do të çonin në shkatërrimin e eurozonës. Gjashtëdhjetë deputetë të CDU/CSU votuan kundër programit të mbështetjes greke në vitin 2015. Nëse përballen me një rebelim të ngjashëm sot, koalicioni i madh nuk do ta kishte shumicën. A e bën kjo të pamundur reformën e eurozonës? Unë nuk mendoj kështu. Afati i qershorit për reformat në eurozonë u zgjodh për shkak se presidenti Macron ka nevojë për diçka konkrete para zgjedhjeve evropiane në maj të vitit 2019. Si një avokat i gjatë i reformës në eurozonë, po e gjej veten në pozicionin e pazakontë për të favorizuar një tërheqje taktike. Do të ishte më mirë të prisnim një moment më të mirë për të shtyrë përpara dy çështjet që me të vërtetë kanë rëndësi, asnjëra prej të cilave nuk është në agjendë tani: krijimi i një aseti të vetëm të sigurt ose një boni të eurozonës; dhe ndarjen ligjore dhe politike të qeverive kombëtare dhe bankave të tyre. Reformatorët duhet të shfrytëzojnë faktin se suficitet e mëdha dhe të vazhdueshme të llogarisë rrjedhëse të vendeve të eurozonës veriore i bëjnë ato të pambrojtura ndaj një përçarjeje të papritur të flukseve tregtare. Vetëm një krizë ekzistenciale që kërcënon vetë mbijetesën e eurozonës ka potencialin për të përqendruar mendjet në eurozonën e veriut. Një suficit shumë i madh i llogarisë rrjedhëse ju bën të fortë në kohë të mira, por të dobët në të ato të këqijat. Tani nuk është momenti për të nxjerrë koncesione nga Gjermania ose Holanda. Alternativa po humbet kapitalin e pakët politik me reforma të dobëta. Ne gjithashtu do të duhet të pranojmë kushtet që mund të shtojnë paqëndrueshmërinë financiare, sikur që është kërkesa e Gjermanisë për ristrukturimin e borxhit gjysmë-automatik ose kufijtë në zotërimet bankare të obligacioneve sovrane. Nëse alternativa është një hap i madh në drejtimin e gabuar, qëndrimi pa bërë gjë do të përbënte një përparim relativ.

(Kosova Sot)