Pse "Amerika në rend të parë" nënkupton një "Evropë të bashkuar"?

Pse
  • 14 June 2018 - 08:43

Shkruan: Guy Verhofstadt 

Politikat "America First" (Amerika në rend të parë) të presidentit Trump, përfaqësojnë një kthim të gabuar te nacionalizmi dhe proteksionizmi i një epoke të kaluar

Njëri nga argumentet kryesore të bëra në mbështetje të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, është se Britania e Madhe do të jetë në gjendje të negociojë marrëveshje më të mira tregtare me vendet e tjera - madje edhe me Evropën - nëse është e vetme. Sipas 'brexitersëve', sikur që është sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, meqë shtetet anëtare të BE-së janë shumë të ndara dhe të konsumuara nga kriza e tyre për të mbrojtur integritetin e projektit evropian, "Ka vetëm një mënyrë për ta arritur ndryshimin që dëshirojmë", duke votuar për t'u larguar nga BE-ja".

"Dita e Brexitit"

Por, tani kur ka mbetur më pak se një vit deri te "dita e Brexitit" - kur përfundon zyrtarisht anëtarësimi i Mbretërisë së Bashkuar në BE - është e qartë se shpresat e qeverisë britanike për ndarjen dhe pushtimin e ekonomisë së BE-së janë thyer. Shtetet anëtare të BE-së kanë mbetur të bashkuara gjatë gjithë negociatave të Brexit-it. Dhe, derisa Brexit nuk është asgjë për të festuar, procesi ka treguar të paktën se Evropa është më e fuqishme kur sfidohet. Në fakt, për shumë evropianë, BE-ja duket se është kthyer nga të vdekurit. Ngadalë, por me siguri, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, dy udhëheqësit më të fuqishëm të bllokut, kanë treguar shenja të bashkimit për të ndjekur reformat e vonuara të nivelit të BEsë. Për më tepër, pavarësisht nga formimi i një qeverie koalicioni anti-establishment në Itali dhe rritja e partive populiste anembanë Evropës, sondazhet e opinionit tregojnë se mbështetja për BE-në tani është më e lartë se ajo që ka qenë në dekada të tëra më parë. Sipas një sondazhi të fundit të "Eurobarometrit", sikur tani të mbahej një referendum mbi anëtarësimin në BE, 83% e evropianëve do të votonin për të qëndruar në bllok; dhe një rekord i lartë prej 60% e konsiderojnë anëtarësimin në BE si një "gjë të mirë" për vendin e tyre. Me fjalë të tjera, përkundër faktit që populizmi mund të mbjellë ndarje politike brenda BE-së, ka pak dëshmi se vetë Brexit ka shkaktuar një efekt domino.

Sondazhet

Mbështetësi kryesor i Brexit-it, Nigel Farage, mund të dëshirojë të mendojë se qeveria e re populiste e Italisë përfaqëson një sukses për markën e tij të nacionalizmit 'bëje vetë', por rezulton se populistët e Evropës janë të një race të ndryshme nga ato të Mbretërisë së Bashkuar. Edhe pse tregjet financiare kanë reaguar me shqetësim ndaj perspektivës që liderët e rinj të Italisë mund ta nxjerrin vendin e tyre nga eurozona, anketat e bëra pas zgjedhjeve në mars treguan se 60-72% e italianëve nuk do ta mbështesin një lëvizje të tillë. Megjithatë, sondazhi i fundit tregon më shumë ambivalencë rreth trajektores aktuale të BE-së. Vetëm 32% të qytetarëve besojnë se "gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur" për BE-në, ndërsa 42% mendojnë se blloku është në rrugë të gabuar. Pyetja për shumicën e evropianëve, atëherë, nuk është nëse do ta shkatërrojë BE-në, por si ta përmirësojnë atë. Për shkak të efekteve të vazhdueshme të krizës financiare të vitit 2008 dhe krizës së mëvonshme të eurozonës, BE-ja ka dështuar në zbatimin e reformave të nevojshme. Por, tani ajo ka një mundësi për të vepruar, sepse e vërteta rreth realitetit të ri të rrezikshëm gjeopolitik të Evropës më në fund po godet shumëkënd në BE. Në fund të fundit, sfida unifikuese që Brexit ka paraqitur për bllokun, zbehet në krahasim me atë të paraqitur nga Donald Trump. Shpërfillja e presidentit amerikan ndaj NATO-s dhe zbulimet rreth kontakteve të fushatës së tij me rusët e lidhur me Kremlinin përpara zgjedhjeve të vitit 2016, e kanë bërë të qartë se evropianët nuk mund të mbështeten më vetëm te Shtetet e Bashkuara për sigurinë e tyre. Për më tepër, vendimi i Trumpit për ta nënshtruar BEnë (si dhe aleatët e tjerë të SHBA-së, sikur Kanadanë dhe Meksikën) ndaj tarifave të importimeve për çelikun dhe aluminin, ka unifikuar udhëheqësit evropianë në zemërim dhe neveri. Dhe, sugjerimi i tij që automobilat gjermanë duhet të largohen nga rrugët e SHBA-së - pavarësisht faktit se shumë makina "gjermane" janë në të vërtetë të prodhuara në Shtetet e Bashkuara - mund të ndihmojë gjermanët të kuptojnë se kanë nevojë për ndihmë të evropianëve të tjerë për ta mbrojtur industrinë e automobilave.

Marrja e vendimeve të vështira

Tarifat e Trumpit kanë ofruar kështu një mundësi të përkryer për qeverinë gjermane të koalicionit të Gjermanisë që t'i dalë Macron-it në takim, në lidhje me propozimet e tij ambicioze për ta reformuar BE-në dhe eurozonën. Është koha që Gjermania të jetë më e hapur për nevojat e vendeve të Evropës Jugore. Politikat "America First" (Amerika në rend të parë) të presidentit Trump, përfaqësojnë një kthim të gabuar te nacionalizmi dhe proteksionizmi i një epoke të kaluar. Ato paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj rendit ndërkombëtar të pasluftës që ka mbështetur begatinë dhe stabilitetin për 73 vjet me radhë. E, megjithatë, ato mund të jenë pikërisht ajo që nevojitet për procesin e integrimit të vonuar evropian. Trump kënaqet në kaosin të cilin vet e shkakton. Ai i konsideron marrëdhëniet ndërkombëtare si një lojë të fituesve dhe humbësve, dhe, derisa politikat e tij të jashtme dhe tregtare kanë farë kuptimi, ato janë transaksionale. Në anën tjetër, modus operandi i BE-së është një bashkëpunim dhe kompromis. Dhe tani që këto dy botëkuptime janë duke u përplasur, secili ka gjasa që të trimërohet. Përveç Brexit-it dhe Trumpit, revanshizmi i presidentit rus Vladimir Putin dhe rritja e fortë e Kinës janë duke rrezikuar rendin global. Por, siç e dimë edhe ne evropianët, nuk ka asgjë aq serioze, sa një krizë për t'i bërë gjërat të lëvizin përsëri. Ne kemi shmangur marrjen e vendimeve të vështira për dekada të tëra. Tani, ne duhet të vendosim se çfarë duam që Evropa të jetë në vitin 2050, dhe më pas.

(Guy Verhofstadt, ish-kryeministër i Belgjikës, është president i Grupit për Evropën të Aleancës të liberalëve dhe demokratëve -ALDE, në Parlamentin Evropian)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)