Sabotimi i Luftës së drejtë çlirimtare 1989-1999

Sabotimi i Luftës së drejtë çlirimtare 1989-1999
  • 18 June 2018 - 08:31

SHKRUAN: DR.HAKIF BAJRAMI

Në këtë "vakum" na u kanë hedhur në shpinë sidomos në kohën e fundit, një kastë e gazetarëve që kanë informata "kur ka folur elefanti me hardhucën" dhe të vërtetën e tyre e plasojnë për çdo ditë, duke provuar ta shpërlajnë trurin e popullit se ata janë mesi, e mjetet e informimit, vizuale dhe të lexuar janë mbyllur hermetikisht për të prodhuar mall që u shitet. Këtyre janë kah u ndihmojnë edhe të huajt që vijnë këtu në cilësinë e mikut dhe "valiut", dhe kërkojnë me kauzitet, që "duhet ta rishikojmë historinë", ose e shkruajnë vetë dhe na përdhosin edhe Skënderbeun, edhe të gjitha kryengritjet shqiptare për një liri njerëzore dhe ngrohtësi popullore, sidomos deri më 1878. Ky soj "protektorësh" kërkon ta harrojmë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sulejman Vokshin, Haxhi Zekën, Murat Xhakën, Isa Boletinin, Idriz Seferin. Këta konvertitë nuk duan të dinë se 16000 të burgosur dhe të syrgjynosur më 1881- 1886 i ngjason kohës 1981-1989, me po aq mizori, me 750 000 dosje udbeske kundër shqiptarëve. Sipas këtyre ne duhet ta harrojmë edhe BESA BESËN e sidomos Haxhi Zekën, duhet ta harrojmë Hasan Prishtinë, Elez Isufin, Bajram Currin, Luigj Gurakuqion, Bajo e Qerçiz Topullin, duhet ta harrojmë fjalinë gjeniale të mësuesit " Nëse me vritni, por ruajeni gjaku tim dhe me të e shkruani gjuhën shqipe"! se shkollat shqipe osmanlia i kishte ndaluar në vilajetet shqiptare e ua lejonte serbianëve më 1868 në Stamboll. Ky mësues gjenial aludon se vrasjen do ta bëjnë shqiptarët e paguar. A nuk ka të tillë sot. Mos merrni turr në histori, shqiptarë! Mos kërkoni prej neve diçka që vetë nuk do ta bëni kurrë.

Në dasmë me 100 desh

Është mbushur toka shqiptare me heronj, por dihet fare mirë, bie fjala, për luftën e fundit se kush e spiunoi dhe kush e luftoi, pas shpine UÇK-në dhe demonstratat: 1968, 1981-1997-1998. Kthejeni shikimin prapa kush ka sabotuar Luftën e drejtë çlirimtare 1989-1999. Shkojmë më larg, kush ka ndenjur gju më gju me valiun e Kosovës më 1910 (nuk po shkojmë më thellë), kush ka ndenjur gju më gju me Nikola Pashiqin 1913-1926, kush i ka shkuar Kralit, serbit (Aleksandrit dhe kush është krushku i parë nga Beogradi e deri në RumuniBukuresht), në dasmë me 100 desh dhe sot hiqet për "hero, se ata që e vranë Emin Durakun, Qemal Stafën; ata që e rropën për së gjalli Meto Bajraktarin janë shqiptarë besa, madje shumë të pasur sot. Në këtë tragjedi vëllavrasëse , nuk na ka askush faj, përpos që ne historianët i "mbulojmë" dhe i maskojmë maskarenjtë. Bie fjala, për komunistët shqiptarë që hetuan dhe gjykuan në Kosovë 1945- 1999, fare pak flitet, me fakte. Dhe shtrohet pyetja sa dhe kush e lexoi publikimin: "Zavere i zloçini UDB-Jugosllavie do 1966". Ky publikim është botuar i tëri në: Dosjen Demaçi, sidomos në Dosjen Fazli Grajqefci, Dosjen Metush Krasniqi etj. Dhe kur erdhi rendi për botimin e Dosjes Shaban Shala, u lajmëruan kërcënime dhe shantazhe, se disa maskarenj po frikohen se do të dalin emrat e baballarëve të tyre "pacifistë" që janë të implikuar në likuidimin e patriotit (Shaban Shala). Po pse nuk u botua deri më sot ajo Dosje e atij heroi? Nuk u botua se ishin në pyetje sabotimet dhe tradhtitë në ditët e sotme, që do të zbulohen një ditë pas 30 vitesh, në kontinuitet deri më 1999. Kanceri i rishikimit të shkrimit të historisë pushon këtu. Po disa çështje të objektivizohen, por jo i tërë realiteti. Dhe, kush investon sot në hulumtimet shkencore historike, cila ministri, cili institucion-askush. Është individualizuar dhe personalizuar shkenca- historia. Nëse nuk i takon klanit, nuk je as në: Akademi, as në institucione, as në fakultetet e "kërpudhave". Sot dituria është bërë trilogji jo ortodokse, por pravosllave që nëse kur hynë në një fshat të qetë si luftëtar, së pari për të bërë krime monstruoze duhet të KRYQOHESH, pastaj çdo gjë "falet", vetëm avanti.

Kush po i drejton negociatat me Serbinë 1999-2018?

Tani vijmë te një fakt, që po peshon shumë keq në jetën tonë në Kosovë. Është bërë zakon, nga një kastë politike që historia jonë më e lavdishme të mjegullohet. Është bërë zakon që të ngjitet individi në kulmin e historisë se duke propaganduar se: "Marrëveshja e RAMBUJESË" 19 mars 1999, është shpëtimtare. Është bërë "kapital ditor" i klanit pro Rambujesë, "që Bacë Adem Demaçin ta anatemojnë se nuk ka pranuar 10 pikat e panegociueshme". Sulmet ndaj Bacës vijnë sidomos nga Tirana, por tinëzisht edhe nga kafenetë e qymezeve politike të Prishtinës, në nivel meskin. Tani po paraqesim fakte si erdhi deri te Konferenca e "kthesës" historike, që ishte projekt francez për ta nxjerrë Serbinë nga humnera e përgjegjësisë. Dhe pushtetarët serbianë që mëtonin "krejt ose asgjë" gabuan në hapa dhe nuk e nënshkruan, fakt ky që rusëve u pëlqente, për ta pasur një marionetë aleate në Ballkan, që do të rrijë karshi Perëndimit. Dihet, se masa shqiptare 1989-1999 ishte e polarizuar në dy taborë: në taborin legalist-paqësor, dhe në taborin ilegalist- legal, nga i cili doli ajka e historisë sonë më të ndritshme, UÇK-ja dhe lufta e saj e drejtë. Historia e legales nuk ka nevojë të elaborohet, sepse me të ishte nja 80% e popullit. Po të ishte ai 20% i UÇK-së deri më 28. XI. 1997 shifër më e lartë, ndryshe do të kuvendohej në Rambuje, ndryshe do të vendosej në Kumanovë, në Vjenë, në Bruksel. T` i zbërthejmë këto kuvendime "teknike" tash një nga një. Epopesë së Jasharëve u parapriu tragjedia në Qirez dhe Likashan më 28 shkurt 1998. Epopeja e Jasharëve në Prekaz (Adem Legjendarit) zgjati më 4-7 mars 1998. Kjo Epope ndryshoi mendjen në Nju-Jork dhe Washington. Shumë shpejt SHBA-ja nuk do ta përdorin më termin "terrorist". Kuptohet ky transformim e ka parahistorinë e vet, e cila fillon me FJALIMIN e Ramiz Alisë në OKB më 1990, së cilit fjalim do t`i kundërvihet pa argumente Borisav Joviqi (Kryetar i RSFJ që po shkatërrohej deri më 4 korrik 1992, definitivisht).Dalja publike e UÇK-së më 28 XI 1997, ua hapi sytë diplomacisë Perëndimore, sidomos SHBA-së, por mjerisht jo edhe pacifistëve në Kosovë. Ja pak histori: nga Ditari:Lufta në mes Kosovës dhe Serbisë shpërtheu de fakto në Foltoren e OKB-së (shtator 1990) ku Presidenti Ramiz Alia i shpalosi të gjitha padrejtësitë serbiane ndaj shqiptarëve në Kosovë. /vijon

(Kosova Sot)