Pse G7 është e barabartë me zero?

Pse G7 është e barabartë me zero?
  • 17 June 2018 - 12:08

Shkruan: Jim O'Neill 

E dhe pse paraqitja e presidentit amerikan Donald Trump në takimin e Grupit të Shtatë (G7) në Kebek javën e kaluar nuk ishte veçanërisht i mirëpritur, unë simpatizoj me skepticizmin e tij ndaj grupit. Kam dyshuar gjatë se takimi vjetor i liderëve nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara i shërben ndonjë qëllimi të dobishëm. Në vitin 2001, kur u shpik akronimini BRIC, parashikoja që rëndësia në rritje ekonomike e Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës do të kërkonte një ndryshim të rëndësishëm në qeverisjen ekonomike globale. Në rastin më të vogël, kam vërejtur se organet e qeverisjes globale duhet të përfshijnë Kinën, nëse jo të gjitha vendet e grupit BRIC. Në të njëjtën kohë, vura në dukje se kishte pak arsye për Francën, Gjermaninë dhe Italinë që të përfaqësoheshin individualisht, duke pasur parasysh se ato kanë një valutë të përbashkët, një politikë monetare dhe një kornizë për politikën fiskale (të paktën në parim). Dhe unë pyeta nëse Kanadaja dhe Britania e Madhe duhet të përfshihen ende në mesin e ekonomive më të rëndësishme në botë. Tani kanë kaluar 17 vjet, dhe G7 ende shërben për qëllime të tjera, sesa të mbajë të zënë punonjësit civilë të shteteve anëtare. Po, ajo ende përfshin shtatë demokracitë perëndimore me ekonomitë më të mëdha. Në këtë pikë, ekonomia e Kanadasë nuk është shumë më e madhe se ajo e Australisë, dhe ajo e Italisë është pak më e madhe se ajo e Spanjës.Dominimi në ekonominë botërore

G7 është një objekt i një epoke të kaluar. Në vitet 1970, kur G5 u zgjerua për të përfshirë Kanadanë dhe Italinë, grupimi i ri me të vërtetë dominonte në ekonominë botërore. Japonia po lulëzonte, dhe shumë prej tyre pritnin që ajo të arrinte deri në nivelin e SHBA-së; Italia po rritej dhe askush nuk mendonte për Kinën. Por, këtë vit, Kina parashikohet të arrijë të gjithë eurozonën. Dhe, me ritmin e tanishëm të rritjes, ajo do të krijojë në mënyrë efektive një ekonomi të re me madhësinë e asaj të Italisë, në më pak se dy vjet. Për më tepër, GDP-ja e Indisë është tashmë më e madhe se ajo e Italisë dhe, as Brazili nuk është shumë prapa. Me fjalë të tjera, i vetmi legjitimitet global që G7 mund të pretendojë, është se ai përfaqëson disa demokraci të mëdha. Por 85% e rritjes së GDP-së në botë (në dollarë amerikanë) që nga viti 2010 ka ardhur nga SHBA-ja dhe Kina, dhe gati 50% vetëm nga Kina. Një rritje tjetër prej 6% ka ardhur nga India, ndërkohë që vlera e dollarit të ekonomisë japoneze dhe të BE-së në fakt ka rënë. Në dritën e këtyre realiteteve, G7 do të ishte shumë më e rëndësishme nëse Kanadaja, Franca, Gjermania dhe Italia të ishin zëvendësuar nga Kina, India dhe një delegacion i vetëm që përfaqëson eurozonën. Por, natyrisht, tashmë ekziston një trup që përfaqëson vendet aktuale G7, si dhe vendet BRIC: G20, që u formua në vitin 1999. Që nga samiti i tij i parë formal në vitin 2008, G20 i ka shërbyer një qëllimi të qartë si një forum për ekonomitë kryesore në botë. Çdo klub më i vogël i justifikuar, duhet të ketë të njëjtin legjitimitet si G20. Përfaqësimi i demokracive që kishin ekonomitë më të mëdha në vitet 1970 nuk mjafton më. Pas të gjithave, India dhe Brazili gjithashtu kanë demokraci funksionale, dhe së shpejti mund të bëhen më të begata sesa Franca dhe Britania e Madhe. Trump shkaktoi zemërim kur kërkoi javën e kaluar që G7 të ri-inkorporojë Rusinë, e cila u përjashtua pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014 nga ana e presidentit rus Vladimir Putin. Por, vlen të pyesim se çfarë sfidash globale G7 aktuale është e aftë për të adresuar, jashtë çështjeve të ngushta ekonomike. Duke filluar nga terrorizmi, e deri te përhapja e armëve bërthamore dhe ndryshimet klimatike, vështirë se ekzistojnë çështje që mund të zgjidhen pa ndihmën e vendeve jashtë grupit G7. Edhe pse mediet perëndimore e përshkruan Trumpin si delen e zezë të samitit, Italia gjithashtu ka një qeveri që favorizon afrimin me Rusinë.

E ardhmja e qeverisjes globale

Cirku i kohëve të fundit i G7 ka shtuar përshtypjen se politikëbërësit perëndimorë janë të paaftë për t'u ballafaquar me disa nga çështjet më urgjente të botës. Për të qenë të sigurt, tregjet financiare globale treguan pak shqetësime për rrëmujën në Kebek fundjavën e kaluar. Por, ndër të tjera, kjo thjesht mund të pasqyrojë faktin se G7 nuk ka më rëndësi. Duke shikuar përpara, është e qartë se G20 ofron një forum më të mirë të qeverisjes globale sesa G7 në gjendjen e tanishme. Megjithëse një numër më i madh pjesëmarrësish e bëjnë më të vështirë arritjen e një konsensusi të qëndrueshëm, ai është gjithashtu shumë më reprezentativ. Më e rëndësishmja, G20 përfshin vendet që do të jenë të domosdoshme për zgjidhjen e problemeve globale tani dhe në të ardhmen. Thënë këtë, një grup më i vogël përfaqësues i vendeve mund të kishte ende një rol të ardhshëm për të luajtur së bashku me G20. Por vetëm nëse është konceptuar siç duhet. Për këtë qëllim, think tanket (grupet e ekspertëve) kryesorë në botë duhet të fillojnë të ofrojnë ide specifike për të ardhmen e qeverisjes globale. Nga ana ime, unë mezi pres që ta marr presidencën e "Chatham House" muajin e ardhshëm.

(Jim O'Neill, ish kryesues i "Goldman Sachs" dhe ish ministër britanik i thesarit, është profesor i ekonomisë në Universitetin e Mançesterit)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)