Hebrenjtë e rinj amerikanë duhet të përcaktohen

Hebrenjtë e rinj amerikanë duhet të përcaktohen
  • 24 May 2018 - 08:32

Shkruan: Molly Roberts 

Derisa qeveria amerikane vazhdon që të afrohet ndaj Izraelit, gjenerata e re e hebrenjve të Amerikës tanimë ka filluar që të largohet edhe më shumë. Ngjarjet sikur ato të kësaj jave, vetëm sa do ta përshpejtojnë këtë largim edhe më shumë

Shumë amerikanë kanë pasur telashe të konsiderueshme për ta dënuar Izraelin për vrasjen e, të paktën, 60 palestinezëve, në kufirin me Gazan. Kjo më së shumti duhet t'i shqetësojë hebrenjtë e Amerikës. Është vështirë të ndahet judaizmi nga Izraeli dhe, natyrisht, ky është edhe qëllimi. Izraeli ekziston për shkak se çifutët që kishin tentuar të asimiloheshin në shoqëritë e tjera të joçifutëve, u shpërblyen me shekuj të tërë të shtypjes dhe, më pas, me Holokaust, prandaj edhe vendosën që të ndaheshin. Dhe, në vend që religjionin ta vendosnin në margjinat e jetës së përditshme, ata e bënë identitetin çifut faktor qendror të shtetit të tyre të ri. Suksesi i këtij shteti varej dhe vazhdon që të varet nga mbështetja nga jashtë; një mënyrë esenciale për ta fituar këtë, ishte që edhe hebrenjtë që jetonin gjetiu, ta shihnin Izraelin si shtëpi të tyre.

Hebrenjtë përparimtarë

Për këtë shkak, shkollat çifute në SHBA mësojnë nxënësit sesi Izraeli dikur iu kishte takuar paraardhësve tanë e se si ai tani iu takon njerëzve sikur që jemi ne. Dhe, edhe nëse një ditë këta fëmijë pushojnë së shkuari në tempujt fetar, edhe nëse kurrë nuk emigrojmë në Izrael, ky mësim mbetet me neve, sikur që rri edhe me fëmijët të cilët, në rend të parë, asnjëherë nuk kishin qenë në tempull, por të cilëve prindërit e tyre iu kishin rrëfyer ngjarje nga fëmijëria e tyre. Kur memoria rrezikon që të zbehet, në shprehje vjen antisemitizmi, për t'ua rikujtuar hebrenjve të Amerikës se shumë njerëz ende vazhdojnë që të na shohin si jo të barabartë me ta. Për këtë shkak gjithmonë ka ekzistuar njëfarë sikleti në mesin e shumë hebrenjve përparimtarë këtu, për t'u identifikuar me çkado tjetër, përpos me sionizëm, edhe nëse më nuk e dinim domethënien e kësaj fjale. Edhe nësemëshira ndaj të margjinalizuarve, që ka rolin qendror në fenë tonë, duket të bie ndesh me mbështetjen tonë ndaj një shteti i cili i margjinalizon palestinezët çdo ditë në territoret e okupuara, ku ata trajtohen si shtetas të dorës së dytë, apo në Gaza, ku ata janë të bllokuar, me qasje të mangët ndaj ujit të pijshëm, apo elektricitetit. "Pew" ka gjetur se amerikanët e rinj ndjejnë një distancë më të madhe ndaj Izraelit, sesa prindërit tanë, apo prindërit e prindërve tanë; por, për shumicën prej nesh, përgjigja për disonancën midis shtetit çifut dhe vlerave çifute, ka qenë evitimi i kësaj teme në përgjithësi. Edhe pse disa kanë folur, bile edhe kanë formuar organizata për të kundërshtuar forcat më konservatore, sikur që është Komiteti izraelit-amerikan i çështjeve publike (AIPAC), të tjerët kanë vazhduar që të heshtin. Ishte tepër lehtë të themi jemi pro Izraelit, por jo pro okupimit, apo ta përdorësh të vërtetën se, në fakt, nuk ekziston asnjë zgjidhje e thjeshtë, si arsyetim për ta evituar kompleksitetin e pakëndshëm. Por, kjo nuk është më kështu. Të rinjtë e frustruar Natyrisht, ekziston katastrofa e kësaj jave. Izraeli 'kositi' banorët e Gazas me municion luftarak, derisa ata në duar kishin gurë, apo goma, hobe (llastik), apo edhe ishin duarthatë. Izraeli thotë se shumë prej protestuesve ishin militantë. Por, shumë të tjerë ishin thjesht, të rinj të frustruar, të cilët asnjëherë gjatë jetës së tyre nuk kanë dalë nga rripi i tokës me gjatësi 25 milje dhe me gjerësi 3 deri 7 milje. Ata donin të vraponin drejt rrethojës edhe pse e dinin se, gjëja më e mirë që mund të gjenin në anën tjetër, ishte një vozitje falas për në burg - meqë shoqëria në të cilën jetojnë edhe ashtu duket sikur të ishte burg. Fakti që Hamasi shfrytëzonte dëshpërimin e tyre, nuk mund të merret si justifikim për vrasjen e tyre të panevojshme. Por, ushtrimi i dhunës së panevojshme nuk është gjë e re për Izraelin. Ajo që është e re, është sjellja e Amerikës, e cila zhbën vite të tëra të përpjekjeve për të shkuar kah një zgjidhje me dy shtete. Tanimë qeveria e Benjamin Netanyahut e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend t'ua ofrojë palestinezëve as shëmbëlltyrën e një shteti të tyre. Tani, administrata Trump ka filluar të lëvizë në të njëjtin drejtim. Zhvendosja e ambasadës së saj është vetëm hapi i parë. Është vështirë të vazhdojmë të themi se jemi pro Izraelit, por jo edhe pro okupimit kur qeveria jonë duket se i ka përzier këto dy gjëra dhe kur kjo përzierje ka trimëruar liderët e Izraelit që të veprojnë pa u ndëshkuar. Kjo bëhet edhe më e vështirë, kur presidenti ynë, pjesa më e madhe e përfaqësuesve dhe shumë çifutë pleq, refuzojnë që të flasin kundër qoftë edhe akteve aq mizore, sa që ishte kasaphana e së hënës. Derisa qeveria amerikane vazhdon që të afrohet ndaj Izraelit, gjenerata e re e hebrenjve të Amerikës tanimë ka filluar që të largohet edhe më shumë. Ngjarjet sikur ato të kësaj jave, vetëm sa do ta përshpejtojnë këtë largim edhe më shumë. 

(Kosova Sot)