Si duhet të reagojë Evropa ndaj tarifave të çelikut, të vëna nga Trump - Opinione - Kosova Sot
°C
Si duhet të reagojë Evropa ndaj tarifave të çelikut, të vëna nga Trump

Si duhet të reagojë Evropa ndaj tarifave të çelikut, të vëna nga Trump

Shkruan: DANIEL GROS

NJË SHANS PËR TË NEGOCIUAR NJË MARRËVESHJE MË AFATGJATË

Trump nuk është presidenti i parë i SHBA-së që vendos masa

Vendimi në momentin e fundit, i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për ta shtyrë imponimin e tarifave ndaj çelikut dhe aluminit ndaj Kanadasë, BE-së dhe Meksikës, për 30 ditë të tjera, gjoja do t'i ndihmojë SHBA-së duke ia dhënë një shans për të negociuar një marrëveshje më afatgjatë me partnerët e saj tregtarë. Si duhet të duket një marrëveshje e tillë? Trump nuk është presidenti i parë i SHBA-së që vendosë masa proteksioniste në emër të industrisë së çelikut të Amerikës. Në vitin 2002, Presidenti George W. Bush vendosi një numër kufizimesh importi, duke përfshirë tarifat kryesore prej 30% në disa produkte çeliku. Por, edhe atëherë, më shumë se 70% e importeve të çelikut ishin të përjashtuara nga çdo masë proteksioniste. Trump, përkundrazi, propozon masa që do të ndikojnë në të gjithë sektorin e çelikut. Ky ndryshim pasqyron një ndryshim më themelor në qasjen amerikane ndaj tregtisë. Administrata e Bushit përgjithësisht favorizoi tregtinë e hapur; dora e saj ndikohej nga lobi i brendshëm i çelikut, në një kohë kur industria po krijonte humbje të mëdha. Gjithsesi, kishte një kuptim implicit se të gjithë do t'iu bindeshin rregullave të lojës - në mënyrë specifike, rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë - gjë që SHBA-ja përfundimisht e bëri.

Masat kundërvepruese

Për dallim nga kjo, dëshira e administratës 'Trump' për të mbrojtur sektorin e brendshëm të çelikut (tani fitimprurës) pasqyron një besim se tregtia e lirë, në përgjithësi, ka sjellë përfitime për të tjerët, në kurriz të SHBA-së. Dhe, SHBA-ja nën presidentin Trump ka pak lidhje me rregullat e OBT-së. Për të qenë të sigurt, administrata 'Trump' ka tentuar të sigurojë që tarifat e saj nuk i kundërshtojnë drejtpërsëdrejti këto rregulla, duke pohuar se ato kanë për qëllim mbrojtjen e sigurisë kombëtare - një objektiv që OBT e njeh si një arsye të vlefshme për të mbrojtur industritë vendase. Dispozita përkatëse është përdorur shumë rrallë, por disa precedentë sugjerojnë se tarifat e Trump-it mund të jenë ligjërisht të justifikueshme, edhe nëse vetëm një pjesë e vogël e prodhimit të çelikut përdoret aktualisht për tanket dhe anijet luftarake. Por, ekziston një pengesë. Nëse tarifat vërtet kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, ato duhet të vendosen në importe kryesisht nga aleatë të ngushtë si Kanadaja, Meksika, Japonia dhe BE-ja. Çështjet komplikohen më tej nga të ashtuquajturat ringarkime. Çeliku përbënë një klasë relativisht homogjene të mallrave. Për shembull, çeliku i rrafshuar i mbështjellë (me një cilësi të caktuar) tregtohet në shkëmbime të organizuara me pak respekt për origjinën e tij. Pra, nëse SHBA-ja do të impononte tarifa të çelikut vetëm në disa vende, eksportuesit e çelikut të këtyre vendeve mund të dërgonin produktet e tyre tek aleatët e SHBA-së, të cilat pastaj mund të rrisin eksportet e tyre në SHBA. Kjo do të thotë se nëse SHBA-ja përjashtojnë aleatët e saj nga tarifat, do të duhet gjithashtu edhe një siguri se eksportet e këtyre aleatëve në SHBA nuk do të ngrihen në qiell. Dhe, me të vërtetë, SHBA-ja po kërkon tani nga aleatët e saj, përfshirë BE-në, që të kufizojnë eksportet e tyre të çelikut në SHBA. Problemi është se rregullat e OBT-së nuk lejojnë këto të ashtuquajtura kufizime vullnetare të eksportit. Kjo e vë BE-në në një situatë problematike. Ajo ka kërcënuar të imponojë masa kundërvepruese nëse SHBA-ja shkon përpara me tarifat e saj. Por këto masa mund të mos jenë legjitime, nëse një panel i OBT-së konstaton se SHBA-ja ka të drejtë të përcaktojë se siguria e saj kombëtare justifikon tarifat e çelikut. Megjithatë, nëse BE-ja i nënshtrohet kërkesave të SHBA-së për kufizime "vullnetare" në eksportet e saj të çelikut, ajo gjithashtu mund të shkelë detyrimet e OBT-së. Megjithatë, nga këndvështrimi i BE-së, ato kufizime vullnetare duhet të jenë më joshëse. Kufizimet vullnetare të eksportit u përdorën gjerësisht në vitet 1980 - shpesh nga vetë BEaj, për të luftuar konkurrencën nga Azia Lindore. Për vendin eksportues, ato paraqesin një alternativë atraktive ndaj tarifave.

SHBA-ja ka braktisur logjikën ekonomike

Tarifat ofrojnë mundësinë e të ardhurave shtesë në vendin importues, edhe pse pikërisht se sa do të jenë ato, do të varet nga shkalla në të cilën bien importet. Për shembull, nëse SHBA-ja do të impononte një tarifë të importit prej 25% në produktet e çelikut dhe importet do të binin në 15 miliardë dollarë - sa gjysma e vlerës së tyre në vitin 2017 - atëherë SHBAja do të fitonte ende një shtesë prej 3.75 miliardë dollarësh në të ardhurat vjetore. Sipas një sërë marrëveshjesh vullnetare të eksportit me prodhuesit kryesorë, rezultati i njëjtë do të arrihej, sa i përket importeve të çelikut të SHBA-së, por janë prodhuesit e huaj ata që do të fitonin të ardhura shtesë. Me fjalë të tjera, konsumatorët amerikanë të çelikut do të subvenciononin në mënyrë efektive prodhuesit e çelikut të huaj. Administrata 'Trump' është e pajtueshme me këtë rezultat, sepse e gjen të papërshtatshëm të vendosë një tarifë për importet nga aleatët e saj. Nga perspektiva amerikane, aleatët thjesht duhet të tatojnë eksportet e tyre dhe të mbajnë të ardhurat. Ndryshe nga SHBA-ja - e cila me sa duket ka braktisur logjikën ekonomike në kërkimin e saj për fitime të shpejta në tregti - BE-ja është një entitet i ngadalshëm që në përgjithësi i jep përparësi logjikës ekonomike mbi konsideratat gjeopolitike dhe favorizon marrëveshjet afatgjata. Duke pasur parasysh këto dallime, mund të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje brenda 30 ditëve të ardhshme. Megjithatë, për BE-në, logjika ekonomike e pranimit të kërkesave të Trump-it duket mjaft e fortë për ta bindur BE-në që t'ia dorëzojë Trump-it këtë fitore të dukshme. Fitimi për prodhuesit e çelikut evropian duhet të mbulojë më shumë koston e tarifave të avokatëve për të mbrojtur kufizimet vullnetare të eksportit në OBT.

(Daniel Gros është drejtor i Qendrës për studime politike evropiane, me seli në Bruksel)

(Kosova Sot)

11 orë e 44 minuta më parë
21/08/18