SHBA-së i nevojitet një strategji për Sirinë

SHBA-së i nevojitet një strategji për Sirinë
  • 24 April 2018 - 08:51

Shkruan: Shlomo Ben-Ami 

Presidenti amerikan Donald Trump doli me fjalë miradije për sulmet e kryera nga SHBAja, Franca dhe Britania e Madhe kundër instalacioneve ushtarake të Sirisë, të kryera në shenjë hakmarrjeje për një sulm me armë kimike, të kryer sikur që besohet nga regjimi i Bashar al-Assadit, duke i konsideruar ato sukses të madh. Por, asnjë sasi e retorikës triumfuese nuk mund ta errësojë tradhtinë e Perëndimit ndaj popullit sirian, e as ta maskojë mungesën e ndonjë strategjie aktuale për zgjidhjen e konfliktit sirian. Gjatë shtatë viteve të fundit, gati një gjysmë milioni qytetarë sirianë janë vrarë dhe shtatë milionë janë bërë refugjatë. Ndërkohë, një aleancë 'e mëkatshme' është formuar midis fanatikëve shiitë, të përfaqësuar nga Irani dhe Hezbollahu dhe një qeveri ruse të angazhuar për të zbuluar rendin e pas Luftës së Ftohtë dhe për të ndryshuar rrënjësisht strategjinë në Lindjen e Mesme.

Vijat e kuqe

Perëndimi ka dështuar absolutisht të ngrihet në këtë sfidë. Përkundrazi, Trump është gati të tërheqë trupat e mbetura të SHBA-së nga Siria, duke argumentuar se objektivi i tyre kryesor - mposhtja e Shtetit Islamik (ISIS) - është arritur. Megjithatë, ndërsa ISIS duhej të ndalohej, ai kurrë nuk ishte armiku më i frikshëm i Perëndimit në Siri; ky titull iu takon faktorëve, si Rusisë, Iranit, Hezbollahut dhe regjimit të Assadit - një bosht kundër të cilit ISIS ishte në të vërtetë një forcë kundërbalancuese. Tani, tërë atë që Perëndimi duhet ta ofrojë, është ajo që Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, e quajti "një goditje të menjëhershme", të sulmeve tepër të kujdesshme që nuk synojnë asnjë nga aftësitë konvencionale të regjimit të Assadit dhe aleatëve të tij. Ashtu si goditjet e raketave të kufizuara të SHBA-së vitin e kaluar, sulmi i kohëve të fundit nuk do të pengojë përdorimin e ardhshëm të armëve kimike, aq më pak kërcënojnë mbijetesën e regjimit të Assadit. Edhe nëse sulmet dërguan mesazhin se armët kimike nuk do të toleroheshin - një vijë e kuqe të arsyeshme, duke pasur parasysh përvojën me armë kimike në dy luftërat botërore të shekullit të njëzetë - ato mund të interpretoheshin gjithashtu edhe si një sinjal se mjetet e tjera të vrasjes, janë të lejuara. Dhe, armët kimike kanë qenë përgjegjëse për më pak se 1% të vdekjeve në luftën siriane deri më tani; shumica e madhe e vrasjeve janë shkaktuar nga armët konvencionale. Në fakt, fokusi te armët kimike mund të përfundojë duke ndihmuar në rritjen e numrit të viktimave. Sipas ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov, sulmi i fundit i udhëhequr nga SHBA-ja, mund të shërbejë si pretekst për forcimin e mëtejshëm të aftësive konvencionale të regjimit të Assadit, duke e furnizuar atë me sistemin e avancuar të mbrojtjes ajrore S-300 të Rusisë. Sulmet tashmë kanë një efekt tjetër të padëshiruar: rritjen e popullaritetit të Assadit. Ai tani mund të portretizohet si viktimë e fuqive të njëjta koloniale që bashkëpunojnë me Arabinë Sauditeduke masakruar jemenasit, dhe me Izraelin ndërsa shtyp palestinezët. Tërheqja e Amerikës nga ekuacioni strategjik në Siri mund të dëmtojë edhe aleatët e vet. Në veçanti, ajo e lë Izraelin të ballafaqohet me kërcënimin e paraqitur nga Irani, Hezbollahu, Hamasi dhe Rusia. Në vend që ta nxitë Trumpin që të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin, të arritur në vitin 2015, kryeministri izraelit Binyamin Netanjahu do të duhej ta kishte siguruar një prani të SHBA-së në frontin e Sirisë-Libanit, të cilin Irani dhe dega e tij, Hezbollah, duken të vendosur ta kthejnë në një pikë të nxehtë. Sulmi ndaj Izraelit nga një dron i armatosur iranian disa javë më parë dhe sulmet e Izraelit kundër instalimeve ushtarake iraniane në Siri si përgjigje, janë të paprecedentë, me një potencial të lartë për përshkallëzim. Pa një prani të fortë të SHBA-së në rajon, as skenari pak i mundshëm i një konfrontimi midis Izraelit dhe Rusisë, nuk mund të përjashtohet plotësisht. Pra, çfarë duhet të duket një strategji amerikane? Për fillestarët, një forcë amerikane duhet të ndihmojë për të stabilizuar ato pjesë të vendit të cilat ISIS i ka braktisur, por Assad nuk e kontrollon. Për më tepër, SHBA-ja duhet të përdorë fuqinë e saj me Turqinë dhe kurdët sirianë për të ndërmjetësuar një marrëveshje që mundëson krijimin e një rajoni autonom kurd në Sirinë Veriore. Një tampon-zonë e përhershme e kontrolluar nga Turqia mund të zbuste frikën e vendit që luftëtarët dhe armët do të rrjedhin në kurdët brenda Turqisë. Një iniciativë amerikane për të sjellë paqen në Siri mund të jetë edhe një bekim i fshehur për presidentin rus Vladimir Putin, pasi do t'ia mundësonte atij një shpëtim nga një kurth të ciline ka bërë vetë. Pavarësisht se deklaroi "misioni i arritur" në, të paktën, tri raste, Putini është i paaftë për të arritur një zgjidhje politike midis shumë palëve të interesuara në Siri.

Mësimi historik

Dilema e Putinit është se ai nuk është i gatshëm ta mbështesë konfliktin derisa Assad të kontrollojë të gjithë vendin (versioni i vetëm i "paqes" që Assad është i gatshëm të pranojë) dhe nuk duan të rrezikojnë kolapsin e regjimit duke u tërhequr krejtësisht. Në këtë kuptim, Rusia është edhe një zot i Sirisë (së bashku me Iranin), por edhe një peng i regjimit të Assadit, që mund të çlirohet vetëm nga SHBA-ja. Ajo që i komplikon çështjet edhe më shumë për Rusinë, si dhe për Iranin, është se çdo fitim ekonomik i arritur nga Siria - nëpërmjet kontratave për naftë, furnizime ushtarake dhe telekom, si dhe kontrollin e minave fosfatike - nuk mund të mbulojë kostot e rindërtimit të shtetit sirian dhe riatdhesimit të milionave refugjatëve. Vetëm SHBA-ja dhe shtetet e Gjirit (të gjithë armiqtë e betuar të Assadit) mund ta bëjnë këtë. Por, nuk ka asnjë mënyrë që ata të përballen me faturën e parashikuar prej 100-300 miliardë dollarësh pa pasur një rol (zë) në rezultatin politik. Hera e fundit që një president i SH.B.A.-së shpalli "misionin e përfunduar", ishte në vitin 2003, kur George W. Bush, vetëm gjashtë javë pas pushtimit të Irakut, deklaroi se operacionet kryesore luftarake kishin përfunduar. Në vend të kësaj, këto operacione zgjatën tetë vite të tjera, dhe trupat amerikane mbeten në Irak deri në ditët e sotme. Trump nuk arriti ta merrte parasysh atë mësim historik, i cili sugjeron që, ashtu si Bush, ai nuk e di se çfarë është misioni.

(Shlomo Ben-Ami, ish-ministër i Jashtëm i Izraelit, është zëvendëspresident i Qendrës ndërkombëtare të paqes, "Toledo") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)