Të goditet krimi në Kosovë, por së pari të ndërhyjë vetting-u në sistemin e kalbur gjyqësor

Të goditet krimi në Kosovë, por së pari të ndërhyjë vetting-u në sistemin e kalbur gjyqësor
  • 23 May 2018 - 08:22

SHKRUAN: RESHAT BADALLAJZHURIANI

Për të shpëtuar Kosovën nga këta lugetër, duhet të reagojë populli se mos u mashtroni se ka gjyqësi në Kosovë, të gjithë janë të lidhur ngushtë dhe hanë çorbën e hajnave të gatuar nga kuzhinat e mafio-oligarkëve. Nesër do të jetë shumë vonë... Po të kishte sistem gjyqësor në Kosovë, unë do t'u jepja adresën e saktë se ku mrizojnë hajnat, banditët, mafio-oligarkët

Ka ardhur koha që në Kosovë domosdoshmërisht të goditet krimi i organizuar, sepse është në rrezik të madh që të falimentojë vendi nga mafiooligarkët dhe banditët. Në vendin tonë, mjerisht, janë duke vepruar banda kriminale të nëntokës së errët, të organizuar nga mafiooligarkët, por të mbështetur nga majat e larta të shtetit, Qeveria kuislinge, Kuvendi kukull dhe bandat politike. Nuk do ishte asnjë rrezik i madh që do t´i kanosej vendit po të ishin banda mafioze, sado të rrezikshme të ishin, por rreziku më i madh është se këto banda të stilit mafioz sicilian dhe kolumbian është sekëta e kanë mbështetjen që nga majat e shtetit, të organizuar shumë fuqishëm. Grupi i krimit është i organizuar aq mirë që nuk i trazon askush dhe kryebanditët e banditët e bandave politike që janë në krye të tyre, pa më të voglin dyshim.

U bënë me shtëpi luksoze

Aq të fuqishëm janë këto banda kriminale më të rrezikshme në tërë Ballkanin, që askush nuk guxon t´ua prish as tymin e duhanit, sepse banditët janë shtrirë si vaji në lakra në çdo cep të Kosovës dhe si rrjeti i tyre i ngjan rrjetit të merimangës dhe rrinë si shpata e Demokleut mbi kokat e tyre. Ndërkaq, për t´i humbur gjurmët mundohen që këta hajna dhe banditë shkuar banditëve i hedhin pluhur syve popullit dhe lehin sert si qentë pas hënës, ndërkaq prapa kurrizit të popullit vërsulen shumë fuqishëm pas hajnisë, tamam si zagarët e uritur pas kockave. Kjo hajni nga majat e shtetit u munduan të mbajnë fshehur, edhepse populli i dinte dhe i shihte se sa shpejt këta vagabondë u bënë supermilionerë dhe më të kamur se sheikët e Kuvajtit, sepse populli i njihte shumë mirë këta leckamanë që deri dje nuk kishin as bukë në sofër për të ngirë barkun që dëgjohej muzika e zorrëve nëpër ndeja. Po ashtu, populli i njihte si gishtat e shuplakës, që këta banditë shkuar banditëve nuk kishin as çorapë e as brekë për të veshur dhe me vonë u bënë me shtëpi luksoze, si në San Francisko, bile edhe me pishina ndër më modernet, limuzina si të John Kenedyt, ora dore ndër më të shtrenjtat, kur para lufte matnin kohën me anë te hijeve dhe me hapa dhe jo vetëm kaq, por edhe rrospitë e tyre i vishnin me mijëra euro në trup. Blinin gëzof leopardi, ia ndërronin dhëmbët se i kishin rënë nga "çaji i rusit", korb i zi e i fortë si futa se nuk kishin gjë tjetër, pos që pinin nga pesë-gjashtë "Xhukyma" të blerë në "Kapila çarise" të Sulltan Sylejmanëve... 

Nuk dinë ku t'i fshehin paratë

Shih për këtë, hajnia e madhe që po e shkatërrojnë Kosovën i ra në sy shpejt edhe faktorit ndërkombëtar. Secili që vjen ua tërheq vërejtjen banditëve dhe kryebanditëve që të luftojnë hajnin. Të gjithë mendojnë njësoj se hajnia bëhet nga bandat politike, vetëm ndaluni dhe lexoni porosinë se si ua la miku më i çmuar amerikan,z. Uesli KLARK. Por, çfarë e do kur hajnat dhe banditët e bandave politike nuk kanë gajle, sepse nuk kanë fare moral, prandaj nuk skuqen hiq, sepse këta po të dërgohen në dializë nuk kanë gjak shqiptari që u buron nga dejtë. Këta janë të pandërgjegjshëm dhe të pafytyrë ndaj e vjedhin vendin pa mëshirë dhe qëllimisht qytetarët i lënë të vdesin urie. Vetëm ndaluni dhe dëgjoni përgjimet e bandës më të rrezikshme se çetniket e Drazhës, që quhej KLANI PRONTO, askënd mos e dëgjoni se çka thonë të tjerët, vetëm dëgjoni se çka thonë vetë këta banditë dhe hajna që u bënë më të rrezikshëm se klani i Zemun Poljes dhe do të bindeni. Mos i dëgjoni ata puthadorë e sahanlëpirës që japin edhe ushkurin për interesa të tyre personale, dëgjoni vetëm realitetin e jo më shumë. Sipas burimeve të mia, të sigurta, ky krim i organizuar i nëntokës kriminale kundër shtetit dhe qytetarëve edhe më tej po lulëzon dhe janë duke u pasuruar që nuk dinë ku t´i fshehin paratë. Për të shpëtuar Kosovën nga këta lugetër, duhet të reagojë populli se mos u mashtroni se ka gjyqësi në Kosovë, të gjithë janë të lidhur ngushtë dhe hanë çorbën e hajnave të gatuar nga kuzhinat e mafiooligarkëve. Nesër do të jetë shumë vonë... Po të kishte sistem gjyqësor në Kosovë, unë do t'u jepja adresën e saktë se ku mrizojnë hajnat, banditët, mafio-oligarkët. Te gjithë janë të shpërndarë nëpër bandat politike, që nga majat e shtetit, pra Presidenca, Qeveria kuislinge hajnash që dëmtojnë buxhetin e shtetit me një vagon banditësh, po më thoni se ka mundësi të marrë qeverisjen e shtetit Rambo Gjoko Haradinaj, kur banda e tij doli në zgjedhje e pesta, hajnat janë në Kuvendin kukull e rrugaçësh se s´ka si ta fshehin kulturën familjare dhe natyrisht nëpër bandat politike, ku i prijnë kryebanditë dhe aty rrotull me banditë shkuar banditëve. Mos i kërkoni në popull, se kush ka vjedhur një gomar dru mali, ose një dhi të zgjebosur. Kërkoni banditët që e dëmtojnë buxhetin e shtetit me miliarda. Por, për të ndryshuar rrënjësisht gjendja duhet në sistemin e kalbur gjyqësor domosdoshmërisht të ndërhyjë vetting-u, por para se të hyjë aty të ndërtohen burgje të reja se nuk kanë vend, vetëm t'i dërgofshin në Serbi. Rrugë tjetër nuk ka. Për këto që flas e shkruaj mbaj përgjegjësi morale, penale e juridike/

(Kosova Sot)