Një epokë e re e pasigurisë bërthamore

Një epokë e re e pasigurisë bërthamore
  • 19 May 2018 - 13:24

Shkruan: Javier Solana 

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump e përkushtuar në shkatërrimin e strukturave dhe marrëveshjeve kryesore globale

Me vendimin që të tërhiqet nga Marrëveshja bërthamore me Iranin - të njohur formalisht si Plani gjithëpërfshirës i përbashkët i veprimit (JCPOA) - administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, edhe një herë ka demonstruar se është e përkushtuar në shkatërrimin e strukturave dhe marrëveshjeve kryesore globale. Ky vendim do të jetë një goditje e fortë kundër marrëveshjes së vitit 2015, duke e rrezikuar tërë botën. JCPOA - rezultat i viteve të tëra të negociatave të vështira - u arrit nga shtatë vende dhe Bashkimi Evropian, dhe njëzëri u miratua nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, Trump ka vendosur në mënyrë të njëanshme të imponojë "nivelin më të lartë të sanksioneve ekonomik" ndaj Iranit dhe "çdo kombi që ndihmon Iranin në kërkimin e saj për armë bërthamore". Tani, kompanitë dhe bankat nga vendet që kanë përmbushur angazhimet e tyre nën JCPOA, do të vuajnë në mënyrë të konsiderueshme, si rezultat i lidhjeve të tyre legjitime të biznesit me Iranin. Me fjalë të tjera, vendi që po thyen premtimet e tij ka vendosur të ndëshkojë ata që kanë mbajtur premtimet e tyre.

Marrëveshja ende mund të shpëtohet

JCPOA ende mund të shpëtohet. Të gjitha palët e tjera të marrëveshjes tashmë kanë riafirmuar angazhimin e tyre ndaj saj. Por BE-ja, në veçanti, duhet të dalë për të marrë përgjegjësinë e sigurimit që JCPOA të mbijetojë. Edhe pse marrëdhëniet transatlantike janë një prioritet i lartë, një gjë e tillë mund të thuhet edhe për mbrojtjen e multilateralizmit - dhe të gjitha të arriturave të tij - nga sulmet e pakujdesshme dhe të pajustifikueshme. Kjo është edhe më e vërtetë kur këto sulme nuk synojnë të vënë "Amerikën në rend të parë", por ta vënë Trumpin në rend të parë. Tërheqja e Trumpit nga JCPOA ka ardhur në një moment veçanërisht të ndjeshëm për marrëdhëniet ndërkombëtare. Përhapja e armëve bërthamore mbetet në krye të rendit të ditës në gadishullin korean. Ndërkohë që disa hapa pozitivë janë ndërmarrë kohët e fundit, administrata Trump, me qasjen e saj jokoherente të politikave, mund ta harxhojë këtë mundësi. Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jaein, kohët e fundit u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un për të diskutuar një marrëveshje formale të paqes për t'i dhënë fund Luftës së Koresë. Takimi Moon-Kim ishte një prelud i një samiti tjetër të jashtëzakonshëm, midis Kim dhe Trump, i cili do të zhvillohet më 12 qershor. Takimi i parë ndonjëherë midis një udhëheqësi të Koresë së Veriut dhe një presidenti aktual të SHBA-së pasqyron përparimin e rëndë- sishëm që është bërë për vetëm disa muaj. Që të mos harrojmë, viti 2018 filloi me Kimin dhe Trumpin duke shkëmbyer kërcënime për satën herë, dhe me Trumpin duke shkuar aq larg sa të mburrej për madhësinë e "butonit të tij bërthamor". Që atëherë, megjithatë, SHBAja është mbështetur në diplomaci në vend të bombës për trajtimin e kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut - një qasje që ka mundësuar përparimin e kohëve të fundit.Dhe megjithatë, derisa sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ishte duke udhëtuar për në Korenë e Veriut, për të takuar me liderin Kim për herë të dytë, Trump u kthye në modus operandi të tij antagonist në lidhje me Iranin. Iniciativat diplomatike Negocimi me Kimin do të ishte gjithnjë e jashtëzakonisht sfiduese, sidomos kur Koreja e Veriut, ndryshe nga Irani, tashmë ka armë bërthamore. Me kredibilitetin diplomatik të Amerikës që tani është dëmtuar nga shkelja e marrëveshjes JCPOA nga ana e Trumpit, kjo punë do të jetë edhe më e vështirë. Trump tenton të shprehë veten në aspektin e interesave kombëtare, sovranitetit, kapaciteteve ushtarake dhe supremacisë ekonomike. Megjithatë, fiksimi i tij me Iranin ka pak të bëjë me realpolitikën. Përkundrazi, ajo është në përputhje me refuzimin sistematik të të gjitha politikave që lidhen me paraardhësin e tij, presidentin Barack Obama. Përtej kësaj, tërheqja nga JCPOA ka për qëllim t'ua bëjë qejfin dy aleatëve të preferuar të Trumpit në Lindjen e Mesme: Arabisë Saudite dhe Izraelit - dy vendet e para që ai vizitoi si president. Në të vërtetë, kur Muhammed bin Salman, princ i kurorës së Arabisë Saudite, vizitoi Shtëpinë e Bardhë në mars, Trump shpejt filloi me çështjen e mprehtë të luftës së udhëhequr nga sauditët në Jemen duke denoncuar mbështetjen iraniane për rebelët houthi. Në vend që të marrë iniciativën diplomatike për t'i dhënë fund luftimeve dhe për të rivendosur stabilitetin në Jemen, administrata Trump ka vazhduar të mbështesë flakët e një lufte të ndërsjellë saudite-iraniane, që po shkakton vuajtje të pallogaritur dhe që vërshon në rajon. Ngjashëm me këtë, javën e ardhshme SHBA-ja do të zhvendosë ambasadën e saj në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem. Njoftimi i Trumpit për këtë vendim në dhjetor ka krijuar tashmë një shqetësim të madh në botën myslimane (megjithëse protestat e Iranit ishin më agresive sesa ato të Arabisë Saudite). Fakti që ambasada do të hapet pikërisht në 70 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Izraelit vetëm sa do t'i intensifikojë polemikat. Menjëherë një ditë më pas, palestinezët do ta shënojnë Nakba-n ("katastrofën"), duke përkujtuar zhvendosjen masive të popullsisë palestineze që rezultoi nga themelimi i shtetit të Izraelit.

Rreziku nga armët bërthamore

Për të qenë të sigurt, aleancat amerikane me Arabinë Saudite dhe Izraelin nuk janë të reja. Por, Trump ka braktisur qasjen më të moderuar të administratës së mëparshme dhe kështu rrezikon të hapë kutinë e Pandorës në Lindjen e Mesme. Mbështetësit e linjës së ashpër në të dy vendet tani janë të inkurajuar, siç dëshmohet nga përpjekjet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për ta diskredituar marrëveshjen JCPOA. E njëjta gjë vlen edhe për Iranin, ku tërheqja e Trumpit nga JCPOA, shkon direkt në duart e mbështetësve të linjave të ashpra. Gjendja aktuale nuk është e mirë për situatën në Siri, ku të gjitha fuqitë e rajonit kanë një rol të rëndësishëm. Forcat izraelite dhe iraniane janë përleshur tashmë në Sirinë jugore dhe qeveria e Netanyahut tani po kërcënon veprime të mëtejshme në përgjigje të raporteve që thonë se Rusia mund t'i japë presidentit sirian Bashar al-Assad raketa anti-ajrore S-300. Shfuqizimi i marrëveshjes JCPOA nga Trump pothuajse me siguri do të ushqejë spiralin në rënie të konfrontimit në Lindjen e Mesme, ndërkohë që ndërlikon më shumë çështjet në Gadishullin Korean. Më gjerësisht, vendimi i Trumpit mund të ketë implikime serioze për përpjekjet globale të mospërhapjes së armëve bërthamore, të cilat tani përballen me perspektivën e injorimit. Rreziqet në javët dhe muajt që do të vijnë nuk mund të jenë më të larta.

(Javier Solana aktualisht është president i Qendrës ESADE për ekonomi dhe gjeopolitikë globale) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)