Ja lajmi më i rëndësishëm nga samiti Trump-Kim

Ja lajmi më i rëndësishëm nga samiti Trump-Kim
  • 18 June 2018 - 08:37

Shkruan: Fareed Zakaria 

Trump paralajmëroi anulimin e stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut

 

Lajmi më i rëndësishëm nga samiti Trump-Kim - që, për ironi, u mbajt në Singapor, qytetin-shtet të cilin e ndërtoi Lee -do të duhet të kishte qenë: "SHBA-ja dobëson aleancën e saj 70- vjeçare me Korenë e Jugut" "Amerika do të mbetet fuqia dominuese në botë në shekullin XXI, vetëm nëse është edhe fuqi dominuese në Paqësor", më thoshte shpesh tani i ndjeri Lee Kuan Yew. Lee, themeluesi i Singaporit modern dhe njëra ndër mendjet më të mençura strategjike që kam takuar ndonjëherë, foli rreth kësaj çështjeje vonë, në jetën e tij, meqë ishte i shqetësuar rreth prishjes së stabilitetit i cili kishte mundësuar një rritje të jashtëzakonshme ekonomike globale gjatë gjysmës së fundit të shekullit. Çelësi, thoshte ai me siguri, qëndronte te angazhimi i thellë i SHBA-së në Azi, e cila me të shpejtë u bë qendër e ekonomisë dhe fuqisë globale. Por, mjerisht, presidenti Trump duket se është duke bërë gjithçka për ta thyer thënien e Lee-së. Media e kuptoi gabimisht këtë. Lajmi më i rëndësishëm nga samiti Trump-Kim - që, për ironi, u mbajt në Singapor, qytetinshtet të cilin e ndërtoi Lee - do të duhet të kishte qenë: "SHBA-ja dobëson aleancën e saj 70- vjeçare me Korenë e Jugut". Elementet më mbresëlënëse të iniciativës së Trumpit nuk ishin thjesht lëvdatat që ai i bëri ndaj diktatorit të Koresë Veriore, Kim Jong Un, por edhe fakti që ai paralajmëroi anulimin e stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut, duke përdorur me këtë rast retorikën e vet Koresë së Veriut, duke i quajtur ato stërvitje "provokuese".

Koreja Veriore kërcënon Korenë Jugor

e Duket se presidenti nuk është njoftuar si duhet. Në fakt, është Koreja Veriore ajo që provokon dhe kërcënon Korenë e Jugut, sikur që ka bërë që nga invadimi i parë i Jugut, në vitin 1950. Besohet që Koreja veriore të ketë rreth 1 milion trupa aktive, gati sa dyfishi i asaj që ka Koreja jugore dhe ajo ka hapur deri në 20 tunele për ta bërë një invadim të befasishëm. Koreja veriore po ashtu ka më shumë se 6,000 armë artilerie të cilat mund ta arrijnë Korenë Jugore, duke përfshirë edhe disa, rrezja e veprimit të të cilave është aq e gjatë, sa që ato rrezikojnë 32.5 milionë njerëz, më shumë se gjysmën e popullsisë së këtij vendi, thotë një studim i bërë nga "Rand Corp". Departamenti i mbrojtjes vlerësoi në vitin 2006 se, po të hapte Koreja veriore zjarr artilerie kundër Koresë së Jugut, atëherë vetëm në Seul do të vriteshin 250,000 njerëz, gjithmonë sipas studimit të "Rand"-it. Natyrisht, rreth një dekadë më vonë, Koreja Veriore tanimë ka deri në 60 bomba bërthamore, bashkë me raketat për lansimin e tyre. "Lojërat luftarake" të Koresë së Jugut me SHBA-në, thjesht janë stërvitje të nevojshme të mbrojtjes, të ndërmarra nën hijen e një kundërshtari agresiv. Edhe më keq, Trump bëri me dije se ai dëshiron që t'i japë fund pranisë së trupave amerikane në Korenë e Jugut. Ai e ka gabim kur thotë se, një veprim i tillë, do të kursente para, përpos nëse ai planifikon që t'i demoralizojë trupat, gjë që do të nënkuptonte zvogëlimin e forcave aktive amerikane, që është në kundërshtim me politikat e tij. Meqë Koreja e Jugut mbulon gati gjysmën e kostos së trupave amerikane, të stacionuara atje, atëherë zhvendosja e tyre, psh në Gjeorgji, nuk do të ishte më e lirë. Vetë përvoja e hidhur e ka mësuar SHBA-në se më mirë është që të ketë trupat e gatshme, të stërvitura dhe me njohuri të gjeografisë lokale, sesa t'i mbajë ato trupa në SHBA, për t'i dërguar jashtë vendit vetëm pasi që të shpërthejë ndonjë krizë. Disa analistë kanë theksuar faktin se fituesi më i madh i Samitit të Singaporit ishte fuqia e madhe që as nuk ishte e pranishme atje: Kina. Kjo është e saktë. Mendoni se çka ka dëshiruar gjithmonë Kina. Së pari, stabilizimin e Koresë së Veriut. Deri vonë flitej për një rrëzim të regjimit të Koresë së Veriut. Për Kinën, ky do të ishte një ankth i vërtetë, meqë bashkimi do të bëhej sipas kushteve të Koresë së Jugut. Kjo do ta nënkuptonte një shtet të madh demokratik, aleat me Uashingtonin, me trupa amerikane në kufi me Kinën. Ky skenar tani nuk duket i mundshëm pasi që SHBA-ja premton garanci të sigurisë për Korenë e Veriut, si dhe ndihma dhe investime.

Tërheqja e SHBA-së nga Azia

Dëshira tjetër e Kinës ishte 'pastrimi' i Azisë nga prania ushtarake amerikane, sidomos nga pjesa kontinentale. Duket se Trump është i prirë që ta bëjë edhe këtë. Pas Luftës së ftohtë, shumë vende aziatike shprehën nervozizëm rreth tërheqjes së mundshme të SHBA-së nga Azia, duke lënë aleatët e saj nën mëshirën e një Kine në ngritje e sipër. Për t'ua larguar këtë shqetësim, Joseph Nye, zyrtar kryesor i Departamentit të mbrojtjes në administratën Clinton, kishte formuluar një raport dhe iniciativë ku shprehej përkushtimi që SHBA-ja të mbante një prani ushtarake në Azi prej rreth 100,000 trupave. Nëse Trump ndjek impulsin e tij për të tërhequr trupat nga Koreja e jugut, atëherë SHBA-ja do të kishte më pak trupa, sesa ai premtim. Për Kinën, administrata Trump ka qenë me të vërtetë një pulë që vazhdon të bëjë vezë të arta. Trump filloi mandatin e tij duke u tërhequr nga Partneriteti transPaqësor, i cili ishte krijuar nga një grup i aleatëve të SHBA-së, për të qenë alternativë ndaj tregut të Kinës. Ky partneritet ishte mburojë kundër fuqisë së Kinës që do të dukej atraktive edhe për vendet e tjera atraktive. Tani, rregullat 'e rrugës' janë duke u shkruar në Azi edhe atë, në dialektin mandarin. Lee kishte të drejtë. "Loja" në aspektin afatgjatë, për SHBA-në, përgjatë disa dekadave të ardhshme, është si të trajtohet ngritja e Kinës. Dhe, tani për tani, ne e kemi braktisur fushën e lojës. 

(Kosova Sot)