Qëllimisht amortizohen çështjet me rëndësi në Kuvend

Qëllimisht amortizohen çështjet me rëndësi në Kuvend
  • 24 April 2018 - 08:31

Shkruan: Shefik Shkodra

Presidenca, Qeveria, Kuvendi dhe institucionet e tjera pas tyre, janë varg në një frymë aq monotone veç për t'i përcjellë publiku, e lë më, që t'ua dëgjosh përmbajtjen e punës së tyre. Kuvendi, Qeveria të përbërë prej partive, të cilat do të duhej që krejt atmosferën e një vepre dhe veprimi serioz ta kenë parasysh, për qytetarët dhe këtë vend, asnjëra nuk e ka treguar deri më tash këtë sinqeritet pas zgjedhjeve në këto institucione. Nuk mund të mohohet fakti që ua siguruan me shumë potera një pagë mujore veteranëve dhe invalidëve të luftës. Por nuk kanë bërë një reformim brenda për brenda, as nuk kanë sjellë ndonjë rezultat tjetër. Asnjëra prej këtyre partive nuk ka një program për ringjallje të jetës ekonomike, juridike, kulturore, arsimore e shëndetësore, krejt njësoj vijon, nuk i kanë mbajtur premtimet e veta asnjëra asnjëherë. Kur takohen në atë kuvend, nuk mbahet rend i pikave, për të gjitha devijimet flasin aty-këtu në mënyrë margjinale, për të cilat vetë janë fajtorë, dhe këtë e bëjnë vetëm sa për të krijuar një xhurullti para qytetarëve, duke ithënë njëri-tjetrit, si p. sh, ti je më kriminel se unë, se ai tjetri është më i korruptuar se ky, se kjo tjetra, por pa ndërmarrë asgjë në këtë pikëpamje. Kuvendi është teatër i këtyre komedive.

Degradimi i vendit

Regjinë e bën kryetari me një pjesë të kryesisë. Njëri thotë, na kemi qenë heronj dhe ne e kemi çliruar këtë vend, sa për t'ia çelë gojën tjetrit, duke ia kthyer ana tjetër, boll më se na keni lodhur me këto llafe...! Këto kundërthënie nuk do të thotë se, nuk mund të ekzistojnë, po s'është aty qëllimi. Poenta është që të amortizohen çështjet që janë më delikate e në rend dite, ngase nuk kanë prognozë për ta rregulluar asnjë çështje që kërkohet. Por, të ruhen edhe nga grackat reale të tyre...Pa e llogaritur asnjëra palë se tash janë bërë njëzet vjet që po e mbajnë pushtetin e këtij vendi të njëjtit tipa, që kur kanë nevojë për vetveten, krekosen dhe flasim shumë fjalë të mëdha. E përshtatin ligjin për benificione e privilegje, me (si) salltanete edhe pasi të jenë larguar nga ajo detyrë. Mundohen edhe në atë botë ta sigurojnë veten, fatkeqësisht(?!) Për masën e gjerë nuk lodhen shumë. Loja në mes pozitës dhe opozitës është ngjashmëri e fjalëve të atyre konferencave të kuvendeve nën tutelën e Milosheviqve, për dallim që, sot te ne askush nuk skuqet nëse njëri i thotë këtij tjetrit se je vrasës, as ky tjetri nuk mërzitet kur dikush i thotë se ti je plaçkitës i kaq e kaq parave të këtij populli. Fare nuk ka ndonjë ndjekje nga prokuroria për askënd prej këtyre. Thoni ju që ka dikush tjetër faj pos juve qëjeni në ato institucione, që vetëm e amortizoni kohën për gjërat më të rëndësishme, në mënyrë që të pamundësohet ndërmarrja e masave ligjore ndaj problemeve që i keni shkaktuar ju vetë dhe vijoni ta turbulloni atmosferën në mënyrë serike me skandale të natyrave të ndryshme. Le të deklarohen këta publikisht se, ne kemi gjyqe dhe prokurori të këtij vendi, se kemi ligj për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh i çfarë profesioni, klase është. Ju jeni të prirë ta degradoni vendin dhe qytetarët e tij të hutuar sepse nuk ka transparencë nga vetë ju. E keni prurë në zgrip krejt gjendjen në qeverisjen e brendshme. Qytetarët, sidomos rinia janë të gatshëm, posa t'u jepet mundësia e parë, të thyejnë qafen "kah t'u shohin sytë", edhe nëse nuk janë të gjithë në atë krizë ekonomike, ato që dëgjojnë prej jush e për ju janë të tmerrshme dhe pa perspektivë me ju! Çdo ditë po plotësohen thëniet e dikurshme të "hallkut", kur unë vërtet, personalisht ndihesha keq për ju, pa ju njohur fare dhe nuk kam dashur t'u besoj atyre fjalëve, por doli e vërtetë. Dhe e shihni se keni qenë më të dëmshëm se sa që i keni sjellë ndonjë të mirë këtë vendi. Për shkak të nepotizmit, korrupsionit dhe kriminalitetit nuk kanë lejuar evropianët që shqiptarët e Kosovës të lëvizin të lirë. Kemi mbetur në karantinë. Ju jeni fajtorë! Këtë e dini ju mirë. Pse përpiqeni ta pështjelloni fajin e të bëni gënjeshtra...? Tregoni ju edhe njëherë, qe sa vite jeni deklaruar për ato viza se, brenda këtij afati kohor do të sigurohen. Sado që vizat të gjithë qytetarëve tanë nuk iu duhen, pse bëhet lajmi i parë përasgjë, mu pre këtyre përfaqësuesve përgjegjës të institucioneve.

Sistemi juridik i paralizuar

Gjykatës e prokurorë janë vetëm figura të ulura në ato karrige dhe paguhen nga ky popull, por nuk kryejnë punë efikase. S'është faji i tyre. Shefat e komunave dhe atyre në qendër nuk lejojnë të ngrihet e as të përfundohet kurrfarë padie, nëse ka të bëjë me të drejtën e qytetarit, të cilën e kërkon nga institucionet që janë të detyruara. Korrupsioni dhe organizimi kriminal i përhapur në çdo skutë. Edhe ata të administratës së përditshme t'i shikojnë duart, nëse të duhet një copë letër legale, mos ka mundësi të të hedhin një "barrë", madje një vonesë sado të vogël për ta bërë. Vjedhja, por edhe plaçkitja janë bërë shprehje sëmundjeje, shumë e dendur në fjalorin e cilitdo qytetar dhe shumë e legalizuar, madje disa që s'kanë pasur rastin ende, me krenari i lakmojnë dhe flasin për të. Si diçka që do të ishte tradicionale e e kulturës. Një pjesë e njerëzve e kanë të lindur dhe vetëm sa e zgjerojnë kapacitetin e vjedhjes dhe këtë e quajmë kleptomani. Kriminaliteti po ashtu del nga persona që janë të prirë, apo edhe ky tip është i lindur me këtë veti. Nuk ka dert për jetën e tjetrit. Kështu sikur janë shitur mallra të prishura për fitime të veta. Këta janë tregtarë se, ua shesin sëmundjen dhe vdekjen qytetarëve të vet. Shkatërrojnë bashkëkohësit e tyre, vëllezërit e motrat pa dhimbje...Këta do të duhej dënime të mëdha të fitonin. Këta mund të kualifikohen në kriminel. Paralizimi i sistemit juridik vjen nga politika që e bëjnë njerëzit më përgjegjës, dy-tre vetë. Ata përpiqen me fjalë që ta gënjejnë, opinionin publik, vetë janë fajtorët kryesorë dhe kjo duket sheshit. Nepotizmi, si term ka hyrë në politikë nga partitë, jo veç te ato tonat. Asnjë rregull tjetër juridike nuk vlen. Grupi shumë i emancipuar, shpesh e kanëshqiptuar një parullë "shkencore": familja, shteti...Po familja, po cila familje? Familja e atij që i thotë veti se më ka zgjedhur populli, për popullin! Unë patrioti, çka të dua bëj në këtë vend! Kjo është shumë kriminale e tradhtare. Ajo që nuk më konvenon mua në pushtet është e ligë dhe e dënueshme, për të tjerët vlen si e tillë. Mija e mija padi palë-palë nëpër podrume e skeda të ndryshme nëpër gjykatat, dhjetëvjeçare, gjyqtarët dhe prokurorët dënojnë gjykojnë raste të vjedhjes së një gomari dru, ndonjë shofer që ka hyrë në nën rrugë, etj. të ngjashme.

Zhvillimi i politikës së brendshme është zëri i asaj të jashtmes

Nuk duhet të habitet askush se, këtu brenda bëj çka dua unë dhe jashtë qeshem me njerëzit e botës si njeri më sharmant, shumë i kulturuar e demokrat. Nuk e di, këta njerëz, a lexojnë fare ndonjë libër, doracak apo gazeta e revista të jashtme, mos këto tonat. Po "s'kanë nevojë të lexojnë, krejt i dinë". Para dy dite njëri prej këtyre opinionistëve të Kosovës mirë ka thënë, politika e brendshme është njësoj apo e barabartë me atë të jashtme. Nuk mund të mbulohen skandalet me përmasa kombëtare për të fshehë problemet që i keni krijuar dhe vazhdoni me të njëjtin avaz. As politikën e jashtme nuk mund ta udhëheq gjithkush. Edhe ajo do një mjeshtëri e një qasje serioze. Edhe kontakti me të huajtët nuk është aq i thjeshtë. Kërkohet të jesh njohës i mirë i gjuhëve, orator dhe me mend në kokë për çështjen që iu ke përkushtuar, jo për tregtitë personale...Nuk kam qenë ministër i Punëve të Jashtme as të Brendshme, po kontakte kam pasur me njerëz. 

(Kosova Sot)